‘Të vazhdojmë të japim shumë fryt’
«Vazhdoni të jepni shumë fryt e të tregoni se jeni dishepujt e mi.»—GJONI 15:8.
1. (a) Cilën kërkesë për të qenë dishepuj u përmendi Jezui apostujve? (b) Cilën pyetje duhet t’ia bëjmë vetes?
ISHTE mbrëmja para se Jezui të vdiste. Ai u kishte kushtuar mjaft kohë që t’i inkurajonte apostujt duke u folur me zemër të hapur. Edhe pse ndoshta kishte kaluar mesi i natës, Jezui, i shtyrë nga dashuria për miqtë e tij të ngushtë, vazhdonte të fliste. Pastaj në mes të bisedës, u kujtoi atyre një kërkesë tjetër që duhej të përmbushnin për të qëndruar dishepuj të tij. Ai tha: «Në këtë merr lavdi Ati im: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt e të tregoni se jeni dishepujt e mi.» (Gjoni 15:8) A e përmbushim ne sot këtë kërkesë për të qenë dishepuj? Çfarë do të thotë ‘të japim shumë fryt’? Për t’i zbuluar përgjigjet, le të kthehemi te biseda e asaj mbrëmjeje.
2. Cili është ilustrimi që përmend Jezui mbrëmjen para se të vdesë?
2 Këshilla për të dhënë fryt është pjesë e një ilustrimi që Jezui u tha apostujve. Ai tha: «Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është kultivuesi. Çdo degë në mua që nuk jep fryt, ai e heq dhe çdonjërën që jep fryt, ai e pastron, që të japë më shumë fryt. Ju jeni tashmë të pastër, për shkak të fjalës që ju kam thënë. Qëndroni në unitet me mua dhe unë në unitet me ju. Ashtu si dega s’mund të japë fryt nga vetja, po të mos qëndrojë te hardhia, po ashtu nuk mundeni as ju, po të mos qëndroni në unitet me mua. Unë jam hardhia, ju jeni degët. . . . Në këtë merr lavdi Ati im: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt e të tregoni se jeni dishepujt e mi. Ashtu si Ati më ka dashur mua dhe unë ju kam dashur ju, qëndroni në dashurinë time. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time.»—Gjoni 15:1-10.
3. Çfarë duhet të bëjnë ithtarët e Jezuit me qëllim që të japin fryt?
3 Në këtë ilustrim Jehovai është Kultivuesi, Jezui është hardhia dhe apostujt të cilëve po u drejtohej Jezui janë degët. Për sa kohë të përpiqeshin ‘të qëndronin në unitet’ me Jezuin, apostujt do të jepnin fryt. Pastaj Jezui u shpjegoi se si të arrinin të ruanin këtë unitet jetësor: «Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time.» Më vonë apostulli Gjon do t’u shkruante fjalë të ngjashme të bashkëkrishterëve: «Ai që zbaton urdhërimet [e Krishtit] qëndron në unitet me të.»a (1 Gjonit 2:24; 3:24) Kështu, duke zbatuar urdhërimet e Krishtit, ithtarët e tij qëndrojnë në unitet me të dhe, nga ana tjetër, ky unitet u jep mundësi atyre të japin fryt. Çfarë karakteristike kanë frytet që duhet të japim?
Mundësi për rritje
4. Çfarë mund të mësojmë nga fakti që Jehovai «e heq» çdo degë që nuk jep fryt?
4 Në ilustrimin e hardhisë Jehovai «e heq» ose e pret degën kur nuk jep fryt. Çfarë na tregon kjo? Jo vetëm që të gjithë të krishterëve u kërkohet që të japin fryt, por edhe që të gjithë janë në gjendje ta bëjnë këtë pavarësisht nga rrethanat ose kufizimet që mund të kenë. Në fakt do të ishte në kundërshtim me udhët e dashura të Jehovait ‘të hiqej’ ose të mos quhej më dikush dishepull i Krishtit, sepse nuk ka arritur të kryejë diçka që ishte përtej mundësive të tij.—Psalmi 103:14; Kolosianëve 3:23; 1 Gjonit 5:3.
5. (a) Si e tregon ilustrimi i Jezuit se mund të bëjmë përparim për të qenë më të frytshëm? (b) Cilat dy lloje frytesh do të shqyrtojmë?
5 Ilustrimi i Jezuit për hardhinë tregon edhe se brenda kufijve që na lejojnë rrethanat mund të kërkojmë mundësi për rritje në veprimtaritë si dishepuj. Vini re se si e thotë këtë Jezui: «Çdo degë në mua që nuk jep fryt, ai e heq dhe çdonjërën që jep fryt, ai e pastron, që të japë më shumë fryt.» (Gjoni 15:2) Nga fundi i ilustrimit Jezui i nxiti ithtarët që të jepnin «shumë fryt». (Vargu 8) Çfarë nënkupton kjo? Si dishepuj kurrë nuk duhet të vetëkënaqemi. (Zbulesa 3:14, 15, 19) Përkundrazi, duhet të kërkojmë mënyra se si të bëjmë përparim në dhënien e fryteve. Ç’lloj frytesh duhet të përpiqemi të japim më me bollëk? Janë dy lloje: (1) «fryti i frymës» dhe (2) frytet e Mbretërisë.—Galatasve 5:22, 23; Mateu 24:14.
Fryti i cilësive të krishtere
6. Si e theksoi Jezu Krishti vlerën e frytit të parë të fryteve të frymës?
6 E para që është radhitur midis ‘fryteve të frymës’ është dashuria. Fryma e shenjtë e Perëndisë prodhon dashuri mes të krishterëve sepse ata i binden urdhrit që dha Jezui pak para se të thoshte ilustrimin e hardhisë që jep fryt. Ai u tha apostujve: «Po ju jap një urdhërim të ri, që ta doni njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34) Në fakt gjatë gjithë bisedës natën e fundit të jetës së tij në tokë, Jezui u kujtoi vazhdimisht apostujve nevojën që të shfaqnin cilësinë e dashurisë.—Gjoni 14:15, 21, 23, 24; 15:12, 13, 17.
7. Si e tregoi apostulli Pjetër se dhënia e fryteve lidhet me shfaqjen e cilësive të krishtere?
7 Pjetri, i cili ishte i pranishëm atë natë, e kuptoi se dashuria e krishterë dhe cilësitë që lidhen me të duhet të bëhen të dukshme mes dishepujve të vërtetë të Krishtit. Vite më vonë, Pjetri i inkurajoi të krishterët që të kultivonin cilësi të tilla, si vetëkontrolli, përzemërsia vëllazërore dhe dashuria. Ai shtoi se duke vepruar kështu nuk do të pengohemi që ‘të jemi joaktivë dhe të pafrytshëm’. (2 Pjetrit 1:5-8) Cilatdo qofshin rrethanat tona, është e mundur të shfaqim frytet e frymës. Qofshim pra, ata lloj personash që përpiqen të shfaqin në një masë më të gjerë dashuri, mirëdashje, butësi dhe cilësi të tjera të krishtere, sepse «kundër këtyre gjërave nuk ka ligj»! (Galatasve 5:23) Po, le të japim «më shumë fryt».
Të japim frytet e Mbretërisë
8. (a) Cila është lidhja ndërmjet fryteve të frymës dhe fryteve të Mbretërisë? (b) Cila pyetje meriton që ta shqyrtojmë?
8 Frytet me ngjyra dhe të lëngshme e stolisin bimën. Sidoqoftë vlera e këtyre fryteve shkon përtej stolisjes. Frytet janë gjithashtu jetësore për shumimin e bimës nëpërmjet farërave të tyre. Në mënyrë të ngjashme, frytet e frymës bëjnë më shumë se sa vetëm na e stolisin personalitetin e krishterë. Cilësitë si dashuria dhe besimi na motivojnë edhe që të përhapim mesazhin e Mbretërisë ngjashëm farërave, i cili gjendet në Fjalën e Perëndisë. Vini re se si e thekson Pavli këtë lidhje jetësore. Ai thotë: «Edhe ne ushtrojmë besim [pjesë e fryteve të frymës] e prandaj flasim.» (2 Korintasve 4:13) Pavli shpjegon më tej se në këtë mënyrë «i ofrojmë gjithnjë Perëndisë një sakrificë lëvdimi, domethënë, frytin e buzëve», llojin e dytë të fryteve që duhet të shfaqim. (Hebrenjve 13:15) A kemi mundësi që të jemi më frytdhënës në jetë, pra që të japim «më shumë fryt» si lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë?
9. A është e njëjta gjë të japësh fryt dhe të bësh dishepuj? Shpjegoni.
9 Për t’u përgjigjur siç duhet, së pari duhet të kuptojmë se çfarë janë frytet e Mbretërisë. A do të ishte e drejtë të arrinim në përfundimin se të japim fryt do të thotë të bëjmë dishepuj? (Mateu 28:19) A lidhet fryti që duhet të japim kryesisht me individët që ndihmojmë për t’u bërë adhurues të pagëzuar të Jehovait? Jo. Nëse do të ishte kështu, gjendja do të ishte shumë shkurajuese për të gjithë ata Dëshmitarë të çmuar që kanë shpallur me besnikëri mesazhin e Mbretërisë për vite me radhë në territore më pak të frytshme. Vërtet, në rast se frytet e Mbretërisë që ne japim përbëhen vetëm nga dishepujt e rinj, këta Dëshmitarë të palodhur do të ishin si degët e pafrytshme të ilustrimit të Jezuit. Patjetër që nuk është kështu. Atëherë, cili është fryti kryesor i Mbretërisë, i shërbimit tonë?
Të frytshëm duke përhapur farën e Mbretërisë
10. Si e tregon ilustrimi i Jezuit për mbjellësin dhe për llojet e ndryshme të tokës se çfarë janë dhe çfarë nuk janë frytet e Mbretërisë?
10 Ilustrimi i Jezuit për mbjellësin dhe për llojet e ndryshme të tokës nxjerr në pah përgjigjen, e cila u jep zemër atyre që dëshmojnë në territore më pak të frytshme. Jezui tha se fara është mesazhi i Mbretërisë që gjendet në Fjalën e Perëndisë dhe se toka përfaqëson zemrën figurative të njeriut. Disa farëra ‘ranë në tokën e mirë dhe, pasi mbinë, prodhuan fryt’. (Luka 8:8) Çfarë fryti? Pasi një kërcell gruri mbin dhe rritet, ai prodhon si fryt, jo kërcej të vegjël gruri, por farëra të reja. Po kështu një i krishterë nuk prodhon medoemos si fryt dishepuj të rinj, por farëra të reja Mbretërie.
11. Si mund të përkufizohen frytet e Mbretërisë?
11 Pra, në këtë rast frytet nuk janë as dishepujt e rinj dhe as cilësitë e shkëlqyera të krishtere. Meqenëse fara që mbillet është fjala e Mbretërisë, frytet duhet të jenë riprodhime të kësaj fare. Në këtë rast të japësh fryt do të thotë të flasësh për Mbretërinë. (Mateu 24:14) A është brenda mundësive tona dhënia e këtyre fryteve të Mbretërisë, pra shpallja e lajmit të mirë të Mbretërisë, cilatdo qofshin rrethanat tona? Po, është. Në të njëjtin ilustrim Jezui shpjegon arsyen.
Të japim më të mirën për lavdi të Perëndisë
12. A është dhënia e fryteve të Mbretërisë brenda mundësive të të gjithë të krishterëve? Shpjegoni.
12 Jezui tha: «Sa për atë që u mboll në tokën e shkëlqyer, . . . prodhon, ky njëqindfish, ai gjashtëdhjetë, tjetri tridhjetë.» (Mateu 13:23) Drithi i mbjellë në një fushë mund të ndryshojë për sa i përket prodhimit që jep, në varësi të rrethanave. Po kështu edhe ajo që mund të bëjmë në shpalljen e lajmit të mirë mund të ndryshojë në varësi të rrethanave tona dhe Jezui tregoi se ai e kuptonte këtë. Disa mund të kenë më shumë mundësi; disa të tjerë mund të kenë shëndet më të mirë dhe më shumë fuqi. Prandaj ajo që mund të jemi në gjendje të bëjmë mund të jetë më shumë ose më pak se të tjerët, por për sa kohë është më e mira që kemi, Jehovai është i kënaqur. (Galatasve 6:4) Edhe sikur mosha e thyer ose një sëmundje ligështuese të na e kufizojë pjesëmarrjen në veprën e predikimit, pa dyshim që Ati ynë i dhembshur Jehova na sheh si një prej atyre që ‘vazhdojnë të japin shumë fryt’. Përse? Sepse ne i japim atij ‘gjithë sa kemi’, shërbimin tonë me gjithë shpirt.b—Marku 12:43, 44; Luka 10:27.
13. (a) Cila është arsyeja kryesore që ‘të vazhdojmë’ të japim fryte të Mbretërisë? (b) Çfarë do të na ndihmojë që të vazhdojmë të japim fryt në territore më pak të frytshme? (Shihni kutinë në faqen 21.)
13 Në çfarëdo mase që të jemi në gjendje të prodhojmë frytet e Mbretërisë, do të nxitemi ‘të shkojmë e të vazhdojmë të japim fryt’ po qe se mbajmë në mendje pse po e bëjmë këtë. (Gjoni 15:16) Jezui përmendi arsyen kryesore: «Në këtë merr lavdi Ati im: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt.» (Gjoni 15:8) Po, vepra jonë e predikimit e shenjtëron emrin e Jehovait përpara gjithë njerëzimit. (Psalmi 109:30) Honora, një Dëshmitare besnike rreth 75 vjeçe, thotë: «Edhe në territoret më pak të frytshme është një privilegj të përfaqësosh Më të Lartin.» Klaudioja është një Dëshmitar i zellshëm që prej vitit 1974. Kur e pyetën se përse vazhdon të predikojë, edhe pse pak njerëz reagojnë në territorin e tij, ai citoi Gjonin 4:34 ku lexojmë fjalët e Jezuit: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» Klaudioja shtoi: «Ashtu si Jezui, edhe unë nuk dua vetëm ta filloj, por edhe ta mbaroj veprën time si lajmëtar i Mbretërisë.» (Gjoni 17:4) Dëshmitarët e Jehovait nga e gjithë bota janë të një mendjeje me të.—Shihni kutinë «Si ‘të japim fryt me qëndrueshmëri’? » në faqen 21.
Të predikojmë dhe t’u mësojmë të tjerëve
14. (a) Çfarë qëllimi të dyfishtë kishte vepra e Gjon Pagëzorit dhe e Jezuit? (b) Si do ta përshkruanit veprën e krishterë sot?
14 Lajmëtari i parë i Mbretërisë i përmendur tek Ungjijtë është Gjon Pagëzori. (Mateu 3:1, 2; Luka 3:18) Qëllimi i tij kryesor ishte që ‘të jepte dëshmi’ dhe ai e bëri këtë me besim të thellë dhe me shpresën «që njerëzit e çdo lloji të besonin». (Gjoni 1:6, 7) Në fakt disa të cilëve u predikoi Gjoni u bënë dishepuj të Krishtit. (Gjoni 1:35-37) Pra, Gjoni ishte predikues dhe bërës dishepujsh. Edhe Jezui ishte predikues dhe mësues. (Mateu 4:23; 11:1) Prandaj nuk habitemi që Jezui i urdhëroi ithtarët e tij jo vetëm të predikonin lajmin e Mbretërisë, por edhe t’i ndihmonin që të bëheshin dishepuj individët që e pranonin këtë lajm. (Mateu 28:19, 20) Si rrjedhim, vepra jonë sot është një ndërthurje e predikimit me mësimdhënien.
15. Çfarë ngjashmërie ka në reagimin ndaj veprës së predikimit të kryer në shekullin e parë të e.s. dhe ndaj asaj që kryhet sot?
15 Nga ata në shekullin e parë të e.s. që e dëgjuan Pavlin t’u predikonte dhe t’u mësonte, «disa filluan t’i besonin gjërat që thuheshin, të tjerë nuk i besonin». (Veprat 28:24) Sot reagimi është pak a shumë i njëjtë. Mjerisht pjesa më e madhe e farërave të Mbretërisë bien në tokë të pafrytshme. Megjithatë disa farëra bien ende në tokë të shkëlqyer, lëshojnë rrënjë dhe mbijnë, pikërisht siç e kishte parathënë Jezui. Në fakt në mbarë botën çdo javë një mesatare prej më shumë se 5.000 vetash bëhen dishepuj të vërtetë të Krishtit. Këta dishepuj të rinj ‘i besojnë gjërat që thuhen’, edhe pse shumica e njerëzve nuk i besojnë. Çfarë ndihmoi që zemra e tyre të reagonte ndaj lajmit të Mbretërisë? Shpesh interesi personal që treguan Dëshmitarët, ose si të themi, ujitja e farës së sapombjellë, ndikoi shumë. (1 Korintasve 3:6) Le të shqyrtojmë vetëm dy nga shembujt e shumtë.
Interesi personal ndikon shumë
16, 17. Pse është e rëndësishme të shfaqim interes personal ndaj atyre që takojmë në shërbim?
16 Karolina, një e re Dëshmitare në Belgjikë, vizitoi një grua të moshuar e cila nuk shfaqi interes për mesazhin e Mbretërisë. Meqenëse gruaja e kishte dorën të mbështjellë me fashë, Karolina dhe shoqja e saj u ofruan që ta ndihmonin, por gruaja nuk pranoi. Dy ditë më vonë të njëjtat Dëshmitare u kthyen te shtëpia e gruas dhe e pyetën se si ndihej. «Kjo ndikoi shumë,—tha Karolina.—Ajo ishte e habitur të shihte se ne ishim vërtet të interesuara për të si individ. Na ftoi brenda dhe u fillua një studim biblik.»
17 Edhe Sendi, një Dëshmitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shfaq interes personal ndaj atyre që u predikon. Ajo shikon njoftimet e lindjeve të foshnjave te një gazetë vendëse dhe pastaj i viziton prindërit e rinj e me vete ka botimin Libri im i tregimeve biblike.c Meqenëse mamaja e foshnjës zakonisht është në shtëpi dhe kënaqet t’ua tregojë vizitorëve foshnjën e saj, shpesh nis një bisedë midis tyre. Sendi shpjegon: «Flas me prindërit se sa e rëndësishme është të krijojnë një lidhje me të sapolindurin me anë të leximit. Më tej flas për sfidat e shumta që ka kur rrit një fëmijë në shoqërinë e sotme.» Kohët e fundit, si rezultat i një vizite të tillë, një nënë dhe gjashtë fëmijë filluan t’i shërbejnë Jehovait. Marrja e iniciativës dhe shfaqja e interesit personal mund të sjellë rezultate të ngjashme të gëzuara në shërbim.
18. (a) Pse kërkesa ‘për të dhënë shumë fryt’ është brenda mundësive të secilit prej nesh? (b) Cilat janë tri kërkesat për të qenë dishepuj, të përmendura tek Ungjilli i Gjonit, të cilat jemi të vendosur t’i përmbushim?
18 Sa inkurajuese është të dimë se kërkesa që ‘të vazhdojmë të japim shumë fryt’ është brenda mundësive tona! Pavarësisht nëse jemi të rinj ose të moshuar, nëse kemi shëndet të mirë ose jo, nëse predikojmë në territore të frytshme ose më pak të frytshme që të gjithë jemi në gjendje të japim shumë fryt. Në ç’mënyrë? Duke shfaqur frytet e frymës në një masë më të plotë dhe duke përhapur mesazhin e Mbretërisë së Perëndisë me anë të aftësive tona më të mira. Në të njëjtën kohë përpiqemi ‘të mbetemi në fjalën e Jezuit’ dhe ‘të kemi dashuri mes nesh’. Po, duke përmbushur këto tri kërkesa të rëndësishme për të qenë dishepuj, të cilat përmenden te Ungjilli i Gjonit, tregojmë se ‘jemi vërtet dishepuj [të Krishtit]’.—Gjoni 8:31; 13:35.
[Shënimet]
a Ndonëse degët e hardhisë në këtë ilustrim bëjnë fjalë për apostujt e Jezuit dhe për të krishterët e tjerë që do të trashëgojnë një vend në Mbretërinë qiellore të Perëndisë, ilustrimi përmban të vërteta nga të cilat mund të nxjerrin dobi të gjithë ithtarët e Krishtit sot.—Gjoni 3:16; 10:16.
b Ata që janë të ngujuar në shtëpi për shkak të moshës së thyer ose të një sëmundjeje mund të dëshmojnë me anë të letrave ose atje ku është e mundur me anë të telefonit, a ndoshta mund ta ndajnë lajmin e mirë me ata që i vizitojnë.
c Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Pyetje për rishikim
• Ç’lloj fryti duhet të japim më me bollëk?
• Pse synimi ‘për të dhënë shumë fryt’ është brenda mundësive tona?
• Cilat tri kërkesa të rëndësishme për të qenë dishepuj, të përmendura tek Ungjilli i Gjonit, kemi shqyrtuar?
[Kutia dhe figura në faqen 21]
SI ‘TË JAPIM FRYT ME QËNDRUESHMËRI’?
ÇFARË ju ndihmon që të vazhdoni të predikoni me besnikëri mesazhin e Mbretërisë në territore më pak të frytshme? Ja disa përgjigje të dobishme të kësaj pyetjeje.
«Dijenia se kemi mbështetjen e plotë të Jezuit më jep optimizëm dhe qëndrueshmëri, cilido qoftë reagimi në territor.»—Harri, 72 vjeç; i pagëzuar në vitin 1946.
«Shkrimi i 2 Korintasve 2:17 më inkurajon gjithnjë. Ai thotë se ne marrim pjesë në shërbim ‘nën shikimin e Perëndisë, bashkë me Krishtin’. Kur jam në shërbim gëzoj shoqërinë e miqve të mi më të mirë.»—Klaudioja, 43 vjeç; i pagëzuar në vitin 1974.
«Të them të vërtetën, për mua vepra e predikimit është një luftë personale. Megjithatë përjetoj vërtetësinë e fjalëve që gjenden te Psalmi 18:29: ‘Me Perëndinë tim mund të kërcej mbi një mur.’»—Gerarti, 79 vjeç; i pagëzuar në vitin 1955.
«Nëse arrij të lexoj sikur edhe një shkrim në shërbim, më kënaq fakti se zemra e dikujt është shqyrtuar nga Bibla.»—Elenora, 26 vjeçe; e pagëzuar në vitin 1989.
«Vazhdoj të provoj prezantime të ndryshme. Ka kaq shumë sa nuk do të kisha mundësi t’i përdorja për gjithë jetën.»—Pauli, 79 vjeç; i pagëzuar në vitin 1940.
«Nuk i marr si personale reagimet negative. Përpiqem të jem i lirshëm, duke biseduar me njerëzit dhe duke dëgjuar pikëpamjen e tyre.»—Danieli, 75 vjeç; i pagëzuar në vitin 1946.
«Kam takuar persona të sapopagëzuar që më kanë thënë se vepra ime e predikimit ka ndikuar që ata të bëhen Dëshmitarë. Pa dijeninë time, dikush tjetër më vonë studioi Biblën me ta dhe i ndihmoi që të bënin përparim. Më jep gëzim të di se shërbimi është një punë skuadre.»—Xhona, 66 vjeçe; e pagëzuar në vitin 1954.
Çfarë ju ndihmon që ‘të jepni fryt me qëndrueshmëri’?—Luka 8:15.
[Figurat në faqen 20]
Duke shfaqur frytet e frymës dhe duke shpallur mesazhin e Mbretërisë japim shumë fryt
[Figura në faqen 23]
Çfarë donte të thoshte Jezui kur u tha apostujve: «Vazhdoni të jepni shumë fryt.»