Pyetje nga lexuesit
A është e gabuar t’i marrësh jetën një kafshe shtëpiake që mbahet për kënaqësi, e cila është shumë e sëmurë ose e plakur?
Për shumicën e njerëzve kafshët e ndryshme janë interesante dhe u sjellin kënaqësi. Disa kafshë të zbutura, të mbajtura për kënaqësi janë shoqërues të mirë. Për shembull, qentë njihen për faktin se u binden plotësisht dhe janë shumë të lidhur pas të zotërve. Prandaj, përzemërsia që mund të kenë njerëzit për një kafshë të tillë është e kuptueshme, sidomos për një kafshë që e kanë prej vitesh.
Megjithatë jetëgjatësia e shumicës së kafshëve shtëpiake që mbahen për kënaqësi nuk është shumë e madhe. Në varësi të llojit të tyre, qentë mund të rrojnë nga 10 deri në rreth 15 vjet, e po kështu edhe macet. Kur plaken kafshët shtëpiake mund të vuajnë nga sëmundje dhe nga paaftësi që mund t’u shkaktojnë dhembje të zotërve, të cilët kujtojnë vitet kur këto kafshë ishin në moshë më të re dhe më me gjallëri. A do të ishte e gabuar t’u jepje fund vuajtjeve të tyre, t’ua merrje jetën?
Një i krishterë duhet të veprojë në harmoni me vullnetin e Perëndisë kur ka të bëjë me kafshët. Trajtimi mizor i tyre është padyshim kundër vullnetit të Perëndisë, sepse Fjala e tij thotë: «I drejti kujdeset për shpirtin e kafshës së tij shtëpiake.» (Fjalët e urta [Proverbat] 12:10, BR) Gjithsesi kjo nuk do të thotë se Perëndia i sheh kafshët njësoj si njerëzit. Kur Perëndia i krijoi njerëzit, ai tregoi se ka një dallim të qartë midis tyre dhe kafshëve. Për shembull, ai u dha njerëzve shpresën e jetës së përhershme, por nuk ua dha aspak këtë shpresë kafshëve. (Romakëve 6:23; 2 Pjetrit 2:12) Duke qenë Krijuesi, ai ka të drejtën të përcaktojë marrëdhënien e duhur mes njerëzve dhe kafshëve.
Zanafilla 1:28 na thotë se cila është kjo marrëdhënie. Perëndia u tha njerëzve të parë: «Sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.» Po ashtu Psalmi 8:6-8 thotë: «[Ti o Perëndi] vure çdo gjë nën këmbët e tij [të njeriut]! Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra, zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit.»
Perëndia e bëri të qartë se kafshët mund të përdoreshin e të vriteshin në mënyrë të përshtatshme nga njeriu. Për shembull, lëkura e tyre mund të përdorej si veshje. Pas Përmbytjes së ditëve të Noes, Perëndia u dha gjithashtu lejen njerëzve që të hanin edhe mishin e kafshëve, përveç bimëve që iu lejuan në fillim si ushqim.—Zanafilla 3:21; 4:4; 9:3.
Kjo nuk autorizon vrasjen e paarsyeshme të kafshëve për sport. Te Zanafilla 10:9 (BR), Bibla e përshkruan Nimrodin si ‘një gjahtar të fuqishëm’. Por i njëjti varg thotë se kjo gjë e vuri atë «kundër Jehovait».
Pra, edhe pse njeriu ka pushtet ndaj kafshëve, ai nuk duhet ta shpërdorojë këtë pushtet, por ta përdorë atë në harmoni me parimet e Fjalës së Perëndisë. Kjo mund të përfshijë që të mos e lërë një kafshë shtëpiake të vuajë më kot për shkak se është shumë e plakur, e plagosur rëndë ose me një sëmundje vdekjeprurëse. Në këto raste është përgjegjësi e të krishterit që të vendosë se çfarë të bëjë. Nëse vendos se do të ishte diçka e mëshirshme që të mos e linte kafshën të vazhdonte të vuante pa pasur ndonjë shpresë të arsyeshme për t’u shëruar, atëherë ai mund të zgjedhë që t’i marrë jetën.