Ata bënë vullnetin e Jehovait
Jezui nis 70 dishepuj
ISHTE vjeshta e vitit 32 të e.s. Mbeteshin vetëm gjashtë muaj nga vdekja e Jezuit. Prandaj, që të përshpejtonte veprën e predikimit dhe që të ndihmonte në stërvitjen e disa prej ithtarëve të tij, ai caktoi 70 dishepuj dhe «i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte».—Luka 10:1.a
Jezui i nisi dishepujt e vet «përpara tij», që njerëzit të ishin në gjendje të vendosnin më shpejt nëse ishin pro apo kundër Mesisë, kur më vonë të shkonte vetë Jezui. Po pse i dërgoi «dy nga dy»? Me sa duket, që ata të ishin një inkurajim për njëri-tjetrin, kur të ndeshnin kundërshtime.
Duke theksuar urgjencën e veprës së tyre të predikimit, Jezui u tha ithtarëve të vet: «E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet.» (Luka 10:2) Analogjia me të korrën ishte e përshtatshme, sepse çdo vonesë në kohën e të korrave mund të rezultonte në shkuarje kot të korrash me vlerë. Ngjashëm, nëse dishepujt do ta linin pas dore caktimin e tyre të predikimit, mund të humbnin jetë të çmuara!—Ezekieli 33:6.
Shërbëtorë të pashpërqendruar
Më tej, Jezui i urdhëroi dishpeujt e tij: «Mos merrni me vete as çantë, as trastë ushqimi, as sandale dhe rrugës mos përshëndetni askënd me përqafim.» (Luka 10:4, BR) Për një udhëtar ishte zakon të merrte me vete jo vetëm një çantë dhe bukë, por edhe një palë sandale më tepër, sepse mund t’i haheshin shollat dhe mund t’i prisheshin lidhëset. Por dishepujt e Jezuit nuk duhej të merakoseshin për gjëra të tilla. Përkundrazi, ata duhej të besonin se Jehovai do të kujdesej për ta me anë të izraelitëve të tjerë, mes të cilëve mikpritja ishte një zakon.
Po pse Jezui u tha dishepujve të vet që rrugës të mos përshëndetnin askënd me përqafim? Mos vallë duhej të ishin të ftohtë, madje të vrazhdë? Aspak! Fjala greke a·spaʹzo·mai, që ka kuptimin të përshëndetësh me përqafim, mund të ketë një domethënie më të madhe se një «tungjatjeta» apo «mirëdita» e sjellshme. Ajo mund të përfshijë, gjithashtu, puthjet, përqafimet dhe bisedat e gjata, të zakonshme kur takohen dy të njohur. Një komentues vëren: «Përshëndetjet mes njerëzve të lindjes nuk konsistonin, si te ne, në një përkulje të lehtë koke apo në një zgjatje dore, por bëheshin me përqafime dhe përkulje të shumta, madje edhe me rënie përmbys me trup përtokë. E gjithë kjo kërkonte shumë kohë.» (Krahaso 2. Mbretërve 4:29.) Kështu, Jezui i ndihmoi ithtarët e tij të shmangnin shpërqendrimet e panevojshme, megjithëse ato ishin një zakon.
Së fundi, Jezui u tha dishepujve të vet që kur të hynin në një shtëpi dhe të mirëpriteshin, duhej të ‘rrinin në atë shtëpi, të hanin dhe të pinin atë që t’u jepnin’. Por nëse do të hynin në një qytet, ku nuk do të priteshin mirë, ata duhej të ‘dilnin në rrugët e tij dhe të thoshin: ‘Ne po shkundim kundër jush edhe pluhurin e qytetit tuaj që na u ngjit.’» (Luka 10:7, 10, 11) Fshirja apo shkundja e pluhurit nga këmbët, do të thoshte se dishepujt po largoheshin në mënyrë paqësore, duke e lënë shtëpinë apo qytetin jomikpritës në dorë të pasojave që do të vinin më në fund prej Perëndisë. Por ata që i pritën me dashamirësi dishepujt e Jezuit, u vunë në radhë për marrjen e bekimeve. Një herë tjetër, Jezui u tha apostujve të tij: «Ai që ju pranon, më pranon mua dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Dhe kushdo që i jep për të pirë qoftë edhe vetëm një gotë ujë të freskët ndonjërit prej këtyre të vegjëlve në emër të një dishepulli [sepse është dishepull, BR], në të vërtetë ju them, që ai nuk do ta humbë aspak shpërblimin e tij.»—Mateu 10:40, 42.
Mësime për ne
Sot, detyra për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe për të bërë dishepuj, po kryhet nga më tepër se 5.000.000 Dëshmitarë të Jehovait në mbarë botën. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Ata e kuptojnë se mesazhi i tyre është urgjent. Prandaj, e përdorin më së miri kohën e tyre, duke shmangur shpërqendrimet që do t’i pengonin t’u kushtonin vëmendje të plotë caktimit të tyre të rëndësishëm.
Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të jenë të sjellshëm me të gjithë ata që takojnë. Megjithatë, ata nuk merren thjesht me llomotitje të kota, as nuk përfshihen në debate mbi çështjet shoqërore apo mbi orvatjet e dështuara të kësaj bote për të ndrequr padrejtësitë. (Gjoni 17:16) Përkundrazi, ata e përqendrojnë bisedën e tyre në të vetmen zgjidhje afatgjatë për problemet e njeriut: në Mbretërinë e Perëndisë.
Zakonisht, Dëshmitarët e Jehovait shihen të punojnë dyshe. A nuk mund të bëhej më shumë, nëse secili do të punonte vetëm? Ndoshta. Megjithatë, sot të krishterët i dinë dobitë që vijnë, kur punohet krah për krah me një bashkëbesimtar. Kjo gjë përbën një masë mbrojtjeje, kur dëshmohet në zona të rrezikshme. Gjithashtu, duke punuar me një shok, më të rinjtë në të vërtetën kanë mundësi të përfitojnë nga aftësia e lajmëtarëve më me përvojë të lajmit të mirë. Në të vërtetë, që të dy mund t’i kontribuojnë një shkëmbimi inkurajimi.—Fjalët e urta 27:17.
Pa dyshim, vepra e predikimit është vepra më urgjente që po kryhet në këto «ditë të fundit». (2. Timoteut 3:1) Dëshmitarët e Jehovait janë të lumtur që kanë mbështetjen e një vëllazërie mbarëbotërore, në të cilën ata punojnë «krah për krah për besimin e lajmit të mirë».—Filipianëve 1:27, BR.
[Shënimi]
a Disa Bibla dhe dorëshkrime të lashta greke thonë se Jezui nisi «shtatëdhjetë e dy» dishepuj. Megjithatë, ka një mbështetje të bollshme dorëshkrimesh, që aty të lexohet «shtatëdhjetë». Ky ndryshim teknik nuk duhet të zbehë pikën kryesore se, Jezui nisi një grup të madh dishepujsh të vet për të predikuar.