Mrekullitë—Të vërteta apo të trilluara?
DUKE qenë se edhe vetë ishte njeri fetar, i bënë përshtypje fjalët e shkruara mbi një makinë që kalonte atypari në të cilën thuhej: «Mrekullitë ndodhin vërtet. Mjafton të pyesësh engjëjt.» Po nuk e kishte idenë se çfarë nënkuptonin këto fjalë. A do të thoshte kjo se shoferi besonte te mrekullitë? Apo kjo ishte një shaka nga ana e tij, për të treguar se nuk besonte fare te mrekullitë ose te engjëjt?
Është interesante ajo çfarë shkruan autori gjerman Manfred Bartëll për këtë çështje: «Fjala mrekulli është një fjalë që, sapo e lexojnë, i ndan lexuesit në dy kampe kundërshtare.» Ata që u besojnë mrekullive janë të bindur se ato ndodhin, e ndoshta shpesh.a Për shembull në Greqi, thuhet se, kohët e fundit, besimtarët pretendojnë se mrekullitë ndodhin gati çdo muaj. Kjo e shtyu një peshkop të Kishës Ortodokse të thoshte: «Besimtari mundohet ta konsiderojë si Perëndinë, ashtu edhe Marinë me shenjtorët, sikur të ishin njerëz. Besimtarët nuk duhet t’i kalojnë caqet.»
Në disa vende të tjera, besimi te mrekullitë është më pak i përhapur. Sipas një sondazhi të Institutit Allensbach në Gjermani, në vitin 2002, 71 për qind e nënshtetasve i konsiderojnë mrekullitë trillime dhe jo të vërteta. Por, ndër ata nënshtetas që besojnë vërtet te mrekullitë, përfshihen edhe tri gra të cilat pretendojnë se kanë marrë një mesazh nga Virgjëresha Mari. Disa muaj pas pretendimit se u ishte shfaqur Maria bashkë me engjëjt dhe një pëllumb, gazeta gjermane Westfalenpost shkruante: «Deri tani rreth 50.000 pelegrinë, njerëz që duan të shërohen, si edhe shumë kureshtarë, kanë treguar interes të madh për vegimet që kanë parë këto gra.» Dhe pritej që një pjesë tjetër prej 10.000 vetash të dyndeshin për në fshat për të parë nëse do të rishfaqej. Dy raste të ngjashme pretendohen të kenë ndodhur edhe në vitin 1858, në Lurd të Francës dhe në vitin 1917 në Fatima të Portugalisë.
Po në fetë jo të krishtere?
Besimi te mrekullitë gjendet pothuaj në çdo fe. Një enciklopedi fetare shpjegon se nismëtarët e budizmit, të krishterimit dhe të islamizmit kishin pikëpamje të ndryshme për mrekullitë, por ajo shkruan: «Historia e mëvonshme e këtyre feve tregon në mënyrë të pagabueshme se mrekullitë dhe tregimet rreth tyre kanë luajtur një rol kyç në bindjet fetare të njeriut.» (Encyclopedia of Religion). Kjo vepër referimi thotë se «edhe vetë Buda ndonjëherë kryente mrekulli». Më vonë kur «budizmi u fut edhe në Kinë, misionarët e tij shpesh shfaqnin fuqitë e tyre mrekullibërëse».
Duke iu referuar disa mrekullive të tilla të supozuara, e njëjta enciklopedi përfundon: «Njeriu mund të mos jetë i përgatitur për të pranuar të gjitha këto tregime mrekullish që thuhen nga biografët fetarë, të krijuara pa dyshim, me qëllimin e mirë që t’i thurnin lavdi Budës i cili ishte në gjendje t’u jepte ithtarëve të tij fuqi mrekullibërëse.» Ndërsa për islamizmin thotë: «Shumica e komunitetit islamik nuk ka reshtur kurrë së pranuari mrekullitë. Muhamedi portretizohet në tradita (hadiths) si një njeri që në shumë raste ka kryer mrekulli në publik. . . . Edhe pas vdekjes, besohet se shenjtorët kryejnë mrekulli te varret e tyre dhe këtë e bëjnë në dobi të besimtarëve të cilët me devotshmëri u luten që t’i ndihmojnë.»
Ç’thonë të krishterët për mrekullitë?
Shumë nga ata që e kanë pranuar krishterimin nuk janë të të njëjtit mendim. Disa e konsiderojnë më se të vërtetë atë që tregon Bibla në lidhje me mrekullitë që kreu Jezu Krishti ose shërbëtorët e Perëndisë në kohët para krishterimit. Megjithatë shumë të krishterë, janë dakord me reformatorin protestant Martin Luter. Enciklopedia e lartpërmendur thotë për të: «Si Luteri, ashtu edhe Kalvini, shkruanin se epoka e mrekullive kishte mbaruar dhe që njerëzit nuk duhet të presin që të ndodhin ende.» Kjo vepër referimi thotë se Kisha Katolike vazhdonte t’u besonte mrekullive «pa u përpjekur për t’i shpjeguar se si ndodhnin». Megjithatë, «besimtarët akademikë protestantë filluan të besonin se krishterimi në praktikë ishte kryesisht çështje morali dhe që as Perëndia e as bota shpirtërore në të vërtetë nuk ndikonin shumë në jetën e njerëzve».
Ndërsa disa të ashtuquajtur të krishterë, përfshirë edhe klerikë, dyshojnë nëse mrekullitë e përmendura në Bibël kanë ndodhur vërtet. Le të marrim si shembull djegien e kaçubës për të cilën flitet në Bibël, tek Eksodi 3:1-5. Libri Ajo që thotë vërtet Bibla (anglisht) shpjegon se disa teologë gjermanë nuk mendojnë se kjo mrekulli ka ndodhur vërtet. Përkundrazi, ata e interpretojnë si diçka që «në mënyrë figurative simbolizon luftën e brendshme të Moisiut për shkak se e ngacmonte dhe e brente ndërgjegjja». Libri vazhdonte: «Flakët, mund të jenë dukur si lule që lulëzonin në moment nën dritën e pranisë hyjnore.»
Ky shpjegim mund të të duket jo shumë bindës. Atëherë çfarë duhet të besosh? A jemi realistë nëse besojmë se dikur kanë ndodhur mrekulli? Po për mrekullitë e ditëve të sotme, ç’mund të themi? Meqë engjëjt nuk i pyesim dot, kë mund të pyesim?
Pikëpamja e Biblës
Askush nuk mund ta mohojë që Bibla tregon se në të shkuarën Perëndia ndërhynte për të kryer vepra që për njerëzit ishin të pamundura. Për Perëndinë lexojmë: «Ti e nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me shenja dhe mrekulli, me dorë të fuqishme dhe me krah të shtrirë dhe me tmerr të madh.» (Jeremia 32:21) Imagjino, kombi më i fuqishëm i asaj kohe u poshtërua nga dhjetë plagët e dërguara nga Perëndia, përfshi këtu edhe vdekjen e të parëlindurve. Çfarë mrekullish!—Eksodi, kapitujt 7 deri 14.
Shekuj më vonë, katër shkrimtarët e ungjijve treguan për afro 35 mrekulli që kreu Jezui. Në fakt, fjalët e tyre sugjerojnë se ai kreu më tepër vepra të mbinatyrshme, sesa janë dokumentuar prej tyre. A janë këto mrekulli të vërteta apo të trilluara?b—Mateu 9:35; Luka 9:11.
Nëse Bibla është ashtu siç thotë ajo vetë, pra Fjala e Perëndisë, atëherë ke arsye të forta për t’i besuar mrekullitë që përmenden aty. Bibla shumë qartë tregon se mrekulli të tilla, si shërime, ringjallje dhe të tjera, ndodhën në të kaluarën dhe po kaq qartë shpjegon se këto lloj mrekullish nuk ndodhin më. (Shih kutinë «Pse nuk ndodhin më mrekulli si në të kaluarën?») A do të thotë kjo se ai që e pranon Biblën e konsideron të pabazë besimin te mrekullitë e ditëve të sotme? Le ta marrim përgjigjen nga artikulli vijues.
[Shënimet]
a Në këtë artikull fjala «mrekulli» ka atë kuptim që jepet edhe në një fjalor biblik: «Efekte në botën fizike që shkojnë përtej fuqive të njohura njerëzore ose natyrore dhe që i atribuohen forcave të mbinatyrshme.»
b Mund të shqyrtoni prova që tregojnë se Bibla është e besueshme. Këto prova mund t’i gjeni në librin Bibla—Fjalë e Perëndisë apo e njeriut? (anglisht), botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia në faqen 4]
PSE NUK NDODHIN MË MREKULLI SI NË TË KALUARËN?
Në Bibël përmenden disa lloj mrekullish. (Eksodi 7:19-21; 1 Mbretërve 17:1-7; 18:22-38; 2 Mbretërve 5:1-14; Mateu 8:24-27; Luka 17:11-19; Gjoni 2:1-11; 9:1-7) Shumë nga këto mrekulli shërbyen për të identifikuar Jezuin si Mesia dhe provuan se ai kishte mbështetjen e Perëndisë. Ithtarët e hershëm të Jezuit morën dhurata të mrekullueshme, si dhuratën për të folur në gjuhë të huaja dhe aftësinë për të kuptuar shprehjet e frymëzuara. (Veprat 2:5-12; 1 Korintasve 12:28-31) Këto lloj dhuratash të mrekullueshme ishin të dobishme për kongregacionin e krishterë në fillimet e tij. Përse ishin të dobishme?
Një arsye ishte se kopjet e Shkrimeve ishin të pakta. Zakonisht vetëm të pasurit kishin rrotulla ose libra të ndryshëm. Në vendet pagane, Bibla dhee Autori i saj, Jehovai, nuk njiheshin fare. Mësimet e krishtere duhej të përçoheshin gojarisht. Dhuratat e mrekullueshme nevojiteshin për të treguar se Perëndia po përdorte kongregacionin e krishterë.
Por Pavli shpjegoi se këto dhurata do të hiqeshin, kur të vinte koha që të mos ishin më të nevojshme. «Nëse ka dhurata profetizimi, do të hiqen; nëse ka gjuhë, do të pushojnë; nëse ka njohuri, do të hiqet. Sepse ne kemi njohuri të pjesshme dhe profetizojmë pjesërisht; por kur të mbërrijë ajo që është e plotë, ajo që është e pjesshme do të hiqet.»—1 Korintasve 13:8-10.
Sot, njerëzit mund të përdorin jo vetëm Biblën, por edhe treguesit biblikë e enciklopeditë. Më shumë se gjashtë milionë të krishterë të stërvitur po i ndihmojnë njerëzit që të fitojnë njohurinë për Perëndinë, që bazohet në Bibël. Kështu që, mrekullitë nuk janë më të nevojshme për të dëshmuar se Jezu Krishti është Çliruesi i caktuar nga Perëndia ose për të dhënë prova se Jehovai po i mbështet shërbëtorët e tij.