Si ta stërvisni ndërgjegjen?
«NJË ndërgjegje e pastër është jastëku më i mirë.» Kjo thënie e lashtë nënvizon një fakt të rëndësishëm: Kur ndjekim ndërgjegjen, gëzojmë paqe dhe harmoni të brendshme.
Megjithatë, jo të gjithë zgjedhin për të bërë kështu. Adolf Hitler e shpalli veten në një mision për të çliruar njeriun nga një trillim poshtërues i mendjes apo iluzion, i njohur si ndërgjegjja. Mbretërimi i tij i terrorit siguron një shikim vetëtimthi shkurajues vetëm mbi faktin se sa mizorë mund të jenë njerëzit, kur hedhin poshtë ndërgjegjen e tyre. Megjithatë, po aq të pamëshirshëm janë shumë nga kriminelët e dhunshëm sot: ata që përdhunojnë e vrasin pa mëshirë. Një numër gjithnjë e në rritje i këtyre kriminelëve janë të moshës së njomë. Kështu, një libër që studionte këtë fenomen mbante nëntitullin Fëmijë pa ndërgjegje.
Edhe pse shumica e njerëzve nuk do ta çonin kurrë nëpër mend të kryenin një krim të dhunshëm, shumë nuk i bren ndërgjegjja lidhur me përzierjet në imoralitet seksual, gënjeshtër apo mashtrim. Morali po pëson një rënie globale. Duke iu referuar apostazisë së madhe në adhurimin e vërtetë, apostulli Pavël shkroi se disa të krishterë do të jepeshin në ndikimin e botës e kështu do të bëheshin ‘të damkosur në ndërgjegjen e tyre’. (1. Timoteut 4:2) Kërcënimi i korrupsionit është edhe më i madh sot, gjatë këtyre «ditëve të fundit». (2. Timoteut 3:1) Prandaj, të krishterët duhet të bëjnë përpjekje të mëdha, për të mbrojtur ndërgjegjen e tyre. Mund ta bëjmë këtë, duke e stërvitur dhe duke e zhvilluar atë.
Mendja, zemra dhe ndërgjegjja juaj
Apostulli Pavël tha: «Unë them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej dhe jep dëshmi me mua ndërgjegjja ime me anë të Frymës së Shenjtë.» (Romakëve 9:1) Pra, ndërgjegjja mund të japë dëshmi. Ajo mund të shqyrtojë një rrugë sjelljeje dhe ose e miraton, ose e dënon atë. Pjesa më e madhe e kuptimit të së drejtës dhe të së gabuarës është vendosur tek ne nga Krijuesi ynë. Megjithatë, ndërgjegjja jonë mund të marrë formë dhe të stërvitet. Si? Duke marrë njohuri të saktë nga Fjala e Perëndisë. «Transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë»,—thotë apostulli Pavël. (Romakëve 12:2) Ndërsa ngulit në mendje mendimet dhe vullnetin e Perëndisë, ndërgjegjja jote nis të veprojë në një mënyrë më hyjnore.
Dëshmitarët e Jehovait kanë ndihmuar miliona njerëz përreth botës që ‘të marrin njohuri për Perëndinë Jehova dhe për Jezu Krishtin’. (Gjoni 17:3) Me anë të rregullimit të studimit biblik në shtëpi pa pagesë, ata u mësojnë personave me zemër të ndershme normat e Perëndisë Jehova mbi seksin, pijet alkoolike, martesën, marrëdhëniet e biznesit dhe një varg argumentesh të tjera.a (Fjalët e urta 11:1; Marku 10:6-12; 1. Korintasve 6:9, 10; Efesianëve 5:28-33) Marrja e kësaj «njohurie të saktë» është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e një ndërgjegjeje hyjnore. (Filipianëve 1:9) Natyrisht, edhe pasi një i krishterë fiton një kuptueshmëri të pjekur mbi Biblën, ai duhet të vazhdojë ta ushqejë rregullisht mendjen e tij me Fjalën e Perëndisë, nëse dëshiron që ndërgjegjja e tij të veprojë siç duhet.—Psalmi 1:1-3.
Veç kësaj, Bibla e lidh ndërgjegjen me zemrën figurative, e cila përfshin ndjenjat dhe emocionet tona. (Romakëve 2:15) Zemra dhe mendja mund të punojnë në harmoni së bashku, nëse ndërgjegjja vepron siç duhet. Kjo do të thotë se nuk mjafton vetëm futja e informacionit në mendje. Duhet, gjithashtu, t’i japësh formë zemrës: ndjenjave, dëshirave dhe dëshirimit. Kështu, libri i Proverbave përdor shprehje të tilla si «prije zemrën», «vëre zemrën» dhe «drejtoje zemrën». (Proverbat 2:2; 23:19; 27:23, BR) Një mënyrë për t’i dhënë formë zemrës, është nëpërmjet meditimit dhe reflektimit mbi Shkrimet. «Me siguri do të meditoj mbi gjithë aktivitetin tënd dhe do të mbaj parasysh mënyrën tënde të të vepruarit»,—thotë Psalmi 77:12. (BR) Meditimi na ndihmon të arrijmë ndjenjat dhe motivet tona më të brendshme.
Për shembull, ta zëmë se ke një ves të papastër, të tillë si dhënien pas duhanit. Ashtu si shumë të tjerë, s’ka dyshim që ti je mjaft i vetëdijshëm për rreziqet e tij shëndetësore. Megjithatë, pavarësisht nga lutjet e miqve dhe të familjes, ti e ke të vështirë për ta lënë. Si mund ta forcojë ndërgjegjen tënde në këtë aspekt meditimi mbi mesazhin e Biblës?
Sa për të bërë një shembull, përpiqu të meditosh mbi fjalët e apostullit Pavël, që gjejmë në 2. Korintasve 7:1: «Duke i pasur këto premtime, o të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë.» Kap kuptimin e këtyre fjalëve. Pyet veten: «Cilat janë ‘këto premtime’, të cilave u referohet Pavli?» Duke lexuar kontekstin, do të vëresh se vargjet e mëparshme thonë: «Prandaj ‘dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre,—thotë Zoti,—dhe mos prekni asgjë të ndyrë dhe unë do t’ju pranoj’.» «‘Do të jem si një Atë për ju dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat’,—thotë Zoti i Plotfuqishëm.»—2. Korintasve 6:17, 18.
Urdhri i Pavlit për ‘të pastruar veten nga ndotja’ tani ka më shumë forcë! Si një shtytës të fuqishëm për ta bërë këtë, Perëndia premton ‘të na pranojë’, d.m.th., të na vendosë nën kujdesin e tij mbrojtës. «A do të gëzoja një marrëdhënie të ngushtë me të, si ajo e një biri apo bije me atin?»—mund të pyesësh veten. A nuk është tepër tërheqës mendimi se do të jemi ‘të pranuar’ apo të dashur nga një Perëndi i mençur dhe i dashur? Nëse ky mendim të duket i huaj, vëre mënyrën, në të cilën baballarët e dashur ua shprehin dashurinë dhe përzemërsinë fëmijëve të tyre. Tani, imagjino që një lidhje e tillë të ekzistojë mes teje dhe Jehovait! Sa më shumë që të meditosh mbi të, aq më shumë të rritet dëshira për një marrëdhënie të tillë.
Por vëre: Afërsia me Perëndinë është e mundur vetëm nëse ‘nuk prek gjëra të ndyra’. Pyet veten: «A nuk është dhënia pas duhanit një ndër ato ‘gjëra të ndyra’, të cilat Perëndia i dënon? A do të ishte përdorimi i tij një ‘ndotje e mishit’, duke e ekspozuar veten ndaj çdo lloji të rrezikut shëndetësor? Përderisa Jehovai është një Perëndi i pastër apo ‘i shenjtë’, a do ta miratonte ai ndotjen e vetes sime me vullnet në këtë mënyrë?» (1. Pjetrit 1:15, 16) Vëre se Pavli paralajmëron, gjithashtu, kundër ‘ndotjes së frymës’ apo prirjes mendore. Pyet veten: «A e sundon kjo dhënie mënyrën time të të menduarit? A do të shkoja deri atje, sa për të kënaqur dëshirimin tim, të vija ndoshta në rrezik shëndetin, familjen e madje qëndrimin tim me Perëndinë? Deri në ç’masë kam lejuar që dhënia ime pas duhanit të dëmtojë jetën time?» Përballimi i këtyre pyetjeve të dhimbshme fare mirë mund të të japë kurajën për ta lënë.
Natyrisht, mund të kesh nevojë për ndihmën dhe përkrahjen e të tjerëve për të mposhtur dhënien pas duhanit. Megjithatë, meditimi mbi Biblën mund të bëjë shumë për të stërvitur dhe forcuar ndërgjegjen tënde, si edhe për t’u liruar nga dhënia pas tij.
Kur gabojmë
Edhe pse bëjmë përpjekjet më të mira për të bërë atë që është e drejtë, nganjëherë papërsosmëritë na mposhtin dhe ne gabojmë. Atëherë ndërgjegjja do të na shqetësojë, por mund të tundohemi që të përpiqemi ta shpërfillim atë. Ose mund të shkurajohemi kaq shumë, saqë duam të lëmë çdo përpjekje për t’i shërbyer Perëndisë. Por sill ndër mend rastin e mbretit David. Pasi kishte kryer tradhti bashkëshortore me Betshebën, ndërgjegjja e mundonte. Ja, si e përshkruan ai vuajtjen që ndjeu: «Ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës.» (Psalmi 32:4) E dhimbshme? Patjetër! Megjithatë, ky trishtim hyjnor e nxiti Davidin të pendohej e të pajtohej me Perëndinë. (Krahaso 2. Korintasve 7:10.) Lutja munduese e Davidit për falje jep prova të bollshme për pendimin e tij të sinqertë. Për shkak se iu përgjigj ndërgjegjes së tij, Davidi u ndihmua të ndryshonte dhe përfundimisht të rigjente gëzimin e tij.—Psalmi 51.
Po ashtu mund të ndodhë edhe sot. Disa e kanë studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në të kaluarën, por janë ndalur aty kur kanë mësuar se jeta e tyre nuk ishte në harmoni me normat e larta të Perëndisë. Ndoshta jetonin me një person të seksit të kundërt pa dobinë e martesës apo ishin skllevër të zakoneve të papastra. Ndërgjegjja u shkaktoi atyre dhembje!
Nëse gjendesh në një situatë të tillë, shqyrto fjalët e apostullit Pjetër ditën e Rrëshajëve. Kur ai demaskoi mëkatet e bashkatdhetarëve të tij judenj, «ata u pikëlluan në zemër». Në vend se të dorëzoheshin, ata ndoqën këshillën e Pjetrit për t’u penduar dhe fituan miratimin e Perëndisë. (Veprat 2:37-41) Po ashtu mund të bësh edhe ti! Në vend se të braktisësh të vërtetën, për shkak se ndërgjegjja të shkakton dhimbje, lëre ndërgjegjen që të të nxisë për ‘t’u penduar e për t’u kthyer’. (Veprat 3:19) Me vendosmëri dhe përpjekje, ti mund të bësh ndryshimet e nevojshme për të fituar favorin e Perëndisë.
«Mbani një ndërgjegje të mirë»
Sido që të jetë, sapo ke nisur të mësosh rrugët e Jehovait apo ke shumë vite përvojë si i krishterë i pjekur, këshilla e Pjetrit është e përshtatshme: «Mbani një ndërgjegje të mirë.» (1. Pjetrit 3:16, BR) Ajo është një pasuri, jo një barrë. Stërvite atë duke e ushqyer mendjen dhe zemrën me mençurinë që përmban Fjala e Perëndisë, Bibla. Ndiq ndërgjegjen kur ajo të paralajmëron. Gëzo paqen e brendshme të mendjes që mund të të sjellë bindja ndaj ndërgjegjes.
Duhet pranuar se stërvitja dhe riformimi i ndërgjegjes tënde nuk është një punë e lehtë. Megjithatë, mund t’i lutesh Perëndisë Jehova për ndihmë. Me ndihmën e tij, do të jesh në gjendje t’i shërbesh Perëndisë «nga një ndërgjegje e mirë dhe nga një besim pa hipokrizi».—1. Timoteut 1:5, BR.
[Shënimi]
a Ndihu i lirshëm të lidhesh me Dëshmitarët e Jehovait në kongregacionin lokal ose t’u shkruash botuesve të kësaj reviste, nëse do të të interesonte të kishe një studim biblik pa pagesë në shtëpi.
[Figura në faqen 6]
Leximi dhe meditimi mbi Fjalën e Perëndisë na ndihmon të stërvitim ndërgjegjen tonë