Lajmëtarët e Mbretërisë Raportojnë
«Të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta»
PAK para se të vdiste, Moisiu e nxiti popullin e Izraelit t’u bindej të gjitha urdhërimeve të Jehovait. Ai tha: «Merrini me zemër tërë fjalët me të cilat kam dëshmuar sot kundër jush. Do t’ua lini porosi bijve, që ata të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji. Sepse kjo nuk është një fjalë pa vlerë për ju, por është jeta juaj.»—Ligji i përtërirë 32:46, 47.
Qindra vjet më pas, psalmisti theksoi rëndësinë e të gjitha mësimeve të Perëndisë, kur tha: «Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.» (Psalmi 119:151) Në shekullin e parë, vetë Jezui iu referua vlerës së ‘çdo fjale që del nga goja e Perëndisë’. (Mateu 4:4) Kurse apostulli Pavël nën drejtimin e Perëndisë shkroi se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm».—2. Timoteut 3:16.
Është e qartë, Perëndia Jehova pret nga adhuruesit e tij që t’i kushtojnë vëmendje serioze të gjithë mesazhit që na përçohet në faqet e Fjalës së tij. Nuk ekziston asnjë fragment i vetëm në Bibël që nuk ka vlerë. Ky është mendimi i Dëshmitarëve të Jehovait për Fjalën e Perëndisë, siç ilustrohet edhe nga përvoja e mëposhtme nga Mauricius.
Zoti D. jetonte në një fshat të thellë, ku punonte si roje nate. Për shumë kohë, ai kishte kërkuar me sinqeritet rrugën e drejtë për të adhuruar Perëndinë. Natën gjatë rojes, ai filloi të lexonte Biblën. Si përfundim, e lexoi atë nga fillimi deri në fund. Ai mësoi se emri i Perëndisë është Jehova, një emër që shfaqet shumë herë në Biblën e tij hinduse. Zbuloi se libri i Zbulesës ishte veçanërisht tërheqës.
Më pas, ai e pyeti veten nëse kishte një fe që ndiqte Biblën në tërësi. Vërejti se fetë që kishte njohur, më e mira që kishin bërë është se kishin ndjekur vetëm disa pjesë të Biblës. Disa fe pranonin Shkrimet Hebreje dhe hidhnin poshtë Shkrimet e Krishtere Greke. Fe të tjera shpërfillnin Shkrimet Hebreje, duke i atribuar vlerë praktike vetëm Shkrimeve të Krishtere Greke.
Një ditë, zoti D. pa një çift që po lagej në mes të shiut dhe i ftoi të gjenin strehë në shtëpinë e tij. Ata ishin Dëshmitarë të Jehovait. Gruaja mbante në dorë librin Zbulesa—Kulmi i saj madhështor është afër!a Pa e zgjatur shumë, zoti D. u kërkoi atyre librin. Dëshmitarët mendonin se materiali mbi profecinë e Zbulesës ishte tepër i thellë për të, kështu që në vend të këtij i ofruan një botim tjetër. Por zoti D. ngulte këmbë që të kishte librin Zbulesa.
Kur mori kopjen e tij, e lexoi librin me një frymë. Pas kësaj, pranoi një studim biblik me Dëshmitarët e Jehovait. Shpejt, i bëri përshtypje fakti që Dëshmitarët kishin nderim të madh për të gjithë Biblën. Ai filloi të merrte pjesë rregullisht në mbledhjet që zhvilloheshin në Sallën e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait, ku studioheshin me kujdes si Shkrimet Hebreje, edhe Shkrimet e Krishtere Greke. Ai tani është një lajmëtar i Mbretërisë dhe një anëtar i pagëzuar i kongregacionit të krishterë.
[Shënimi]
a Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.