Ka vetëm një besim të krishterë të vërtetë
JEZU KRISHTI themeloi vetëm një kishë ose kongregacion. Ai kongregacion ishte një grup frymor, një familje frymore. Me këtë duam të themi se ai ishte një grupim njerëzish të zgjedhur nga fryma e shenjtë e Perëndisë, që të gjithë të pranuar nga Perëndia si «fëmijë» të tij.—Romakëve 8:16, 17; Galatasve 3:26.
Jezui mësoi se Perëndia përdori vetëm një udhë për t’i drejtuar njerëzit drejt së vërtetës dhe jetës. Për ta ilustruar këtë fakt të rëndësishëm, Jezui e krahasoi udhën drejt jetës së përhershme me një rrugë të mirëfilltë. Ai tha: «Hyni nga porta e ngushtë; sepse e gjerë dhe me hapësirë është rruga që të çon në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nga ajo; ndërsa e ngushtë është porta dhe e ngushtë rruga që të çon në jetë, dhe pak janë ata që e gjejnë.»—Mateu 7:13, 14; Gjoni 14:6; Veprat 4:11, 12.
Një kongregacion i bashkuar
Në një fjalor, The New Dictionary of Theology, thuhet se nuk duhet ta mendojmë kongregacionin e shekullit të parë si «një shoqatë mbarëbotërore, universale dhe të organizuar, ashtu siç e kuptojmë sot kur flasim për kishën katolike». Pse jo? «Për arsyen e thjeshtë,—thuhet aty,—se një shoqatë e tillë e organizuar dhe universale nuk ekzistonte atëherë.»
Askush nuk mund ta mohojë me të drejtë faktin që kongregacioni i krishterë i hershëm nuk ngjasonte aspak me institucionet e ndërlikuara të kishave që shohim sot. Por ai ishte i organizuar. Kongregacionet e veçanta nuk vepronin të pavarura nga njëri-tjetri. Që të gjitha pranonin autoritetin e një trupi udhëheqës në Jerusalem. Ky trup, që përbëhej nga apostujt dhe disa pleq të kongregacionit të Jerusalemit, ndihmoi për të ruajtur unitetin e kongregacionit si ‘një trup i vetëm’ i Krishtit.—Efesianëve 4:4, 11-16; Veprat 15:22-31; 16:4, 5.
Çfarë ndodhi me atë kongregacion të vërtetë? A u bë ai kisha e fuqishme katolike? A u shndërrua shkallë-shkallë në sistemin e copëzuar e të shumëllojshëm të kishave protestante që shohim sot? Apo ndodhi diçka tjetër?
‘Gruri’ dhe «egjrat»
Për të gjetur përgjigjet, le të shqyrtojmë me kujdes atë që do të ndodhte, siç tha dhe vetë Jezu Krishti. Mund të habiteni po të mësoni se Jezui e priste që gjatë historisë kongregacioni i tij të bëhej i paidentifikueshëm dhe se Jezui do të lejonte që kjo situatë e trishtueshme të vazhdonte për shekuj të tërë.
Jezui e lidhi kongregacionin e tij me ‘mbretërinë e qiejve’ dhe tha: «Mbretëria e qiejve është bërë si një njeri që mbolli farë të shkëlqyer në arën e tij. Ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë e iku. Kur filizi mbiu dhe prodhoi fryt, atëherë u shfaqën edhe egjrat. Kështu, skllevërit e të zotit të shtëpisë erdhën dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të shkëlqyer në arën tënde? Si dolën vallë egjrat?’ Ai u tha: ‘Një armik, një njeri, e ka bërë këtë.’ Ata i thanë: ‘A dëshiron, pra, që të dalim e t’i mbledhim?’ Ai tha: ‘Jo, se mos duke mbledhur egjrat, bashkë me to shkulni me rrënjë edhe grurin. Lërini të rriten bashkë deri në të korrën; dhe në stinën e të korrës do t’u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në duaj për ta djegur, pastaj shkoni të mblidhni grurin në depon time.’»—Mateu 13:24-30.
Jezui shpjegoi se ai ishte «mbjellësi». ‘Fara e shkëlqyer’ përfaqësonte dishepujt e tij të vërtetë. «Armiku» i tij ishte Satana Djalli. «Egjrat» ishin të krishterët e rremë që depërtuan në kongregacionin e krishterë të hershëm. Jezui tha se do t’i linte «grurin» dhe «egjrat» që të rriteshin bashkë deri «në të korrën», e cila do të bëhej «në përfundimin e sistemit». (Mateu 13:37-43) Çfarë do të thoshte e gjithë kjo?
Kongregacioni i krishterë u korruptua
Jo shumë kohë pas vdekjes së apostujve, mësues apostatë brenda kongregacionit filluan të sundonin mbi të. Ata thanë «gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt». (Veprat 20:29, 30) Si pasojë, shumë të krishterë ‘ranë nga besimi’. Ata ‘iu kthyen tregimeve të rreme’.—1 Timoteut 4:1-3; 2 Timoteut 4:3, 4.
Në shekullin e katërt të e.s., thuhet në fjalorin The New Dictionary of Theology, «krishterimi katolik ishte bërë feja . . . zyrtare e Perandorisë Romake». Ekzistonte «një shkrirje e shoqërisë fetare me shoqërinë civile», një shkrirje e kishës me shtetin, e cila ishte krejt e kundërt me bindjet e të krishterëve të hershëm. (Gjoni 17:16; Jakovit 4:4) I njëjti burim thotë se me kalimin e kohës, e tërë struktura dhe natyra e kishës, si edhe shumë prej bindjeve të saj themelore, ndryshuan rrënjësisht «nën ndikimin e një ndërthurjeje të pazakontë dhe krejtësisht të dëmshme mes B[esëlidhjes] së V[jetër] dhe modeleve neoplatonike». Siç e parashikoi Jezu Krishti, dishepujt e tij të vërtetë nuk dalloheshin më, ndërkohë që të krishterët e rremë u përhapën shumë.
Dëgjuesit e Jezuit e dinin sa e vështirë ishte të dalloje grurin e vërtetë nga egjrat, të tilla si egjra e rëndomtë helmuese, e cila gjatë periudhës së rritjes ngjan shumë me grurin. Kështu Jezui po ilustronte se për njëfarë kohe do të ishte e vështirë të dalloje të krishterët e vërtetë nga të krishterët e rremë. Kjo nuk do të thotë që kongregacioni i krishterë nuk ekzistonte më, sepse Jezui premtoi se do të vazhdonte t’i udhëhiqte vëllezërit e tij frymorë «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit». (Mateu 28:20) Ai tha se gruri do të vazhdonte të rritej. Në të vërtetë, gjatë shekujve të krishterët e vërtetë, individualisht ose si grup, pa dyshim bënë çmos për t’iu përmbajtur mësimeve të Krishtit. Por, ata nuk përbënin më një grup ose organizatë të dukshme, që identifikohej qartë. Sigurisht që ata nuk ishin si sistemi i dukshëm fetar apostat, që gjatë gjithë historisë i solli vetëm turp dhe çnderim emrit të Jezu Krishtit.—2 Pjetrit 2:1, 2.
‘Zbulohet njeriu i paligjshmërisë’
Apostulli Pavël paratha diçka tjetër që do të karakterizonte këtë sistem fetar të rremë. Ai shkroi: «Askush të mos ju joshë në ndonjë mënyrë, sepse [dita e Jehovait] nuk do të vijë pa ardhur më parë apostazia dhe pa u zbuluar njeriu i paligjshmërisë.» (2 Selanikasve 2:2-4) Ky ‘njeri i paligjshmërisë’ nuk është askush tjetër përveç klasës së klerit, e cila e lartësoi veten duke marrë një pozitë sunduese mbi kongregacionin «e krishterë».a
Apostazia filloi në ditët e apostullit Pavël. Ajo u përhap me të shpejtë pasi vdiqën apostujt dhe ndikimi i tyre frenues nuk ishte më. Pavli tha se ajo do të karakterizohej nga ‘veprimi i Satanait me çdo vepër të fuqishme, shenja e çudira të gënjeshtërta dhe me çdo mashtrim të padrejtë’. (2 Selanikasve 2:6-12) Sa me saktësi e përshkruan kjo veprimtarinë e shumë udhëheqësve fetarë gjatë gjithë historisë!
Për të mbështetur deklaratën e tyre se katolicizmi është e vetmja fe e vërtetë, udhëheqësit katolikë thonë se peshkopët e tyre «e kanë trashëguar të drejtën si apostuj brez pas brezi, që në fillim të krishterimit». Në fakt, ky pohim nuk ka bazë historike ose biblike. Nuk ka asnjë dëshmi të besueshme që sistemi i kishave, i cili u ngrit pas vdekjes së apostujve të Jezuit, të jetë drejtuar ndonjëherë nga fryma e shenjtë e Perëndisë.—Romakëve 8:9; Galatasve 5:19-21.
E ç’të themi për kishat e tjera që lindën menjëherë pas së ashtuquajturës Reformë? A iu kthyen ato modelit të kongregacionit të krishterë të hershëm? A e përtërinë pastërtinë që kishte kongregacioni i parë i krishterë? Është e vërtetë se pas Reformës shumë njerëz të zakonshëm mund ta kishin Biblën në gjuhën e tyre. Sidoqoftë, historia tregon se këto kisha vazhduan t’u mësonin njerëzve doktrina të gabuara.b—Mateu 15:7-9.
Megjithatë vëreni këtë gjë. Jezu Krishti e paratha qartë se kongregacioni i tij i vetëm i vërtetë do të rivendosej gjatë kohës që ai e quajti përfundimi i sistemit. (Mateu 13:30, 39) Plotësimi i profecive biblike tregon se tani po jetojmë pikërisht në këtë kohë. (Mateu 24:3-35) Për këtë arsye, secili prej nesh duhet të pyesë veten: ‘Ku është kjo kishë e vetme e vërtetë?’ Ajo duhet të bëhet gjithnjë e më e identifikueshme.
Ndoshta mendoni se tashmë e keni gjetur këtë kishë ose kongregacion. Është e rëndësishme të siguroheni për këtë. Pse? Sepse, ashtu si në shekullin e parë, është e mundur të ketë vetëm një kishë të vërtetë. A keni gjetur kohë për t’u siguruar nëse kisha juaj përputhet ngushtë me modelin e lënë nga kongregacioni i krishterë i shekullit të parë dhe nëse u përmbahet me besnikëri mësimeve të Jezu Krishtit? Përse të mos e shqyrtoni këtë tani? Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë që ta bëni këtë.—Veprat 17:11.
[Shënimet]
a Informacione të mëtejshme për identitetin e ‘njeriut të paligjshmërisë’ mund të gjenden në Kullën e Rojës, 1 shkurt 1990, faqet 10-14, anglisht.
b Shih kapitullin «Reforma: Kërkimi mori një drejtim të ri» në librin Njerëzimi në kërkim të Perëndisë, faqet 306-328, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.
[Figurat në faqen 5]
Çfarë na mëson rreth kongregacionit të vërtetë ilustrimi i Jezuit për grurin dhe egjrat?
[Figurat në faqen 7]
A pasqyron kisha juaj modelin e lënë nga të krishterët e shekullit të parë, për sa i përket predikimit dhe studimit?