Terci: Sekretari i besueshëm i Pavlit
TERCI gjendej përballë një detyre të vështirë. Apostulli Pavël donte ta përdorte atë si sekretarin e tij, kur po u shkruante një letër të gjatë bashkë të krishterëve në Romë. Kjo do të ishte një punë e vështirë.
Përse ishte kaq e vështirë të ishe sekretar në shekullin e parë të e.s.? Si bëhej kjo punë? Çfarë materialesh për shkrim ishin në përdorim në atë kohë?
Sekretarët në lashtësi
Në shoqërinë e lashtë greko-romake, ekzistonin sekretarë të ndryshëm. Disa burra shërbenin si sekretarë shteti, funksionarë publikë, të cilët punonin nëpër kancelari. Ekzistonin, gjithashtu, sekretarët publikë të cilët u ofronin qytetarëve shërbimet e tyre në sheshin e pazarit. Të pasurit mbanin sekretarë privatë (shpesh skllevër). Në atë kohë, përveç këtyre ishin edhe miqtë e gatshëm, të cilët kishin qejf të shkruanin letra për të tjerët. Sipas studiuesit E. Randolf Riçards, aftësitë e këtyre sekretarëve jozyrtarë «mund të shkonin nga një kompetencë minimale lidhur me gjuhën dhe/apo procedura e shkrimit deri në mjeshtërinë më të lartë të shkrimit për bërjen e shpejtë të një letre të saktë, të përshtatshme dhe tërheqëse».
Kush përdorte sekretarë? Para së gjithash, ata që nuk dinin shkrim e këndim. Shumë kontrata dhe letra të hershme biznesi përfundoheshin me shënime, në të cilat sekretari dëshmonte se dokumentin e kish shkruar ai, për shkak të paaftësisë së personit që i kishte besuar atij këtë punë. Një arsye e dytë për pajtimin në punë të një sekretari ilustrohet nga një letër e hershme nga Teba e Egjiptit. E shkruar për njëfarë Asklipiadis, në përfundim ajo thoshte: «Eumeli, biri i Hermës, ka shkruar për të . . . , pasi ai vetë shkruan paksa ngadalë.»
Megjithatë, të dije shkrim e këndim, nuk dukej se ishte faktori përcaktues në përdorimin e një sekretari. Sipas një shtjelluesi të Biblës, Xhon L. MeKenzi, «ka të ngjarë që të mos ishte shqetësimi për lexueshmërinë, por përkundrazi, shqetësimi për shkrimin e bukur, apo të paktën për shkrimin e pastër», ai i cili i shtynte njerëzit t’u drejtoheshin shërbimeve të një sekretari. Edhe për të arsimuarit, të shkruarit ishte i lodhshëm, sidomos aty ku bëhej fjalë për tekste të gjata e të ndërlikuara. Studiuesi J. A. Eshliman thotë se kushdo që mund të përdorte një sekretar, «me kënaqësi e shmangte këtë punë, duke ia besuar atë kujdesit të skllevërve, skribëve profesionistë». Për më tepër, është e lehtë të kuptosh arsyen përse njerëzve nuk ua kishte qejfi të shkruanin letrat e veta, kur mban parasysh materialet që përdoreshin dhe kushtet e punës.
Materiali për shkrim i përdorur më gjerësisht në shekullin e parë të e.s., ishte papirusi. Rripat e hollë të letrës përftoheshin nga kjo bimë, duke shkëputur pjesën palcore të kërcellit të tij të prerë për së gjati. Shtrohej një shtresë rripash. Një shtresë tjetër vendosej në këndet e drejta të shtresës së parë. Të dyja ato ngjiteshin me shtypje, duke nxjerrë një fletë «letre».
Nuk ishte e lehtë të shkruaje mbi këtë sipërfaqe, pasi ajo ishte e ashpër dhe fibroze. Sipas studiuesit Anxhelo Pena, «fijet poroze të papirusit i kontribuonin përhapjes së bojës, sidomos përgjatë kanaleve të hollë që mbeteshin mes rripave të hollë». Sekretari mund të punonte i ulur këmbëkryq përtokë e duke e mbajtur fletën me një dorë në një dërrasë. Nëse ishte i papërvojë ose materialet nuk ishin të cilësisë më të mirë, penda e tij apo pena prej kallami, mund të gërvishtte papirusin, fleta mund të grisej ose shkrimi mund të ishte i palexueshëm.
Boja bëhej nga një përzierje bloze dhe gome. Meqenëse shitej në formë kallëpi, përpara se të përdorej për të shkruar, ajo duhej holluar me ujë në një shishe boje. Ndër mjetet e tjera që një sekretar si Terci mund të kishte me vete, ishte një thikë për të mprehur penën e kallamit dhe një sfungjer i njomur për të fshirë gabimet. Çdo germë duhej shkruar me kujdes. Për këtë arsye, shkrimi ecte me ngadalë e me disa vështirësi.
‘Unë, Terci, ju përshëndes’
Ndër përshëndetjet e përfshira në fund të letrës drejtuar Romakëve, është ajo e sekretarit të Pavlit, i cili shkroi: «Unë, Terci, që kam bërë shkrimin e kësaj letre, ju përshëndes në Zotërinë.» (Romakëve 16:22, BR) Ky është rasti i vetëm në shkrimet e Pavlit, ku i referohet në mënyrë të përcaktuar njërit prej sekretarëve të tij.
Pak dimë për Tercin. Nga përshëndetja e tij «në Zotërinë», mund të dalim në përfundimin se ai ishte një i krishterë besimplotë. Mbase ai ka qenë një anëtar i kongregacionit të Korintit dhe mund të ketë njohur shumë të krishterë në Romë. Studiuesi i Biblës Xhuzepe Barbalio sugjeron se Terci ishte një skllav ose një i liruar. Përse? Së pari, sepse «skribët i përkisnin përgjithësisht kësaj klase; pastaj, sepse emri i tij latin . . . ishte mjaft i zakonshëm mes skllevërve dhe të liruarve». «Prandaj,—thotë Barbalio,—ai nuk ishte një shkrues profesionist ‘pasiv’, ai ishte një bashkëpunëtor, i cili në këtë mënyrë e ndihmoi Pavlin të përpilonte pjesën e tij më të gjatë e më me artikulacion të shkrimit: një shërbim i çmuar ky, që i dha mundësi Pavlit të kursente kohë dhe mund.»
Kjo punë e Tercit është pa dyshim e çmuar. Baruku bëri një punë të ngjashme për Jereminë, ashtu si Silvani e bëri për Pjetrin. (Jeremia 36:4; 1. Pjetrit 5:12) Ç’privilegj patën këta bashkëpunëtorë!
Duke u shkruar Romakëve
Letra drejtuar Romakëve u shkrua ndërkohë që Pavli ishte mysafir tek Gaji, ndoshta në Korint. Kjo ishte rreth vitit 56 të e.s., gjatë udhëtimit të tretë misionar të apostullit. (Romakëve 16:23) Ndonëse e dimë me siguri se Pavli përdori Tercin si sekretar të tij për të shkruar këtë letër, ne nuk dimë saktësisht se si e përdori ai atë. Çfarëdo metode që mund të ketë përdorur, puna mund të ketë pasur vështirësi. Megjithatë, mund të jemi të sigurt për këtë: Ashtu si pjesa tjetër e Biblës, letra e Pavlit drejtuar Romakëve ishte «e frymëzuar nga Perëndia».—2. Timoteut 3:16, 17, BR.
Në përfundim të kësaj letre, Terci dhe Pavli kishin shkruar me mijëra fjalë, duke përdorur disa fletë papirusi. Pasi ishin ngjitur me njëra-tjetrën përgjatë anëve, këto fletë formuan një rrotull, mbase rreth 3-4 m të gjatë. Letra u mblodh me kujdes dhe u vulos. Më pas, duket se Pavli ia kishte besuar atë Foebës, një motre nga Senkrea, e cila ishte gati për t’u nisur për një udhëtim drejt Romës.—Romakëve 16:1, 2.
Qysh nga shekulli i parë, metodat e përdorura për të nxjerrë materiale të shkruara kanë ndryshuar jashtë mase. Por letra drejtuar të krishterëve romakë është ruajtur përgjatë shekujve nga Perëndia. Sa mirënjohës mund të jemi për këtë pjesë të Fjalës së Perëndisë të shkruar me ndihmën e Tercit, sekretarit të palodhur e të besueshëm të Pavlit.