Dasma që nderojnë Jehovain
Artikulli i mëposhtëm për dasmat e krishtere u përgatit fillimisht në Etiopi, për të dhënë parime të dobishme drejtuese në gjuhën amharike, për shumë persona në atë vend, që kohët e fundit janë bërë Dëshmitarë të Jehovait. Ai trajton disa zakone dhe praktika lokale, që mund të jenë të ndryshme prej atyre të vendit ku jeton ti. Ka të ngjarë që kontrasti të të duket mjaft interesant. Në të njëjtën kohë, artikulli paraqet këshillën e ekuilibruar biblike, që do të shohësh se është e aplikueshme edhe nëse zakonet e dasmës ndryshojnë në zonën tënde lokale.
«DASMA të krishtere që sjellin gëzim», ishte titulli i një artikulli të shkëlqyer studimi, të botuar në anglisht në Kullën e Rojës 15 prill 1984. Artikulli tjetër mbi këtë çështje ishte ai me titull «Gjej gëzim të ekuilibruar në festat e dasmave». (Për ata që mendojnë për martesë, ka këshilla të mëtejshme të mençura në librat Si ta bësh të lumtur jetën tënde familjare, kapitulli 2 dhe Rinia jote: Të nxjerrësh më të mirën prej saj, kapitujt 19 dhe 20.)a Shumë veta janë bërë Dëshmitarë të Jehovait, që nga koha kur dolën ata artikuj, prandaj duam të rishikojmë disa që aplikohen në mënyrë të veçantë në zonën tonë, si edhe pika të tjera të përshtatshme, që do të na ndihmojnë për t’i bërë dasmat raste që nderojnë Jehovain, Nismëtarin e martesës.
Një pyetje që mund të konsiderohet në fillim është: Kur duhet bërë dasma? A duhet t’i përmbahet data, atyre të sezonit tradicional të dasmave lokale? Bindja lokale është se çdo martesë e bërë në çdo kohë tjetër të vitit, nuk do të ketë sukses. Kjo është një bestytni pa bazë, pasi shumë çifte të martuara që janë duke i shërbyer Jehovait të lumtur dhe të bashkuar, nuk janë martuar gjatë sezonit tradicional. Ne nuk besojmë në fatin e mirë apo të keq. (Isaia 65:11; Kolosianëve 2:8) Nuk do t’i ndihmonim të afërmit jobesimtarë, për të parë ndryshimin ndërmjet të vërtetës dhe falsitetit, nëse e lëmë ditën e dasmës sipas bestytnive të tyre. Fakt është që të krishterët mund të martohen në çdo muaj.
Kur fjalimi i martesës është organizuar pas ceremonisë së nevojshme civile, do të ishte e mençur të mos lihej një interval prej shumë ditësh midis dy ngjarjeve. Nëse çifti do të ketë dëshirë të bëjë një fjalim martese në Sallën e Mbretërisë, ata duhet t’u drejtohen pleqve të kongregacionit shumë kohë më përpara fjalimit të martesës, për të kërkuar përdorimin e sallës. Pleqtë lokalë do të vërtetojnë që rregullimet për ceremoninë, do t’i lënë ata me ndërgjegje të pastër. Koha e mbajtjes së fjalimit duhet lënë në atë mënyrë që të mos ketë asnjë konflikt me ndonjë aktivitet kongregacioni. Vëllai i zgjedhur për të bërë fjalimin e martesës do të takohet që më parë me dhëndrin dhe nusen e ardhshme, për t’u ofruar këshilla të dobishme e për t’u siguruar se nuk ka asnjë pengesë morale apo ligjore për martesën dhe se ai pajtohet me planet për çdo grumbullim shoqëror më pas. Fjalimi i martesës duhet të zgjasë rreth gjysmë ore dhe duhet bërë në mënyrë të denjë, duke e vënë theksin mbi aspektin frymor. Është e qartë se fjalimi i martesës është më i rëndësishëm se çdo pritje që mund të bëhet më pas.
Dasma e krishterë është një mundësi e mirë për të treguar se ne ‘nuk jemi pjesë e botës’. (Gjoni 17:14, BR; Jakovit 1:27) Duhet të spikasë rregullsia jonë. Kjo do të thotë që ne duhet të jemi në kohë dhe jo t’i bëjmë njerëzit të presin, ndoshta duke ndërhyrë në aktivitetet e kongregacionit. Kjo gjë duhet të dihet veçanërisht nga nusja, pasi të afërmit nga bota, mund ta nxisin që të jetë me vonesë, sikur kjo t’i rriste rëndësinë. Duke qenë e përpiktë, një motër e pjekur e krishterë mund të tregojë se për të janë të rëndësishme cilësitë frymore si përulësia dhe konsiderata. Gjithashtu, është e rëndësishme rregullsia, kur ftohet një fotograf për të regjistruar rastin. Bëjmë mirë t’i kërkojmë fotografit të vijë i veshur me xhaketë, këmishë e me pantallona formale dhe që ai të mos ndërhyjë në fjalim, kur të bëjë fotografitë. Gjatë lutjes nuk duhet bërë asnjë fotografi. Rregullsia jonë do të nderojë Jehovain dhe do të japë një dëshmi të shkëlqyer. Nuk ka nevojë të përpiqemi për t’u përputhur me zakonet e dasmës në botë, që do të zbehnin domethënien e vërtetë të ngjarjes.
Për një dasmë të suksesshme nuk kërkohet një pritje, por nuk ka asnjë kundërshtim nga Shkrimet për një rast të tillë të lumtur. Megjithatë, një grumbullim i tillë për të krishterët e vërtetë duhet të jetë e ndryshme nga pritjet që bëhen në botë e që karakterizohen nga ekstravaganca, të pirët rëndshëm, të ngrënët tej mase, muzika e tërbuar, kërcimi sugjestiv dhe madje nga përleshjet. Bibla i kategorizon «festat e zhurmshme» në veprat e mishit. (Galatasve 5:21, BR) Është më e lehtë të mbash nën kontroll të përshtatshëm situatën, kur nuk është një grumbullim shumë i madh. Nuk ka nevojë të ngresh një tendë, për t’iu përmbajtur zakoneve të njohura. Nëse disa vendosin të përdorin një tendë për arsye vendi apo moti, kjo është një çështje personale.
Përvoja ka treguar se një mënyrë e mirë për të kufizuar numrin e të ftuarve, është përdorimi i ftesave specifike me shkrim. Është më e mençur të ftosh individë, sesa të gjitha kongregacionet dhe si të krishterë të rregullt, ne duhet t’i respektojmë këto kufizime në numrin e mysafirëve të ftuar. Ftesat me shkrim mund të na ndihmojnë, gjithashtu, për të shmangur shqetësimin se mos ia beh në pritje ndonjë i përjashtuar, sepse nëse ndodh një gjë e tillë, shumë vëllezër dhe motra mund të zgjedhin të ikin. (1. Korintasve 5:9-11) Nëse një çift fton të afërm apo të njohur jobesimtarë, këta pa dyshim që do të jenë të kufizuar në numër, duke u dhënë më shumë rëndësi atyre, që janë «të lidhur me ne në besim». (Galatasve 6:10, BR) Disa kanë zgjedhur të ftojnë të njohur nga bota apo të afërm jobesimtarë gjatë fjalimit të martesës dhe jo gjatë pritjes. Përse? Faktikisht ka pasur raste, kur të afërmit nga bota kanë krijuar një situatë kaq shqetësuese në festën e dasmës, sa shumë vëllezër dhe motra kanë menduar se ata nuk mund të qëndrojnë më. Disa çifte i kanë rregulluar gjërat në mënyrë të tillë që të bëjnë vetëm një drekë apo darkë të vogël me anëtarët e ngushtë të familjes dhe me miqtë e krishterë.
Në përputhje me Gjonin 2:8, 9, është praktike të zgjidhet një ‘i parë feste’. Dhëndri do të ketë dëshirë për të zgjedhur një të krishterë të besuar, i cili do të ketë kujdes që të mbahen rregullsia dhe normat e larta. Nëse miqtë sjellin dhurata, kjo duhet bërë pa ‘u mburrur hapur për mjetet e mbështetjes’. (1. Gjonit 2:16, BR) Muzika mund të jetë e gëzueshme, pa qenë e molepsur nga poezi lirike të dyshimta, me zhurmë të tepërt apo me ritme të papërmbajtura. Shumë kanë kuptuar se është më mirë që një plak të dëgjojë që më parë muzikën që do të vihet. Kërcimi mund të përbëjë një grackë, pasi shumë valle tradicionale vijnë nga kërcime mbi pjellorinë dhe karakterizohen nga një epsh i papërmbajtur. «Momenti i kekut dhe i shampanjës» ka qenë shpeshherë një sinjal për njerëzit nga bota, për të bërë veprime të shfrenuara. Në fakt, shumë çifte të krishtere kanë vendosur të mos kenë asnjë pije alkoolike në festën e dasmës, duke shmangur në këtë mënyrë problemet.
Meqenëse duam të nderojmë Jehovain, ne do të shmangim rënien në sy për të tërhequr vëmendje të tepërt drejt vetes. Edhe botimet nga bota kanë folur kundër prirjes së njohur për të qenë ekstravagantë. Sa pak e mençur do të ishte që një çift të hynte në borxhe, për të bërë një dasmë ekstravagante e më pas të vuante për shumë vjet mungesat, për të paguar shpenzimet e asaj dite të vetme! Natyrisht që çdo veshje në atë rast duhet të jetë modeste dhe e rregulluar mirë, që i shkon për shtat një njeriu që thotë se nderon Perëndinë. (1. Timoteut 2:9, 10) Artikulli «Dasmat e krishtere duhet të pasqyrojnë arsyetueshmëri» (Kulla e Rojës së 15 janarit 1969 e botuar në anglisht), bënte këto komente interesante mbi veshjen:
«Dasma është një rast special, prandaj është normale t’i kushtohet vëmendje pamjes së gëzueshme dhe tërheqëse. E megjithatë, kjo nuk do të thotë se duhet veshur një fustan apo kostum i veçantë. Personi bën mirë të shqyrtojë stilin lokal, shpenzimet dhe shijet personale. . . . Por, a do të ishte e arsyeshme të blihej një kostum i tillë i kushtueshëm, sa për të shkaktuar një barrë financiare për ata vetë si çift i martuar apo për të tjerët? . . . Disa nuse kanë përdorur fustanin e një të afërmeje apo të një mikeshe të ngushtë. Të tjera kanë qenë shumë të kënaqura, duke bërë vetë një fustan nuseje, mundësisht në atë mënyrë që të mund të kenë një veshje të përdorshme edhe për raste të tjera në të ardhmen. Është më se e përshtatshme që një çift të martohet me veshjen e vet më tërheqëse . . . Të tjerë që mund të jenë në gjendje, për të bërë një dasmë me të gjitha hollësitë, mund të dëshirojnë personalisht të kenë një ‘dasmë të moderuar’, për shkak të gjendjes kritike të kohëve.»
Po ashtu, edhe pjesëmarrësit në dasmë (miqtë e dhëndrit dhe shoqet e nuses) nuk ka nevojë të jenë shumë. Edhe ata nuk do të dëshironin të tërhiqnin vëmendje të papërshtatshme drejt vetes me veshjen dhe veprimet e tyre. Edhe pse një person i përjashtuar mund të lejohet, për të marrë pjesë në fjalimin në Sallën e Mbretërisë, Kulla e Rojës së 15 prillit 1984 e botuar në anglisht, thoshte: «Do të ishte e papërshtatshme që të kishim midis pjesëmarrësve në dasmë njerëz të përjashtuar apo persona, mënyra skandaloze e jetesës së të cilëve bie së tepërmi ndesh me parimet biblike.»
Megjithëse Jezui mori pjesë në një dasmë, ne mund të përfytyrojmë se ai nuk do ta miratonte zakonin e njohur, sipas të cilit një vargan makinash bën xhiron e gjithë qytetit me shumë zhurmë; policët madje i kanë gjobitur shoferët për rënien e borisë në një vargan dasme. (Shiko Mateun 22:21.) Për ta përmbledhur, në vend se të kopjojmë rënien në sy apo veprimet tipike të njerëzve të kombeve, të krishterët duhet të tregojnë mençurinë e një personi modest.—Proverbat 11:2.
Por ç’mund të thuhet për pjesëmarrjen në dasmat e fqinjëve, të kolegëve nga bota apo të afërmve dhe të njohurve të largët? Çdo i krishterë duhet të vendosë personalisht për këtë. Është mirë të mbajmë ndër mend se koha jonë është e çmuar, pasi na nevojitet kohë për shërbimin tonë, studimin personal dhe për qëllime të tjera në familje dhe në kongregacion. (Efesianëve 5:15, 16) Gjatë fundjavës kemi mbledhjet dhe shërbimin në fushë, që nuk duam t’i humbim. (Hebrenjve 10:24, 25) Koha e shumë dasmave bie ndesh me asambletë apo përpjekjet speciale në shërbimin në fushë, që janë të lidhura me Darkën e Zotërisë. Nuk duhet t’i lejojmë vetes të shpërqendrohemi nga bërja e të njëjtave përpjekje speciale, që edhe vëllezërit tanë përqark botës po bëjnë, për të qenë të pranishëm në Darkën e Zotërisë. Para se të arrinim njohurinë e së vërtetës, ne kalonim shumë kohë me njerëz nga bota, ndoshta në rrethana që çnderonin Perëndinë. (1. Pjetrit 4:3, 4) Tani përparësitë tona janë të ndryshme. Është gjithmonë e mundur të dëshirosh lumturinë e një çifti nga bota, duke u dërguar një kartolinë apo duke u bërë një vizitë të shkurtër një ditë tjetër. Disa i kanë përdorur raste të tilla për të dhënë dëshmi, duke ndarë me të sapomartuarit disa shkrime që u përshtaten.
Një dasmë në të cilën mbizotërojnë aspektet frymore mbi mënyrat botërore, do ta nderojë vërtet Jehovain. Duke u siguruar se qëndrojnë të ndarë nga bota me bestytnitë dhe teprimet e saj, duke mos lejuar që ajo të ndërhyjë në aktivitetet e rregullta teokratike dhe duke shfaqur modesti në vend të rënies në sy, të krishterët do ta gëzojnë rastin. Për më tepër, ata do të jenë në gjendje ta sjellin ndër mend ngjarjen me një ndërgjegje të mirë dhe kujtime të bukura. Me shfaqjen e mençurisë dhe të arsyetushmërisë, të gjitha dasmat tona të krishtere u dhënçin një dëshmi vëzhguesve me zemër të ndershme!
[Shënimi]
a Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Figura në faqet 24, 25]
Të krishterët nuk ndjekin me përpikmëri çdo zakon lokal dasme