Nga studentë të suksesshëm në misionarë të suksesshëm
«ENDE s’më besohet që patëm këtë privilegj!»,— thërriste i gëzuar Uill, duke iu referuar stërvitjes që sapo kishin përfunduar ai dhe gruaja e tij, Patsi, si studentë të klasës së 103-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Edhe Zehidi dhe Xheni janë të të njëjtit mendim. «Ndihemi të nderuar që ndodhemi këtu»,—thanë ata. Të gjithë studentët kanë punuar shumë gjatë shkollës. Tani ishin të paduruar të fillonin karrierën e tyre si misionarë. Por fillimisht, në programin e diplomimit të mbajtur më 6 shtator 1997, ata morën këshilla të dashura, që do t’i ndihmonin t’ia dilnin mbanë në caktimet e tyre misionare.
Drejtuesi i programit ishte Theodore Jaracz, anëtar i Trupit Udhëheqës. Ai vuri në dukje se bashkë me familjen Bethel dhe përfaqësuesit e 48 degëve të Shoqatës Watch Tower, për t’i siguruar studentët për mbështetjen dhe dashurinë e tyre, ishin të pranishëm miq dhe të afërm nga Kanadaja, Evropa, Porto Riko dhe Shtetet e Bashkuara. Vëllai Jaracz vërejti se misionarët e dërguar nga kishat e të ashtuquajturit krishterim, shpesh janë shpërqendruar nga vepra misionare dhe kanë filluar ndjekjen e përpjekjeve studimore, apo madje janë përzier në politikë. Në kontrast me ta, të diplomuarit e Galaadit bëjnë atë për të cilën janë stërvitur. Ata u mësojnë njerëzve Biblën.
Më pas, Robert Bëtler nga zyra e Shoqatës në Bruklin, foli mbi temën «Bëjeni të suksesshme rrugën tuaj». Ai shpjegoi se ndonëse njerëzit e matin suksesin sipas fitimit financiar apo ndonjë lloji tjetër fitimi personal, ajo që ka me të vërtetë rëndësi është se si e mat Perëndia suksesin. Shërbimi i Jezuit ishte i suksesshëm jo sepse ktheu në fe shumë persona, por sepse qe i besueshëm në caktimin e tij. Jezui i solli lavdi Jehovait dhe mbeti i painfektuar nga bota. (Gjoni 16:33; 17:4) Këto janë gjëra që mund t’i bëjë çdo i krishterë.
«Jini skllevër të çdo personi»,—këshilloi Robert Pevi, që më parë ka qenë misionar në Lindje. Apostulli Pavël qe një misionar i suksesshëm. Ku qëndronte sekreti i tij? Ai e bëri veten skllav të të gjithëve. (1. Korintasve 9:19-23) Oratori shpjegoi: «Një i diplomuar në Galaad që ka këtë qëndrim, nuk do ta konsiderojë shërbimin misionar si një lloj ecjeje përpara në karrierë, si një shkallë për t’u ngjitur në pozita më të rëndësishme në organizatë. Një misionar shkon në caktimin e tij vetëm me një motiv: të shërbejë, sepse kjo është ajo që bëjnë skllevërit.»
Duke i bazuar këshillat e tij kryesisht në kapitujt 3 dhe 4 të 2. Korintasve, Gerrit Lösch nga Trupi Udhëheqës i nxiti studentët që ta «Pasqyronin si pasqyra lavdinë e Jehovait». Ai u kujtoi se njohuria e Perëndisë është si një dritë që e ndriçon një të krishterë, kur ai e hap zemrën e tij për ta marrë atë. Ne e pasqyrojmë atë dritë, duke predikuar lajmin e mirë dhe duke mbajtur një sjellje të shkëlqyer. «Ndonjëherë mund t’ju duket vetja si të paaftë,—pranoi ai.—Kur iu lindin ndjenja të tilla, mbështetuni te Jehovai, ‘që fuqia përtej asaj që është normale të jetë e Perëndisë’.» (2. Korintasve 4:7, BR) Duke i bërë jehonë fjalëve të Pavlit të shkruara në 2. Korintasve 4:1, vëllai Lösch u bëri thirrje studentëve: «Mos hiqni dorë nga caktimi juaj misionar. Mbajeni të feksur pasqyrën tuaj!»
Karl Adams, anëtar i fakultetit të Galaadit, foli mbi temën shumë tërheqëse, «Ku është Jehovai?». Pyetja nuk i referohej vendndodhjes së Perëndisë në univers, por nevojës për të marrë në konsideratë pikëpamjen e Jehovait dhe treguesit e drejtimit të tij. «Nën stres,—tha ai,—edhe një person që ka një histori të gjatë në shërbimin e Jehovait, mund ta humbasë nga sytë këtë.» (Jobi 35:10) Ç’të themi për ditët tona? Në vitin 1942, populli i Perëndisë kishte nevojë për udhëheqje. A po përfundonte vepra e predikimit, apo duhej bërë më shumë punë? Cili ishte vullneti i Jehovait për popullin e tij? Ndërsa studiojnë Fjalën e Perëndisë, përgjigjja bëhet e qartë. «Përpara se të përfundonte viti 1942,—deklaroi vëllai Adams,—ishin hartuar planet për Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit.» Sigurisht që Jehovai e ka bekuar punën e misionarëve të dërguar nga kjo shkollë.
Mark Numar ishte instruktori i dytë që foli. Në fjalimin e tij të titulluar «Si do ta përdorësh talentën tënde?», ai i inkurajoi studentët që stërvitjen e marrë në Galaad ta aplikonin sapo të arrinin në caktimet e tyre të reja. «Ki interes për të tjerët,—tha ai.—Bëhu një me ta. Ji i paduruar për të mësuar zakonet, historinë, llojin e humorit të atij vendi. Sa më shpejt ta mësosh gjuhën, aq më mirë do të jetë për ty.»
Studentët e zellshëm gjejnë gëzim në shërbim
Gjatë kohës që ishin në Galaad, studentët përveçse ishin të dhënë pas studimit të tyre, ishin caktuar në 11 kongregacione lokale. Gjatë fundjavëve, ata merrnin pjesë me zell në aktivitetin e predikimit. Uajllës Livërëns i fakultetit të Galaadit, i ftoi disa prej tyre t’i tregonin auditorit disa prej përvojave. Gëzimi i tyre ishte i dukshëm, ndërsa tregonin përvojat që kishin pasur kur kishin dhënë dëshmi në qendrat tregtare, në vendqendrimet e makinave, në territorin tregtar, në rrugë dhe nga shtëpia në shtëpi. Disa prej tyre kishin kërkuar mënyra për të arritur te njerëz që flasin në gjuhë të huaj, të cilët jetojnë dhe punojnë në territorin e kongregacionit të tyre. Gjatë pesë muajve të stërvitjes së tyre, nga pjesëtarët e klasës së 103-të ishin nisur dhe drejtuar të paktën dhjetë studime biblike në shtëpi.
Misionarët prej një kohe të gjatë tregojnë sekretet e suksesit
Pas kësaj pjese të këndshme të programit, Patrik Lafranka dhe Uilliam Van de Uoll ftuan shtatë anëtarë të Komitetit të Degës që për dobinë e klasës të nxirnin në pah mësimet që kishin nxjerrë gjatë karrierës së tyre misionare. Ata i inkurajuan të diplomuarit që ta konsideronin caktimin e tyre misionar si një caktim që vjen nga Jehovai dhe që të ishin të vendosur për t’u kapur fort pas këtij caktimi. Ata folën për efektet pozitive që kanë pasur misionarët e stërvitur në Galaad në punën e tyre në vendet e tjera.
Ç’gjë i ndihmoi këta anëtarë të Komitetit të Degës, të shërbenin për dekada të tëra si misionarë të lumtur dhe produktivë? Ata punuan ngushtësisht me vëllezërit lokalë dhe mësuan prej tyre. Ata jepeshin pas mësimit të gjuhës, sapo arrinin në caktimet e tyre. Mësuan të jenë elastikë dhe t’u përshtaten zakoneve lokale. Çarls Eizenhauër, një i diplomuar i klasës së parë të Galaadit dhe misionar për 54 vjet, tregoi pesë «sekrete» që kishin mësuar misionarët e suksesshëm: (1) Studio rregullisht Biblën, (2) studio gjuhën, (3) ji aktiv në shërbim, (4) puno për paqe në shtëpinë misionare dhe (5) lutju rregullisht Jehovait. Studentëve u bënë përshtypje jo vetëm këshillat praktike që morën, por edhe gëzimi i dukshëm që kanë këta misionarë me përvojë në shërbimin e Jehovait. Siç u shprehën Armando dhe Lupe, «ata janë të lumtur kur tregojnë për jetën e tyre».
Pas intervistave, mbeti edhe një fjalim. Albert Schroeder, anëtar i Trupit Udhëheqës, zgjodhi si temë të tijën «Kujdestarët besimplotë të Fjalës së Perëndisë zbulojnë margaritarë të vyer të së vërtetës». Meqenëse Bibla është libri mësimor kryesor në Shkollën e Galaadit, studentët ishin të interesuar për atë që do të thoshte ai. Vëllai Schroeder nxori në pah se 50 vjet më parë, kur filloi puna për Përkthimin Bota e Re e Shkrimeve të Shenjta, anëtarët e mirosur të Komitetit të Përkthimit të Biblës Bota e Re nuk kërkuan miratimin e njerëzve, por u mbështetën në udhëheqjen e frymës së shenjtë. (Jeremia 17:5-8) Megjithatë, kohët e fundit, disa autoritete kanë pranuar standardet e larta të vendosura nga Përkthimi Bota e Re. Në një letër drejtuar Shoqatës, një studiues shkroi: «Unë e njoh një botim me cilësi kur shoh një të tillë dhe ‘Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re’ ka bërë një punë të shkëlqyer.»
Pas këtij fjalimi, studentët morën diplomat dhe caktimet e tyre iu njoftuan auditorit. Për pjesëtarët e klasës, ky qe një moment prekës. Ndërsa një përfaqësues i klasës lexonte një letër çmueshmërie, shumë prej të diplomuarve kishin një si lëmsh në grykë dhe lot në sy. Disa prej studentëve ishin përgatitur prej vitesh për veprën misionare. Duke e ditur që kursi i Galaadit do të drejtohej në anglisht, disa prej tyre ishin transferuar nëpër kongregacione të gjuhës angleze që të përmirësonin përdorimin e gjuhës. Të tjerë kishin shkuar atje ku kishte më shumë nevojë për pionierë, në vendin e tyre ose jashtë. Të tjerë akoma ishin përgatitur duke lexuar përvoja, duke bërë kërkime apo duke parë herë pas here videokasetën e Shoqatës Deri në skajet e tokës.
Uill dhe Patsi, të përmendur në fillim, kishin mbetur të habitur nga interesimi personal që iu tregua studentëve. «Njerëz që as na njihnin fare, na përqafonin dhe na nxirnin në fotografi. Një anëtar i Trupit Udhëheqës na shtrëngoi duart dhe na tha: ‘Krenohemi me ju!’» Nuk ka dyshim që studentët e klasës së 103-të i duam fort. Ata janë stërvitur shumë mirë. Shkollimi që kanë marrë në Galaad do t’u lejojë atyre të bëjnë një kalim nga studentë të suksesshëm në misionarë të suksesshëm.
[Kutia në faqen 22]
Statistikat e klasës
Numri i shteteve të përfaqësuara: 9
Numri i shteteve ku u caktuan: 18
Numri i studentëve: 48
Numri i çifteve të martuara: 24
Mosha mesatare: 33
Mesatarja e viteve në të vërtetën: 16
Mesatarja e viteve në shërbim të plotë kohor: 12
[Figura në faqen 23]
Diplomimi i klasës së 103-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas, ndërsa emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.
(1) Bunn, A.; Dahlstedt, M.; Campaña, Z.; Boyacioglu, R.; Ogando, G.; Nikonchuk, T.; Melvin, S. (2) May, M.; Mapula, M.; Lwin, J.; Hietamaa, D.; Hernandez, C.; Boyacioglu, N.; Sturm, A.; Melvin, K. (3) Thom, J.; Mapula, E.; Nault, M.; Teasdale, P.; Wright, P.; Pérez, L.; Shenefelt, M.; Pak, H. (4) Murphy, M.; Campaña, J.; Stewart, S.; Cereda, M.; Reed, M.; Pérez, A.; Teasdale, W.; Pak, J. (5) Stewart, D.; Wright, A.; Cereda, P.; Nikonchuk, F.; Reed, J.; Hietamaa, K.; Ogando, C.; Shenefelt, R. (6) Murphy, T.; Hernandez, J.; Nault, M.; Bunn, B.; Thom, R.; Dahlstedt, T.; Lwin, Z.; May, R.; Sturm, A.
[Figura në faqen 24]
Ku do të shkojmë?