Bekimet apo mallkimet: ka një zgjedhje!
«Unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetosh.»—LIGJI I PËRTËRIRË 30:19.
1. Me cilën aftësi ishin pajisur njerëzit?
PERËNDIA JEHOVA na projektoi ne, krijesat njerëzore inteligjente të tij, për të qenë përfaqësues me vullnet të lirë. Ne nuk u krijuam thjesht si automatë apo si robotë, por na u dha privilegji dhe përgjegjësia për të zgjedhur. (Psalmi 100:3) Njerëzit e parë, Adami dhe Eva, ishin të lirë për të zgjedhur mënyrën e tyre të veprimit dhe jepnin llogari para Perëndisë për zgjedhjen që bënin.
2. Çfarë zgjedhjeje bëri Adami dhe me çfarë pasoje?
2 Krijuesi kishte siguruar bollëk bekimesh të përjetshme për jetën njerëzore në një tokë parajsore. Përse nuk është arritur akoma ky qëllim? Sepse Adami bëri zgjedhjen e gabuar. Jehovai i kishte dhënë njeriut këtë urdhër: «Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.» (Zanafilla 2:16, 17) Sikur Adami të kish zgjedhur bindjen, prindërit tanë të parë do të ishin bekuar. Mosbindja solli vdekjen. (Zanafilla 3:6, 18, 19) Kështu, mëkati dhe vdekja kaluan tek të gjithë pasardhësit e Adamit.—Romakëve 5:12.
Bekimet u bënë të mundura
3. Në ç’mënyrë Perëndia dha sigurinë se qëllimi i tij për njerëzimin do të plotësohej?
3 Perëndia Jehova ndërmori një mënyrë, përmes së cilës do të plotësohej përfundimisht qëllimi i tij për bekimin e njerëzimit. Ai vetë paratha një Farë, duke profetizuar në Eden: «Unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.» (Zanafilla 3:15) Më vonë, Perëndia premtoi se njerëzimi i bindur do t’i merrte bekimet nëpërmjet kësaj Fare, një pasardhës i Abrahamit.—Zanafilla 22:15-18.
4. Çfarë rregullimi ka bërë Jehovai për bekimin e njerëzimit?
4 Kjo Farë e premtuar bekimi doli se ishte Jezu Krishti. Në lidhje me rolin e Jezuit në përgatitjen e Jehovait për bekimin e njerëzimit, apostulli i krishterë, Pavli, shkroi: «Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Romakëve 5:8) Bekimet do të gëzohen nga ata njerëz mëkatarë, që i binden Perëndisë dhe që shfrytëzojnë vlerën e sakrificës shpërblerëse të Jezu Krishtit. (Veprat 4:12) A do të zgjedhësh bindjen dhe bekimet? Mosbindja do të të çojë në një gjë krejt të kundërt.
Ç’mund të thuhet për mallkimet?
5. Cila është domethënia e fjalës «mallkim»?
5 E kundërta e bekimit është mallkimi. Fjala «mallkim» do të thotë të flasësh keq për dikë ose të shpallësh të ligën kundër tij. Fjala hebreje qela·lahʹ vjen nga rrënja e foljes qa·lalʹ, që fjalë për fjalë do të thotë «ndriçohem». Megjithatë, kur përdoret në kuptimin figurativ, ajo do të thotë «ndjell të ligën mbi» ose «trajtoj me përbuzje».—Levitiku 20:9, BR; 2. Samuelit 19:43, BR.
6. Ç’ngjarje në lidhje me Eliseun ndodhi afër Bethelit të lashtë?
6 Le të shohim një shembull dramatik të veprimit të atypëratyshëm të një mallkimi. Ndodhia ngjau ndërsa profeti i Perëndisë, Eliseu, po shkonte nga Jerikoja për në Bethel. Tregimi thotë: «Ndërsa po ngjitej nëpër rrugë dolën nga qyteti disa të rinj dhe filluan të tallen me të, duke thënë: ‘Ngjitu, o kokë tullaci! Ngjitu, o kokë tullaci.’ Ai u kthye, i pa dhe i mallkoi në emër të Zotit, atëherë dolën nga pylli dy arinj, që i bënë copë-copë dyzet e dy nga këta të rinj.» (2. Mbretërve 2:23, 24) Se çfarë tha saktësisht Eliseu kur bëri këtë mallkim, duke ndjellë të ligën mbi ata fëmijë që talleshin, nuk dihet. Gjithsesi, ajo shpallje gojore pati rezultat, sepse u tha në emër të Jehovait nga një profet i Perëndisë, duke vepruar në përputhje me vullnetin hyjnor.
7. Çfarë u ndodhi fëmijëve që tallën Eliseun dhe përse?
7 Arsyeja kryesore e talljes duket se qe fakti që Eliseu kishte veshur rrobën e njohur zyrtare të Elisë dhe fëmijët nuk donin të kishin vërdallë asnjë pasardhës të atij profeti. (2. Mbretërve 2:13) Për t’iu përgjigjur sfidës si pasardhës i Elisë dhe për t’u mësuar këtyre të rinjve dhe prindërve të tyre respektin e duhur për profetin e Jehovait, Eliseu ndolli të ligën mbi turmën që e tallte, në emër të Perëndisë së Elisë. Jehovai tregoi miratimin e tij për Eliseun si profet i tij, duke bërë që dy arinj të dilnin nga pylli dhe t’i bënin copë e çikë 42 vetë nga këta tallës. Jehovai veproi me vendosmëri, për shkak të mungesës poteremadhe të respektit nga ana e tyre për kanalin e komunikimit që ai po përdorte në tokë gjatë asaj kohe.
8. Ç’gjë ishte dakort të bënte populli i Izraelit dhe me çfarë perspektivash?
8 Vite më parë, izraelitët treguan të njëjtën mungesë respekti për rregullimet e Perëndisë. Ja, si ndodhi: Në vitin 1513 p.e.s., Jehovai tregoi favor ndaj popullit të Izraelit, duke e liruar nga skllavëria egjiptase, sikur të ishin «në krahët e shqiponjave». Pak më vonë, ata u zotuan t’i bindeshin Perëndisë. Vëre se si lidhej bindja në mënyrë të pandashme me marrjen e miratimit të Perëndisë. Përmes Moisiut, Jehovai tha: «Në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja.» Prandaj edhe populli u përgjigj në mënyrë pohuese, duke thënë: «Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti.» (Dalja 19:4, 5, 8; 24:3) Izraelitët pohonin se e donin Jehovain, se i ishin dedikuar atij dhe u betuan t’i bindeshin zërit të tij. Kjo gjë do t’i çonte në bekime të mëdha.
9, 10. Çfarë bënë izraelitët kur Moisiu ishte në malin Sinai dhe me çfarë pasojash?
9 Megjithatë, para se parimet themelore të atij rregullimi të gdhendeshin në gur nga ‘gishti i Perëndisë’, mallkimet hyjnore u bënë të nevojshme. (Dalja 31:18) Për ç’arsye u merituan këto pasoja tragjike? A nuk treguan izraelitët dëshirë për të bërë të gjitha ato që kishte thënë Jehovai? Po, me fjalë ata kërkuan bekime, por me vepra ata zgjodhën një drejtim që meritoi mallkimet.
10 Gjatë një periudhe 40-ditëshe, kur Moisiu ishte në malin Sinai, duke marrë Dhjetë Urdhërimet, izraelitët thyen premtimin e tyre të mëparshëm për besnikëri ndaj Jehovait. «Por populli,—thotë tregimi,—duke parë që Moisiu po vononte të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aaronit dhe i tha: ‘Hajt tani, na bëj një perëndi të shkojë para nesh, sepse sa për Moisiun, njeriun që na nxori nga vendi i Egjiptit, nuk dimë çfarë i ka ndodhur.’» (Dalja 32:1) Ky është një shembull tjetër i qëndrimit pa respekt ndaj përfaqësuesit njerëzor, që Jehovai po përdorte në atë kohë për të udhëhequr dhe për të drejtuar popullin e tij. Izraelitët ishin joshur për të imituar idhujtarinë egjiptiane dhe korrën rezultate të tmerrshme, kur rreth 3.000 prej tyre vdiqën nga shpata brenda një dite.—Dalja 32:2-6, 25-29.
Shpallja e bekimeve dhe e mallkimeve
11. Cilat udhëzime në lidhje me bekimet dhe mallkimet u çuan deri në fund nga Josiu?
11 Nga fundi i endjes 40-vjeçare të Izraelit nëpër shkretëtirë, Moisiu numëroi një për një bekimet që do të korreshin, duke zgjedhur bindjen ndaj Perëndisë. Ai numëroi edhe mallkimet që do të binin mbi izraelitët, nëse zgjidhnin mosbindjen ndaj Jehovait. (Ligji i përtërirë 27:11–28:10) Pak pasi Izraeli hyri në Tokën e Premtuar, Josiu çoi deri në fund udhëzimet e Moisiut, duke përfshirë edhe këto bekime dhe mallkime. Gjashtë fise të Izraelit qëndruan në rrëzë të malit Ebal dhe gjashtë fiset e tjera zunë vend përballë malit Gerizim. Levitët qëndruan në luginën që gjendej në mes. Siç duket, fiset që qëndronin përballë malit Ebal thoshin «amin», kur lexoheshin mallkimet kundrejt këtyre fiseve. Të tjerët përgjigjeshin ndaj bekimeve që levitët lexonin në drejtim të atyre, që ishin në rrëzë të malit Gerizim.—Josiu 8:30-35.
12. Cilat ishin disa nga mallkimet e shpallura nga levitët?
12 Mendo sikur dëgjon levitët, duke thënë: «Mallkuar qoftë ai njeri që bën një shëmbëlltyrë të gdhendur o prej metali të shkrirë, gjë e neveritshme për Zotin, vepër e duarve të një artizani dhe e vendos në një vend sekret! . . . Mallkuar qoftë ai që përçmon atin ose nënën e tij! . . . Mallkuar qoftë ai që zhvendos kufijtë e të afërmit të tij! . . . Mallkuar qoftë ai që i humb rrugën të verbërit! . . . Mallkuar qoftë ai që cënon të drejtën e të huajit, të jetimit dhe të gruas së ve! . . . Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me gruan e atit të tij; sepse ka ngritur cepin e mbulesës së atit të tij! . . . Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me çfarëdo kafshe! . . . Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me motrën e tij, me bijën e atit të tij ose me bijën e nënës së tij! . . . Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me vjehrrën e tij! . . . Mallkuar qoftë ai që vret të afërmin e tij në mënyrë të fshehtë! . . . Mallkuar qoftë ai që pranon një dhuratë për të goditur për vdekje një të pafajshëm! . . . Mallkuar qoftë ai që nuk u përmbahet fjalëve të këtij ligji për t’i zbatuar në praktikë!» Pas çdo mallkimi, fiset përballë malit Ebal thoshin: «Amin.»—Ligji i përtërirë 27:15-26.
13. Si do t’i shprehje me fjalët e tua disa nga bekimet që shpallën levitët?
13 Tani le të përfytyrojmë sikur dëgjon ata përballë malit Gerizim, duke u përgjigjur me zë për çdo bekim, ndërsa levitët thërrisnin: «Do të jesh i bekuar në qytete dhe në fshatra. I bekuar do të jetë edhe fryti i barkut tënd, fryti i tokës dhe i bagëtisë sate, pjelljet e lopëve të tua dhe fryti i deleve të tua. Të bekuara do të jenë shporta dhe magjja jote. Do të jesh i bekuar kur hyn dhe i bekuar kur del.»—Ligji i përtërirë 28:3-6.
14. Mbi ç’bazë do të merrnin bekime izraelitët?
14 Cila ishte baza e marrjes së këtyre bekimeve? Tregimi thotë: «Tani, në rast se ti i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh tërë urdhërimet e tij që sot unë po të urdhëroj, do të ndodhë që Zoti, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi të gjitha kombet e dheut; të gjitha këto bekime do të bien mbi ty dhe do të të zënë, në rast se dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd.» (Ligji i përtërirë 28:1, 2) Po, çelësi për të gëzuar bekimet hyjnore ishte bindja ndaj Perëndisë. Po për ne sot, ç’mund të thuhet? A do të zgjedhim personalisht bekimet dhe jetën, duke vazhduar ‘t’i bindemi zërit të tij [Jehovait, BR]’.—Ligji i përtërirë 30:19, 20.
Duke bërë një shqyrtim të saktë
15. Çfarë theksohej në bekimin e regjistruar në Ligjin e përtërirë 28:3 dhe si mund të përfitojmë ne prej tij?
15 Le të mendojmë mbi disa bekime që një izraelit mund të gëzonte për bindjen ndaj Jehovait. Për shembull, Ligji i përtërirë 28:3 thotë: «Do të jesh i bekuar në qytete dhe në fshatra.» Marrja e bekimit nga Perëndia nuk varet nga vendi apo caktimi. Disa mund të ndihen të zënë në grackë në rrethanat e tyre, ndoshta sepse jetojnë në një zonë të shkretuar materialisht ose në një vend që po shqyhet nga luftërat. Të tjerë mund të dëshirojnë me zjarr që t’i shërbejnë Jehovait në një vend të ndryshëm. Disa burra të krishterë mund të shkurajohen, për faktin se nuk janë emëruar si shërbëtorë ndihmës apo si pleq në kongregacion. Nganjëherë, gratë e krishtere ndihen të dëshpëruara për faktin se nuk janë në gjendje të ndërmarrin shërbimin e plotë kohor si pioniere ose si misionare. Megjithatë, kushdo që ‘i bindet me zell zërit të Zotit, Perëndisë, duke pasur kujdes të zbatojë tërë urdhërimet e tij’, do të bekohet tani dhe për të gjithë përjetësinë.
16. Në ç’mënyrë është përjetuar nga organizata e Jehovait sot, parimi i Ligjit të përtërirë 28:4?
16 Ligji i përtërirë 28:4 thotë: «I bekuar do të jetë edhe fryti i barkut tënd, fryti i tokës dhe i bagëtisë sate, pjelljet e lopëve të tua dhe fryti i deleve të tua.» Përdorimi i përemrit hebre në njëjës të përkthyer «tënd» tregon se kjo do të kish qenë ajo që do të përjetonte personalisht një izraelit i bindur. Ç’mund të thuhet për shërbëtorët e bindur të Jehovait sot? Rritja mbarëbotërore dhe përhapja gjithnjë e më e gjerë e organizatës së Dëshmitarëve të Jehovait janë pasojë e bekimit të Perëndisë për përpjekjet e vendosura të mbi 5.000.000 lajmëtarëve të lajmit të mirë të Mbretërisë. (Marku 13:10) Mundësia për një rritje më të madhe është e dukshme, pasi mbi 13.000.000 persona morën pjesë në respektimin e Darkës së Zotërisë për vitin 1995. A po i gëzon bekimet e Mbretërisë?
Zgjedhja e Izraelit kishte domethënie
17. Nga se varej fakti nëse do t’i ‘zinin’ bekimet apo mallkimet?
17 Në thelb, një izraelit të bindur do ta ndiqnin bekimet. Ishte bërë ky premtim: «Të gjitha këto bekime do të bien mbi ty dhe do të të zënë.» (Ligji i përtërirë 28:2) Po ashtu ishte thënë edhe për mallkimet: «Të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty dhe do të të gjejnë [do të të zënë, BR].» (Ligji i përtërirë 28:15) Po të kishe qenë një izraelit i kohëve të lashta, do të të kishin «zënë» bekimet apo mallkimet? Kjo gjë do të varej nga fakti nëse do t’i bindeshe Perëndisë apo do të tregoje mosbindje ndaj tij.
18. Si do të mund t’i kishin shmangur izraelitët mallkimet?
18 Në Ligjin e përtërirë 28:15-68, pasojat e dhimbshme të mosbindjes janë shpallur si mallkime. Disa prej tyre janë krejt e kundërta e bekimeve për shkak të bindjes, të numëruara një për një në Ligjin e përtërirë 28:3-14. Shpesh, populli i Izraelit korri pasojat e mëdha dhe të ashpra të mallkimeve, sepse zgjodhi të përzihej në adhurimin e rremë. (Ezdra 9:7; Jeremia 6:6-8; 44:2-6) Sa tragjike! Pasoja të tilla mund të ishin shmangur, duke bërë zgjedhjen e drejtë, atë të bindjes ndaj ligjeve dhe parimeve të shëndetshme të Jehovait, të cilat e përcaktojnë mjaft qartë të mirën dhe të keqen. Shumë njerëz sot vuajnë dhimbje dhe tragjedi, sepse kanë zgjedhur të veprojnë në kundërshtim me parimet biblike, duke praktikuar fenë e rreme, duke kryer imoralitet seksual, duke përdorur droga të ndaluara, duke u dhënë së tepërmi pas pijeve alkoolike e gjëra të tjera si këto. Ashtu si në Izraelin dhe në Judenë e lashtë, bërja e këtyre zgjedhjeve të gabuara çon në mosmiratimin hyjnor dhe në dhimbje të panevojshme zemre.—Isaia 65:12-14.
19. Përshkruaj kushtet që gëzuan Juda dhe Izraeli, kur zgjodhën bindjen ndaj Jehovait.
19 Bekimet ishin të bollshme dhe qetësia mbretëronte, vetëm kur Izraeli i bindej Jehovait. Për shembull, për ditët e mbretit Solomon lexojmë: «Juda dhe Izraeli ishin të shumtë si rëra që është në bregun e detit. Ata hanin dhe pinin me gaz. . . . Juda dhe Izraeli, nga Dani deri në Beer-Sheba, jetuan të sigurtë, secili nën pjergullën dhe fikun e tij, tërë kohën që mbretëroi Salomoni.» (1. Mbretërve 4:20-25) Edhe në kohën e mbretit David, kohë që karakterizohej nga një kundërshtim i madh prej armiqve të Perëndisë, kombi ndiente mbështetjen dhe bekimet e Jehovait, kur zgjidhte bindjen ndaj Perëndisë së të vërtetës.—2. Samuelit 7:28, 29; 8:1-15.
20. Për ç’gjë është i bindur Perëndia në lidhje me njerëzit?
20 A do t’i bindesh Perëndisë apo do të tregosh mosbindje ndaj tij? Izraelitët duhej të bënin një zgjedhje. Sadoqë secili prej nesh ka trashëguar prej Adamit prirjen mëkatare, kemi marrë, përveç kësaj, dhuratën e zgjedhjes së lirë. Pavarësisht nga Satanai, bota e ligë dhe papërsosmëritë tona, ne mund të bëjmë zgjedhjen e drejtë. Për më tepër, Krijuesi ynë është i bindur se përballë çdo sprove dhe tundimi, do të ketë nga ata që bëjnë zgjedhjen e drejtë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. (1. Pjetrit 5:8-10) A do të jesh edhe ti një ndër ta?
21. Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?
21 Në artikullin vijues, do të mund të peshojmë qëndrimet dhe veprimet tona nën dritën e shembujve të së kaluarës. Le t’i përgjigjet plot mirënjohje secili prej nesh fjalëve të Perëndisë përmes Moisiut: «Unë të kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidh, pra, jetën që të mund të jetosh.»—Ligji i përtërirë 30:19.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si i ka bërë Jehovai të mundura bekimet për njerëzit mëkatarë?
◻ Çfarë janë mallkimet?
◻ Si do të mund të kishin marrë izraelitët bekime në vend të mallkimeve?
◻ Çfarë bekimesh gëzoi Izraeli për shkak të bindjes ndaj Perëndisë?
[Figura në faqen 15]
Izraelitët të mbledhur përpara malit Gerizim dhe malit Ebal
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.