Besimi mund të përtërihet!
MEGJITHËSE kriza e tanishme e besimit është shenjë e «ditëve të fundit», mungesa e besimit u bë e dukshme edhe mijëra vjet më parë. (2. Timoteut 3:1) Fillimisht ajo lindi në një vend që as ta merr mendja: në një parajsë. Për këtë vend, Bibla thotë: «Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar. Pastaj Zoti Perëndi bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për të ngrënë; në mes të kopshtit gjendeshin edhe pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes.»—Zanafilla 2:8, 9.
Vargjet vijuese hedhin dritë mbi faktin se ç’ka të bëjë kjo me krizën e sotme të besimit. Në to lexojmë: «Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke thënë: ‘Ha, gjithashtu, lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.’» (Zanafilla 2:16, 17) A kishte ndonjë arsye Adami për ta vënë në dyshim atë që tha Jehovai?
Më tej, lexojmë: «Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar dhe i tha gruas: “A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?’” Dhe gruaja iu përgjigj gjarprit: “Nga fruti i pemëve të kopshtit mund të hamë, por nga fruti i pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: ‘Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni.’” Atëherë gjarpri i tha gruas: ‘Ju s’keni për të vdekur aspak, por Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.’ Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t’u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe ia dha edhe burrit të saj që ishte me të dhe hëngri edhe ai.»—Zanafilla 3:1-6.
Duke shpërfillur paralajmërimin e qartë të Perëndisë, Adami dhe Eva treguan mungesë besimi te Jehovai. Ata pasqyruan kundërshtarin e Perëndisë, Satanain, i cili i kishte folur Evës me anë të gjarprit të vërtetë. Satanait i mungonte besimi në mënyrën e sundimit të Jehovait. Për shkak të kësaj dhe të një zemre krenare e ambicioze, ai u rebelua kundër Perëndisë dhe i mashtroi qeniet njerëzore, duke i bërë të vepronin po kështu. Ai ndikoi tek ata, duke i bërë të mendonin se nuk duhej t’i zinin besë Perëndisë.
Rezultati? Marrëdhënie të tendosura
Ndoshta e ke vënë re se individët që nuk u besojnë të tjerëve e kanë të vështirë të mbajnë miqësi. Publilius Syrus, një shkrimtar latin i shekullit të parë p.e.s., shkroi: «Besimi është e vetmja lidhje e miqësisë.» Me anë të aktit të tyre të rebelimit, Adami dhe Eva treguan se nuk i besonin Perëndisë. Pra, sigurisht që Perëndia nuk kishte asnjë arsye t’u besonte atyre. Si rezultat i shkeljes së besës apo besimit, njerëzit e parë humbën miqësinë e Perëndisë. Nuk ka asnjë tregues që Jehovai t’u ketë folur përsëri, pas dënimit për rebelimin e tyre.
Edhe marrëdhënia ndërmjet Adamit dhe Evës u keqësua. Jehovai e paralajmëroi Evën: «Me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty.» (Zanafilla 3:16) The Jerusalem Bible thotë: «Ai do të sillet si zotëri i madh me ty.» Në vend që të ushtronte një kryesi të dashur mbi gruan e tij, siç kishte pasur dëshirë Perëndia, tani Adami u bë padroni i saj, duke u sjellë si zotëri i madh me të.
Pas mëkatimit të tyre, Adami u përpoq t’ia hidhte fajin gruas së vet. Sipas tij, për shkak të asaj që kishte bërë ajo ishin dëbuar nga një kopsht i përsosur dhe ndodheshin në një tokë të pafund, të dënuar që përpara se të ktheheshin në pluhur, të jetonin si skllevër në kushte shumë larg ideales. (Zanafilla 3:17-19) Mund ta marrim fare mirë me mend se ky ishte një burim fërkimesh mes atyre të dyve. Adami mund të jetë nxehur e të ketë thënë se nuk do ta dëgjonte më kurrë Evën. Ndoshta ka menduar se ishte i justifikuar t’i thoshte: ‘Që sot e tutje, shefi jam unë!’ Eva, nga ana tjetër, mund të ketë parë se Adami nuk e kryente rolin e tij si kreu i familjes, duke bërë që ajo ta humbiste besimin tek ai. Sidoqoftë, duke shprehur një mungesë besimi te Perëndia, njerëzit humbën miqësinë me të dhe dëmtuan marrëdhënien e tyre me njëri-tjetrin.
Kujt mund t’i besojmë?
Siç ilustrohet nga shembulli i Adamit dhe i Evës, jo kushdo e meriton besimin tonë. Si mund ta dimë se kush e meriton atë dhe kush jo?
Psalmi 146:3 na këshillon: «Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.» Gjithashtu, në Jereminë 17:5-7, lexojmë: «Mallkuar qoftë njeriu që ka besim te njeriu dhe e bën mishin për krahun e tij dhe zemra e të cilit largohet nga Zoti.» Nga ana tjetër, «lum [bekuar, BR] ai njeri që beson te Zoti dhe besimi i të cilit është Zoti».
Natyrisht, të besosh te njerëzit nuk është gjithmonë e gabuar. Këto shkrime duan të tregojnë thjesht se t’ia japësh besimin Perëndisë nuk është kurrë e gabuar, por t’ia japësh besimin njerëzve të papërsosur mund të çojë hera-herës në katastrofë. Për shembull, ata që besojnë se njerëzit mund të arrijnë atë që vetëm Perëndia mund të arrijë, pra, të sigurojnë shpëtimin dhe të sjellin paqe e siguri të plotë, shkojnë drejt zhgënjimit.—Psalmi 46:9; 1. Thesalonikasve 5:3.
Faktikisht, njerëzit dhe institucionet njerëzore meritojnë besim deri në atë masë që veprojnë në harmoni me qëllimet e Perëndisë dhe shfaqin parime hyjnore. Kështu, nëse duam t’u ngjallim të tjerëve besim, ne duhet të themi të vërtetën, duke qenë të ndershëm dhe të besueshëm. (Fjalët e urta 12:19; Efesianëve 4:25; Hebrenjve 13:18) Vetëm duke u sjellë në përputhje me parimet e Biblës, besimi që na japin të tjerët do të jetë i justifikuar, si dhe një burim force e inkurajimi të dyanshëm.
Të përtërijmë besimin
Dëshmitarët e Jehovait kanë bazë të fortë për t’ia dhënë besimin Perëndisë dhe për t’i inkurajuar të tjerët që të bëjnë po kështu. Jehovai është i besueshëm dhe besnik, një Perëndi tek i cili mund të besosh gjithmonë se do të bëjë atë që ka thënë, sepse «është e pamundur që Perëndia të gënjejë». Besimi që i jepet Perëndisë së dashurisë nuk do të çojë kurrë në zhgënjim.—Hebrenjve 6:18; Psalmi 94:14; Isaia 46:9-11; 1. Gjonit 4:8.
Njerëzit që i bashkon besimi te Jehovai dhe që jetojnë sipas parimeve të tij, janë të motivuar fuqimisht për të treguar besim ndaj njëri-tjetrit. Ç’gëzim është të gjesh njerëz të denjë për t’u besuar, në një botë që vuan nga kriza e besimit! Imagjino se sa ndryshe do të ishte bota sikur të kishim besim të plotë në atë që thotë apo bën kushdo! Kështu do të jetë në botën e re që po vjen, të premtuar nga Perëndia. Kurrë më nuk do të ketë asnjë krizë besimi!
A të pëlqen ta jetosh atë kohë? Nëse po, Dëshmitarët e Jehovait të ftojnë ta forcosh besimin tënd te Perëndia dhe te premtimet e tij, duke mësuar më shumë rreth kërkesave të tij për jetën. Një studim i Biblës ofron prova se Perëndia ekziston, se interesohet për mirëqenien e njerëzimit dhe se së shpejti do të veprojë me anë të Mbretërisë së tij, për të ndrequr problemet botërore. Me miliona veta kanë mësuar të besojnë te Perëndia dhe te Fjala e tij, Bibla. Dëshmitarët e Jehovait do të të shpjegojnë me kënaqësi shërbimin publik të një kursi për studimin e Biblës, të cilin e ofrojnë falas. Ose, për informacion të mëtejshëm, shkruaju botuesve të kësaj reviste.
[Diçitura në faqen 5]
Mungesa e besimit te Perëndia çon në marrëdhënie të dëmtuara njerëzore
[Diçitura në faqen 6]
Njerëzit janë të denjë për t’u besuar, deri në atë masë që veprojnë në harmoni me parimet hyjnore