Modestia—Një cilësi që nxit paqen
Sa vend i këndshëm do të ishte bota, sikur të gjithë të shfaqnin modesti. Njerëzit do të ishin më pak kërkues, familjarët më pak grindavecë, firmat më pak konkurruese dhe kombet më pak luftarake. A do t’ju pëlqente të jetonit në një botë të tillë?
SHËRBËTORËT e vërtetë të Perëndisë Jehova po përgatiten për botën e tij të re të premtuar, në të cilën modestia do të konsiderohet nga të gjithë jo si një dobësi, por si një pikë e fortë dhe një virtyt. (2. Pjetrit 3:13) Në fakt, ata po e zhvillojnë që tani cilësinë e modestisë. Përse? Në veçanti, sepse këtë kërkon Jehovai prej tyre. Profeti i tij, Mikea, shkroi: «Ai ta ka thënë ty, o njeri tokësor, atë që është e mirë. Dhe çfarë kërkon Jehovai prej teje, përveçse të ushtrosh drejtësinë e të duash dashamirësinë dhe të jesh modest në ecjen me Perëndinë tënd?»—Mikea 6:8, BR.
Modestia mund të nënkuptojë disa gjëra, si për shembull, mungesë mendjemadhësie ose krenarie dhe prirje për të mos u mburrur për aftësitë, arritjet dhe zotërimet. Sipas një vepre referimi, modesti do të thotë edhe «të qëndrosh brenda kufijve». Një person modest qëndron brenda kufijve të sjelljes së mirë. Ai, gjithashtu, e pranon se ekzistojnë kufizime lidhur me atë që duhet të bëjë dhe atë që mund të bëjë. Ai e di se ka gjëra, për të cilat nuk është i autorizuar. Patjetër, ne na tërheqin njerëzit modestë. «Nuk ka gjë më të pëlqyeshme se modestia e vërtetë»,—shkroi poeti anglez Xhozef Edison.
Modestia nuk është një tipar natyror i njerëzve të papërsosur. Ne duhet të bëjmë përpjekje për ta zhvilluar këtë cilësi. Për të na inkurajuar, Fjala e Perëndisë përshkruan një numër ngjarjesh që ilustrojnë modestinë me format e saj të ndryshme.
Dy mbretër modestë
Një nga shërbëtorët më besnikë të Jehovait ka qenë Davidi, i cili ishte djalë i ri kur u miros si mbreti i ardhshëm i Izraelit. Pas kësaj, mbreti Saul që ishte duke sunduar në atë kohë, i shkaktoi Davidit presion të madh, duke u përpjekur ta vriste dhe duke e detyruar të jetonte si një ikanak.—1. Samuelit 16:1, 11-13; 19:9, 10; 26:2, 3.
Edhe në ato rrethana, Davidi e pranoi se kishte kufizime për atë që duhej të bënte ndërsa përpiqej të mbronte jetën e vet. Në një rast, kur ishte në shkretëtirë, Davidi nuk pranoi që Abishai të vriste mbretin Saul që po flinte, duke i thënë: «Është e pamendueshme nga ana ime, nga këndvështrimi i Jehovait, të zgjat dorën kundër të mirosurit të Jehovait.» (1. Samuelit 26:8-11, BR) Davidi e dinte se nuk i përkiste atij ta hiqte Saulin nga pozita si mbret. Kështu, Davidi tregoi modesti në këtë rast, duke qëndruar brenda kufijve të sjelljes së duhur. Në mënyrë të ngjashme, shërbëtorët e Perëndisë në ditët tona e dinë se «nga këndvështrimi i Jehovait», ka disa gjëra që ata thjesht nuk mund t’i bëjnë, edhe kur është në lojë jeta e tyre.—Veprat 15:28, 29; 21:25.
Edhe Solomoni, biri i mbretit David, shfaqi modesti kur ishte djalë i ri, ndonëse në një mënyrë paksa të ndryshme. Kur u kurorëzua si mbret, Solomoni u ndie i papërshtatshëm për të mbajtur mbi supe përgjegjësinë e rëndë të mbretit. Ai u lut: «O Zot, Perëndia im, ti ke bërë të mbretërojë shërbëtori yt në vend të Davidit, atit tim, por unë jam veçse një fëmijë dhe nuk di si të sillem.» Qartë, Solomoni ishte i vetëdijshëm se i mungonte aftësia dhe përvoja. Prandaj, ishte modest, duke mos treguar mendjemadhësi ose krenari. Solomoni i kërkoi Jehovait aftësi shquese dhe kërkesa iu plotësua.—1. Mbretërve 3:4-12.
Mesia dhe pararendësi i tij
Më shumë se 1.000 vjet pas kohës së Solomonit, Gjon Pagëzuesi kreu një vepër, duke përgatitur udhën për Mesinë. Si pararendës i të Mirosurit, Gjoni po përmbushte profecinë biblike. Ai mund të ishte mburrur për privilegjin e tij. Gjithashtu, Gjoni mund të ishte përpjekur t’i jepte nderim vetes, pasi kishte lidhje gjaku me Mesinë. Por Gjoni u tha të tjerëve se nuk ishte i denjë as t’i zgjidhte sandalen Jezuit. Pastaj, kur Jezui u paraqit për t’u pagëzuar në lumin Jordan, Gjoni i tha: «Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?» Kjo tregon se Gjoni nuk ishte mburravec. Ai ishte modest.—Mateu 3:14; Malakia 4:5, 6; Luka 1:13-17; Gjoni 1:26, 27.
Pasi u pagëzua, Jezui filloi shërbimin e plotkohor, duke predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Ndonëse Jezui ishte i përsosur, tha: «Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; . . . nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.» Për më tepër, Jezui nuk kërkoi nderimin nga njerëzit, po për çdo gjë që bëri ia dha Jehovait lavdinë. (Gjoni 5:30, 41-44) Çfarë modestie!
Pra, është e qartë se shërbëtorët besnikë të Jehovait, si Davidi, Solomoni, Gjon Pagëzuesi e madje edhe njeriu i përsosur Jezu Krisht, shfaqën modesti. Ata nuk u mburrën, nuk qenë krenarë ose mendjemëdhenj dhe qëndruan brenda kufijve të duhur. Shembujt e tyre janë arsye të mjaftueshme që shërbëtorët e Jehovait në ditët moderne të zhvillojnë dhe të shfaqin modesti. Gjithsesi, ka edhe arsye të tjera për ta bërë këtë.
Në këtë periudhë të turbullt të historisë njerëzore, modestia është një cilësi me vlerë të madhe për të krishterët e vërtetë. Ajo i jep mundësi një personi të jetë në paqe me Perëndinë Jehova, me njerëzit e tjerë dhe me vetveten.
Paqe me Perëndinë Jehova
Paqja me Jehovain është e mundur vetëm nëse qëndrojmë brenda kufijve që vendos ai për adhurimin e vërtetë. Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, i kaluan kufijtë që u kishte vënë Perëndia dhe u bënë njerëzit e parë që ranë viktimë e mungesës së modestisë. Ata humbën qëndrimin e mirë që kishin para Jehovait, si edhe shtëpinë, të ardhmen dhe jetën e tyre. (Zanafilla 3:1-5, 16-19) Sa çmim të rëndë që paguan!
Duhet të mësojmë nga dështimi i Adamit dhe i Evës, sepse adhurimi i vërtetë vendos disa kufizime në mënyrën se si duhet të veprojmë. Për shembull, Bibla thotë se «as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». (1. Korintasve 6:9, 10) Me mençuri, Jehovai i vendos këto kufizime për të mirën tonë dhe ne tregojmë mençuri duke qëndruar brenda këtyre kufijve. (Isaia 48:17, 18) Te Proverbat (Fjalët e urta) 11:2 na thuhet: «Mençuria është me modestët.»—BR.
Po sikur një organizatë fetare të na thotë se mund t’i shkelim këto kufizime e prapëseprapë të kemi paqe me Perëndinë? Ajo organizatë po përpiqet të na mashtrojë. Nga ana tjetër, modestia na ndihmon të kultivojmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë Jehova.
Paqe me njerëzit e tjerë
Modestia nxit edhe marrëdhënie paqësore me të tjerët. Për shembull, kur prindërit lënë shembullin, duke qenë të kënaqur me gjërat e nevojshme dhe duke i dhënë përparësi gjërave frymore, fëmijët e tyre ka më shumë të ngjarë të adoptojnë të njëjtin qëndrim. Në këtë mënyrë të vegjlit do ta kenë më të lehtë të jenë të kënaqur, edhe sikur të mos i marrin gjithnjë gjërat që duan. Kjo do t’i ndihmojë të jetojnë në mënyrë modeste dhe jeta familjare do të jetë më paqësore.
Ata që kanë mbikëqyrje duhet të ushtrojnë kujdes të veçantë për të qenë modestë dhe për të mos abuzuar me autoritetin e tyre. Për shembull, të krishterët udhëzohen: «Mos shkoni përtej gjërave që janë shkruar.» (1. Korintasve 4:6, BR) Pleqtë e kongregacionit e kuptojnë se nuk duhet të përpiqen t’u imponojnë të tjerëve preferencat e tyre personale. Në vend të kësaj, ata përdorin Fjalën e Perëndisë si bazë për të inkurajuar drejtimin e duhur që duhet ndjekur lidhur me sjelljen, veshjen, krehjen ose zbavitjen. (2. Timoteut 3:14-17) Kur pjesëtarët e kongregacionit e vërejnë se pleqtë qëndrojnë brenda kufijve biblikë, kjo nxit respektin për këta burra dhe i kontribuon një fryme të përzemërt, të dashur e paqësore në kongregacion.
Paqe me vetveten
Ata që praktikojnë modestinë, shpërblehen me paqe të brendshme. Një person modest nuk digjet nga ambicia. Kjo nuk do të thotë se nuk ka synime personale. Për shembull, mund të dëshirojë privilegje të mëtejshme shërbimi, por pret Perëndinë për këtë dhe, për çdo privilegj të krishterë që merr, ia jep meritën Jehovait. Ato nuk i konsideron si arritje personale. Kjo e afron më shumë personin modest me Jehovain që është «Perëndia i paqes».—Filipianëve 4:9.
Të supozojmë që ndonjëherë e ndiejmë se të tjerët na lënë mënjanë. Por, a nuk do të ishte më mirë që të tjerët të mos na vinin re ngaqë jemi modestë, sesa të tërhiqnim vëmendjen drejt vetes në mënyrë jomodeste? Personat modestë nuk i gërryen ambicia. Prandaj, ata janë në paqe me vetveten, gjë që është e dobishme për mirëqenien emocionale dhe fizike.
Të zhvillojmë dhe të mbajmë modestinë
Adami dhe Eva treguan mungesë modestie—një tipar që ia transmetuan pasardhësve të tyre. Çfarë mund të na ndihmojë që të mos bëjmë edhe ne të njëjtin gabim si prindërit tanë të parë? Si mund ta zhvillojmë cilësinë e shkëlqyer të modestisë?
Sa për të filluar, një ndihmë do të jetë të kuptojmë saktë pozitën tonë në lidhje me Jehovain, Krijuesin e universit. Çfarë arritjesh personale mund të përmendim që do të mund të krahasoheshin me ato të Perëndisë? Jehovai e pyeti Jobin, shërbëtorin e tij besnik: «Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi.» (Jobi 38:4) Jobi nuk dha dot asnjë përgjigje. A nuk jemi edhe ne, në mënyrë të ngjashme, të kufizuar në njohuri, aftësi dhe përvojë? A nuk është e dobishme që të pranojmë kufizimet tona?
Më tej, Bibla na thotë: «Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj.» Kjo përfshin «tërë kafshët e pyllit; . . . bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male». Jehovai mund të thotë: «Argjendi është imi, ari është imi.» (Psalmi 24:1; 50:10; Hagai 2:8) Cilat zotërime tonat mund të tregojmë që krahasohen me ato të Jehovait? E pra, as njeriu më i pasur në botë nuk ka arsye për t’u mburrur për ato që zotëron! Prandaj, është e mençur të ndjekim këshillën e frymëzuar që u dha apostulli Pavël të krishterëve në Romë: «Për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë sesa duhet ta çmojë.»—Romakëve 12:3.
Si shërbëtorë të Perëndisë që dëshirojnë të zhvillojnë modestinë, ne duhet të lutemi për frytet e frymës, që janë: dashuria, gëzimi, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besimi, butësia dhe vetëkontrolli. (Luka 11:13; Galatasve 5:22, 23) Përse? Sepse, secila prej këtyre cilësive do të na e bëjë më të lehtë të jemi modestë. Për shembull, dashuria për njerëzit e tjerë do të na ndihmojë të luftojmë prirjen për t’u mburrur ose për të qenë mendjemëdhenj. Pastaj, vetëkontrolli do të na bëjë të ndalemi e të mendojmë para se të veprojmë pa modesti.
Le të ruhemi! Kemi vazhdimisht nevojë të jemi syhapur ndaj kurtheve të mungesës së modestisë. Dy nga mbretërit e përmendur më lart nuk qenë modestë në çdo rast. Mbreti David veproi pa kujdes, duke bërë një regjistrim në Izrael, diçka që ishte kundër vullnetit të Jehovait. Mbreti Solomon tregoi mungesë modestie deri aty sa u përfshi në adhurimin e rremë.—2. Samuelit 24:1-10; 1. Mbretërve 11:1-13.
Për sa kohë që zgjat ky sistem i paperëndishëm gjërash, për të qenë modestë na kërkohet vigjilencë e vazhdueshme. Megjithatë, ia vlen të bëhen përpjekje. Në botën e re të Perëndisë, shoqëria njerëzore do të përbëhet vetëm nga njerëz modestë. Ata do ta konsiderojnë modestinë si një pikë të fortë, jo një dobësi. Sa e mrekullueshme do të jetë kur të gjithë njerëzit dhe familjet të bekohen me paqen që vjen nga modestia!
[Figura në faqen 23]
Me modesti, Jezui ia dha meritën Jehovait për çdo gjë që bëri