«Lavdëroni Jah, ju njerëz!»
«Çdo gjë që merr frymë, le të lavdërojë Jah.»—PSALMI 150:6, BR.
1, 2. (a) Deri në ç’masë lulëzoi krishterimi i vërtetë në shekullin e parë? (b) Ç’paralajmërim kishin dhënë apostujt? (c) Si u zhvillua apostazia?
JEZUI i organizoi dishepujt e tij si një kongregacion i krishterë dhe ky lulëzoi në shekullin e parë. Pavarësisht nga kundërshtimi i ashpër fetar, ‘shpresa e ungjillit . . . iu predikua çdo krijese . . . nën qiell’. (Kolosianëve 1:23) Por pas vdekjes së apostujve të Jezu Krishtit, Satanai me dinakëri nxiti apostazinë.
2 Apostujt kishin dhënë një paralajmërim që më parë për këtë. Për shembull, Pavli u tha pleqve të Efesit: «Tregoni kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e tij. Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën, edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.» (Veprat 20:28-30; shiko edhe 2. Pjetrit 2:1-3; 1. Gjonit 2:18, 19.) Kështu, në shekullin e katërt, krishterimi apostat filloi të bashkohej dhe të bashkëvepronte me Perandorinë Romake. Pak shekuj më vonë, Perandoria e Shenjtë Romake, e lidhur me papën e Romës, mori sundimin mbi një masë të madhe të njerëzimit. Me kohë, Reforma Protestante ngriti krye kundër teprimeve të liga të Kishës Katolike, por ajo dështoi në rivendosjen e krishterimit të vërtetë.
3. (a) Kur dhe si u predikua lajmi i mirë në gjithë krijimin? (b) Cilat pritje të bazuara në Bibël u realizuan në vitin 1914?
3 Megjithatë, ndërsa po afrohej fundi i shekullit të 19-të, një grup i sinqertë studentësh të Biblës ishin edhe një herë të zënë me predikimin dhe përhapjen ‘e shpresës së lajmit të mirë për gjithë krijimin nën qiell’. Mbi bazën e studimit të tij të profecisë biblike, ky grup e drejtoi vëmendjen, që 30 vjet përpara, drejt 1914-s, si viti që do të shënonte fundin e «kohëve të caktuara të kombeve», një periudhë prej «shtatë kohësh», ose 2.520 vjetësh, që filluan me shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. (Luka 21:24, BR; Danieli 4:16) Në plotësim të pritjeve, 1914-ta rezultoi një pikë kthese në çështjet njerëzore mbi tokë. Edhe në qiell ndodhën ngjarje historike. Pikërisht në atë kohë, ndodhi që Mbreti i përjetësisë vendosi Mbretin e tij bashkëpunëtor, Jezu Krishtin, mbi një fron qiellor, si një përgatitës për fshirjen e gjithë ligësisë nga faqja e tokës dhe për rivendosjen e Parajsës.—Psalmet 2:6, 8, 9; 110:1, 2, 5.
Ja, Mbreti Mesianik!
4. Si jetoi Jezui në lartësinë e domethënies së emrit të tij, Mikael?
4 Në 1914-n ky Mbret Mesianik, Jezui, filloi të vepronte. Në Bibël, ai gjithashtu quhet Mikael, që do të thotë «Kush është si Perëndia?», pasi ai synon të shfajësojë sovranitetin e Jehovait. Siç tregohet në Zbulesën 12:7-12, apostulli Gjon e përshkroi në një vizion atë që do të ndodhte: «Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan, por nuk fituan, e nuk u gjet më për ta vend në qiell. Kështu dragoi i madh, gjarpri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij.» Një hedhje e fuqishme vërtet!
5, 6. (a) Cila shpallje emocionuese erdhi nga qielli pas vitit 1914? (b) Si lidhet me këtë Mateu 24:3-13?
5 Atëherë, një zë i fortë në qiell shpalli: «Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste përpara Perëndisë tonë ditë e natë. Dhe ata [të krishterët besnikë] e fituan atë me anë të gjakut të Qengjit [Jezu Krishtit] dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje.» Kjo nënkupton çlirimin e mbajtësve të integritetit, të cilët kanë ushtruar besim në flijimin e çmuar shpërblerës të Jezuit.—Proverbat 10:2; 2. Pjetrit 2:9.
6 Zëri i fortë në qiell vazhdoi të shpallte: «Prandaj gëzohuni, o qiej, dhe ju që rrini në ta. Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke e ditur se ka pak kohë.» «Mjerimi» i profetizuar këtu për këtë tokë është shprehur në luftëra botërore, uri, murtaja, tërmete dhe paligjshmëri që kanë pllakosur tokën në këtë shekull. Siç tregon Mateu 24:3-13, Jezui paratha se këto do të ishin pjesë e ‘shenjës së mbarimit të sistemit të gjërave’. (BR) Në vërtetim të profecisë, që prej 1914-ës njerëzimi ka provuar mjerim mbi tokë, të paparë në të gjithë historinë e mëparshme njerëzore.
7. Përse Dëshmitarët e Jehovait predikojnë me urgjencë?
7 Në këtë periudhë të mjerimit satanik, a mundet njerëzimi të gjejë shpresë për të ardhmen? Po! Sepse Mateu 12:21 thotë për Jezuin: «Dhe njerëzit do të shpresojnë në emrin e tij.» Kushtet traumatizuese midis kombeve nuk shënojnë vetëm ‘shenjën e mbarimit të sistemit të gjërave’, por edhe ‘shenjën e pranisë së Jezuit’ si Mbret i Mbretërisë Mesianike. Në lidhje me këtë Mbretëri, Jezui thotë më tej: «Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet dhe atëherë do të vijë mbarimi.» (Mateu 24:14) Cili popull mbi tokë është duke predikuar sot shpresën e madhe të sundimit të Mbretërisë së Perëndisë? Dëshmitarët e Jehovait! Me urgjencë, ata shpallin publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi që Mbretëria e Perëndisë, e drejtësisë dhe e paqes, së shpejti do të marrë kontrollin mbi çështjet tokësore. A po merr pjesë edhe ti në këtë shërbim? Nuk mund të kesh privilegj më të madh!—2. Timoteut 4:2, 5.
Si do të vijë «fundi»?
8, 9. (a) Si filloi gjykimi «nga shtëpia e Perëndisë»? (b) Si e ka dhunuar i ashtuquajturi krishterim Fjalën e Perëndisë?
8 Njerëzimi ka hyrë në një periudhë gjykimi. Në 1. Pjetrit 4:17 informohemi që gjykimi filloi «nga shtëpia e Perëndisë», një gjykim i organizatave të ashtuquajtura të krishtere, i cili është bërë i dukshëm qysh kur «ditët e fundit» nisën udhën me masakrën e Luftës I Botërore, gjatë viteve 1914-18. Si ka dalë i ashtuquajturi krishterim në këtë gjykim? Mirë, pra, le të shqyrtojmë qëndrimin e kishave në mbështetje të luftërave, që nga 1914-a. A nuk janë lyer klerikët me «gjakun e të pafajmëve të mjerë», të cilëve u kanë predikuar në radhët e para të betejave?—Jeremia 2:34.
9 Sipas Mateut 26:52, Jezui tha: «Të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.» Sa e vërtetë ka qenë kjo në luftërat e këtij shekulli! Kleri ka inkurajuar të rinjtë që të shkojnë të masakrojnë të rinj të tjerë, madje edhe të së njëjtës fe, katolikët kanë vrarë katolikë dhe protestantët kanë vrarë protestantë. Nacionalizmi është ngritur mbi Perëndinë dhe Krishtin. Kohët e fundit, në disa kombe afrikane, lidhjet etnike janë vënë përpara parimeve të Biblës. Në Ruanda, ku shumica e popullsisë janë katolikë, të paktën gjysmë milionë njerëz janë masakruar gjatë dhunës etnike. Papa pranoi në gazetën e Vatikanit L’Osservatore Romano: «Ky është një gjenocid fund e krye, për të cilin fatkeqësisht edhe katolikët janë përgjegjës.»—Krahaso Isainë 59:2, 3; Mikea 4:3, 5.
10. Cilin gjykim do të ekzekutojë Jehovai mbi fenë e rreme?
10 Si i konsideron Mbreti i përjetësisë fetë që inkurajojnë njerëzit të masakrojnë njëri-tjetrin ose që rrinë duarkryq, ndërsa anëtarët e kopeve të tyre vrasin njëri-tjetrin? Në lidhje me Babiloninë e Madhe, sistemin botëror të fesë së rreme, Zbulesa 18:21, 24 na thotë: «Dhe një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh me përmasat sa një mokër dhe e hodhi në det, duke thënë: ‘Me të njëjtin vrull do të hidhet Babilonia, qyteti i madh, dhe nuk do të gjendet më. Sepse në të u gjet gjak profetësh dhe shenjtorësh, dhe i gjithë atyre që janë vrarë mbi dhe.’»
11. Çfarë gjërash të tmerrshme kanë ndodhur në të ashtuquajturin krishterim?
11 Gjëra të tmerrshme kanë ndodhur në të ashtuquajturin krishterim, në përmbushje të profecisë së Biblës. (Krahaso Jereminë 5:30, 31; 23:14.) Në masën më të madhe për shkak të qëndrimit tolerues të klerikëve, kopetë e tyre i ka mbytur imoraliteti. Në Shtetet e Bashkuara, që konsiderohen një shtet i krishterë, pothuajse gjysma e martesave përfundojnë në divorc. Homoseksualizmi dhe shtatzënitë mes adoleshentëve janë me bollëk mes anëtarëve të kishave. Priftërinjtë abuzojnë seksualisht jo pak herë me djemtë dhe vajzat e reja. Thuhet se dëmshpërblimet e caktuara nga trupat gjykuese për implikime në këto raste, mund t’i kushtojnë Kishës Katolike në Shtetet e Bashkuara një miliard dollarë brenda një dekade. I ashtuquajturi krishterim ka shpërfillur paralajmërimin e apostullit Pavël në 1. Korintasve 6:9, 10: «A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.»
12. (a) Si do të veprojë Mbreti i përjetësisë kundër Babilonisë së Madhe? (b) Në kontrast me të ashtuquajturin krishterim, për cilën arsye populli i Perëndisë do të këndojë në kor «Halelujah»?
12 Së shpejti, Mbreti i përjetësisë, Jehovai, duke vepruar me anë të Kryekomandantit të tij qiellor, Jezu Krishtit, do të lëshojë mjerimin e madh. Së pari, i ashtuquajturi krishterim dhe të gjitha degët e tjera të Babilonisë së Madhe do të vuajnë ekzekutimin e gjykimit të Jehovait. (Zbulesa 17:16, 17) Ata e kanë treguar veten të padenjë për shpëtimin që Jehovai ka siguruar me anë të sakrificës shpërblerëse të Jezuit. Kanë përbuzur emrin e shenjtë të Perëndisë. (Krahaso Ezekielin 39:7.) Çfarë talljeje është kur këndojnë në kor «Halelujah», në ndërtesat e tyre të pasura fetare! Ata heqin emrin e çmuar të Jehovait nga përkthimet e tyre të Biblës, por me sa duket e harrojnë faktin që «Halelujah» do të thotë «Lavdëroni Jah», ku «Jah» është një formë e shkurtuar e «Jehova». Në mënyrë të përshtatshme, Zbulesa 19:1-6 kujton se së shpejti koret «Halelujah» do të këndohen për të kremtuar ekzekutimin e gjykimit të Perëndisë kundër Babilonisë së Madhe.
13, 14. (a) Cilat ngjarje të rëndësishme ndodhin më pas? (b) Cili është rezultati i lumtur për njerëzit me frikë Perëndie?
13 Pastaj, e ka radhën ‘ardhja’ e Jezuit për të shpallur dhe për të ekzekutuar gjykimin mbi kombet dhe popujt. Ai vetë profetizoi: «Dhe kur të vijë Biri i njeriut [Jezu Krishti] në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin [e gjykimit] e lavdisë së vet. Dhe të gjithë kombet [mbi tokë] do të mblidhen para tij; dhe ai do të ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë. Dhe delet do t’i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën. Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.’» (Mateu 25:31-34) Mt 25 Vargu 46 vazhdon të tregojë se klasa e cjepve ‘do të shkojë në mundim të përhershëm dhe të drejtët në jetën e përjetshme’.
14 Libri biblik i Zbulesës përshkruan se si «Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve», Zotëria ynë qiellor, Jezu Krishti, në atë kohë do të kalërojë në betejën e Harmagedonit, duke shkatërruar elementët politikë dhe tregtarë të sistemit të Satanait. Në këtë mënyrë, Krishti do të derdhë «furinë e zemërimit të Perëndisë së Plotfuqishëm» mbi gjithë sundimin tokësor të Satanait. Pasi këto ‘këto gjëra të mëparshme të shkojnë’, njerëzit me frikë Perëndie do të hyjnë në botën e re të lavdishme, ku Perëndia «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre».—Zbulesa 19:11-16; 21:3-5.
Koha për të lavdëruar Jah
15, 16. (a) Përse është jetësore që të dëgjojmë fjalën profetike të Jehovait? (b) Çfarë tregojnë profetët dhe apostujt se duhet të bëjmë ne për shpëtim dhe ç’do të thotë kjo sot për shumë veta?
15 Dita për ekzekutimin e gjykimit është afër! Prandaj, ne do të bëjmë mirë t’i kushtojmë vëmendje fjalës profetike të Mbretit të përjetësisë. Atyre, të cilët janë akoma të ngatërruar me mësimet dhe traditat e fesë së rreme, një zë qiellor u deklaron: «Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjestarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj.» Po ku duhet të shkojnë ata që dalin? Mund të jetë vetëm një e vërtetë, pra, edhe vetëm një fe e vërtetë. (Zbulesa 18:4; Gjoni 8:31, 32; 14:6; 17:3) Jeta jonë e përhershme varet nga gjetja e kësaj feje dhe nga bindja ndaj Perëndisë së saj. Bibla na drejton drejt tij, në Psalmin 83:18, në të cilin lexojmë: «Ti, që ke emërinë Jehovah, je i lartë mbë gjithë dhenë.»—PSALLTIRI, përkthyer nga hebraishtja në shqip nga Shoqëria Biblike për në Angli dhe Jashtë, Korçë 1928.
16 Sidoqoftë, na nevojitet të bëjmë më shumë, se thjesht të njohim emrin e Mbretit të përjetësisë. Kemi nevojë të studiojmë Biblën dhe të mësojmë mbi cilësitë dhe qëllimet e tij të mëdha. Më pas, duhet të bëjmë vullnetin e tij në këtë kohë, siç tregon Romakëve 10:9-13. Apostulli Pavël citoi profetin e frymëzuar dhe përfundoi: «Kushdo që thërret në emrin e Jehovait do të shpëtohet.» (Joeli 2:32, BR; Sofonia 3:9) Do të shpëtohet? Po, për shumë njerëz sot, që ushtrojnë besim në masën e Jehovait për shpërblerje me anë të Krishtit, kjo mund të nënkuptojë shpëtim nga mjerimi i madh që po vjen, në të cilin do të ekzekutohet gjykimi mbi botën e korruptuar të Satanait.—Zbulesa 7:9, 10, 14.
17. Cila shpresë e madhe duhet të na nxisë të bashkohemi tani, për të kënduar këngën e Moisiut dhe të Qengjit?
17 Cili është vullneti i Perëndisë për ata që shpresojnë të mbijetojnë? Është që të bashkohemi që tani për të kënduar këngën e Moisiut dhe të Qengjit, duke lavdëruar Mbretin e përjetësisë në pritje të fitores së tij. Këtë e bëjmë, duke u folur të tjerëve mbi qëllimet e tij të lavdishme. Ndërsa përparojmë në kuptueshmërinë e Biblës, e dedikojmë jetën tonë ndaj Mbretit të përjetësisë. Kjo mund të na bëjë të jetojmë për gjithë përjetësinë, nën rregullimin që ky Mbret i fuqishëm përshkruan, siç gjendet në Isainë 65:17, 18: «Sepse ja, unë po krijoj qiej të rinj [Mbretërinë Mesianike të Jezuit] dhe një tokë të re [një shoqëri të re të drejtë njerëzore] dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mendje. Por ju gëzohuni dhe ngazëllohuni përjetë për atë që krijoj.»
18, 19. (a) Për çfarë duhet të na nxisin fjalët e Davidit në Psalmin 145? (b) Çfarë mund të presim me besim nga dora e Jehovait?
18 Psalmisti David e përshkroi Mbretin e përjetësisë me këto fjalë: «Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.» (Psalmi 145:3) Po, madhështia e tij është e paarritshme, si kufijtë e hapësirës dhe të përjetësisë! (Romakëve 11:33) Ndërsa vazhdojmë të marrim njohuri për Krijuesin tonë dhe për masën e tij shpërblyese me anë të Birit të tij, Jezu Krishtit, ne do të dëshirojmë ta lavdërojmë Mbretin tonë të përjetësisë gjithnjë e më shumë. Do të dëshirojmë të bëjmë atë që nënvizon Psalmi 145:11-13: «Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde, për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate. Mbretëria jote është një mbretëri përjetë dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.»
19 Me plotë besim mund të presim që Perëndia ynë t’i qëndrojë besnik deklaratës: «Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.» Mbreti i përjetësisë do të na udhëheqë me butësi deri në fund të këtyre ditëve të fundit, pasi Davidi na siguron: «Zoti [Jehovai, BR] mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të pabesët.»—Psalmi 145:16, 20.
20. Si i përgjigjesh ti ftesës së Mbretit të përjetësisë, siç ushton edhe në pesë psalmet e fundit?
20 Secili prej pesë psalmeve të fundit në Bibël fillon dhe mbaron me një ftesë «Halelujah». Kështu, Psalmi 146 na fton: «Lavdëroni Jah, ju njerëz! Lavdëro Jehovain, o shpirti im. Unë do të lavdëroj Jehovain gjatë gjithë jetës sime. Do të bëj melodi për Perëndinë tim për sa kohë të jem.» (BR) A do t’i përgjigjesh edhe ti kësaj thirrjeje? Patjetër, duhet të kesh dëshirë ta lavdërosh atë! Qofsh midis atyre që janë përshkruar në Psalmin 148:12, 13: «Të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë. Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejt.» Le t’i përgjigjemi me gjithë zemër ftesës: «Lavdëroni Jah, ju njerëz!» Le të lavdërojmë njëzëri Mbretin e përjetësisë!
Si do të komentoje?
◻ Për çfarë paralajmëruan apostujt e Jezuit?
◻ Cilat veprime vendimtare kanë ndodhur, duke filluar nga viti 1914?
◻ Cilat gjykime po përgatitet të ekzekutojë Jehovai?
◻ Përse kjo është koha më e rëndësishme për të lavdëruar Mbretin e përjetësisë?
[Kutia në faqen 19]
Kjo periudhë katastrofike me trazira
Fakti që në fillimet e shekullit të 20-të filloi një periudhë trazirash është pranuar nga shumë veta. Për shembull, në parathënien e librit Pandaemonium, nga senatori i Shteteve të Bashkuara, Daniel Patrick Moynihan, i botuar në vitin 1993, një koment mbi «katastrofën e vitit 1914» thotë: «Lufta erdhi dhe bota ndryshoi, krejtësisht. Sot ka mbi tokë vetëm tetë shtete, të cilat ekzistonin në vitin 1914 dhe që nuk e kanë ndryshuar me dhunë formën e tyre të qeverisjes prej atëherë . . . Nga pjesa tjetër prej afro 170 shtetesh, të cilat ekzistojnë edhe sot, disa janë krijuar tepër vonë për të provuar shumë trazira të kohëve të fundit.» Vërtet, periudha prej 1914-ës ka dëshmuar katastrofa pas katastrofash!
Po në vitin 1993 është botuar edhe libri Out of Control—Global Turmoil on the Eve of the Twenty-First Century. Autor është Zbigniew Brzezinski, ish-shef i Këshillit Kombëtar të Sigurimit të Shteteve të Bashkuara. Ai shkruan: «Ardhja e shekullit të njëzetë u përshëndet nga një seri komentesh si fillimi i vërtetë i Epokës së Arsyes. . . . Në kundërshtim me premtimet e tij, shekulli i njëzetë u bë shekulli më i përgjakshëm dhe më me urrejtje i njerëzimit, një shekull i halucinacioneve politike dhe i vrasjeve të përbindshme. Mizoria u institucionalizua në një shkallë pa precedent, vrasja u organizua në bazën e një prodhimi në masë. Kontrasti midis mundësisë shkencore për qëllime të mira dhe ligësisë politike që aktualisht është lëshuar, është tronditës. Kurrë më parë në histori vrasja nuk ka qenë kaq e përhapur në masë, kurrë më parë ajo nuk ka marrë kaq shumë jetë, kurrë më parë shfarosja njerëzore nuk është ndjekur me një përqendrim kaq të vazhdueshëm forcash, në mbështetje të qëllimeve të tilla të paarsyeshme në mënyrë arrogante.» Sa e vërtetë është kjo!
[Figura në faqen 17]
Mikaeli hodhi poshtë në tokë Satanain dhe hordhitë e tij pas vendosjes së Mbretërisë në 1914-n