S’ka paqe për lajmëtarët e rremë!
«Vetë keqbërësit do të priten . . . Ndërsa vetë të butët do të zotërojnë tokën dhe me të vërtetë do të gjejnë kënaqësinë e tyre të shijshme në bollëkun e paqes.»—PSALMI 37:9, 11, BR.
1. Përse duhet të presim që të gjejmë lajmëtarë, të vërtetë dhe të rremë, në «kohën e fundit»?
LAJMËTARË të rremë apo të vërtetë? Në kohët biblike ekzistonin të dy llojet. Po në ditët tona? Në Danielin 12:9, 10 lexojmë se një lajmëtar qiellor i tha profetit të Perëndisë: «Fjalët janë bërë sekrete dhe të vulosura deri në kohën e fundit. Shumë do të pastrohen, do të zbardhen dhe do të jenë të rafinuar. Të ligjtë sigurisht që do të veprojnë me ligësi dhe asnjë prej të ligjve nuk do të kuptojë, por ata që kanë mendjehollësi do të kuptojnë.» (BR) Ne tani po jetojmë në atë ‘kohë të fundit’. A shohim një dallim të qartë ndërmjet ‘të ligjve’ dhe ‘atyre që kanë mendjehollësi’? Sigurisht që po!
2. Si po përmbushet sot Isaia 57:20, 21?
2 Në vargjet 20 dhe 21 të kreut 57, lexojmë fjalët e lajmëtarit të Perëndisë, Isaisë: «Të ligjtë janë si deti i trazuar që nuk mund të qetësohet, ujërat e të cilit vazhdojnë të nxjerrin leshterikë dhe llucë. Nuk ka paqe,—ka thënë Perëndia im,—për të ligjtë.» (BR) Sa përshkrim me vend i bëjnë këto fjalë kësaj bote, ndërsa ajo i afrohet shekullit të 21-të! Disa madje pyesin: «A do ta arrijmë dot atë shekull?» Çfarë kanë për të na treguar lajmëtarët që kanë mendjehollësi?
3. (a) Çfarë kontrasti bëhet në 1. Gjonit 5:19? (b) Si janë përshkruar në kreun 7 të Zbulesës «ata që kanë mendjehollësi»?
3 Apostulli Gjon kishte një mendjehollësi të frymëzuar në mënyrë hyjnore. Në 1. Gjonit 5:19, thuhet: «E dimë se e kemi prejardhjen nga Perëndia, por e gjithë bota shtrihet nën pushtetin e të ligut.» (BR) Në kontrast me këtë botë, janë 144.000 izraelitët frymorë, një mbetje e moshuar e të cilëve janë akoma në tokë me ne. E bashkuar me ta sot është «një shumicë e madhe . . . prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve», që tani numërohet në më shumë se pesë milionë, të cilët kanë, gjithashtu, mendjehollësi. «Këta janë ata që vijnë nga mjerimi i madh.» Përse ata shpërblehen kështu? Sepse edhe ata «i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit», duke ushtruar besim në shpërblerjen e Jezuit. Si lajmëtarë të dritës, edhe ata «janë duke i bërë [Perëndisë] shërbim të shenjtë ditë e natë».—Zbulesa 7:4, 9, 14, 15, BR.
Të ashtuquajturit lajmëtarë të paqes
4. (a) Përse të ashtuquajturit lajmëtarë të paqes në botën e Satanait janë të destinuar për të dështuar? (b) Si zbatohet sot Efesianëve 4:18, 19?
4 Por, ç’mund të thuhet për të ashtuquajturit lajmëtarë të paqes në sistemin botëror të Satanait? Në vargun 7 të kreut 33 të Isaisë, lexojmë: «Ja! Vetë heronjtë e tyre kanë thërritur në rrugë; vetë lajmëtarët e paqes do të qajnë me hidhërim.» (BR) Sa e vërtetë është kjo për ata që në mënyrë të ethshme nxitojnë nga një kryeqytet i botës, në përpjekje për të sjellë paqen! Ç’gjë e kotë! Përse është e tillë? Sepse ata trajtojnë simptomat e sëmundjeve të botës, në vend që të merren seriozisht me shkaqet rrënjësore. Para së gjithash, ata janë të verbër lidhur me ekzistencën e Satanait, të cilin apostulli Pavël e përshkruan si «perëndia i këtij sistemi gjërash». (2. Korintasve 4:4, BR) Satanai ka mbjellë farat e ligësisë në mes të njerëzimit, me rezultatin që pjesa më e madhe, duke përfshirë shumë prej sundimtarëve, tani përputhen me përshkrimin e Efesianëve 4:18, 19: «Ata janë në errësirë mendërisht dhe të larguar nga jeta që i përket Perëndisë, për shkak të mosdijes që është në ta, për shkak të pandjeshmërisë së zemrave të tyre. Duke tejkaluar çdo kuptim moral, ata e dhanë veten e tyre në sjellje të shthurur, për të kryer me lakmi papastërti të çdo lloji.»—BR.
5. (a) Përse organizatat njerëzore dështojnë si paqebërëse? (b) Cilin mesazh ngushëllues përçon Psalmi 37?
5 Asnjë mjet i njerëzve të papërsosur s’mund të çrrënjosë nga zemrat njerëzore lakminë, egoizmin dhe urrejtjen, që janë kaq mbizotëruese sot. Vetëm Krijuesi ynë, Zotëria Sovran Jehova, mund ta bëjë këtë! Veç kësaj, janë vetëm të butët, pakica e njerëzimit, që janë gati t’i nënshtrohet udhëheqjes së tij. Rezultatet e tyre dhe rezultatet e të ligjve të botës janë vënë në kontrast në Psalmin 37:9-11: «Vetë keqbërësit do të priten, por ata që shpresojnë në Jehovain, janë ata që do të zotërojnë tokën. Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më . . . Ndërsa vetë të butët do të zotërojnë tokën dhe me të vërtetë do të gjejnë kënaqësinë e tyre të shijshme në bollëkun e paqes.»—BR.
6, 7. Cila dosje e feve të botës tregon se ato kanë dështuar të shërbejnë si lajmëtare të paqes?
6 A mundet, atëherë, të gjenden lajmëtarët e paqes mes feve të kësaj bote që lëngon? Cila është, pra, dosja lidhur me fetë deri në ditët tona? Historia tregon se feja ka marrë pjesë, po, madje ka qenë nxitësja e shumë prej gjakderdhjeve të bëra nëpër shekuj. Për shembull, revista Shekulli i krishterë, i javës së 30 gushtit 1995, duke raportuar mbi trazirat në ish-Jugosllavi, pohonte: «Në Bosnjën e kontrolluar nga Serbia, priftërinjtë ulen në rreshtin e parë të të vetëquajturit parlament dhe ndodhen, gjithashtu, në vijën e parë, ku njësitë ushtarake dhe madje armët bekohen para luftimeve.»—Christian Century.
7 Një shekull veprimtarie misionare i të ashtuquajturit krishterim në Afrikë, nuk ka sjellë rezultate më të mira, siç ilustrohet qartë në Ruanda, një vend që njihet për përbërjen e tij 80 për qind katolike. The New York Times e 7 korrikut 1995, raportonte: «Golia, një revistë liberale, laike katolike, e botuar në Lion [Francë], planifikon të identifikojë 27 priftërinj ruandezë më shumë dhe katër murgesha, për të cilët thotë se kanë vrarë apo kanë nxitur vrasjet në Ruanda gjatë vitit të fundit.» Të Drejtat Afrikane, një organizatë për të drejtat e njeriut në Londër, bëri këtë koment: «Më shumë sesa për heshtjen e mbajtur, kishat duhet të përgjigjen, gjithashtu, për përfshirjen aktive në gjenocid të disa prej priftërinjve, pastorëve dhe murgeshave të tyre.» Kjo përngjan me situatën në Izrael, kur lajmëtari i vërtetë i Jehovait, Jeremia, përshkroi «turpin» e Izraelit, bashkë me sundimtarët e tij, priftërinjtë dhe profetët, duke shtuar: «Në cepat e rrobës sate janë gjetur shenjat e gjakut të shpirtrave të të varfërve të pafajshëm.»—Jeremia 2:26, 34, BR.
8. Përse mund të thuhet se Jeremia ishte një lajmëtar i paqes?
8 Jeremia është quajtur shpesh profet i rrënimit, por ai mund të quhet, gjithashtu, një lajmëtar i Perëndisë për paqen. Ai i referohej paqes, po aq shpesh sa i është referuar edhe Isaia para tij. Jehovai e përdori Jereminë për të shpallur gjykimin mbi Jerusalemin, duke thënë: «Ky qytet, që nga dita kur e ndërtuan, e deri më sot, ka treguar se nuk është gjë tjetër, veçse një shkak i zemërimit tim dhe shkak i tërbimit tim, me qëllim që unë ta heq nga fytyra ime, për hir të gjithë të keqes së bijve të Izraelit dhe të bijve të Judës, që ata kanë bërë për të më ofenduar mua, ata, mbretërit, princat, priftërinjtë dhe profetët e tyre, njerëzit e Judës dhe banorët e Jerusalemit.» (Jeremia 32:31, 32, BR) Kjo ishte shenja paralajmëruese e gjykimit të Jehovait mbi sundimtarët dhe klerin e të ashtuquajturit krishterim sot. Që të triumfojë paqja e vërtetë, duhen shfarosur këta nxitës të së keqes dhe të dhunës. Pa dyshim që ata nuk janë lajmëtarë të paqes.
OKB-ja si paqebërëse?
9. Si ka pohuar OKB-ja se është një lajmëtare e paqes?
9 A nuk mund të bëheshin Kombet e Bashkuara një lajmëtar i vërtetë i paqes? Në fund të fundit, në parathënien e kartës së saj, të paraqitur për shqyrtim në qershor të 1945-s, vetëm 41 ditë para se bomba atomike të shkretonte Hiroshimën, pohonte qëllimin e saj «për të shpëtuar brezat pasardhës nga kamzhiku i luftës». 50 anëtarët e ardhshëm të Kombeve të Bashkuara ishin «për bashkimin e forcave [të tyre] për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare». Sot, OKB-ja ka 185 kombe anëtare, që gjoja, i janë dedikuar të gjitha të njëjtës çështje.
10, 11. (a) Si e kanë shprehur krerët fetarë mbështetjen e tyre për OKB-në? (b) Në ç’mënyrë papët e kanë keqparaqitur «Lajmin e Mirë të Mbretërisë së Perëndisë»?
10 Gjatë viteve, OKB-ja është duartrokitur fuqishëm, veçanërisht nga krerët fetarë. Më 11 prill 1963, papa Gjoni XXIII nënshkroi letrën e tij të titulluar «Pacem in Terris» (Paqe në Tokë), që ua dërgon rregullisht priftërinjve, në të cilën ai pohonte: «Është dëshira jonë e zjarrtë që Organizata e Kombeve të Bashkuara, me strukturën dhe me mjetet që ka në dispozicion, të mund të bëhet më e aftë për drejtimin e detyrave të saj të rëndësishme e fisnike.» Më vonë, në qershor të 1965-s, krerë fetarë, për të cilët thuhet se përfaqësonin gjysmën e popullsisë së botës, kremtuan në San Francisko 20-vjetorin e themelimit të OKB-së. Po në vitin 1965, papa Pavli VI, në një vizitë që bëri në OKB, e përshkroi atë si «shpresën e fundit për pajtim dhe paqe». Në vitin 1986, papa Gjon Pavli II bashkëpunoi në përkrahjen e vitit ndërkombëtar të paqes së OKB-së.
11 Përsëri gjatë vizitës së tij në tetor të 1995-s, papa deklaroi: «Sot, po kremtojmë Lajmin e Mirë të Mbretërisë së Perëndisë.» Por, a është vërtet ai lajmëtar i Perëndisë për lajmin e mirë të Mbretërisë? Duke folur për problemet e botës, ai vazhdoi me fjalët: «Ndërsa përballojmë këto sfida të mëdha, si mund të mos pranojmë rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara?» Zgjedhja e papës nuk është Mbretëria e Perëndisë, por OKB-ja.
Arsye ‘për të qarë me hidhërim’
12, 13. (a) Si ka vepruar OKB-ja sipas mënyrës së përshkruar në Jereminë 6:14? (b) Përse është përfshirë në përshkrimin e Isaisë 33:7 kryesia e OKB-së?
12 Kremtimi i 50-vjetorit të OKB-së, dështoi në zbulimin e çdo perspektive reale për «paqen në tokë». Një arsye ishte ajo e treguar nga një shkrimtar i The Toronto Star të Kanadasë, i cili shkroi: «OKB-ja është një luan pa dhëmbë, i cili ulëret kur ndeshet me egërsinë njerëzore, por që i duhet të presë që anëtarët e saj t’i vënë proteza, para se të mund të kafshojë.» Shumë shpesh, ky kafshim ka qenë tepër i vogël dhe tepër i vonuar. Lajmëtarët e paqes në sistemin e tanishëm botëror dhe veçanërisht ata në të ashtuquajturin krishterim, i kanë bërë jehonë fjalëve që gjejmë në Jereminë 6:14: «Ata mundohen të shërojnë lehtësisht thyerjen e popullit tim, duke thënë, ‘Ka paqe! Ka paqe!’ kur paqe nuk ka.»—BR.
13 Sekretarët e përgjithshëm të njëpasnjëshëm të OKB-së kanë punuar fort dhe padyshim sinqerisht që OKB-ja të kishte sukses. Por grindjet e vazhdueshme ndërmjet 185 anëtarëve, që kanë shumë synime të ndryshme mbi mënyrën se si të përmbajnë luftërat, se si të strukturojnë politikën dhe mbajtjen e financës, kanë penguar perspektivat për sukses. Në raportin e tij vjetor për vitin 1995, sekretari i përgjithshëm i atëhershëm shkroi për rënien e «fantazmës së kataklizmit global bërthamor», si për hapjen e një rruge që «kombet të punonin së bashku drejt progresit ekonomik e shoqëror për të gjithë njerëzimin». Por ai shtoi: «Mjerisht, të dhënat lidhur me çështjet botërore të pak viteve të fundit, kanë provuar në një shkallë të madhe të kundërtën e asaj që pritej me optimizëm.» Në të vërtetë, ata që do të ishin lajmëtarë të paqes ‘po qajnë me hidhërim’.
14. (a) Përse mund të thuhet se OKB-ja ka falimentuar financiarisht dhe moralisht? (b) Si po përmbushet Jeremia 8:15?
14 Në një titull të një gazete të Kalifornisë, lexohej: «OKB-ja ka falimentuar financiarisht dhe moralisht.» (The Orange Country Register) Artikulli pohonte se nga viti 1945 e deri në vitin 1990, ishin zhvilluar mbi 80 luftëra, që kishin marrë më shumë se 30 milionë jetë. Ai citonte një shkrimtar të numrit të tetorit 1995 të Reader’s Digest, i cili «i përshkruan operacionet ushtarake të OKB-së si të karakterizuara nga ‘komandantë të paaftë, ushtarë të padisiplinuar, aleanca me agresorët, dështime në parandalimin e mizorive dhe madje nganjëherë kontribuese në tmerre’. Për më tepër, ‘shkalla e shpenzimeve të kota, e mashtrimeve dhe e abuzimeve është e pamasë’.» Në një seksion me titull «OKB-ja në 50-vjetorin e saj», The New York Times mbante titullin «Keqdrejtimi dhe shpenzimet e kota gërryejnë qëllimet më të mira të OKB-së». The Times e Londrës, Angli, titullonte një artikull me fjalët «E brishtë në 50 vjetorin e saj, OKB-ja ka nevojë për një program stërvitjeje, për të ardhur përsëri në formë». Faktikisht, është ashtu siç lexojmë në vargun 15 të kreut 8 të Jeremisë: «Kishte një shpresë për paqe, por asnjë e mirë nuk erdhi; për një kohë shërimi, por, ja, terror!» (BR) Ndërsa olokausti bërthamor kërcënon ende njerëzimin. Është e qartë, pra, OKB-ja nuk është lajmëtarja e paqes, për të cilën ka nevojë njerëzimi.
15. Si ka treguar Babilonia e lashtë dhe pasardhja e saj fetare se është shkatërruese dhe mpirëse?
15 Cili do të jetë rezultati i gjithë kësaj? Fjala profetike e Jehovait nuk lë asnjë fije dyshimi. Në radhë të parë, çfarë i pret fetë e rreme të botës, që kaq shpesh kanë qenë jashtëzakonisht miqësore me OKB-në? Ato janë pasardhëse të të njëjtit burim idhujtar, të Babilonisë së lashtë. Në mënyrë të përshtatshme, në Zbulesën 17:5 ato janë përshkruar si «Babilonia e Madhe, nëna e lavireve dhe e gjërave të neveritshme të tokës». (BR) Edhe Jeremia e përshkroi rrënimin e kësaj tërësie hipokrite. Si një lavire, ato kanë mashtruar politikanët e tokës, duke lajkatuar OKB-në dhe duke krijuar marrëdhënie të paligjshme me fuqitë politike anëtare të saj. Ato kanë qenë pjesëmarrëset më të mëdha në luftërat e historisë. Një komentues, duke iu referuar luftës fetare në Indi, pohoi: «Karl Marksi iu referua fesë si një opium për masat popullore. Por ky pohim nuk mund të jetë plotësisht i saktë, pasi opiumi është një ilaç qetësues, që i nanurit njerëzit deri sa i çon në mpirje. Por jo, feja është më shumë si kokaina krak. Ajo ndez dhunën e tmerrshme dhe është një forcë vërtet shkatërruese.» Edhe ky shkrimtar nuk ka plotësisht të drejtë. Feja e rreme është njëkohësisht mpirëse dhe shkatërruese.
16. Përse njerëzit me zemër të ndershme duhet të dalin tani nga Babilonia e Madhe? (Shiko, gjithashtu, Zbulesën 18:4, 5.)
16 Çfarë duhet të bëjnë, atëherë, njerëzit me zemër të ndershme? Përgjigjen na e jep lajmëtari i Perëndisë, Jeremia: «Dilni nga mesi i Babilonisë dhe secili të sigurojë shpëtim për shpirtin e vet. . . . Sepse është koha e hakmarrjes që i përket Jehovait.» Jemi të lumtur që miliona njerëz kanë dalë nga kufijtë e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. A je edhe ti një prej tyre? Atëherë mund ta kuptosh fare mirë se si Babilonia e Madhe ka ndikuar kombet e tokës: «Kombet kanë pirë prej verës së saj. Prandaj, kombet vazhdojnë të veprojnë çmendurisht.»—Jeremia 51:6, 7, BR.
17. Çfarë gjykimi do të ekzekutohet mbi Babiloninë e Madhe dhe çfarë vjen pas atij veprimi?
17 Së shpejti, anëtarët ‘e çmendur’ të OKB-së do të manovrohen nga Jehovai, për të sulmuar fenë e rreme, siç përshkruhet në Zbulesën 17:16: «Këta do ta urrejnë laviren, do ta bëjnë të shkretë dhe lakuriq, do të hanë mishrat e saj dhe do ta djegin krejtësisht në zjarr.» (BR) Kjo do të shënojë fillimin e mjerimit të madh, të cilit i referohet Mateu 24:21 dhe do të arrijë kulmin në Harmagedon, në luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm. Si Babilonia e lashtë, Babilonia e Madhe do të marrë gjykimin e shprehur në Jereminë 51:13, 25: «‘O grua që qëndron mbi ujëra të shumta, me bollëk thesaresh, erdhi fundi yt, masa e fitimeve të tua. Ja, jam kundër teje, o mal rrënues,—është thënia e Jehovait,—ti rrënuese e gjithë tokës; do të shtrij dorën time kundër teje, do të të rrokullis nga shkrepat dhe do të të bëj një mal të djegur.’» (BR) Kombet e korruptuara luftënxitëse, në shkatërrimin e tyre, do të ndjekin fenë e rreme, ndërsa dita e hakmarrjes së Jehovait do të bjerë edhe mbi kombet.
18. Kur dhe si duhet të plotësohet ende Isaia 48:22?
18 Në 1. Selanikasve 5:3, për të ligjtë thuhet: «Kur të jenë duke thënë: ‘Paqe dhe siguri!’ atëherë një shkatërrim i menjëhershëm do të bjerë në çast mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes mbi një grua shtatzënë; dhe nuk do të shpëtojnë aspak.» (BR) Këta janë ata, për të cilët Isaia tha: «Ja! . . . Lajmëtarët e paqes do të qajnë me hidhërim.» (Isaia 33:7, BR) Në të vërtetë, siç lexojmë në Isainë 48:22, «‘nuk ka paqe,—ka thënë Jehovai,—për të ligjtë’». (BR) Por, ç’e ardhme i pret lajmëtarët e vërtetë të paqes hyjnore? Këtë do ta tregojë artikulli ynë vijues.
Pyetje për rishikim
◻ Me cilat fjalë të fuqishme profetët e Perëndisë i kanë demaskuar lajmëtarët e rremë?
◻ Përse mjetet njerëzore dështojnë në përpjekjet për të sjellë paqen e qëndrueshme?
◻ Si janë në kontrast lajmëtarët e vërtetë të paqes me ata që mbështesin OKB-në?
◻ Çfarë duhet të bëjnë të butët, për të gjetur kënaqësi në paqen e premtuar të Jehovait?
[Figurat në faqen 15]
Isaia, Jeremia dhe Danieli parathanë të gjithë dështimin e përpjekjeve të thjeshta njerëzore për paqen
[Figura në faqen 16]
«E gjithë bota shtrihet nën pushtetin e të ligut.»—Apostulli Gjon.
[Figura në faqen 17]
«Ata janë në errësirë mendërisht.»—Apostulli Pavël.