Si po na udhëheq Jehovai?
«Më udhëhiq në shtegun e drejtësisë.»—PSALMI 27:11, BR.
1, 2. (a) Si po e udhëheq Jehovai popullin e tij sot? (b) Si mund të përfitojmë plotësisht nga mbledhjet?
JEHOVAI është Burimi i dritës dhe i së vërtetës, siç e kemi mësuar në artikullin e mëparshëm. Fjala e tij e ndriçon udhën tonë, ndërsa udhëtojmë përgjatë shtegut të drejtësisë. Jehovai na udhëheq, duke na mësuar në udhët e veta. (Psalmi 119:105) Ashtu si psalmisti i lashtë, ne reagojmë me mirënjohje ndaj udhëheqjes së Perëndisë dhe lutemi: «Më mëso, o Jehova, në udhën tënde dhe më udhëhiq në shtegun e drejtësisë.»—Psalmi 27:11, BR.
2 Një mënyrë me të cilën siguron udhëzime Jehovai sot është nëpërmjet mbledhjeve të krishtere. A përfitojmë plotësisht nga kjo masë e dashur, (1) duke qenë të pranishëm rregullisht, (2) duke dëgjuar me kujdes programin dhe (3) duke marrë pjesë me gatishmëri në pjesët që përfshijnë auditorin? Për më tepër, a reagojmë me mirënjohje kur marrim sugjerime që do të na ndihmojnë të mbetemi «në shtegun e drejtësisë»?
Sa të rregullt jeni me praninë në mbledhje?
3. Si e zhvilloi një shërbëtore në kohë të plotë zakonin e shkëlqyer për të qenë rregullisht e pranishme në mbledhje?
3 Disa lajmëtarë të Mbretërisë kanë qenë të pranishëm rregullisht në mbledhje që nga fëmijëria e tyre. «Ndërsa rriteshim, në vitet 30 të shekullit të 20-të,—kujton një Dëshmitare e Jehovait, shërbëtore në kohë të plotë,—unë dhe motrat e mia nuk kishim nevojë t’i pyetnim prindërit nëse do të shkonim në mbledhje apo jo. E dinim se do të shkonim, përveç rastit kur ishim sëmurë. Familja jonë nuk i humbiste në asnjë mënyrë mbledhjet.» Ashtu si profetesha Ana, kjo motër ‘nuk mungon kurrë’ në vendin e adhurimit të Jehovait.—Luka 2:36, 37, BR.
4-6. (a) Përse i humbin mbledhjet disa lajmëtarë të Mbretërisë? (b) Përse është e domosdoshme t’i ndjekim mbledhjet?
4 A jeni mes atyre që i ndjekin rregullisht mbledhjet e krishtere apo shkoni me raste në to? Disa të krishterë që mendonin se ishin mjaft mirë në këtë pikë, vendosën të siguroheshin. Për disa javë, ata mbajtën shënim çdo mbledhje që ndiqnin. Në fund të periudhës që kishin caktuar, kur rishikuan shënimet që kishin bërë, u habitën nga numri i mbledhjeve që kishin humbur.
5 ‘Nuk është për t’u habitur,—mund të thotë dikush.—Sot njerëzit janë nën kaq shumë presione, saqë nuk e kanë të lehtë të jenë rregullisht në mbledhje.’ Është më se e vërtetë që jetojmë në kohë stresuese. Për më tepër, presioni pa dyshim që do të rritet. (2. Timoteut 3:13) Por, a nuk e bën kjo edhe më të domosdoshme të jemi të pranishëm rregullisht në mbledhje? Pa një dietë të vazhdueshme me ushqim të shëndetshëm frymor që na mban, nuk mund të shpresojmë se do t’i bëjmë ballë presionit që ky sistem na vë mbi shpatulla. Madje, pa shoqërimin e rregullt, mund të tundohemi për ta harruar fare ‘shtegun e të drejtëve’. (Fjalët e urta [Proverbat] 4:18) Është e vërtetë që, kur vijmë në shtëpi pas një dite të lodhshme, mund të mos ndihemi gjithnjë të prirur për të shkuar në mbledhje. Por, kur jemi të pranishëm edhe pse ndihemi të lodhur, nxjerrim dobi për vete dhe inkurajojmë të bashkëkrishterët tanë në Sallën e Mbretërisë.
6 Te Hebrenjve 10:25 sugjerohet një arsye tjetër e rëndësishme përse duhet të jemi të pranishëm rregullisht në mbledhje. Aty, apostulli Pavël u bën thirrje të bashkëkrishterëve të mblidhen bashkë ‘aq më tepër se e shohin ditën që po afrohet’. Pikërisht, nuk duhet të humbim nga sytë faktin se ‘dita e Perëndisë’ po afrohet. (2. Pjetrit 3:12) Po të nxjerrim përfundimin që fundi i këtij sistemi është shumë larg, mund të fillojmë t’i lejojmë gjërat personale të zënë vendin e aktiviteteve të nevojshme frymore, siç është prania në mbledhje. Pastaj, siç paralajmëroi Jezui, ‘ajo ditë mund të na zërë në befasi’.—Luka 21:34.
Jini dëgjues të mirë
7. Përse është e rëndësishme që fëmijët të kushtojnë vëmendje në mbledhje?
7 Por nuk mjafton vetëm të jemi të pranishëm në mbledhje. Duhet të dëgjojmë me kujdes, duke i kushtuar vëmendje asaj që thuhet atje. (Fjalët e urta 7:24) Kjo vlen edhe për fëmijët tanë. Kur një fëmijë shkon në shkollë, nga ai pritet që t’i kushtojë vëmendje mësuesit, edhe kur një temë e veçantë nuk e tërheq ose i duket sikur nuk e kupton dot. Mësuesi e di që, nëse fëmija përpiqet të kushtojë vëmendje, do të nxjerrë të paktën ndonjë dobi nga mësimi. A nuk është e arsyeshme, atëherë, që fëmijët në moshën shkollore t’u kushtojnë vëmendje udhëzimeve që sigurohen në mbledhjet e kongregacionit, në vend që prindërit t’i lejojnë t’i zërë gjumi sapo të fillojë mbledhja? Është e vërtetë se mes të vërtetave të çmuara që gjenden në Shkrime, ka «disa gjëra të vështira për t’u kuptuar». (2. Pjetrit 3:16) Por nuk duhet ta nënvlerësojmë aftësinë që ka një fëmijë për të mësuar. Perëndia nuk e nënvlerëson. Në kohët biblike, ai i urdhëroi shërbëtorët e tij të rinj në moshë të ‘dëgjonin dhe të mësonin të kishin frikë nga Zoti dhe të kishin kujdes të zbatonin në praktikë tërë fjalët e këtij ligji’, disa prej të cilave, pa dyshim, fëmijët e kishin të vështirë t’i kuptonin. (Ligji i përtërirë 31:12; krahaso Levitikun 18:1-30.) A pret më pak Jehovai sot prej fëmijëve?
8. Çfarë hapash marrin disa prindër për t’i ndihmuar fëmijët e tyre që të jenë të vëmendshëm në mbledhje?
8 Prindërit e krishterë e kuptojnë se nevojat frymore të fëmijëve të tyre pjesërisht plotësohen nga ajo që mësojnë në mbledhje. Prandaj, disa prindër marrin masa që fëmijët të marrin një sy gjumë para mbledhjeve, me qëllim që të vijnë në Sallën e Mbretërisë të freskuar dhe gati për të mësuar. Disa prindër mund t’i kufizojnë rreptësisht ose edhe t’i ndalojnë me mençuri fëmijët të shohin televizor gjatë pasdites së mbledhjeve. (Efesianëve 5:15, 16) Gjithashtu, këta prindër kujdesen që fëmijët të shpërqendrohen sa më pak, duke i inkurajuar që të dëgjojnë dhe të mësojnë, në përputhje me moshën dhe me aftësinë e tyre.—Fjalët e urta 8:32.
9. Çfarë mund të na ndihmojë të zhvillojmë aftësinë për të dëgjuar?
9 Jezui po u fliste të rriturve, kur tha: «Tregoni kujdes se si dëgjoni.» (Luka 8:18) Këto ditë, shpesh kjo është më e lehtë të thuhet, sesa të bëhet. Kuptohet, të dëgjosh në mënyrë aktive është një punë e vështirë, por aftësia për të dëgjuar mund të zhvillohet. Kur jeni duke dëgjuar një fjalim publik ose një pjesë në mbledhje, përpiquni të veçoni idetë kryesore. Përgatiteni mendjen që më përpara për atë që do të thotë më tej oratori. Kërkoni pika që mund t’i përdorni në shërbim ose që mund t’i zbatoni në jetën tuaj. Rishikojini me mend pikat që po shqyrtohen. Mbani shënime të shkurtra.
10, 11. Si i kanë ndihmuar disa prindër fëmijët e tyre që të bëhen dëgjues më të mirë dhe çfarë metodash të janë dukur ty të dobishme?
10 Zakonet e mira të të dëgjuarit mësohen më mirë në moshë të njomë. Disa prindër i inkurajojnë fëmijët e tyre të mbajnë «shënime» gjatë mbledhjeve, edhe pse akoma nuk kanë mësuar të shkruajnë e të lexojnë. Ata bëjnë një shenjë në një copë letre sa herë përdoren fjalë të njohura të tilla, si: «Jehova», «Jezu» ose «Mbretëria». Në këtë mënyrë, fëmijët mund të mësojnë të përqendrohen në atë që po thuhet nga podiumi.
11 Edhe fëmijët më të mëdhenj disa herë kanë nevojë për inkurajim që të kushtojnë vëmendje. Gjatë një kongresi të krishterë, një kryefamiljar vuri re se djali i tij 11-vjeçar nuk e kishte mendjen aty, kështu që i dha Biblën dhe i kërkoi të gjente shkrimet që citonin oratorët. Babai, i cili mbante shënime, e ndiqte leximin në Biblën që mbante në dorë i biri. Pas kësaj, djali e ndoqi programin e kongresit më me entuziazëm.
Le të dëgjohet zëri juaj
12, 13. Përse është e rëndësishme të marrim pjesë në këngët që këndohen në kongregacion?
12 Mbreti David këndoi: «I shkoj rrotull altarit tënd, o Zot, për të shpallur me zë të lartë lavdinë tënde.» (Psalmi 26:6, 7) Mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait sigurojnë mundësi të shkëlqyera që ne të shprehim me zë besimin tonë. Një mënyrë se si mund ta bëjmë këtë është duke kënduar bashkë me të tjerët në kongregacion. Ky është një aspekt i rëndësishëm i adhurimit tonë, por mund të lihet pas dore me lehtësi.
13 Disa fëmijë që ende nuk mund të lexojnë, i mësojnë përmendësh tekstet e këngëve të Mbretërisë që do të përdoren në mbledhje çdo javë. Ata drithërohen kur kanë mundësi të këndojnë bashkë me të rriturit. Megjithatë, ndërsa fëmijët rriten, mund të jenë më pak të prirur për të kënduar këngët e Mbretërisë. Edhe disa të rritur janë të ndrojtur për të kënduar në mbledhje. Por, këngët janë pjesë e adhurimit tonë, ashtu si shërbimi në fushë është pjesë e adhurimit tonë. (Efesianëve 5:19) Në shërbimin në fushë, ne bëjmë më të mirën për ta lëvduar Jehovain. A nuk mund ta lavdërojmë atë edhe duke ngritur zërat tanë—sido që të jenë, melodiozë ose jo—në këngë lavdie të kënduara me gjithë zemër?—Hebrenjve 13:15.
14. Përse materiali që studiojmë në mbledhjet e kongregacionit meriton përgatitje të kujdesshme më përpara?
14 I sjellim lavdi Perëndisë edhe kur bëjmë komente ndërtuese në mbledhje gjatë pjesëve që kërkojnë pjesëmarrjen e auditorit. Kjo kërkon përgatitje. Duhet kohë për të medituar rreth aspekteve më të thella të Fjalës së Perëndisë. Apostulli Pavël, një studiues i zellshëm i Shkrimeve, e kuptoi këtë. Ai shkroi: «O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie e Perëndisë!» (Romakëve 11:33) Kryefamiljarë, është jetësore që ju të ndihmoni çdo pjesëtar të familjes të kërkojë në mençurinë e Perëndisë, të zbuluar në Shkrime. Lini mënjanë një sasi kohe gjatë studimit biblik familjar për të shpjeguar disa pika të vështira dhe për ta ndihmuar familjen që të përgatitet për mbledhjet.
15. Cilat sugjerime mund t’ju ndihmojnë për të komentuar në mbledhje?
15 Nëse do të dëshironit të komentonit më shpesh në mbledhje, përse të mos e përgatitni që më përpara diçka që dëshironi ta thoni? Nuk ka nevojë të jetë ndonjë gjë e ndërlikuar. Një shkrim i përshtatshëm biblik i lexuar me bindje ose disa fjalë të zgjedhura mirë, të thëna nga zemra, do të çmohen. Disa lajmëtarë i kërkojnë drejtuesit të studimit që t’u rezervojë komentin e parë në një paragraf të veçantë, kështu që nuk do ta humbin rastin për të shprehur besimin e tyre.
Personat pa përvojë bëhen të mençur
16, 17. Çfarë këshille i dha një plak një shërbëtori ndihmës dhe përse ishte e efektshme ajo?
16 Në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, marrim shpesh përkujtues që ta lexojmë Fjalën e Perëndisë përditë. Gjejmë freskim kur e bëjmë këtë. Gjithashtu, ky lexim na ndihmon të marrim vendime të mençura, të korrigjojmë të meta të personalitetit, t’u rezistojmë tundimeve dhe të rifitojmë ekuilibrin frymor, nëse kemi bërë ndonjë hap në drejtimin e gabuar.—Psalmi 19:7.
17 Pleqtë me përvojë nëpër kongregacione janë gati të japin këshilla biblike që u përshtaten nevojave tona. Gjithçka që duhet të bëjmë është ‘t’i nxjerrim ato’, duke u kërkuar pleqve këshilla të bazuara në Bibël. (Proverbat 20:5, BR) Një ditë, një i ri entuziast, i cili ishte shërbëtor ndihmës, i kërkoi një plaku sugjerime se si të ishte më i dobishëm në kongregacion. Plaku, i cili e njihte mirë të riun, e hapi Biblën e tij te 1. Timoteut 3:3 (BR), ku thuhet se burrat e emëruar duhet të jenë ‘të arsyeshëm’. Me dashamirësi, ai theksoi disa mënyra në të cilat i riu mund të shfaqte arsyetueshmëri në marrëdhëniet me të tjerët. A u ofendua vëllai i ri nga këshilla e hapur që mori? Aspak! «Plaku përdori Biblën,—shpjegoi ai,—kështu që e kuptova se këshilla po vinte nga Jehovai.» Ky shërbëtor ndihmës e zbatoi me mirënjohje këshillën dhe po bën përparim të shkëlqyer.
18. (a) Çfarë e ndihmoi një vajzë të re të krishterë t’i rezistonte tundimit në shkollë? (b) Çfarë shkrimesh biblike ju vijnë në mendje kur ballafaqoheni me tundime?
18 Fjala e Perëndisë mund t’i ndihmojë, gjithashtu, të rinjtë që të ‘largohen nga dëshirat e natyrshme të rinisë’. (2. Timoteut 2:22, BR) Një e re Dëshmitare e Jehovait, e cila ka mbaruar shkollën e mesme kohët e fundit, arriti t’i rezistonte tundimit gjatë gjithë viteve të shkollës, duke medituar për disa shkrime biblike dhe duke i zbatuar ato. Ajo mendonte shpesh për këshillën e dokumentuar te Fjalët e urta 13:20: «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë.» Prandaj, bënte kujdes që të lidhte miqësi vetëm me ata që i respektonin thellësisht parimet biblike. Ajo arsyetonte: «Unë nuk jam më e mirë se të tjerët. Po të përzihem me shoqërinë e gabuar, do të dëshiroj t’u pëlqej miqve të mi dhe kjo mund të më hapë telashe.» Atë e ndihmoi edhe këshilla e Pavlit, e dokumentuar te 2. Timoteut 1:8. Ai shkroi: «Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë, . . . por hiq keq bashkë me mua për ungjillin.» Në harmoni me këtë këshillë, ajo i ndante me guxim bindjet e saj të bazuara në Bibël me shoqet e klasës, në çdo rast të përshtatshëm. Sa herë që caktohej të fliste për një temë para klasës, ajo zgjidhte një temë që i lejonte të jepte me takt dëshmi për Mbretërinë e Perëndisë.
19. Përse një i ri nuk ishte në gjendje t’u rezistonte presioneve të kësaj bote, por çfarë i dha atij forcë frymore?
19 Nëse do të na ndodhë ndonjëherë të devijojmë nga ‘shtegu i të drejtëve’, Fjala e Perëndisë mund të na ndihmojë të korrigjojmë hapat tanë. (Fjalët e urta 4:18) Një djalë i ri që jeton në Afrikë e mësoi këtë personalisht. Kur një Dëshmitar i Jehovait e vizitoi, ai pranoi një studim biblik. I pëlqente shumë ajo që po mësonte, por shpejt u përfshi në shoqëri të keqe në shkollë. Me kalimin e kohës, ai shkau në një stil imoral jetese. «Ndërgjegjja më mundonte vazhdimisht dhe m’u desh t’i lija mbledhjet»,—pranon ai. Por më vonë, filloi t’i ndiqte përsëri mbledhjet. I riu bëri këtë koment domethënës: «Zbulova se arsyeja kryesore për gjithë këtë ishte se po vdisja urije frymësisht. Nuk bëja studim personal. Ja përse nuk i bëja dot ballë tundimit. Atëherë, fillova të lexoja Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! Gradualisht rifitova forcën frymore dhe pastrova jetën time. Kjo ishte një dëshmi e mirë për ata që vunë re ndryshimet që bëra. U pagëzova dhe tani jam i lumtur.» Çfarë i dha këtij të riu forcën për të mposhtur dobësitë e tij mishore? Ai rifitoi forcën frymore me anë të studimit të rregullt e personal të Biblës.
20. Si mund t’u rezistojë një i ri sulmeve të Satanait?
20 Të rinj të krishterë, sot jeni nën sulm! Nëse dëshironi t’u rezistoni sulmeve të Satanait, duhet të merrni rregullisht ushqimin frymor. Psalmisti, që, me sa duket, ishte një i ri për vete, e kuptoi këtë. Ai e falënderoi Jehovain që kishte dhënë Fjalën e Tij, në mënyrë që ‘një i ri ta bëjë rrugën e tij të pastër’.—Psalmi 119:9.
Kudo që të na udhëheqë Perëndia, ne do ta ndjekim
21, 22. Përse nuk duhet të nxjerrim përfundimin se udha e së vërtetës është tepër e vështirë?
21 Jehovai e udhëhoqi kombin e Izraelit jashtë Egjiptit, për në Tokën e Premtuar. Nga një këndvështrim njerëzor, rruga që zgjodhi ai mund të jetë dukur e vështirë pa qenë nevoja. Në vend që të merrte rrugën më të lehtë në dukje, më të drejtpërdrejtë përgjatë Detit Mesdhe, Jehovai e udhëhoqi popullin e tij nëpër një rrugë të vështirë në shkretëtirë. Megjithatë, kjo faktikisht ishte dashamirësi nga ana e Perëndisë. Ndonëse më e shkurtër, rruga e detit do t’i kishte bërë izraelitët të kalonin përmes vendit të filistenjve armiq. Duke zgjedhur një rrugë tjetër, Jehovai i kurseu popullit të tij ballafaqimin e parakohshëm me filistenjtë.
22 Në mënyrë të ngjashme, shtegu përgjatë të cilit po na udhëheq Jehovai sot, mund të duket i vështirë disa herë. Çdo javë kemi një program të mbushur me aktivitete të krishtere, duke përfshirë mbledhjet e kongregacionit, studimin personal dhe shërbimin në fushë. Shtigjet e tjera mund të duken më të lehta. Por vetëm nëse ndjekim udhëheqjen e Perëndisë, do të mbërrijmë në destinacionin që po punojmë kaq shumë për ta arritur. Prandaj, le të vazhdojmë të marrim udhëzime jetësore nga Jehovai dhe të mbetemi në «shtegun e drejtësisë» përgjithmonë!—Psalmi 27:11, BR.
A mund të shpjegoni?
• Përse veçanërisht ne kemi nevojë të ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere?
• Çfarë mund të bëjnë prindërit për t’i ndihmuar fëmijët e tyre që të kushtojnë vëmendje në mbledhje?
• Çfarë përfshin të jesh një dëgjues i mirë?
• Çfarë mund të na ndihmojë për të komentuar në mbledhje?
[Figura në faqet 16, 17]
Prania në mbledhjet e krishtere na ndihmon ta mbajmë në mend ditën e Jehovait
[Figurat në faqen 18]
Ka mënyra të ndryshme për ta lavdëruar Jehovain në mbledhjet e krishtere