Ndërgjegjja: Një barrë apo një pasuri?
«NDËRGJEGJJA më shqetëson!» Herë pas here, të gjithë ne përjetojmë njëmend brejtjen e ndërgjegjes. Këto ndjenja mund të shkojnë nga shqetësimi i thjeshtë mendor deri tek dhembja munduese. Një ndërgjegje e trazuar mund të shkaktojë edhe depresion apo një ndjenjë të thellë dështimi.
Duke e parë nga ky këndvështrim, a nuk është, atëherë, ndërgjegjja një barrë? Disa mund të mendojnë se po. Brezat e mëparshëm të mendimtarëve shpesh e shikonin ndërgjegjen si një aftësi të lindur, që është në natyrën e njerëzve. Shumë mendonin se ajo ishte një udhëheqje morale e dhënë drejtpërdrejt nga vetë Perëndia. Prandaj, ndërgjegjja është quajtur «prania e Perëndisë në njeriun», «natyra jonë origjinale» e madje «zëri i Perëndisë».
Megjithatë, vitet e fundit është përhapur pohimi se ndërgjegjja është kryesisht një aftësi e fituar, një produkt i kushtëzimit prindëror dhe atij social. Për shembull, disa psikologë argumentojnë se fëmija mëson të frenohet nga sjellja e padëshirueshme kryesisht nga frika e ndëshkimit, duke besuar se ajo që ne e quajmë ndërgjegje është thjesht përvetësimi i vlerave dhe i bindjeve personale të prindërve tanë. Të tjerë vënë në dukje rolin që luan shoqëria në përgjithësi në transmetimin e vlerave dhe standardeve. Disa i konsiderojnë brejtjet e ndërgjegjes si asgjë më tepër se një konflikt ndërmjet asaj që do të dëshironim të bënim dhe asaj që një shoqëri despotike na kërkon të bëjmë!
Pavarësisht nga teoritë, shpeshherë njerëzit u kanë bërë qëndresë prindërve, familjeve dhe shoqërive të tëra, pasi ndërgjegjja u thoshte të vepronin kështu. Disa kanë qenë të gatshëm madje të sakrifikonin jetën e tyre për hir të ndërgjegjes! E pavarësisht nga ndryshimet e thella që ekzistojnë mes kulturave të botës, veprime të tilla si vrasja, vjedhja, tradhtia bashkëshortore, gënjeshtra dhe incesti shikohen pothuaj përgjithësisht si të gabuara. A nuk argumenton kjo se ndërgjegjja është e lindur dhe bën pjesë në natyrën njerëzore?
Ndërgjegjja: Pikëpamja e Biblës
Autoriteti i vërtetë në këtë temë është Perëndia Jehova. Në fund të fundit, «na ka bërë ai [Perëndia] dhe jo ne vetë». (Psalmi 100:3) Ai e kupton plotësisht përbërjen tonë. Fjala e Perëndisë, Bibla, shpjegon se njeriu ishte bërë sipas «shëmbëlltyrës» së Perëndisë. (Zanafilla 1:26) Njeriu u krijua me një vetëdije të asaj që është e drejtë dhe e gabuar; qysh në fillim, ndërgjegjja ishte një pjesë e brendshme e natyrës së njeriut.—Krahaso Zanafillën 2:16, 17.
Këtë e përforcon apostulli Pavël në letrën e tij drejtuar romakëve, duke shkruar: «Në fakt kur johebrenjtë, që s’kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s’kanë ligjin, janë ligj për vetveten; këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegjja e tyre dhe sepse mendimet e tyre shfajësojnë ose edhe akuzojnë njëri-tjetrin.» (Romakëve 2:14, 15) Vëre se shumë njerëz që nuk ishin rritur nën Ligjin hyjnor dhënë judenjve, prapëseprapë ndiqnin disa nga parimet e ligjit të Perëndisë, jo nga presioni shoqëror, por «nga natyra»!
Pra, në vend se një barrë, ndërgjegjja është një dhuratë hyjnore, një pasuri. Duhet pranuar se ajo mund të na shkaktojë dhimbje. Por kur ndiqet siç duhet, ajo mund edhe të na shpërblejë me ndjenjën e kënaqësisë së thellë dhe të paqes së brendshme. Ajo mund të na drejtojë, mbrojë dhe nxitë. The Interpreter’s Bible komenton: «Shëndeti mendor dhe emocional mund të ruhet vetëm kur individi bën përpjekje për të mbyllur hendekun mes asaj që ai bën dhe asaj që ai ndien se duhet të bëjë.» Si mund ta mbyllë një person atë hendek? A është e mundur ta riformojmë dhe ta stërvisim ndërgjegjen tonë? Këto pyetje do të shqyrtohen në artikullin vijues.