Pyetje nga lexuesit
Kur u miros ‘e Shenjta e të Shenjtave’, siç ishte parathënë te Danieli 9:24, BR?
Danieli 9:24-27 është një profeci që flet për shfaqjen e ‘Mesisë, Udhëheqësit’, pra, Krishtit. Kështu që mirosja e parathënë e ‘së Shenjtës të së Shenjtave’ nuk bën fjalë për mirosjen e së ndarës së Më të Shenjtës në tempullin e Jerusalemit. Në vend të kësaj, shprehja ‘e Shenjta e të Shenjtave’ bën fjalë për shenjtëroren qiellore të Perëndisë—Më të Shenjtën qiellore—në tempullin e madh frymor të Jehovait.a—Hebrenjve 8:1-5; 9:2-10, 23.
Kur filloi të vepronte tempulli frymor i Perëndisë? Po ja, shqyrtoni atë që ndodhi kur Jezui u paraqit për t’u pagëzuar në vitin 29 të e.s. Që nga ai çast i jetës së tij, Jezui përmbushi fjalët e Psalmit 40:6-8. Më vonë, apostulli Pavël tregoi se Jezui i ishte lutur Perëndisë: «Flijim dhe blatim nuk deshe, por bëre gati për mua një trup.» (Hebrenjve 10:5) Jezui e dinte se Perëndia ‘nuk donte’ që të vazhdonin të bëheshin flijime kafshësh në tempullin e Jerusalemit. Në vend të kësaj, Jehovai kishte përgatitur një trup të përsosur njerëzor që Jezui ta jepte si flijim. Duke shprehur dëshirën që kishte në zemër, Jezui vazhdoi: «Ja, unë kam ardhur (në rrotullën e librit është shkruar për mua) të bëj vullnetin tënd, o Perëndi.» (Hebrenjve 10:7) Cila ishte përgjigjja e Jehovait? Në Ungjillin e Mateut thuhet: «Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji; dhe ja, qiejt u hapën dhe ai pa frymën e Perëndisë të vinte mbi të porsi një pëllumb. Ja, pati edhe një zë nga qiejt që tha: ‘Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar.’»—Mateu 3:16, 17.
Fakti që Perëndia Jehova e pranoi paraqitjen e trupit të Jezuit për flijim nënkuptoi se kishte filluar të vepronte një altar më i madh se altari i mirëfilltë në tempullin e Jerusalemit. Ky ishte një altar i ‘vullnetit’ të Perëndisë ose i rregullit për të pranuar jetën njerëzore të Jezuit si flijim. (Hebrenjve 10:10) Mirosja e Jezuit me frymën e shenjtë nënkuptoi se Perëndia tani kishte sjellë në jetë të gjithë rregullin e tempullit frymor.b Prandaj, në kohën kur Jezui u pagëzua, banesa qiellore e Perëndisë u miros ose u vu mënjanë si ‘e Shenjta e të Shenjtave’ në rregullimin e madh të tempullit frymor.
[Shënimet]
a Për një trajtim të veçorive të ndryshme të tempullit frymor të Perëndisë, shih faqet 14-19 të Kullës së Rojës të 1 korrikut 1996.
b Për këtë u fol në mënyrë të tërthortë në faqen 195 të librit Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!
[Figura në faqen 27]
‘E Shenjta e të Shenjtave’ u miros kur Jezui u pagëzua