Tani është koha për të vepruar me vendosmëri!
«Deri kur do të lëkundeni mes dy mendimeve?»—1 MBRETËRVE 18:21.
1. Pse kohët tona janë kaq ndryshe nga e kaluara?
A BESON se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë? A beson edhe se profecitë e Biblës tregojnë që kohët tona janë «ditët e fundit» të botës së ligë të Satanait? (2 Timoteut 3:1) Nëse po, me siguri je dakord se tani, më tepër se kurrë, duhet vepruar me vendosmëri. Asnjëherë më parë në historinë njerëzore nuk kanë qenë në rrezik kaq shumë jetë.
2. Çfarë ndodhi në mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit, gjatë mbretërimit të Akabit?
2 Në shekullin e dhjetë p.e.s., kombi i Izraelit duhej të merrte një vendim mjaft të rëndësishëm. Kujt do t’i shërbenin? Mbreti Akab, i ndikuar nga gruaja e tij pagane, Jezebela, nxiti adhurimin e Baalit në mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit. Baali ishte një perëndi pjellorie, që mendohej se sillte shiun dhe të korra të bollshme. Shumë adhurues të Baalit ndoshta përkuleshin para një idhulli të perëndisë së tyre ose e puthnin me dorë. Që ta nxitnin Baalin t’u bekonte prodhimet dhe gjënë e gjallë, adhuruesit e tij merrnin pjesë në orgji të shthurura me prostituta tempulli. Gjithashtu, e kishin zakon të priteshin me thikë, që t’u rridhte gjak.—1 Mbretërve 18:28.
3. Si ndikoi te populli i Perëndisë adhurimi i Baalit?
3 Një grup prej rreth 7.000 izraelitësh nuk pranuan të merrnin pjesë në këtë formë idhujtare, imorale e të dhunshme adhurimi. (1 Mbretërve 19:18) Me besnikëri, ata iu përmbajtën besëlidhjes që kishin bërë me Perëndinë Jehova, dhe për këtë i përndoqën. Për shembull, mbretëresha Jezebelë vrau shumë profetë të Jehovait. (1 Mbretërve 18:4, 13) Për shkak të këtyre rrethanave sprovuese, shumica e izraelitëve praktikonin një përzierje besimesh, duke u përpjekur t’i pëlqenin edhe Jehovait, edhe Baalit. Por, për një izraelit, të largohej nga Jehovai dhe të adhuronte një perëndi të rremë, ishte apostazi. Jehovai u kishte premtuar izraelitëve se do t’i bekonte, nëse do ta donin atë dhe do t’i bindeshin urdhërimeve të tij. Megjithatë, i kishte paralajmëruar se, po të mos ‘i përkushtoheshin vetëm atij’, do të shfaroseshin.—Ligji i përtërirë 5:6-10; 28:15, 63.
4. Çfarë parathanë Jezui dhe apostujt e tij, se do të ndodhte mes të krishterëve, e si është përmbushur kjo?
4 Një situatë e ngjashme ekziston sot në të ashtuquajturin krishterim. Ata që shkojnë në kishë, thonë se janë të krishterë, por festat që bëjnë, sjellja dhe bindjet e tyre janë në kundërshtim me mësimet e Biblës. Ashtu si Jezebela, kleri i të ashtuquajturit krishterim është në krye të përndjekjes së Dëshmitarëve të Jehovait. Veç kësaj, kleri i të ashtuquajturit krishterim ka një histori të gjatë në përkrahjen e luftërave, prandaj mban përgjegjësi për vdekjen e miliona anëtarëve të kishave. Kjo përkrahje fetare e qeverive, identifikohet në Bibël si kurvëri frymore. (Zbulesa 18:2, 3) Jo vetëm kaq, por i ashtuquajturi krishterim sa vjen e bëhet më tolerant ndaj kurvërisë së mirëfilltë, madje edhe mes klerikëve. Jezu Krishti dhe apostujt e tij e kishin parathënë këtë apostazi të madhe. (Mateu 13:36-43; Veprat 20:29, 30; 2 Pjetrit 2:1, 2) Cili do të jetë përfundimi për ata mbi një miliard njerëz që janë pjesë e të ashtuquajturit krishterim? E çfarë detyrimi kanë adhuruesit e vërtetë të Jehovait ndaj këtyre, si dhe ndaj gjithë të tjerëve që janë mashtruar nga feja e rreme? Do të marrim një përgjigje të qartë për këto pyetje, duke shqyrtuar ngjarjet dramatike që çuan ‘në shfarosjen e Baalit nga Izraeli’.—2 Mbretërve 10:28.
Dashuria e Perëndisë për popullin e tij rebel
5. Si tregoi Jehovai interesim të dashur për popullin e tij rebel?
5 Perëndia Jehova nuk kënaqet duke ndëshkuar ata që tregohen jobesnikë ndaj tij. Si një Atë i dashur, ai dëshiron që të ligjtë të pendohen dhe të kthehen tek ai. (Ezekieli 18:32; 2 Pjetrit 3:9) Si provë e kësaj, në kohën e Akabit dhe Jezebelës, Jehovai dërgoi shumë profetë për ta paralajmëruar popullin lidhur me pasojat e adhurimit të Baalit. Një nga këta ishte Elija. Pas një thatësire shkretuese, e cila ishte njoftuar që më përpara, Elija i tha mbretit Akab që t’i mblidhte në malin Karmel izraelitët dhe profetët e Baalit.—1 Mbretërve 18:1, 19.
6, 7. (a) Si e nxori në shesh Elija shkakun e vërtetë të apostazisë së Izraelit? (b) Çfarë bënë profetët e Baalit? (c) Çfarë bëri Elija?
6 Mbledhja u bë në vendin ku kishte qenë një altar i Jehovait, i cili «ishte shembur», me siguri për të kënaqur Jezebelën. (1 Mbretërve 18:30) Mjerisht, izraelitët që u mblodhën aty, nuk ishin të sigurt se kush ishte vërtet në gjendje të sillte shiun aq të dëshiruar: Jehovai apo Baali. Baalin e përfaqësonin 450 profetë, kurse Jehovain e përfaqësonte vetëm një profet, Elija. Duke nxjerrë në pah shkakun e problemit të tyre, Elija e pyeti popullin: «Deri kur do të lëkundeni mes dy mendimeve?» Pastaj, ua parashtroi edhe më troç çështjen: «Në qoftë Jehovai Perëndia i vërtetë, ndiqeni, por në qoftë Baali, ndiqni atë.» Që t’i nxiste izraelitët e pavendosur t’i përkushtoheshin vetëm Jehovait, Elija propozoi një provë për të parë kush ishte Perëndia i vërtetë. Do të thereshin dy dema si flijim, një për Jehovain dhe një për Baalin. Ai që do të ishte Perëndia i vërtetë, do ta përpinte me zjarr flijimin e vet. Profetët e Baalit e bënë gati flijimin dhe pastaj, për orë të tëra, thirrën: «O Baal, na u përgjigj!» Kur Elija filloi t’i tallte, nisën të priteshin derisa u doli gjak, dhe bërtitnin me sa u hante zëri. Por, asnjë përgjigje!—1 Mbretërve 18:21, 26-29.
7 Tani i erdhi radha Elijas. Në fillim rindërtoi altarin e Jehovait dhe i vuri sipër copat e demit të ri. Pastaj urdhëroi që, mbi flinë, të derdheshin katër qypa të mëdhenj me ujë. Kjo u përsërit tri herë, derisa hendeku përqark altarit u mbush plot me ujë. Pastaj, Elija u lut: «O Jehova, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, le ta marrin vesh sot se ti je Perëndi në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se gjithë këto gjëra i kam bërë sipas fjalës sate! Përgjigjmu, O Jehova, përgjigjmu, që ky popull ta dijë se ti, o Jehova, je Perëndia i vërtetë dhe se ti e ke kthyer zemrën e tyre!»—1 Mbretërve 18:30-37.
8. Si iu përgjigj Perëndia lutjes së Elijas, e si veproi më pas profeti?
8 Perëndia i vërtetë u përgjigj duke dërguar një zjarr nga qielli që përpiu blatimin dhe altarin. Madje, zjarri përpiu edhe ujin në hendekun përreth altarit! Përfytyro si duhet të kenë mbetur izraelitët. «Menjëherë u përkulën me fytyrë përdhe dhe thanë: ‘Jehovai është Perëndia i vërtetë! Jehovai është Perëndia i vërtetë!’» Atëherë Elija veproi me vendosmëri, duke i urdhëruar izraelitët: «Kapini profetët e Baalit! Mos lini të shpëtojë as edhe një prej tyre!» Të 450 profetët e Baalit u ekzekutuan rrëzë malit Karmel.—1 Mbretërve 18:38-40.
9. Si u vunë prapë në provë adhuruesit e vërtetë?
9 Atë ditë të paharrueshme, Jehovai bëri që të binte shi mbi tokë, për herë të parë pas tre vjetësh e gjysmë! (Jakovi 5:17, 18) Mund ta imagjinosh sa duhet të kenë folur me njëri-tjetrin izraelitët, ndërsa ktheheshin në shtëpi. Jehovai kishte treguar epërsinë e tij si Perëndi. Mirëpo, adhuruesit e Baalit nuk u dorëzuan. Jezebela e vazhdoi fushatën e përndjekjes së shërbëtorëve të Jehovait. (1 Mbretërve 19:1, 2; 21:11-16) Kështu, integriteti i popullit të Perëndisë u vu përsëri në provë. A do të ishin duke iu përkushtuar vetëm Jehovait, kur të vinte dita e tij për të gjykuar adhuruesit e Baalit?
Vepro me vendosmëri tani!
10. (a) Çfarë kanë bërë në kohët e sotme të krishterët e mirosur? (b) Ç’do të thotë t’i bindesh urdhrit që gjendet te Zbulesa 18:4?
10 Në kohët e sotme, të krishterët e mirosur kanë bërë një vepër të ngjashme me veprën e Elijas. Me fjalë e me materiale të shtypura, ata kanë paralajmëruar njerëzit e çdo kombi, në të ashtuquajturin krishterim dhe jashtë tij, për rrezikun e fesë së rreme. Rrjedhimisht, miliona veta kanë vepruar me vendosmëri dhe kanë ndërprerë anëtarësinë në fenë e rreme. Ia kanë kushtuar jetën Jehovait dhe janë bërë dishepuj të pagëzuar të Jezu Krishtit. Po, ia kanë vënë veshin thirrjes urgjente të Perëndisë, për sa i përket fesë së rreme: «Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni nga plagët e saj.»—Zbulesa 18:4.
11. Çfarë duhet për të pasur miratimin e Jehovait?
11 Miliona të tjerë, edhe pse e pëlqejnë mesazhin biblik që përhapin Dëshmitarët e Jehovait, ende janë të pasigurt se çfarë duhet të bëjnë. Disa prej tyre, nganjëherë vijnë në mbledhjet e krishtere, si Darka e Zotërisë ose në ndonjë sesion të kongresit krahinor. I nxitim të gjithë këta që t’i shqyrtojnë me kujdes fjalët e Elijas: «Deri kur do të jeni kështu, as në qiell, as në tokë?» (1 Mbretërve 18:21, New English Bible) Në vend që t’i zvarritin gjërat, ata duhet të veprojnë me vendosmëri tani, dhe të punojnë me zell që të bëhen adhurues të kushtuar e të pagëzuar të Jehovait. Është në lojë shpresa e tyre për jetën e përhershme!—2 Selanikasve 1:6-9.
12. Në cilën gjendje të rrezikshme kanë rënë disa të krishterë të pagëzuar, e çfarë duhet të bëjnë?
12 Mjerisht, disa të krishterë të pagëzuar janë bërë të parregullt ose joaktivë në adhurim. (Hebrenjve 10:23-25; 13:15, 16) Disave u është ftohur zelli nga frika e përndjekjes, nga ankthet e sigurimit të jetesës, nga përpjekjet për t’u pasuruar ose nga rendja pas kënaqësive egoiste. Jezui paralajmëroi se këto gjëra do t’i pengonin, do t’i mbytnin e do t’i futnin në kurth disa nga ithtarët e tij. (Mateu 10:28-33; 13:20-22; Luka 12:22-31; 21:34-36) Në vend që ‘të jenë të lëkundur mes dy mendimeve’, këta duhet ‘të jenë të zellshëm e të pendohen’, duke vepruar me vendosmëri për të përmbushur kushtimin që i kanë bërë Perëndisë.—Zbulesa 3:15-19.
Fundi i papritur i fesë së rreme
13. Përshkruaj situatën në Izrael kur Jehu u miros si mbret.
13 Arsyeja pse është urgjente që njerëzit të veprojnë me vendosmëri tani, shihet në atë që ndodhi në Izrael rreth 18 vjet pasi në malin Karmel ishte qartësuar se kush ishte Perëndia i vërtetë. Dita e gjykimit të Jehovait kundër adhurimit të Baalit erdhi papritur e papandehur gjatë shërbimit të Eliseut, profetit që pasoi Elijan. Në Izrael sundonte Jerohami, i biri i mbretit Akab, dhe Jezebela ishte ende nëna mbretëreshë. Pa bujë, Eliseu dërgoi ndihmësin e tij që të miroste si mbret të ri Jehun, kreun e ushtrisë së Izraelit. Në atë kohë, Jehu ndodhej në bregun lindor të Jordanit, në Ramot-Galaad, duke drejtuar luftën kundër armiqve të Izraelit. Mbreti Jehoram ishte në Jezreel, në luginën pranë Megidos, duke marrë veten nga një plagë që kishte marrë në betejë.—2 Mbretërve 8:29–9:4.
14, 15. Cilën detyrë mori Jehu dhe si reagoi?
14 Ja çfarë i urdhëroi Jehovai Jehut: «Godite shtëpinë e Akabit, zotërisë tënd, dhe unë do të hakmerrem ndaj Jezebelës për gjakun e shërbëtorëve të mi, profetëve, si dhe për gjakun e gjithë shërbëtorëve të Jehovait. Tërë shtëpia e Akabit do të zhduket. . . . Jezebelën do ta hanë qentë në pjesën e tokës së Jezreelit, dhe s’ka për ta varrosur njeri.»—2 Mbretërve 9:7-10.
15 Jehu ishte njeri i vendosur. Pa vonesë, ai hipi në karrocën e tij dhe u nis vrik drejt Jezreelit. Një rojë në Jezreel e dalloi Jehun nga mënyra si e ngiste karrocën dhe i raportoi mbretit Jehoram. Me ta marrë vesh, Jehorami mori karrocën dhe i doli përpara kreut të ushtrisë së tij. Kur u takuan, Jehorami e pyeti: «A vjen në paqe, Jehu?» Ai iu përgjigj: «Ç’paqe mund të ketë përderisa vazhdojnë kurvëritë e Jezebelës, nënës sate, dhe shtrigëritë e saj të shumta?» Pastaj, pa i lënë kohë mbretit Jehoram të ikte, Jehu nxori harkun dhe e goditi Jehoramin me një shigjetë në zemër, duke e lënë të vdekur.—2 Mbretërve 9:20-24.
16. (a) Cilën situatë hasën papritur zyrtarët e oborrit të Jezebelës? (b) Si u përmbushën fjalët që kishte thënë Jehovai për Jezebelën?
16 Pa humbur kohë, Jehu u nis me karrocë për në qytet. Që nga dritarja, Jezebela, e cila kishte bërë tualet të rëndë, iu drejtua Jehut me fjalë kërcënuese. Por ai e shpërfilli dhe kërkoi përkrahje: «Kush është me mua? Kush?» Tani shërbëtorët e Jezebelës duhej të vepronin me vendosmëri. Dy-tre oborrtarë nxorën kokën në dritare. Menjëherë, besnikëria e tyre u vu në provë. «Hidheni poshtë!»—urdhëroi Jehu. Zyrtarët e hodhën Jezebelën poshtë në rrugë, ku e shtypën kuajt dhe karroca e Jehut. Kështu, nxitësja e adhurimit të Baalit në Izrael përfundoi siç e meritonte. S’pati kohë as për ta varrosur, sepse mishin ia kishin ngrënë qentë, pikërisht siç ishte parathënë.—2 Mbretërve 9:30-37.
17. Për cilën ngjarje të ardhme duhet të na forcohet besimi, kur lexojmë për gjykimin e Perëndisë mbi Jezebelën?
17 Një fund i tillë tronditës do t’i vijë prostitutës simbolike që mban emrin «Babilonia e Madhe». Prostituta përfaqëson fetë e rreme të botës së Satanait, që e kanë origjinën nga qyteti i lashtë i Babilonisë. Pasi t’i vijë fundi fesë së rreme, Perëndia Jehova do ta drejtojë vëmendjen te të gjithë njerëzit që përbëjnë pjesët jofetare të botës së Satanait. Edhe këta do të shkatërrohen, duke përgatitur kështu rrugën për një botë të re e të drejtë.—Zbulesa 17:3-6; 19:19-21; 21:1-4.
18. Çfarë ndodhi me adhuruesit e Baalit në Izrael, pas vdekjes së Jezebelës?
18 Pas vdekjes së Jezebelës, mbreti Jehu nuk humbi kohë, por i ekzekutoi tërë pasardhësit dhe përkrahësit kryesorë të Akabit. (2 Mbretërve 10:11) Mirëpo, në vend mbetën shumë izraelitë që adhuronin Baalin. Edhe ndaj tyre, Jehu ndërmori veprime vendimtare, për të treguar se ‘nuk lejonte asgjë që të matej me Jehovain’. (2 Mbretërve 10:16) Duke u shtirur si adhurues i Baalit, Jehu organizoi një festë të madhe në tempullin e Baalit që kishte ngritur Akabi në Samari. Të gjithë adhuruesit e Baalit në Izrael, vajtën në këtë festë. Të zënë në kurth brenda në tempull, ata u vranë të gjithë nga njerëzit e Jehut. Bibla e mbyll tregimin me këto fjalë: «Kështu Jehu e shfarosi Baalin nga Izraeli.»—2 Mbretërve 10:18-28.
19. Cila e ardhme madhështore e pret ‘shumicën e madhe’ të adhuruesve besnikë të Jehovait?
19 Adhurimi i Baalit u çrrënjos nga Izraeli. Po kaq e sigurt është se fetë e rreme të kësaj bote do të kenë një fund të papritur e tronditës. Në cilën anë do të jesh, gjatë asaj dite të madhe gjykimi? Vepro me vendosmëri tani dhe mund të kesh privilegjin të përfshihesh në ‘shumicën e madhe’ të njerëzve që do të mbijetojnë në ‘shtrëngimin e madh’. Atëherë do të kesh mundësi të shohësh pas me gëzim dhe do ta lavdërosh Perëndinë që ekzekutoi gjykimin mbi «prostitutën e madhe, e cila e korruptoi tokën me kurvërimin e saj». Bashkë me adhuruesit e tjerë të vërtetë, do të jesh dakord me fjalët e bukura që thonë zërat qiellorë ndërsa këndojnë: «Lëvdoni Jah, sepse Jehovai, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi, ka nisur të mbretërojë!»—Zbulesa 7:9, 10, 14; 19:1, 2, 6.
Pyetje për meditim
• Si u bë Izraeli i lashtë fajtor për adhurimin e Baalit?
• Cilën apostazi të madhe paratha Bibla, e si është përmbushur kjo profeci?
• Si e çrrënjosi Jehu adhurimin e Baalit?
• Ç’duhet të bëjmë për të mbijetuar në ditën e gjykimit të Perëndisë?
[Harta në faqen 25]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Sokoh
Afek
Helkat
Jokneam
Megido
Tanak
Dotan
SAMARI
En-Dor
Shunem
Ofrah
Jezreel
Ibleam (Gath-Rimon)
Tirzah
Beth-Shemesh
Beth-Shean (Beth-Shan)
Jabesh-Galaad?
Abel-Meholah
Shtëpia e Arbelit
Ramot-Galaad
Kreshta malore
M. Karmel
M. Tabor
Moreh
M. Gilboa
[Masa ujore]
Deti Mesdhe
Deti i Galilesë
[Lumi]
Lumi Jordan
[Burimi dhe pusi]
Pusi i Harodit
[Burimi]
Bazuar në hartat me të drejta të rezervuara të Pictorial Archive (Near Eastern History) Est. and Survey of Israel
[Figurat në faqen 26]
Pjesëmarrja e rregullt në predikimin për Mbretërinë dhe ndjekja e mbledhjeve të krishtere janë aspekte thelbësore të adhurimit të vërtetë
[Figura në faqet 28, 29]
Ashtu si Jehu, të gjithë ata që duan të mbijetojnë në ditën e Jehovait, duhet të veprojnë me vendosmëri