Të qëndrojmë të plotë me bindje të patundur
«[Ai është] duke u përpjekur gjithnjë për ju në lutjet e tij, që më së fundi të qëndroni të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë.»—KOLOSIANËVE 4:12.
1, 2. (a) Çfarë vinin re vëzhguesit për të krishterët e hershëm? (b) Si pasqyron libri i Kolosianëve interes të dashur?
ITHTARËT e Jezuit interesoheshin shumë për bashkadhuruesit e tyre. Tertuliani (shkrimtar i shekullit të dytë e të tretë të e.s.) foli për mirëdashjen që tregonin ata ndaj jetimëve, të varfërve dhe të moshuarve. Këto dëshmi të dashurisë në veprim u bënin kaq shumë përshtypje jobesimtarëve, saqë disa thoshin për të krishterët: ‘Shiko sa e duan njëri-tjetrin!’
2 Libri i Kolosianëve pasqyron një interes të tillë të dashur që kishin apostulli Pavël dhe shoku i tij Epafrai për vëllezërit e motrat në Kolose. Pavli u shkroi atyre: Epafrai është «duke u përpjekur gjithmonë për ju në lutjet e tij, që më së fundi të qëndroni të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë». Gjatë vitit 2001, Dëshmitarët e Jehovait do të kenë si shkrimin e vitit këto fjalë të Kolosianëve 4:12: «Qëndroni të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë.»
3. Cilat ishin dy gjërat për të cilat u lut Epafrai?
3 Mund të kuptojmë se lutjet e Epafrait për vëllezërit e tij të dashur kishin dy aspekte: (1) që ‘më së fundi të qëndronin të plotë’ dhe (2) të qëndronin «me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë». Ky informacion u përfshi në Shkrime për dobinë tonë. Prandaj, të pyesim veten: ‘Çfarë kam nevojë të bëj personalisht që më së fundi të qëndroj i plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë? Dhe, ndërsa e bëj këtë, cili do të jetë rezultati?’ Le ta shohim.
Të përpiqemi ‘të qëndrojmë të plotë’
4. Në cilin kuptim duhej të ishin «të plotë» kolosianët?
4 Epafrai dëshironte shumë që vëllezërit e tij frymorë dhe motrat frymore në Kolose ‘më së fundi të qëndronin të plotë’. Termi që përdori Pavli këtu, i përkthyer «i plotë», mund të ketë kuptimin i përsosur, tërësisht i rritur ose i pjekur. (Mateu 19:21; Hebrenjve 5:14; Jakovit 1:4, 25) Ndoshta e dini se fakti që dikush është një Dëshmitar i pagëzuar i Jehovait nuk do të thotë në vetvete që është një i krishterë tërësisht i rritur. Pavli u shkroi efesianëve, të cilët jetonin në perëndim të Kolosesë, se barinjtë dhe mësuesit përpiqen t’i ndihmojnë ‘të gjithë që të arrijnë njëjësinë në besim dhe në njohurinë e saktë të Birit të Perëndisë, në një njeri tërësisht të rritur, në masën e shtatit sipas plotësisë së Krishtit’. Në një vend tjetër, Pavli i nxiti të krishterët të bëhen «tërësisht të rritur në aftësinë për të kuptuar».—Efesianëve 4:8-13; 1 Korintasve 14:20.
5. Si mund ta bëjmë plotësinë një synim kryesor?
5 Nëse disa veta në Kolose nuk ishin ende tërësisht të rritur ose të pjekur frymësisht, ky duhej të bëhej synimi i tyre. A nuk duhet të jetë e njëjta gjë sot? Sido që të jetë, nëse jemi pagëzuar dekada më parë ose kohët e fundit, a mund ta shohim qartësisht se kemi bërë përparim në aftësinë për të arsyetuar dhe në pikëpamjet tona? A i shqyrtojmë parimet biblike para se të marrim vendime? Çështjet që lidhen me Perëndinë dhe me interesat e kongregacionit, a po fitojnë një rol gjithnjë e më të madh në jetën tonë, në vend që të jenë të rastësishme? Këtu nuk mund të ilustrojmë të gjitha mënyrat në të cilat mund ta tregojmë këtë rritje drejt plotësisë, por le të shqyrtojmë dy shembuj.
6. Cila është një fushë ku një person mund të bëjë progres për të qenë i përsosur, siç është Jehovai?
6 Shembulli i parë: të supozojmë se jemi rritur në një ambient të karakterizuar nga paragjykimi ose armiqësia ndaj njerëzve të një race, kombësie ose krahine të ndryshme. Tani e dimë që Perëndia nuk është i anshëm dhe që as ne nuk duhet të jemi të tillë. (Veprat 10:14, 15, 34, 35) Në kongregacionin ose në qarkun tonë ka individë të asaj prejardhjeje tjetër, kështu që i kemi përreth. Megjithatë, deri në çfarë mase mbajmë brenda nesh ndjenja negative ose dyshime ndaj njerëzve me atë prejardhje? A jemi ‘gati për sherr’, duke menduar menjëherë diçka negative nëse ndonjëri me atë prejardhje gabon ose na fyen në ndonjë mënyrë të vogël? Të pyesim veten: ‘A kam nevojë të bëj më shumë progres për të pasur pikëpamjen e paanshme të Perëndisë?’
7. Cilën pikëpamje për të tjerët mund të na duhet të fitojmë që të bëhemi të plotë si të krishterë?
7 Shembulli i dytë: sipas Filipianëve 2:3 nuk duhet të bëjmë «asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke menduar se të tjerët janë më të lartë». Si po përparojmë në këtë aspekt? Çdo person ka pika të dobëta e pika të forta. Nëse në të kaluarën i vërenim menjëherë pikat e dobëta të të tjerëve, a kemi bërë përparim, duke mos pritur më që të jenë gati-gati «të përsosur»? (Jakovit 3:2) Tani, shumë më tepër se më parë, a jemi në gjendje të shohim e, madje, të kërkojmë mënyra në të cilat të tjerët janë «më të lartë»? ‘Duhet ta pranoj se kjo motër është «më e lartë» se unë për sa i përket durimit.’ ‘Ai person tregon një besim më të fortë.’ ‘Në të vërtetë, ai është mësues më i mirë se unë.’ ‘Ajo është «më e lartë» për sa i përket kontrollimit të temperamentit.’ Ndoshta disa kolosianë duhej të bënin përparim në këtë aspekt. Po ne?
8, 9. (a) Në cilin kuptim lutej Epafrai që kolosianët të ‘qëndronin’ të plotë? (b) Çfarë përfshinte shprehja ‘të qëndronin të plotë’ për sa i përket së ardhmes?
8 Epafrai lutej që kolosianët ‘të qëndronin të plotë’. Është e qartë se Epafrai po i lutej Perëndisë që në masën në të cilën kolosianët ishin të krishterë të plotë, të pjekur dhe tërësisht të rritur, të ‘qëndronin’ ose të mbeteshin të tillë.
9 Nuk mund ta mendojmë se, medoemos, të gjithë ata që bëhen të krishterë, e madje, edhe të krishterët e pjekur, do të vazhdojnë të tillë. Jezui tha se një bir engjëllor i Perëndisë «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën». (Gjoni 8:44) Gjithashtu, Pavli u kujtoi korintasve disa persona në të kaluarën, të cilët i kishin shërbyer Jehovait për njëfarë kohe, por pastaj kishin dështuar. Ai i paralajmëroi vëllezërit e mirosur nga fryma: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.» (1 Korintasve 10:12) Kjo e përforcon lutjen që kolosianët ‘më së fundi të qëndronin të plotë’. Pasi të bëheshin të plotë, tërësisht të rritur, ata duhej të ngulmonin, duke mos u sprapsur, duke mos u lodhur ose duke mos lejuar që t’i marrë rryma. (Hebrenjve 2:1; 3:12; 6:6; 10:39; 12:25) Kështu, do të ishin «të plotë» në ditën e hetimit dhe të miratimit të tyre përfundimtar.—2 Korintasve 5:10; 1 Pjetrit 2:12.
10, 11. (a) Çfarë modeli na la Epafrai për sa i përket lutjes? (b) Në harmoni me atë që bëri Epafrai, çfarë vendimi do t’ju pëlqente të merrnit?
10 Tashmë kemi folur për rëndësinë që të lutemi për të tjerët me emër, duke qenë specifikë për t’i kërkuar Jehovait që t’i ndihmojë, t’i ngushëllojë, t’i bekojë dhe t’u japë frymën e shenjtë. Lutjet e Epafrait për kolosianët ishin të këtij lloji. Edhe ne mund—në fakt, duhet—të gjejmë në këto fjalë një sugjerim të vlefshëm rreth asaj që i themi Jehovait në lutje për veten tonë. Pa dyshim, duhet t’i kërkojmë ndihmë Jehovait me synimin që personalisht ‘më së fundi të qëndrojmë të plotë’. A e bëni këtë?
11 Përse të mos e përmendim situatën tonë në lutje? Të flasim me Perëndinë për shkallën në të cilën kemi përparuar për të qenë «të plotë», tërësisht të rritur, të pjekur. T’i lutemi që të na ndihmojë për të kuptuar fusha ku ende duhet të rritemi frymësisht. (Psalmi 17:3; 139:23, 24) Patjetër që kemi disa fusha të tilla. Atëherë, në vend që të shkurajohemi për këtë, le t’i përgjërohemi Perëndisë në mënyrë të qartë e specifike për ndihmë që të bëjmë përparim. Ta bëjmë këtë më shumë se një herë. Në fakt, përse secili nga ne të mos vendosë që këtë javë që vjen, të lutet më gjerësisht që ‘më së fundi të qëndrojë i plotë’? Të planifikojmë ta bëjmë më shpesh këtë, ndërsa shqyrtojmë shkrimin e vitit. Në lutje, të përqendrohemi në prirjet që mund të kemi për t’u sprapsur, për t’u lodhur ose për të lejuar që të na marrë rryma, duke u larguar nga shërbimi i Perëndisë dhe si mund t’i shmangim këto.—Efesianëve 6:11, 13, 14, 18.
Të lutemi për bindje të patundur
12. Përse kolosianët, në veçanti, kishin nevojë për «bindje të patundur»?
12 Epafrai u lut edhe për një gjë tjetër që ishte jetësore nëse kolosianët donin që më së fundi të qëndronin të pranueshëm para Perëndisë. Ajo është po aq e nevojshme për ne. Çfarë ishte? Ai u lut që ata të qëndronin «me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë». Ishin të rrethuar nga herezia dhe nga filozofitë gërryese, disa prej të cilave kishin një lustër mashtruese, si të ishin pjesë e adhurimit të pastër. Për shembull, atyre u bëhej presion që të mbanin ditë të veçanta agjërimi ose festash, siç nevojiteshin më parë në adhurimin judaik. Mësues të rremë përqendroheshin tek engjëjt, ato frymëra të fuqishme që u përdorën për të përcjellë Ligjin e Moisiut. Imagjinoni t’u nënshtroheni presioneve të këtij lloji! Kishte një shumëllojshmëri ngatërruese idesh që binin në kundërshtim me njëra-tjetrën.—Galatasve 3:19; Kolosianëve 2:8, 16-18.
13. Njohja e cilit faktor do t’i ndihmonte kolosianët dhe si mund të na ndihmojë ne?
13 Pavli u kundërpërgjigj duke theksuar rolin e Jezu Krishtit. «Sikurse e keni pranuar Krishtin Jezu, Zotërinë, vazhdoni të ecni në unitet me të, të rrënjosur, duke u ndërtuar në të e duke u stabilizuar në besim, ashtu siç ju është mësuar.» Po, ishte e nevojshme (për kolosianët dhe për ne) që të kishin bindje të plotë për rolin e Krishtit në qëllimin e Perëndisë dhe në jetën tonë. Pavli shpjegoi: «Sepse në të banon trupërisht gjithë plotësia e cilësisë hyjnore. Dhe kështu ju keni plotësi me anë të tij, i cili është kreu i çdo qeverie dhe autoriteti.»—Kolosianëve 2:6-10.
14. Përse shpresa ishte një gjë reale për ata në Kolose?
14 Kolosianët ishin të krishterë të mirosur nga fryma. Kishin një shpresë të veçantë, jetën në qiej, dhe kishin çdo arsye për ta mbajtur të patundur këtë shpresë. (Kolosianëve 1:5) Ishte «vullneti i Perëndisë» që ata të kishin bindje të patundur për sigurinë e shpresës së tyre. A duhej të kishte dyshuar ndonjëri prej tyre për atë shpresë? Aspak! A duhet të jetë ndryshe sot për të gjithë ata të cilëve Perëndia u ka dhënë perspektivën e jetës në një parajsë tokësore? Jo, fare! Kjo shpresë e vlefshme është qartësisht pjesë e «vullnetit të Perëndisë». Tani shqyrtoni këto pyetje: Nëse po përpiqeni të jeni në ‘shumicën e madhe’ që do të mbijetojë ‘shtrëngimin e madh’, sa reale është shpresa juaj? (Zbulesa 7:9, 14) A është pjesë e ‘bindjes suaj të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë’?
15. Çfarë serie cilësish theksoi Pavli që përfshinte edhe shpresën?
15 Me «shpresë» nuk nënkuptojmë një dëshirë të vagët ose ëndërrim me sy hapur. Këtë mund ta kuptojmë nga një seri argumentesh që Pavli u paraqiti më parë romakëve. Në atë seri, çdo gjë e përmendur lidhet me tjetrën ose të çon tek ajo. T’i kushtojmë vëmendje vendit ku e vë Pavli «shpresën» në arsyetimin e tij: «Le të ngazëllojmë edhe në shtrëngime, pasi e dimë se shtrëngimi prodhon qëndrueshmëri; qëndrueshmëria, nga ana e vet, një gjendje të miratuar; gjendja e miratuar, nga ana e vet, shpresë dhe shpresa nuk çon në zhgënjim; sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona nëpërmjet frymës së shenjtë.»—Romakëve 5:3-5.
16. Kur mësuam të vërtetën e Biblës, çfarë shprese fituam?
16 Kur Dëshmitarët e Jehovait na dhanë fillimisht mesazhin e Biblës, mund të na e ketë tërhequr vëmendjen ndonjë e vërtetë në veçanti, si gjendja e të vdekurve ose ringjallja. Për shumë veta, ajo që kuptuan fillimisht e që ishte e re ishte mundësia e bazuar në Bibël për jetën në një parajsë tokësore. A e kujtojmë kur e kemi dëgjuar për herë të parë këtë mësim? Sa shpresë e mrekullueshme: sëmundjet dhe plakja nuk do të jenë më, mund të jetojmë dhe të gëzojmë frytet e punës sonë, si edhe do të ketë paqe me kafshët! (Predikuesi [Eklisiastiu] 9:5, 10; Isaia 65:17-25; Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 21:3, 4) Kemi fituar një shpresë të mrekullueshme!
17, 18. (a) Si çonte deri te shpresa seria e cilësive që u paraqiti Pavli romakëve? (b) Cila lloj shprese nënkuptohej te Romakëve 5:4, 5 dhe a e keni këtë lloj shprese?
17 Me kalimin e kohës, ndoshta kemi hasur ndonjë kundërshtim ose persekutim. (Mateu 10:34-39; 24:9) Edhe kohët e fundit, Dëshmitarëve në vende të ndryshme u kanë plaçkitur shtëpitë ose janë detyruar të bëhen refugjatë. Disa i kanë sulmuar fizikisht, u është konfiskuar literatura biblike ose kanë qenë objekt raportesh mashtruese në mjetet e informacionit. Çfarëdo forme persekutimi që mund të kemi hasur, siç thuhet te Romakëve 5:3, mundëm të ngazëllonim në shtrëngime dhe kjo solli përfundime të shkëlqyera. Siç shkroi Pavli, shtrëngimi prodhoi te ne qëndrueshmëri. Pastaj qëndrueshmëria çoi në një gjendje të miratuar. E dinim se po bënim atë që ishte e drejtë, po bënim vullnetin e Perëndisë, prandaj ndiheshim të sigurt se kishim miratimin e tij. Për ta thënë me fjalët e Pavlit, e kuptuam se ishim në «një gjendje të miratuar». Në vazhdim, Pavli shkroi se «gjendja e miratuar, nga ana e vet, [prodhon] shpresë». Kjo mund të duket pak e çuditshme. Përse Pavli e radhiti ‘shpresën’ kaq larg në këtë seri? A nuk kishim shpresë shumë kohë më parë, kur dëgjuam për herë të parë lajmin e mirë?
18 Qartë, Pavli këtu nuk po i referohet ndjenjës sonë fillestare të shpresës së jetës së përsosur. Ajo së cilës i referohet ai shkon përtej kësaj, është më e thellë, më motivuese. Kur qëndrojmë me besnikëri dhe kuptojmë se kemi miratimin e Perëndisë, kjo ka efektin e thellë se na e shton dhe na e forcon shpresën fillestare. Shpresa që kishim, tani bëhet shumë më reale, më e fortë, më personale. Kjo shpresë e thelluar ndriçon më shumë. Depërton në gjithë qenien tonë, në çdo ind tonin. «Dhe shpresa nuk çon në zhgënjim; sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona nëpërmjet frymës së shenjtë.»
19. Në ç’mënyrë duhet të jetë pjesë e lutjeve tona të rregullta shpresa jonë?
19 Lutja e zjarrtë e Epafrait ishte që vëllezërit e motrat e tij në Kolose të vazhdonin të ishin të prekur e të bindur për atë që gjendej para tyre, duke pasur «bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë». Në mënyrë të ngjashme, secili prej nesh le t’i afrohet rregullisht Perëndisë në lutje për shpresën që ka. Në lutjet tona personale, të përfshijmë shpresën tonë për botën e re. T’i shprehim Jehovait sa shumë e dëshirojmë atë botë, me bindje të plotë që do të vijë. T’i lutemi për ndihmë që të thellojmë e të zgjerojmë bindjen tonë. Siç u lut Epafrai që kolosianët të kishin «bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë», të bëjmë të njëjtën gjë. Ta bëjmë shpesh këtë.
20. Edhe nëse disa persona—relativisht pak—largohen nga udha e krishterë, përse ky nuk duhet të jetë shkak për shkurajim?
20 Nuk duhet të shpërqendrohemi ose të shkurajohemi nga fakti që jo të gjithë qëndrojnë të plotë dhe me bindje të patundur. Disa mund të dështojnë, të largohen ose thjesht të dorëzohen. Kjo ndodhi edhe ndër ata që ishin më të afërt me Jezuin, ndër apostujt. Por, kur Juda u bë tradhtar, a u ngadalësuan ose a hoqën dorë apostujt e tjerë? Jo, aspak! Pjetri përdori Psalmin 109:8 për të treguar se një tjetër do të zinte vendin e Judës. U zgjodh një zëvendësues dhe personat besnikë të Perëndisë vazhduan në mënyrë aktive me caktimin e tyre të predikimit. (Veprat 1:15-26) Ishin të vendosur të qëndronin të plotë me bindje të patundur.
21, 22. Në cilin kuptim do të vërehet fakti që qëndrojmë të plotë me bindje të patundur?
21 Mund të jemi krejtësisht të sigurt se fakti që qëndrojmë të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë nuk do të kalojë pa u vënë re. Do të vërehet dhe do të vlerësohet. Nga kush?
22 Vëllezërit dhe motrat, të cilët na njohin e na duan, do ta vënë re. Edhe nëse shumica nuk e thonë me fjalë, efekti do të jetë i ngjashëm me atë që lexojmë te 1 Selanikasve 1:2-6: «E falënderojmë gjithmonë Perëndinë, kur ju përmendim të gjithë ju në lutjet tona, sepse mbajmë mend vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundin tuaj të dashur dhe qëndrueshmërinë tuaj falë shpresës që keni në Zotërinë tonë Jezu Krisht para Perëndisë dhe Atit tonë. Pasi . . . lajmi i mirë që predikojmë nuk erdhi ndër ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi, me frymë të shenjtë dhe me bindje të fortë . . . e ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotërisë.» Të krishterët besnikë përreth nesh do të ndihen në mënyrë të ngjashme ndërsa vënë re se ‘qëndrojmë të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë’.—Kolosianëve 1:23.
23. Cila duhet të jetë vendosmëria jonë gjatë këtij viti që vjen?
23 Po kaq e sigurt është se Ati ynë qiellor do ta vërë re dhe do të kënaqet. Të jemi të sigurt për këtë. Përse? Sepse po qëndrojmë të plotë dhe me bindje të patundur «në gjithë vullnetin e Perëndisë». Pavli u shkroi kolosianëve në mënyrë inkurajuese për faktin që ecnin ‘denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqenin plotësisht atij’. (Kolosianëve 1:10) Po, është e mundur që njerëzit e papërsosur t’i pëlqejnë plotësisht atij. Vëllezërit e motrat në Kolose e bënë këtë. Të krishterët përreth nesh në këtë kohë po e bëjnë këtë. Edhe ne mund ta bëjmë! Prandaj, në vazhdim të këtij viti që vjen, lutjet tona të përditshme dhe veprimet tona të vazhdueshme provofshin se jemi të vendosur që ‘më së fundi të qëndrojmë të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë’!
A mund ta kujtoni?
• Çfarë përfshin të ‘qëndrojmë të plotë’?
• Çfarë gjërash duhet të përfshijmë në lutje për veten tonë?
• Siç sugjeron Romakëve 5:4, 5, çfarë lloj shprese dëshirojmë të kemi?
• Cilin synim na ka nxitur të kemi për vitin që vjen studimi që kemi bërë?
[Figura në faqen 20]
Epafrai u lut që vëllezërit e tij të qëndronin të plotë, me bindje të patundur për Krishtin dhe për shpresën e tyre
[Figurat në faqen 23]
Shpresën dhe bindjen e patundur që kemi ne, e kanë edhe miliona të tjerë