Të rinj: A po bëni përparim frymor?
«EDHE pse i ndiqja mbledhjet e krishtere, nuk kisha një dëshirë të fortë për t’i shërbyer Jehovait,—thotë Hideoja ndërsa mendon për kohën kur ishte në vitet e para të shkollës së mesme.—Shpesh përfytyroja sikur kisha shumë miqësi me shokët e klasës dhe kapardisesha rrugëve me një të dashur. Nuk kisha synime të qarta dhe nuk doja të bëja përparim frymor.» Ashtu si Hideoja, shumë të rinj duket sikur vetëm sa shkojnë pas rrymës, pa pasur dëshirë të arrijnë ndonjë synim të vlefshëm ose për të bërë ndopak përparim.
Nëse je i ri, ka të ngjarë që të entuziazmohesh kur merresh me sport ose me një hobi. Megjithatë kur bëhet fjalë për veprimtaritë frymore mund të mos ndihesh kështu. A mund të entuziazmohesh edhe për synimet frymore? Mendo për këto fjalë të psalmistit: «Përkujtuesi i Jehovait është i besueshëm dhe e bën të mençur njeriun e papërvojë. . . . Urdhërimi i Jehovait është i pastër dhe i bën sytë të ndriçojnë.» (Psalmi 19:7, 8, BR) Fjala e Perëndisë mund ta drejtojë «njeriun e papërvojë» që të veprojë me mençuri e ‘t’i bëjë sytë e tij të ndriçojnë’. Po, mund të jesh i tërhequr shumë pas gjërave frymore e të ngazëllohesh për to. Por, çfarë duhet të bësh për t’u ndier kështu? Nga duhet t’ia fillosh?
Ji i nxitur për t’i shërbyer Perëndisë
Së pari duhet të jesh i nxitur. Shqyrto rastin e të riut Josia, mbret i Judës. Kur në tempull u gjet libri i Ligjit të Jehovait, atij ia lexuan librin, dhe u prek thellë nga ajo që dëgjoi. Si rrjedhim «Josia zhduku tërë gjërat e neveritshme nga të gjitha vendet që u përkitnin bijve të Izraelit». (2 Kronikave 34:14-21, 33) Leximi i Fjalës së Perëndisë e shtyu Josinë që të bënte më shumë për nxitjen e adhurimit të pastër.
Edhe ti mund të kultivosh dëshirën për t’i shërbyer Jehovait, nëse rregullisht lexon Biblën dhe mediton rreth asaj që lexon. Pikërisht kjo gjë e nxiti Hideon. Ai filloi të shoqërohej nga afër me një pionier të moshuar, një Dëshmitar i Jehovait që shërben në kohë të plotë. Pionieri ishte studiues i zellshëm i Biblës dhe përpiqej t’i vinte në jetë mësimet e saj. Tejet i inkurajuar nga shembulli i pionierit, Hideoja filloi të bënte të njëjtën gjë dhe zhvilloi një dëshirë të fortë për t’i shërbyer Perëndisë dhe njerëzve. Përparimi i tij frymor bëri që të kishte një jetë të qëllimshme.
Leximi i përditshëm i Biblës mund t’i nxitë të rinjtë. Takahiroja shpjegon: «Sa herë që shkoja të flija dhe pastaj kujtohesha se nuk e kisha bërë leximin e Biblës për atë ditë, çohesha dhe e lexoja. Si rrjedhim ndieja drejtimin e Jehovait. Leximi i përditshëm i Biblës më ndihmoi shumë që të bëja përparim frymor. Me vendosmërinë për të marrë pjesë më shumë në shërbimin e Jehovait, fillova shërbimin si pionier i rregullt pak pasi mora diplomën e shkollës së mesme. Ky shërbim po më sjell shumë gëzim.»
Çfarë gjëje tjetër, përveç leximit të Biblës, mund të të ndihmojë për ta forcuar dëshirën tënde për të lëvduar Jehovain? Tomohiroja e kishte mësuar të vërtetën biblike nga mamaja. Ai thotë: «Vetëm pasi kisha studiuar tërësisht librin Jeta ka vërtet një qëllim (anglisht), në moshën 19-vjeçare, u ndjeva thellësisht i prekur nga dashuria e Jehovait dhe nga flijimi shpërblerës i Jezuit. Çmueshmëria për dashurinë e Perëndisë më nxiti të bëja më shumë në shërbimin e Jehovait.» (2 Korintasve 5:14, 15) Ashtu si Tomohiroja, shumë të rinj inkurajohen të bëjnë përparim frymor, duke vazhduar të bëjnë me zell një studim personal të Biblës.
Megjithatë, çfarë të bësh në qoftë se nuk ke ende një dëshirë të sinqertë për t’i shërbyer Jehovait? A ka ndonjë të cilit mund t’i drejtohesh për ndihmë? Apostulli Pavël shkroi: «Sepse Perëndia . . . po vepron brenda jush, me qëllim që të keni vullnet dhe të veproni.» (Filipianëve 2:13) Në rast se i lutesh Jehovait për ndihmë, ai do të të japë me bujari frymën e tij të shenjtë, e cila do të të japë forcë jo vetëm ‘për të vepruar’, por edhe ‘për të pasur vullnet’. Kjo do të thotë se fryma e shenjtë e Perëndisë do të të rritë dëshirën për të bërë më të mirën në shërbimin e Jehovait dhe do të të ndihmojë të rritesh frymësisht. Beso me çdo kusht te fuqia e Jehovait dhe forcoje zemrën!
Vër vetë synime
Pasi të jesh i vendosur për t’i shërbyer Jehovait sa më plotësisht, duhet të vësh synime personale që të bësh përparim frymor. Mana, një e re e krishterë, tha: «Vënia e synimeve ishte një ndihmë e madhe për mua. Në vend që të shkoja mbrapsht, munda të ecja përpara me guxim. Me synimet në mendje iu luta me zjarr Jehovait për drejtim dhe arrita të bëja përparim pa u shpërqendruar.»
Synimet e tua duhet të jenë realiste dhe të arritshme. Leximi i një kapitulli të Biblës çdo ditë mund të jetë një synim i arsyeshëm. Po ashtu mund të fillosh të bësh kërkime. Për ta ilustruar këtë me diçka që është në dispozicion në shqip, ti mund të studiosh cilësitë e Jehovait që trajtohen në librin T’i afrohemi Jehovait. Pa dyshim kërkimet do të të afrojnë më shumë me Jehovain dhe do të të nxitin të bësh më shumë për të. Synime të tjera të arritshme mund të jenë që të komentosh të paktën një herë gjatë çdo mbledhjeje të krishterë kur kërkohet pjesëmarrja e auditorit, të njohësh më mirë të paktën një pjesëtar të kongregacionit në çdo mbledhje dhe të mos lësh të kalojë asnjë ditë pa iu lutur Jehovait dhe pa u folur të tjerëve për të.
Po qe se nuk je regjistruar ende në Shkollën e Shërbimit Teokratik, ky mund të jetë një synim i mirë për ty. A merr pjesë në shërbim? Nëse jo mund të punosh drejt synimit për t’u bërë një lajmëtar i papagëzuar. Natyrisht hapi tjetër do të ishte të shqyrtoje seriozisht marrëdhënien me Jehovain dhe t’i kushtohesh atij. Shumë të rinj përpiqen të jetojnë në lartësinë e kushtimit që kanë bërë, duke pasur si synim shërbimin në kohë të plotë.
Edhe pse është mirë të kesh synime në jetë, ki kujdes të mos zhvillosh një frymë konkurrence. Do të gjesh më shumë gëzim në atë që bën nëse nuk e krahason veten me të tjerët.—Galatasve 5:26; 6:4.
Ndoshta mendon se je pa përvojë dhe e ke të vështirë të vësh synime të arsyeshme. Atëherë ndiq këshillën biblike: «Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve [të mençurve, BR].» (Fjalët e urta 22:17) Kërko ndihmën e prindërve ose të të krishterëve të tjerë të pjekur. Sigurisht që prindërit dhe të tjerët duhet të jenë të arsyeshëm dhe inkurajues në këtë drejtim. Nëse të rinjtë janë nën presion ngaqë po mundohen për të arritur një synim që ua kanë vënë të tjerët, kjo mund t’ua heqë gëzimin e madje mund të bëjë që të dështojë qëllimi për të cilin i kanë vënë synimet. Kjo gjë ndodhi me një vajzë, e cila tha: «Prindërit më vinin synime njëri pas tjetrit, si për shembull: të regjistrohesha në Shkollën e Shërbimit Teokratik, të merrja pjesë në shërbimin në fushë, të pagëzohesha e të bëhesha pioniere. Bëra shumë përpjekje për të arritur secilin prej tyre. Kur arrija një synim, prindërit nuk më lavdëronin, por përkundrazi më vinin një synim tjetër për të cilin duhej të përpiqesha fort. Si pasojë ndihesha gjithmonë e detyruar për të arritur synimet. Isha e sfilitur dhe nuk ndihesha e plotë.» Çfarë kishte që nuk shkonte? Të gjitha synimet ishin të vlefshme, por ato nuk i kishte vendosur ajo. Për të pasur sukses, ti duhet të kesh nxitjen e nevojshme për të marrë iniciativën që të vësh një synim për veten tënde.
Mendo për Jezu Krishtin. Kur erdhi në tokë, e dinte se çfarë priste prej tij Ati i tij, Jehovai. Bërja e vullnetit të Perëndisë për Jezuin nuk ishte vetëm një synim, por një mision për t’u përmbushur. Si e shihte Jezui caktimin e tij? Ai tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» (Gjoni 4:34) Jezui kënaqej kur bënte vullnetin e Jehovait dhe jetonte në lartësinë e asaj që priste Ati prej tij. Ishte si ushqim për Jezuin, gjente kënaqësi dhe ëndje të përfundonte veprën që pritej nga ai. (Hebrenjve 10:5-10) Edhe ti mund të gjesh kënaqësi kur ke nxitjen e duhur për të bërë atë për të cilën të inkurajojnë prindërit.
Mos u dorëzo për të bërë atë që është e shkëlqyer
Pasi të kesh një synim në mendje, puno fort për ta arritur. Galatasve 6:9 thotë: «Le të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.» Mos u mbështet vetëm në forcën ose në aftësitë e tua. Ka shumë të ngjarë që të hasësh pengesa dhe ndonjëherë madje mund të përjetosh një ndjenjë të përkohshme dështimi. Por Bibla na siguron: «Pranoje [kushtoji vëmendje, BR] në të gjitha rrugët e tua [Perëndinë] dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.» (Fjalët e urta 3:6) Jehovai do të të mbështetë, ndërsa punon fort për të arritur synimet e tua frymore.
Po, duke kultivuar dëshirën për t’i shërbyer Jehovait dhe duke rendur pas synimeve frymore, do të jesh në gjendje ta bësh ‘përparimin tënd të duket qartë për të gjithë’. (1 Timoteut 4:15) Atëherë do të gëzosh një jetë domethënëse në shërbim të Perëndisë.
[Figura në faqen 9]
Leximi i Biblës dhe meditimi rreth asaj që ke lexuar do të të nxisë për t’i shërbyer Jehovait
[Figura në faqen 10]
Jezui jetoi në lartësinë e asaj që priste Ati i tij nga ai