Bekimet e shërbimit si pionier
«Bekimi i Jehovait, ky është që të bën të pasur dhe ai nuk shton dhimbje me të.»—PROVERBAT 10:22, BR.
1, 2. (a) Si i shprehu një pionier ndjenjat e tij në lidhje me shërbimin e plotë kohor? (b) Përse pionierët janë në gjendje t’i përjetojnë më plotësisht gëzimet e bërjes së dishepujve?
«A MUND të ketë ndonjë gëzim më të madh se të shohësh dikë që studion me ty, të bëhet një lavdërues aktiv i Jehovait? Është emocionuese dhe forcuese për besimin të shohësh se sa e fuqishme është Fjala e Perëndisë në nxitjen e njerëzve për të bërë ndryshime në jetën e tyre, që t’i pëlqejnë Jehovait.» Kështu shkroi një pionier nga Kanadaja, i cili ka qenë në shërbimin e plotë kohor për më shumë se 32 vjet. Në lidhje me shërbimin e tij si pionier, ai thotë: «Nuk mund ta imagjinoj veten duke bërë diçka tjetër. Sigurisht që nuk mund të imagjinoj asgjë që do të sillte të njëjtin gëzim.»
2 A je dakord që ka një gëzim të madh kur merr pjesë në ndihmën që i jep dikujt në rrugën drejt jetës? Sigurisht që pionierët nuk janë të vetmit që përjetojnë një gëzim të tillë. Të gjithë shërbëtorët e Jehovait janë nën detyrën për të ‘bërë dishepuj nga njerëzit’ dhe ata përpiqen ta bëjnë këtë. (Mateu 28:19, BR) Megjithatë, përderisa pionierët kanë mundësi të kalojnë shumë orë në shërbimin në fushë, shpesh janë në gjendje t’i përjetojnë më plotësisht gëzimet e bërjes së dishepujve. Por shërbimi si pionier ka edhe shpërblime të tjera. Fol me pionierët dhe ata do të të tregojnë se shërbimi si pionier është një mënyrë e mrekullueshme për të përjetuar ‘bekimin e Jehovait që e bën të pasur një person’.—Proverbat (Fjalët e urta) 10:22, BR.
3. Çfarë mund të na nxitë, ndërsa vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait?
3 Kohët e fundit, pionierëve nga vende të ndryshme të botës, iu kërkua të përshkruanin bekimet që kanë përjetuar në shërbimin e plotë kohor. Le të shqyrtojmë se çfarë kishin për të thënë ata. Por, mos u shkurajo nëse shërbimi yt është i kufizuar për shkak të shëndetit të dobët, moshës së thyer apo rrethanave të tjera. Mos harro se e rëndësishme është t’i shërbejmë Jehovait me gjithë shpirt, në çfarëdo roli qofshim. Megjithatë, dëgjimi i komenteve të disa pionierëve, mund ta rritë interesin tënd për të ndërmarrë këtë aktivitet shpërblyes, nëse është krejt e mundur.
Ndjenja të thella kënaqësie dhe gëzimi
4, 5. (a) Përse ndarja e lajmit të mirë me të tjerët është një përvojë kaq shpërblyese? (b) Si ndihen pionierët në lidhje me pjesëmarrjen në shërbimin e plotë kohor?
4 «Ka më shumë lumturi në të dhënë sesa në të marrë»,—tha Jezui. (Veprat 20:35, BR) Po, dhënia joegoiste ka shpërblimet e veta. (Proverbat 11:25) Kjo është veçanërisht e vërtetë, kur është fjala për ndarjen e lajmit të mirë me të tjerët. Me të vërtetë, ç’dhuratë më të madhe mund t’i japim një njeriu tjetër sesa ajo që ta ndihmojmë të marrë njohurinë e Perëndisë, e cila çon në jetën e përhershme?—Gjoni 17:3.
5 Nuk është për t’u habitur që ata të cilët marrin pjesë në shërbimin e plotë kohor, shpesh bëjnë komente mbi gëzimin dhe ndjenjën e thellë të kënaqësisë që marrin nga shërbimi i tyre. «E di se asnjë punë tjetër nuk do të mund të më sillte kënaqësinë që ka ardhur nga ndarja e së vërtetës me të tjerët»,—thotë një pionier 64-vjeçar nga Britania. Një e ve nga Zaireja shprehu se çfarë domethënie ka pasur për të shërbimi si pioniere: «Shërbimi si pioniere ishte për mua një ngushëllim i vërtetë pas humbjes së burrit tim të dashur. Sa më shumë që shkoj në shërbim për të ndihmuar të tjerët, aq më pak e ndiej humbjen tragjike. Unë e vendos besimin tim në premtimet e Jehovait dhe mendoj kryesisht se si mund t’i ndihmoj personat, të cilët po studiojnë me mua, që të bëjnë ndryshime në jetën e tyre. Në fund të çdo dite, e bëj gjumin të ëmbël dhe zemrën e kam plot gëzim.»
6. Çfarë gëzimi të veçantë kanë përjetuar disa pionierë?
6 Disa prej atyre që kanë qenë duke shërbyer si pionierë për shumë dekada, kanë pasur gëzimin e veçantë për të shërbyer në zona të thella, duke ngritur kongregacione, të cilat së fundi janë rritur në qarqe. Për shembull, në Abashiri, Hokaido (ishulli më verior i Japonisë), është një motër që ka qenë pioniere për 33 vjet. Ajo kujton se në asamblenë e parë qarkore të saj, për të gjithë Hokaidon, kishte vetëm 70 të pranishëm. Po tani? Në atë ishull ka 12 qarqe, me një total prej më shumë se 12.000 lajmëtarësh. Imagjino se si gufon zemra e saj nga gëzimi, kur merr pjesë nëpër asamble dhe kongrese bashkë me një mori bashkëlajmëtarësh të Mbretërisë në atë ishull!
7, 8. Çfarë gëzimi kanë përjetuar shumica e pionierëve që shërbejnë për një kohë të gjatë?
7 Pionierë të tjerë që kanë shërbyer për një kohë të gjatë, kanë pasur gëzimin për të parë studentë të Biblës të pagëzohen dhe pastaj të synojnë për privilegje më të mëdha shërbimi. Në Japoni, një motër e cila që prej 1957-s ka shërbyer në nëntë caktime të ndryshme, kujton se njëherë i ka lënë revistën Zgjohuni! një të reje që punonte në bankë. Brenda nëntë muajsh ajo e re u pagëzua. Më vonë u martua dhe bashkë me burrin u bënë pionierë specialë. Ç’gëzim qe për motrën pioniere kur, në caktimin e saj të tretë, kongregacioni i saj u vizitua nga mbikëqyrësi i ri qarkor dhe gruaja e tij: ish-studentja e saj e Biblës!
8 Nuk është për t’u habitur që ata të cilët kanë bërë një karrierë në shërbimin si pionier, e konsiderojnë atë si «një privilegj të paçmueshëm për t’u ruajtur», siç u shpreh për të një pionier prej 22 vjetësh!
Dëshmi e kujdesit të Jehovait
9. Si Siguruesi i Madh, çfarë u premton Jehovai shërbëtorëve të tij dhe ç’do të thotë kjo për ne?
9 Jehovai, Siguruesi i Madh, premton që t’i mbështetë shërbëtorët e tij, duke u kujdesur për ta frymësisht dhe materialisht. Me të drejtë, mbreti i lashtë David mundi të thoshte: «Një i ri isha, gjithashtu, jam plakur dhe megjithatë nuk kam parë asnjë të drejtë të lënë krejtësisht, as pasardhësit e tij të kërkojnë bukë.» (Psalmi 37:25, BR) Sigurisht që kjo garanci hyjnore nuk na shkarkon nga detyrimi për të siguruar në aspektin material për familjet tona, as nuk na jep autorizimin që të përfitojmë nga bujaria e vëllezërve tanë të krishterë. (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 4:11, 12; 1. Timoteut 5:8) Megjithatë, kur me gatishmëri bëjmë sakrifica në jetën tonë që t’i shërbejmë më plotësisht Jehovait, ai nuk do të na braktisë kurrë.—Mateu 6:33.
10, 11. Nga përvoja, çfarë dinë shumë pionierë në lidhje me aftësinë e Jehovait për të siguruar?
10 Pionierët në mbarë botën e dinë nga përvoja se Jehovai merr masa për ata që e vënë veten në duart e tij të kujdesshme. Shqyrto rastin e një çifti pionierësh që u transferuan në një qytet të vogël, ku kishte nevojë më të madhe për lajmëtarë të Mbretërisë. Pas pak muajsh, puna në botë u bë e pamjaftueshme dhe kursimet e tyre kishin marrë fund. Më pas ata morën një faturë për pagimin e sigurimit të makinës, prej 81 dollarësh. «Nuk kishim si ta paguanim,—shpjegon vëllai.—Atë natë u lutëm tej mase shumë.» Ditën tjetër, ata morën një kartolinë dyfaqëshe nga një familje që financiarisht, ishte duke luftuar për vete. Kartolina shpjegonte se qeveria u kishte kthyer një sasi parash nga taksat dhe meqenëse ato ishin më shumë nga ç’prisnin, dëshironin që një pjesë të tyre t’ia jepnin çiftit të pionierëve. Brenda kartolinës ndodhej një çek prej 81 dollarësh! «Nuk do ta harroj kurrë atë ditë; m’u rrëqeth mishi!—thotë vëllai pionier.—E vlerësuam kaq shumë bujarinë e asaj familjeje.» Edhe Jehovai e vlerëson një dashamirësi të tillë, e cila është tipike për frymën bujare që ai inkurajon në shërbëtorët e tij.—Proverbat 19:17; Hebrenjve 13:16.
11 Shumë pionierë mund të të tregojnë përvoja të ngjashme. Pyeti dhe do të të tregojnë se nuk kanë qenë kurrë të «lënë krejtësisht». Duke parë në 55 vjetët e kaluar në shërbimin e plotë kohor, një pionier 72-vjeçar thotë: «Jehovai nuk më ka lënë kurrë në baltë.»—Hebrenjve 13:5, 6.
«Një mënyrë e shkëlqyer për t’iu afruar më shumë Jehovait»
12. Përse vepra e shpalljes së lajmit të mirë është një privilegj kaq i jashtëzakonshëm?
12 Fakti që Jehovai na kërkon madje ta shpallim lajmin e mirë të Mbretërisë, na vë në dispozicion një privilegj. Ai na konsideron, ndonëse jemi njerëz të papërsosur, si «bashkëpunëtorë» të tij në këtë aktivitet jetëshpëtues. (1. Korintasve 3:9; 1. Timoteut 4:16) Ndërsa u predikojmë të tjerëve mbi Mbretërinë e Perëndisë, ndërsa shpallim fundin e ligësisë dhe ndërsa u shpjegojmë njerëzve dashurinë e tij të mrekullueshme në sigurimin e një shpërblerjeje, ndërsa hapim Fjalën e tij të gjallë dhe u mësojmë përmbajtjen e saj njerëzve me zemër të ndershme, natyrshëm i afrohemi më shumë Krijuesit tonë, Jehovait.—Psalmi 145:11; Gjoni 3:16; Hebrenjve 4:12.
13. Çfarë thonë disa në lidhje me efektin e shërbimit të tyre si pionier në marrëdhënien me Jehovain?
13 Pionierët kanë mundësi që çdo muaj të kalojnë shumë kohë duke marrë dhe duke dhënë mësime mbi Jehovain. Si e ndiejnë ata se kjo ndikon në marrëdhënien e tyre me Perëndinë? «Të shërbesh si pionier është një mënyrë e shkëlqyer për t’iu afruar më shumë Jehovait»,—përgjigjet një plak në Francë, i cili ka qenë pionier për më shumë se dhjetë vjet. Një pionier tjetër në atë vend, i cili ka kaluar 18 vjet në shërbimin e plotë kohor, thotë: «Shërbimi i pionierit na lejon të ‘shijojmë dhe të shohim se Jehovai është i mirë’, duke zhvilluar ditë pas dite një marrëdhënie gjithnjë e më të fortë me Krijuesin tonë.» (Psalmi 34:8, BR) Në mënyrë të ngjashme ndihet edhe një motër që ka qenë pioniere për 30 vjet. «Fakti që më duhet t’i drejtohem frymës së Jehovait për udhëheqje në shërbimin tim, më afron më shumë me të,—thotë ajo.—Kam ndjerë me të vërtetë se në shumë raste fryma e Jehovait më ka drejtuar tek një shtëpi e veçantë në kohën e duhur.»—Krahaso Veprat 16:6-10.
14. Si nxjerrin dobi pionierët nga përdorimi çdo ditë i Biblës dhe i botimeve të bazuara në të, për të mësuar të tjerët?
14 Shumë pionierë vërejnë se përdorimi çdo ditë i Biblës dhe i botimeve të bazuara në të, për të shpjeguar dhe për të mësuar të vërtetat biblike, i ndihmon që të rriten në njohurinë e Fjalës së Perëndisë. Një vëlla 85-vjeçar në Spanjë, i cili ka qenë pionier për 31 vjet, shpjegon: «Shërbimi si pionier më ka ndihmuar të fitoj një njohuri të thellë mbi Biblën, një njohuri të cilën e kam përdorur për të ndihmuar shumë njerëz, që të arrijnë të njohin Jehovain dhe qëllimet e tij.» Një motër nga Britania, që ka qenë duke shërbyer si pioniere për 23 vjet, thotë: «Shërbimi i plotë kohor më ka ndihmuar të kultivoj një oreks të madh për ushqim frymor.» Duke u shpjeguar të tjerëve «arsyen për shpresën brenda teje», mund të forcohen bindjet e tua në lidhje me ato që beson, të cilat i ke për zemër. (1. Pjetrit 3:15, BR) Një pionier nga Australia thotë: «Shërbimi si pionier përmirëson besimin tim, ndërsa u shprehem të tjerëve.»
15. Çfarë kanë qenë të gatshëm të bëjnë disa, që të hyjnë në shërbimin si pionier e të qëndrojnë në të dhe pse?
15 Qartë, këta shërbëtorë pionierë janë të bindur se kanë zgjedhur një formë shërbimi që sjell bekime të panumërta nga Jehovai. Nuk është për t’u çuditur që kanë qenë të shumtë ata, të cilët kanë bërë rregullime në jetën e tyre, madje duke sakrifikuar një karrierë botërore dhe pasuritë materiale, për të hyrë në shërbimin si pionier dhe për të qëndruar në të!—Proverbat 28:20.
A dëshiron me zjarr zemra jote të bëjë më shumë?
16, 17. (a) Në qoftë se je duke pyetur veten nëse shërbimi si pionier është i mundur për ty, çfarë mund të bësh? (b) Si ndihen disa, kur nuk munden të shërbejnë si pionier?
16 Pas shqyrtimit të asaj që thonë pionierët për bekimet e shërbimit si pionier, ndoshta je duke pyetur veten nëse për ty është praktike të shërbesh si pionier. Nëse po, përse të mos bisedosh me një pionier që ka pasur sukses në shërbimin e plotë kohor? Gjithashtu, mund të të duket e dobishme të flasësh me njërin prej pleqve të kongregacionit, me dikë që të njeh, njeh gjendjen tënde shëndetsore, kufizimet e tua dhe përgjegjësitë e tua familjare. (Proverbat 15:22) Komentet objektive të të tjerëve mund të të ndihmojnë për të vlerësuar me kujdes nëse për ty është i mundur shërbimi si pionier. (Krahaso Lukën 14:28.) Nëse je në gjendje të shërbesh si pionier, bekimet e tua do të jenë vërtet të mëdha.—Malakia 3:10.
17 Por ç’mund të themi për shumë lajmëtarë besimplotë të Mbretërisë, që nuk janë në gjendje të shërbejnë si pionierë, ndonëse mund të digjen nga dëshira për të bërë më shumë në shërbim? Shyrto, për shembull, ndjenjat e një motre të krishterë, e cila po lufton për t’i rritur vetë katër fëmijët e saj. «Ndihem keq,—thotë ajo,—sepse isha pioniere e rregullt, por tani, për shkak të rrethanave të mia, nuk mund të dal në shërbimin në fushë aq sa dilja.» Kjo motër i do fort fëmijët e saj dhe dëshiron t’i sigurojë materialisht ata. Në të njëjtën kohë, ajo dëshiron me zjarr të bëjë më shumë në veprën e predikimit. «E dua shërbimin»,—shpjegon ajo. Ndjenja të ngjashme kanë edhe të krishterë të tjerë të devotshëm, dashuria e të cilëve për Perëndinë i shtyn të dëshirojnë t’i shërbejnë Jehovait ‘me gjithë zemrën e tyre’.—Psalmi 86:12, BR.
18. (a) Çfarë pret prej nesh Jehovai? (b) Përse nuk duhet të shkurajohemi nëse rrethanat e kufizojnë atë që kemi mundësi të bëjmë?
18 Mos harro se Jehovai pret prej nesh shërbimin me gjithë shpirt ndaj tij. Se në çfarë sasie është ai, mund të ndryshojë në një masë të konsiderueshme nga shpirti në shpirt. Disa kanë mundësi t’i rregullojnë punët e tyre, që të shërbejnë si pionierë të rregullt. Shumë të tjerë regjistrohen si pionierë ndihmës, ose herë pas here, ose mbi një bazë të vazhdueshme, duke harxhuar 60 orë në muaj në shërbim. Megjithatë, pjesa më e madhe e popullit të Jehovait i kushtohet veprës së predikimit dhe të mësimdhënies me gjithë shpirt si lajmëtarë të kongregacionit. Kështu që, nëse je vërtet i kufizuar për shkak të shëndetit të dobët, moshës së thyer, përgjegjësive familjare apo rrethanave të tjera, mos u shkurajo. Për sa kohë jep më të mirën tënde, shërbimi yt është i vlefshëm në sytë e Perëndisë, ashtu siç është ai i atyre që janë në shërbim të plotë kohor!
Të gjithë mund të demonstrojnë frymën e pionierit
19. Çfarë është fryma e pionierit?
19 Edhe pse ndoshta nuk ke mundësi të regjistrohesh si një pionier, ti mund ta demonstrosh frymën e pionierit. Çfarë është fryma e pionierit? Numri i korrikut 1988 të Shërbimi ynë i Mbretërisë, thoshte: «Ajo mund të përkufizohet si pasja e një qëndrimi pozitiv ndaj urdhrit për të predikuar dhe për të bërë dishepuj, të qenët plotësisht i angazhuar për të treguar dashuri dhe interesim për njerëzit, të qenët vetëmohues, gjetja e gëzimit në ndjekjen nga afër të Mësuesit si dhe gjetja e kënaqësisë në gjërat frymore, jo në ato materiale.» Si mund ta shfaqësh frymën e pionierit?
20. Si mund ta demonstrojnë prindërit frymën e pionierit?
20 Nëse je një prind me fëmijë të vegjël, mund t’u rekomandosh atyre me gjithë zemër një karrierë si pionier. Qëndrimi yt pozitiv ndaj shërbimit, mund të ngulitë në ta nevojën për ta bërë shërbimin e Jehovait gjënë më të rëndësishme në jetën e tyre. Mund të ftosh në shtëpi pionierë dhe mbikëqyrës udhëtues bashkë me gratë e tyre, kështu që fëmijët e tu mund të përfitojnë nga shembujt e atyre që kanë gjetur gëzim në shërbimin e plotë kohor. (Krahaso Hebrenjve 13:7.) Edhe në shtëpitë e ndara në aspektin fetar, prindërit besimtarë, me fjalë dhe me shembullin e tyre, mund t’i ndihmojnë fëmijët që ta bëjnë shërbimin e plotë kohor një synim në jetë.—2. Timoteut 1:5; 3:15.
21. (a) Si mund t’u japim të gjithë ne mbështetje atyre që po shërbejnë si pionierë? (b) Çfarë mund të bëjnë pleqtë për të inkurajuar pionierët?
21 Në kongregacion, të gjithë ne mund t’u japim mbështetje me gjithë zemër atyre që kanë mundësi të shërbejnë si pionierë. Për shembull, a mund të bësh një përpjekje të veçantë për të dalë në shërbim me një pionier, veçanërisht në rastet kur pionieri përndryshe do të dilte vetëm? Mund të vëresh se do të jetë «një shkëmbim inkurajimi». (Romakëve 1:11, 12, BR) Nëse je një plak, mund të bësh edhe më shumë për të inkurajuar pionierët. Kur mblidhet trupi i pleqve, ata duhet të marrin rregullisht në konsideratë nevojat e pionierëve. Kur një pionier është i shkurajuar ose po përjeton disa vështirësi, mos ji tepër i nxituar për të rekomanduar që ai apo ajo ta ndërpresë shërbimin si pionier. Edhe pse në disa raste bërja e rekomandimeve të tilla mund të jetë e nevojshme, mos harro se shërbimi si pionier është një privilegj i çmuar që shërbëtori në kohë të plotë mund ta ketë shumë për zemër. Një inkurajim i vogël dhe ndonjë këshillë apo ndihmë praktike mund të jetë e gjitha ajo që nevojitet. Zyra e degës së Shoqatës në Spanjë shkruan: «Kur pleqtë inkurajojnë shërbimin si pionier, mbështetin pionierët në shërbimin në fushë dhe i kullotin rregullisht ata, pionierët kanë më shumë gëzim, ndihen të dobishëm dhe dëshirojnë të vazhdojnë, pavarësisht nga vështirësitë që mund të lindin.»
22. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë në këtë periudhë kritike të historisë njerëzore?
22 Ne po jetojmë në një periudhë kritike të historisë njerëzore. Jehovai na ka dhënë për të kryer një vepër jetëshpëtuese. (Romakëve 10:13, 14) Mundemi apo jo të marrim pjesë si pionierë në këtë vepër, le të tregojmë frymën e pionierit. Le të kemi një ndjenjë urgjence dhe një frymë vetëmohimi. Le të jemi të vendosur për t’i dhënë Jehovait atë që kërkon prej nesh: shërbimin me gjithë shpirt. Le të mos harrojmë se kur e japim të gjithë atë që mundemi, i ngjan monedhave të vogla të së vesë apo i ngjan vajit të kushtueshëm të Marisë, shërbimi ynë është me gjithë shpirt dhe Jehovai e ka për zemër shërbimin tonë me gjithë shpirt!
A të kujtohet?
◻ Përse shërbimi i plotë kohor sjell ndjenja kënaqësie dhe gëzimi?
◻ Nga përvoja, çfarë dinë shumë pionierë në lidhje me aftësinë e Jehovait për t’u kujdesur për shërbëtorët e tij?
◻ Çfarë efektesh ndiejnë pionierët se ka shërbimi i tyre në marrëdhënien me Jehovain?
◻ Si mund ta demonstrosh frymën e pionierit?
[Figura në faqen 23]
Pionierët marrin gëzim të madh nga bërja e dishepujve
[Figura në faqen 23]
Fëmijët tuaj mund të përfitojnë nga shoqëria me lajmëtarët në kohë të plotë të Mbretërisë
[Figura në faqen 23]
Pleqtë mund t’i inkurajojnë pionierët në shërbimin në fushë