«Mësoni prej meje»
«Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje, sepse unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj.»—MATEU 11:29.
1. Përse mund të jetë e këndshme dhe pasuruese të mësojmë nga Jezui?
JEZU KRISHTI gjithnjë mendonte, mësonte dhe vepronte në mënyrë të përshtatshme. Koha që kaloi ai në tokë ishte e shkurtër, por pati një karrierë shpërblyese e të kënaqshme dhe ishte gjithnjë i lumtur. Mblodhi dishepuj dhe u mësoi se si ta adhuronin Perëndinë, të donin njerëzimin e të mundnin botën. (Gjoni 16:33) I mbushi zemrat e tyre me shpresë dhe «hodhi dritë mbi jetën dhe paprishjen nëpërmjet lajmit të mirë». (2 Timoteut 1:10) Nëse e llogaritni veten mes dishepujve të tij, çfarë mendoni se nënkupton të jesh një dishepull? Duke shqyrtuar atë që thotë Jezui për dishepujt, mund të mësojmë se si ta pasurojmë jetën tonë. Kjo përfshin të përvetësojmë pikëpamjen e tij dhe të zbatojmë disa parime bazë.—Mateu 10:24, 25; Luka 14:26, 27; Gjoni 8:31, 32; 13:35; 15:8.
2, 3. (a) Çfarë është një dishepull i Jezuit? (b) Përse është e rëndësishme të pyesim veten ‘dishepull i kujt jam bërë’?
2 Në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala e përkthyer «dishepull» në thelb do të thotë një person që e drejton mendjen te diçka ose një që mëson. Një fjalë që lidhet me këtë gjendet në shkrimin kryesor të këtij artikulli, në Mateun 11:29, ku thuhet: «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje, sepse unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj.» Po, dishepulli është një person që mëson. Zakonisht në Ungjij fjala «dishepull» përdoret për ithtarët më të afërt të Jezuit, të cilët udhëtonin me të ndërsa predikonte dhe mësonin prej tij. Disa njerëz thjesht mund t’i kishin pranuar mësimet e Jezuit, ndoshta duke e bërë këtë edhe në fshehtësi. (Luka 6:17; Gjoni 19:38) Shkrimtarët e Ungjijve përmendën edhe «dishepujt e Gjonit [Pagëzorit] dhe dishepujt e farisenjve». (Marku 2:18) Meqë Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij që të «ruheshin . . . nga mësimet e farisenjve», mund të pyesim veten: ‘Dishepull i kujt jam bërë?’—Mateu 16:12.
3 Po qe se jemi dishepuj të Jezuit, po qe se kemi mësuar prej tij, atëherë të tjerët duhet të ndihen të freskuar frymësisht kur janë në shoqërinë tonë. Duhet ta dallojnë se jemi bërë më shumë me natyrë të butë dhe të përulur në zemër. Në rast se kemi përgjegjësi administrative në punë, jemi prindër ose kemi detyra si pleq në kongregacionin e krishterë, a e ndiejnë ata që janë nën kujdesin tonë se i trajtojmë siç i trajtoi Jezui ata që ishin nën kujdesin e tij?
Si i trajtonte Jezui njerëzit?
4, 5. (a) Përse nuk është e vështirë ta dimë se si i trajtonte Jezui njerëzit që kishin probleme? (b) Cilën përvojë pati Jezui kur ishte për të ngrënë në shtëpinë e një fariseu?
4 E kemi të nevojshme të dimë se si i trajtonte Jezui njerëzit, sidomos ata që kishin probleme të rënda. Kjo nuk duhet të jetë e vështirë për ta mësuar, pasi Bibla përmban shumë dokumentime të takimeve të Jezuit me njerëz të tjerë, disa prej të cilëve ishin të munduar. Le të vërejmë, gjithashtu, mënyrën se si i trajtonin udhëheqësit fetarë, e sidomos farisenjtë, njerëzit me probleme të ngjashme. Ndryshimi do të na japë më shumë kuptueshmëri.
5 Në vitin 31 të e.s., kur Jezui po bënte një udhëtim predikimi në Galile, «një prej farisenjve vazhdonte t’i kërkonte të hante me të». Jezui nuk ngurroi ta pranonte ftesën. «Prandaj, ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u shtrua në tryezë. Dhe ja, një grua që në qytet njihej si mëkatare, mësoi se ai ishte shtruar për të ngrënë në shtëpinë e fariseut dhe solli një enë alabastri me vaj të parfumuar, dhe duke zënë vend prapa, te këmbët e tij, qau dhe nisi t’ia lagte këmbët me lot dhe t’ia fshinte me flokët e kokës së saj. Gjithashtu, ia puthi këmbët me butësi dhe ia leu me vajin e parfumuar.»—Luka 7:36-38.
6. Përse mund të ketë qenë në shtëpinë e fariseut gruaja që ishte një «mëkatare»?
6 A mund ta përfytyroni këtë? Një vepër referimi pohon: «Gruaja (v.37) përfitoi nga zakonet shoqërore që i lejonin njerëzit nevojtarë të shkonin nëpër këto bankete për të marrë disa nga ushqimet e mbetura.» Kjo mund të shpjegojë se si ka mundësi që një njeri të hynte atje pa qenë i ftuar. Mund të ketë pasur edhe të tjerë që shpresonin të mblidhnin diçka pasi të përfundonte banketi. Gjithsesi, sjellja e kësaj gruaje ishte e pazakontë. Ajo nuk qëndroi në prapaskenë, duke pritur që të mbaronte banketi. Nami që kishte ajo ishte i keq, duke qenë «mëkatare» e njohur, kështu që Jezui tha se i njihte «mëkatet e saj, edhe pse [ishin] të shumta».—Luka 7:47.
7, 8. (a) Si mund të kishim reaguar ne në rrethana si ato të dokumentuara te Luka 7:36-38? (b) Si reagoi Simoni?
7 Përfytyrojeni veten sikur jetoni në atë epokë dhe jeni në vendin e Jezuit. Si do të kishit reaguar? A do të ishit ndier në siklet teksa ju afrohej kjo grua? Si do të ndikonte te ju një rrethanë e tillë? (Luka 7:45) A do të ishit tmerruar ose tronditur?
8 Sikur të kishit qenë ndër të ftuarit e tjerë, a mund të ndodhte që mendimet tuaja të ishin të paktën disi të ngjashme me ato të Simonit, fariseut? «Kur e pa këtë, fariseu që e ftoi [Jezuin] tha me vete: ‘Nëse ky njeri do të ishte profet, do ta dinte se kush dhe se ç’lloj gruaje është kjo që po e prek, se është një mëkatare’.» (Luka 7:39) Ndryshe nga ai, Jezui ishte një njeri me shumë dhembshuri. Ai e kuptoi gjendjen e mjeruar të asaj gruaje dhe e ndjeu angështinë e saj. Nuk na thuhet se si ra ajo në një jetë mëkatare. Nëse vërtet ishte një prostitutë, burrat e qytetit, të cilët ishin judenj të dedikuar, me sa duket, nuk e kishin ndihmuar në këtë aspekt.
9. Si reagoi Jezui dhe cili ka të ngjarë të ketë qenë përfundimi?
9 Por Jezui donte ta ndihmonte. Ai i tha: «Mëkatet e tua janë falur.» Pastaj, shtoi: «Besimi yt të ka shpëtuar; shko në paqe.» (Luka 7:48-50) Këtu tregimi përfundon. Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se, në fund të fundit, Jezui nuk bëri shumë për të. Me pak fjalë, ai e përcolli duke i dhënë bekimin e tij. A mendoni se ndoshta ajo u kthye në mënyrën e saj të vajtueshme të të jetuarit? Ndonëse nuk mund ta themi me siguri, vëreni se çfarë thotë më tej Luka. Ai tregoi se Jezui udhëtoi «nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë». Luka raportoi edhe se «disa gra» e shoqëronin Jezuin dhe dishepujt e tij, ‘duke u shërbyer me zotërimet e [grave]’. Nuk mund të përjashtohet mundësia se kjo grua e penduar dhe mirënjohëse tani ishte mes tyre, duke nisur një mënyrë jetese të perëndishme me një ndërgjegje të pastër, me një ndjenjë të rigjallëruar se jeta ka një qëllim dhe me një dashuri shumë më të thellë për Perëndinë.—Luka 8:1-3.
Dallimi ndërmjet Jezuit dhe farisenjve
10. Përse është e dobishme të shqyrtojmë tregimin e Jezuit dhe të gruas në shtëpinë e Simonit?
10 Çfarë mund të mësojmë nga ky tregim i gjallë? Na ka vënë në lëvizje ndjenjat, apo jo? Përfytyrojeni veten në shtëpinë e Simonit. Si do të ndiheshit? A do të reagonit si Jezui apo do të ndiheshit pak si mikpritësi i tij farise? Jezui ishte Biri i Perëndisë, kështu që nuk mund të ndihemi e të veprojmë pikë për pikë si ai. Nga ana tjetër, ndoshta nuk na pëlqen shumë ta mendojmë veten se jemi si Simoni, fariseu. Të paktë janë ata që do të krenoheshin se janë si farisenjtë.
11. Përse nuk do të donim të ishim në një kategori me farisenjtë?
11 Nga studimi i dëshmive biblike dhe laike, mund të nxjerrim përfundimin se farisenjtë mendonin tepër lart për veten e tyre, si ruajtës të së mirës së përgjithshme dhe të mirëqenies së kombit. Nuk ishin të kënaqur që Ligji i Perëndisë ishte në thelb i qartë dhe kuptohej me lehtësi. Sa herë që u dukej sikur Ligji nuk ishte specifik, kërkonin t’i mbushnin hendeqet e supozuara me zbatime të përcaktuara qartë, duke hequr kështu nevojën për një ndërgjegje. Këta udhëheqës fetarë u orvatën të hartonin një ligj që do të udhëhiqte sjelljen e njerëzve në çdo çështje, edhe në gjëra të papërfillshme.a
12. Cilën pikëpamje kishin farisenjtë për veten?
12 Një historian jude i shekullit të parë, Jozefi, e tregon qartë se farisenjtë e quanin veten se ishin dashamirës, të sjellshëm, të drejtë dhe plotësisht të kualifikuar për detyrën që bënin. Pa dyshim, disa prej tyre i afroheshin mjaft këtij përshkrimi. Ndoshta ju vjen ndër mend Nikodemi. (Gjoni 3:1, 2; 7:50, 51) Me kalimin e kohës, disa prej tyre përqafuan udhën e krishterë. (Veprat 15:5) Për disa judenj, siç ishin farisenjtë, apostulli i krishterë Pavël shkroi: «[Ata] kanë zell për Perëndinë; por jo sipas njohurisë së saktë.» (Romakëve 10:2) Gjithsesi, Ungjijtë i paraqesin këta persona ashtu siç i shihnin njerëzit e thjeshtë: krenarë, arrogantë, të vetëquajtur të drejtë, kritikues, gjykues dhe përbuzës.
Pikëpamja e Jezuit
13. Çfarë tha Jezui për farisenjtë?
13 Jezui i dënoi skribët dhe farisenjtë si hipokritë. «Ata lidhin ngarkesa të rënda dhe ua vënë njerëzve mbi supe, por ata vetë nuk kanë dëshirë t’i lëvizin ato as me gishtin e tyre.» Po, ngarkesa ishte e rëndë dhe zgjedha që u ishte vënë njerëzve ishte e vështirë. Jezui më tej i quajti skribët dhe farisenjtë «të marrë». Një i marrë përbën kërcënim për popullsinë. Gjithashtu, Jezui i quajti skribët e farisenjtë «udhërrëfyes të verbër» dhe pohoi se kishin «shpërfillur çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë, drejtësinë, mëshirën dhe besueshmërinë». Kush do të donte që Jezui të mendonte për të si për një farise?—Mateu 23:1-4, 16, 17, 23.
14, 15. (a) Çfarë zbulon për mënyrën e veprimit të farisenjve mënyra se si Jezui e trajtoi Mateu Levin? (b) Çfarë mësimesh të rëndësishme mund të nxjerrim nga ky tregim?
14 Gati çdo lexues i Ungjijve mund ta kuptojë se çfarë natyre kritikuese kishin shumica e farisenjve. Pasi Jezui e ftoi Mateu Levin, taksambledhësin, që të bëhej dishepull, Levi shtroi për të një gosti të madhe. Tregimi thotë: «Atëherë, farisenjtë dhe skribët e tyre nisën t’u murmuritnin dishepujve të tij, duke thënë: ‘Pse hani e pini me taksambledhësit dhe mëkatarët?’ Duke u përgjigjur, Jezui u tha: ‘. . . Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët, për pendim.’»—Luka 5:27-32.
15 Vetë Levi kuptoi diçka tjetër që tha Jezui në atë rast: «Shkoni, pra, dhe mësoni ç’do të thotë kjo: ‘Unë dua mëshirë dhe jo sakrificë.’» (Mateu 9:13) Ndonëse farisenjtë pohonin se besonin në shkrimet e profetëve hebrenj, nuk e pranuan këtë thënie nga Hozea 6:6. Edhe po të gabonin, siguroheshin që kjo të mos ishte nga ana e bindjes ndaj traditave. Secili prej nesh mund të pyesë veten: A jam i njohur si një person që ngulitet pas disa rregullave, si ato që paraqesin ide personale ose mendime të zakonshme për një çështje? Apo të tjerët mendojnë për mua se jam, para së gjithash, i mëshirshëm dhe i mirë?
16. Në cilën mënyrë vepronin farisenjtë dhe si mund ta shmangim që të jemi si ata?
16 Kritika, kritika, kritika. Kështu vepronin farisenjtë. Ata përpiqeshin të gjenin çdo të metë, reale ose imagjinare. I vinin njerëzit në pozita mbrojtëse dhe u kujtonin vazhdimisht mangësitë që kishin. Farisenjtë mburreshin, sepse jepnin të dhjetat e bimëve më të vogla, si mendra, kopra dhe qimnoni. E reklamonin devocionin e tyre me anë të veshjes që mbanin dhe përpiqeshin të drejtonin kombin. Sigurisht, nëse duam që veprimet tona të jenë në harmoni me shembullin e Jezuit, duhet të shmangim prirjen për të kërkuar gjithnjë dhe për të vënë në dukje të metat e të tjerëve.
Si i zgjidhte Jezui problemet?
17-19. (a) Shpjegoni se si e përballoi Jezui një rrethanë që mund të kishte pasur pasoja shumë të rënda. (b) Çfarë e bënte këtë rrethanë stresuese dhe të pakëndshme? (c) Po të kishit qenë atje kur gruaja iu afrua Jezuit, si do të kishit reaguar?
17 Mënyra se si i zgjidhte Jezui problemet ishte shumë e ndryshme nga ajo e farisenjve. Shikoni se si e përballoi Jezui një rrethanë që mund të kishte qenë shumë e rëndë. Kishte të bënte me një grua që për 12 vjet kishte pasur rrjedhje gjaku. Tregimin mund ta lexoni te Luka 8:42-48.
18 Tregimi i Markut thotë se gruaja ishte «e trembur e duke u dridhur». (Marku 5:33) Përse? Pa dyshim, sepse e dinte që kishte shkelur Ligjin e Perëndisë. Sipas Levitikut 15:25-28, një grua që kishte rrjedhje gjaku të pazakontë ishte e papastër për sa kohë që zgjaste kjo gjendje, plus një javë më tepër. Çdo gjë dhe çdo person që prekte ajo bëhej i ndotur. Për t’iu afruar Jezuit, kësaj gruaje i ishte dashur të çante përmes turmës. Kur e lexojmë këtë tregim 2.000 vjet më vonë, ndiejmë keqardhje për gjendjen e saj të sikletshme.
19 Po të kishit qenë të pranishëm atë ditë, si do ta kishit parë këtë rrethanë? Çfarë do të kishit thënë? Vini re se Jezui e trajtoi këtë grua me kujdes, dashuri e dhembshuri, duke mos përmendur as larg e larg ndonjë problem që mund të kishte shkaktuar ajo.—Marku 5:34.
20. Sikur Levitiku 15:25-28 të ishte një kërkesë sot, cilën sfidë do të hasnim?
20 A mund të mësojmë ndonjë gjë nga kjo ngjarje? Ta zëmë se je një plak në një kongregacion të krishterë të ditëve tona. Gjithashtu, ta zëmë se Levitiku 15:25-28 do të ishte një kërkesë e krishterë sot dhe që një grua e krishterë do të kishte shkelur këtë ligj, pasi ndihej e dëshpëruar dhe e braktisur. Si do të reagoje? A do ta poshtëroje para gjithë të tjerëve, duke i dhënë këshilla vendimtare? «Aspak,—thoni ju,—nuk do ta bëja kurrë këtë! Duke ndjekur shembullin e Jezuit, do të bëja çdo përpjekje për të qenë i kujdesshëm, i dashur, i vëmendshëm e i dhembshur.» Shumë bukur. Por, sfida është ta bëjmë këtë, të imitojmë shembullin e Jezuit.
21. Çfarë u mësonte Jezui njerëzve për Ligjin?
21 Në thelb, njerëzit ndiheshin të freskuar nga Jezui, të ndërtuar dhe të inkurajuar. Aty ku Ligji i Perëndisë ishte specifik, kishte atë kuptim që thoshte. Nëse dukej një ligj i përgjithshëm, do të hynte më shumë në lojë ndërgjegjja e tyre dhe ata mund të tregonin dashurinë që kishin për Perëndinë me anë të vendimeve të tyre. Ligji u linte hapësirë për të jetuar e për të marrë frymë. (Marku 2:27, 28) Perëndia e donte popullin e tij, punonte vazhdimisht për të mirën e tyre dhe ishte i gatshëm të tregonte mëshirë kur ata pengoheshin. Jezui ishte pikërisht kështu.—Gjoni 14:9.
Rrjedhojat e mësimeve të Jezuit
22. Duke mësuar nga Jezui, cilin qëndrim mendor fituan dishepujt e tij?
22 Ata që e dëgjuan Jezuin dhe u bënë dishepujt e tij e vlerësuan shumë vërtetësinë e deklaratës së tij: «Zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë!» (Mateu 11:30) Nuk ndiheshin kurrë sikur ai i rëndonte, u binte më qafë ose u mbante leksione. Ishin më të lirë, më të lumtur dhe më të sigurt për marrëdhënien që kishin me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin. (Mateu 7:1-5; Luka 9:49, 50) Prej tij mësuan se të jesh udhëheqës frymor kërkon të jesh freskues për të tjerët, të shfaqësh përulësi mendjeje dhe zemre.—1 Korintasve 16:17, 18; Filipianëve 2:3.
23. Duke qëndruar me Jezuin, cilin mësim të rëndësishëm morën dishepujt dhe në cilat përfundime i ndihmoi kjo të arrinin?
23 Për më tepër, shumë vetave iu ngulit thellë në mendje rëndësia për të qëndruar në unitet me Krishtin dhe për të përvetësuar frymën që tregonte ai. Ai u tha dishepujve: «Ashtu si Ati më ka dashur mua dhe unë ju kam dashur ju, qëndroni në dashurinë time. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, ashtu si unë kam zbatuar urdhërimet e Atit dhe qëndroj në dashurinë e tij.» (Gjoni 15:9, 10) Nëse donin të kishin sukses si shërbëtorë të Perëndisë, duhej të zbatonin me zell atë që kishin mësuar nga Jezui, si duke predikuar e duke u mësuar të tjerëve publikisht rreth lajmit të mirë të mrekullueshëm të Perëndisë, ashtu edhe në marrëdhëniet me familjen dhe miqtë. Dora-dorës që vëllazëria rritej dhe formoheshin kongregacione, do t’u duhej t’i kujtonin vetes vazhdimisht se udha e Jezuit ishte udha e drejtë. Ajo që mësoi ai ishte e vërteta, dhe jeta që kishin vërejtur të mishëruar në të ishte vërtet jeta për të cilën duhej shpresuar e synuar.—Gjoni 14:6; Efesianëve 4:20, 21.
24. Cilat gjëra duhet të marrim për zemër nga shembulli i Jezuit?
24 Tani, ndërsa meditoni për disa nga gjërat që kemi trajtuar, a shihni disa mënyra në të cilat mund të përmirësoni? A e pranoni se Jezui gjithnjë mendonte, mësonte dhe vepronte në mënyrën e duhur? Atëherë, merrni zemër. Fjalët e tij inkurajuese për ne janë: «Nëse i dini këto gjëra, të lumtur jeni nëse i bëni.»—Gjoni 13:17.
[Shënimi]
a «Se e cilës natyrë është dallimi që ekziston [ndërmjet Jezuit dhe farisenjve] bëhet e qartë vetëm duke pasur parasysh dy kuptueshmëritë e kundërta për Perëndinë. Për farisenjtë, Perëndia është kryesisht një person që kërkon; për Jezuin, ai është hirmadh e i dhembshur. Sigurisht, fariseu nuk e mohon mirësinë dhe dashurinë e Perëndisë, por për të, këto dy cilësi u shprehën në dhuratën e Torës [Ligjit] dhe në mundësinë për të përmbushur atë që kërkohet atje. . . . Besnikëria ndaj traditës gojore, me rregullat e saj për interpretimin e ligjit, nga farisenjtë shihej si mënyra për të përmbushur Torën. . . . Fakti që urdhrin e dyfishtë të dashurisë (Mat. 22:34-40) Jezui e ngriti në nivelin e një norme për interpretimin e Ligjit dhe fakti që hodhi poshtë natyrën kufizuese të traditës gojore . . . e vuri në kundërshtim me traditën e interpretimit të farisenjve.»—The New International Dictionary of New Testament Theology.
Si do të përgjigjeni?
• Çfarë do të thotë për ju të jesh dishepull i Jezuit?
• Si i trajtonte Jezui njerëzit?
• Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si mësonte Jezui?
• Si ndryshonte Jezui nga farisenjtë?
[Figurat në faqet 18, 19]
Sa i ndryshëm ishte qëndrimi i Jezuit ndaj njerëzve nga ai i farisenjve!