Të zhvillojmë cilësitë e duhura për të bërë dishepuj
«Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.»—MATEU 28:19.
1. Çfarë aftësish dhe cilësish u është dashur të kenë disa shërbëtorë të Perëndisë në të kaluarën?
NGANJËHERË shërbëtorëve të Jehovait u duhet të zhvillojnë aftësi dhe cilësi që do t’i ndihmojnë të bëjnë vullnetin e tij. Për shembull, me urdhër të Perëndisë, Abrahami dhe Sara u larguan nga qyteti i begatë i Urit e iu desh të zhvillonin cilësitë dhe aftësitë e duhura për të banuar në tenda. (Hebrenjve 11:8, 9, 15) Josiut i duhej të kishte guxim, besim te Jehovai dhe njohuri për Ligjin, që t’i udhëhiqte izraelitët në Tokën e Premtuar. (Josiu 1:7-9) Edhe Bezaleli me Oholiabin mund të kishin disa aftësi. Por me siguri fryma e Perëndisë i ndihmoi që t’i zhvillonin më tej ato, me qëllim që të mbikëqyrnin dhe të merrnin pjesë edhe vetë në ndërtimin e tabernakullit e në punën që lidhej me të.—Dalja 31:1-11.
2. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?
2 Shekuj më vonë, Jezu Krishti u dha këtë detyrë dishepujve të tij: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet . . . dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Asnjëherë më parë njerëzve nuk u ishte dhënë privilegji që të bënin diçka të tillë. Por, çfarë cilësish nevojiten për të bërë dishepuj? Si t’i zhvillojmë këto cilësi?
Të tregojmë dashuri të thellë për Perëndinë
3. Ç’mundësi na jep urdhri për të bërë dishepuj?
3 Që të shkojmë te njerëzit e të përpiqemi t’i bindim që të adhurojnë Perëndinë e vërtetë, duhet të kemi dashuri të thellë për Jehovain. Izraelitët mund ta tregonin dashurinë për Perëndinë duke iu bindur me gjithë zemër urdhërimeve të tij, duke paraqitur flijime të pranueshme dhe duke i thurur lavdi me këngë. (Ligji i përtërirë 10:12, 13; 30:19, 20; Psalmi 21:13; 96:1, 2; 138:5) Edhe ne që i ndihmojmë të tjerët të bëhen dishepuj, i zbatojmë ligjet e Perëndisë, megjithatë, e shprehim dashurinë për Jehovain edhe duke u folur të tjerëve për të e për qëllimet e tij. Duhet të flasim me bindje, duke zgjedhur fjalët e duhura për të shprehur ndjenjat e përzemërta për shpresën që na ka dhënë Perëndia.—1 Selanikasve 1:5; 1 Pjetrit 3:15.
4. Pse Jezui kënaqej duke u mësuar njerëzve për Jehovain?
4 Jezui kishte dashuri të thellë për Jehovain, prandaj gjente shumë kënaqësi duke folur për qëllimet e Tij, për Mbretërinë dhe për adhurimin e vërtetë. (Luka 8:1; Gjoni 4:23, 24, 31) Në fakt, Jezui tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» (Gjoni 4:34) Për Jezuin zbatohen fjalët që tha psalmisti: «O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd, dhe ligji yt është thellë brenda meje. Unë e kam shpallur lajmin e mirë për drejtësinë në kongregacionin e madh dhe buzët nuk i ndal. Ti e di mirë këtë, o Jehova!»—Psalmi 40:8, 9; Hebrenjve 10:7-10.
5, 6. Cila është cilësia kryesore që u duhet atyre që duan të bëjnë dishepuj?
5 Ngaqë motivohen nga dashuria për Perëndinë, ata që sapo mësojnë të vërtetën e Biblës nganjëherë flasin me kaq bindje për Të dhe për Mbretërinë, saqë janë shumë të efektshëm për t’i bindur të tjerët që të shqyrtojnë Shkrimet. (Gjoni 1:41) Dashuria për Perëndinë është faktori kryesor që na nxit të marrim pjesë në veprën e bërjes së dishepujve. Prandaj, le ta mbajmë gjallë këtë dashuri duke lexuar rregullisht Fjalën e tij dhe duke medituar rreth saj.—1 Timoteut 4:6, 15; Zbulesa 2:4.
6 S’ka dyshim se dashuria për Jehovain e ndihmoi Jezu Krishtin të ishte mësues i zellshëm. Por kjo nuk ishte arsyeja e vetme pse Jezui ishte i efektshëm si lajmëtar i Mbretërisë. Cila është, atëherë, një cilësi tjetër që e bëri të suksesshëm për të bërë dishepuj?
Të tregojmë interesim të dashur për njerëzit
7, 8. Çfarë ndiente Jezui për njerëzit?
7 Jezui interesohej thellësisht për njerëzit dhe e tregonte këtë me gjithë zemër. Edhe gjatë ekzistencës paranjerëzore si ‘kryemjeshtri’ i Perëndisë, ai i kishte për zemër gjërat që kishin lidhje me njerëzimin. (Proverbat 8:30, 31) Kur ishte në tokë si njeri, Jezui ndiente dhembshuri për njerëzit dhe u freskonte shpirtin atyre që vinin tek ai. (Mateu 11:28-30) Jezui pasqyronte dashurinë dhe dhembshurinë që kishte vetë Jehovai, dhe kjo i tërhiqte njerëzit drejt adhurimit të të vetmit Perëndi të vërtetë. Jezuin e dëgjonin njerëz të çdo lloji, sepse interesohej me dashuri për ta e për rrethanat e tyre.—Luka 7:36-50; 18:15-17; 19:1-10.
8 Kur një njeri e pyeti se ç’duhej të bënte për të trashëguar jetën e përhershme, ‘Jezui e vështroi dhe ndjeu dashuri për të’. (Marku 10:17-21) Në Betani, Jezui mësoi disa njerëz, për të cilët lexojmë: «Jezui e donte Martën, motrën e saj dhe Lazarin.» (Gjoni 11:1, 5) Kaq shumë interesohej ai për njerëzit, saqë, për t’i mësuar, hoqi dorë nga pushimi për të cilin kishte nevojë. (Marku 6:30-34) Ky interesim i thellë e i dashur për të tjerët e bëri Jezuin më të efektshëm se kushdo tjetër për t’i tërhequr njerëzit drejt adhurimit të vërtetë.
9. Ç’qëndrim kishte Pavli ndaj njerëzve që u predikonte?
9 Edhe apostulli Pavël interesohej thellësisht për njerëzit të cilëve u predikonte. Për shembull, atyre që ishin bërë të krishterë në Selanik, u tha: «Nga përzemërsia e butë për ju, ne patëm kënaqësinë t’ju jepnim jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtrat tanë, sepse na u bëtë të dashur.» Falë përpjekjeve të dashura të Pavlit, disa në Selanik ‘u kthyen nga idhujt te Perëndia, për të shërbyer si skllevër të një Perëndie të gjallë’. (1 Selanikasve 1:9; 2:8) Në qoftë se interesohemi sinqerisht për të tjerët, siç interesoheshin Jezui dhe Pavli, edhe ne mund të ndiejmë gëzimin që vjen kur lajmi i mirë u prek zemrën atyre që janë «të prirur për jetën e përhershme».—Veprat 13:48.
Të kemi frymën e vetëmohimit
10, 11. Pse na duhet fryma e vetëmohimit kur përpiqemi të bëjmë dishepuj?
10 Ata që janë të efektshëm për të bërë dishepuj, kanë frymën e vetëmohimit. Sigurisht që për ta gjëja kryesore nuk është të bëhen të pasur. Në fakt, Jezui u tha dishepujve të tij: «Sa e vështirë do të jetë për ata që kanë para të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!» Kjo i habiti dishepujt, por Jezui shtoi: «Sa e vështirë është, o bij, të hysh në mbretërinë e Perëndisë! Është më e lehtë që të kalojë një deve nëpër një vrimë gjilpëre, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë.» (Marku 10:23-25) Jezui i këshilloi dishepujt të bënin një jetë të thjeshtë, me qëllim që të përqendroheshin në veprën e bërjes së dishepujve. (Mateu 6:22-24, 33) Pse na ndihmon fryma e vetëmohimit që të bëjmë dishepuj?
11 Duhen përpjekje për t’u mësuar të tjerëve të gjitha gjërat që ka urdhëruar Jezui. Në përgjithësi, ata që duan të bëjnë dishepuj, çdo javë përpiqen të drejtojnë një studim biblik me dikë që është i interesuar. Që të kenë më shumë mundësi për të gjetur njerëz të sinqertë, disa lajmëtarë kanë lënë punën me orar të plotë dhe kanë gjetur punë me orar të shkurtuar. Mijëra të krishterë kanë mësuar një gjuhë të huaj, për t’i predikuar një grupi tjetër etnik në zonën e tyre. Disa të tjerë janë transferuar në një zonë ose në një shtet tjetër, për të marrë pjesë sa më plotësisht në veprën e korrjes. (Mateu 9:37, 38) E gjithë kjo kërkon frymën e vetëmohimit. Por, që të jemi të efektshëm për të bërë dishepuj, duhet edhe diçka tjetër.
Të jemi të duruar, por pa humbur kohë kot
12, 13. Pse është kaq i rëndësishëm durimi për të bërë dishepuj?
12 Durimi është një cilësi tjetër që na ndihmon të bëjmë dishepuj. Mesazhi që u çojmë njerëzve kërkon të veprojmë me urgjencë, por shpesh duhet mjaft kohë dhe durim për të bërë dishepuj. (1 Korintasve 7:29) Jezui s’ishte i paduruar me Jakovin, vëllanë e tij nga nëna. Edhe pse me sa duket e njihte mirë veprën e Jezuit, për njëfarë kohe diçka e pengonte Jakovin që të bëhej dishepull. (Gjoni 7:5) Por, me sa duket, gjatë periudhës së shkurtër midis vdekjes së Krishtit dhe festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jakovi u bë dishepull. Në fakt Shkrimet lënë të kuptohet se mblidhej për t’u lutur bashkë me nënën e tij, vëllezërit dhe apostujt e tjerë. (Veprat 1:13, 14) Jakovi bëri një përparim të shkëlqyer dhe më vonë mbajti mbi supe përgjegjësi të mëdha në kongregacionin e krishterë.—Veprat 15:13; 1 Korintasve 15:7.
13 Ashtu si bujqit, edhe të krishterët shpesh kultivojnë gjëra që rriten ngadalë, siç është kuptueshmëria për Fjalën e Perëndisë, dashuria për Jehovain dhe fryma e krishterë. Kjo gjë kërkon durim. Jakovi shkroi: «Tregoni . . . durim, vëllezër, deri në praninë e Zotërisë. Ja, bujku vazhdon të presë me durim frytin e çmuar të tokës, derisa të vijë shiu i parë dhe shiu i fundit. Edhe ju tregoni durim. Bëjini të patundura zemrat tuaja, sepse prania e Zotërisë është afruar.» (Jakovi 5:7, 8) Jakovi po i nxiste bashkëbesimtarët ‘të tregonin durim deri në praninë e Zotërisë’. Në qoftë se dishepujt s’kuptonin diçka, me durim Jezui ua shpjegonte ose ua ilustronte. (Mateu 13:10-23; Luka 19:11; 21:7; Veprat 1:6-8) Tani që Zotëria është i pranishëm, edhe neve na duhet një durim i ngjashëm teksa përpiqemi të bëjmë dishepuj. Ata që bëhen dishepuj të Jezuit në kohën tonë, duhet t’i mësojmë me durim.—Gjoni 14:9.
14. Edhe pse jemi të duruar, si ta përdorim me mençuri kohën për të bërë dishepuj?
14 Edhe pse jemi të duruar, fjala nuk jep fryt te pjesa më e madhe e njerëzve me të cilët nisim të studiojmë Biblën. (Mateu 13:18-23) Prandaj, pasi kemi bërë përpjekje të arsyeshme për t’i ndihmuar, me mençuri nuk harxhojmë më kohë me këta individë, por kërkojmë ata që ka më shumë mundësi ta vlerësojnë të vërtetën e Biblës. (Eklisiastiu 3:1, 6) Natyrisht, edhe njerëzit që kanë vlerësim për të vërtetën, mund të kenë nevojë për ndihmë të mëtejshme që të ndryshojnë pikëpamjet, qëndrimet dhe përparësitë e tyre në jetë. Prandaj tregohemi të duruar, siç ishte i duruar Jezui me dishepujt që e kishin të vështirë të zhvillonin qëndrimin e duhur.—Marku 9:33-37; 10:35-45.
Të zhvillojmë artin e mësimdhënies
15, 16. Pse janë të rëndësishme thjeshtësia dhe përgatitja e mirë, kur bëjmë dishepuj?
15 Dashuria për Perëndinë, interesimi i thellë për njerëzit, fryma e vetëmohimit dhe durimi janë cilësi të rëndësishme për të pasur sukses në bërjen e dishepujve. Duhet të zhvillojmë edhe aftësitë e mësimdhënies, sepse ato na ndihmojnë t’i shpjegojmë gjërat me qartësi e thjeshtësi. Për shembull, shumë thënie të Mësuesit të Madh, Jezu Krishtit, ishin shumë të fuqishme pikërisht sepse ishin të thjeshta. Me siguri ju kujtohen thënie të Jezuit, si: «Grumbulloni thesare në qiell.» «Mos u jepni qenve atë që është e shenjtë.» «Mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta.» «Paguajini . . . Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» (Mateu 6:20; 7:6; 11:19; 22:21) Natyrisht, Jezui nuk thoshte vetëm pohime të shkurtra. Ai mësonte qartë dhe i shpjegonte gjërat kur kjo ishte e përshtatshme. Si mund ta imitojmë mënyrën e të mësuarit të Jezuit?
16 Çelësi për të mësuar thjesht e qartë, është përgatitja e kujdesshme. Lajmëtari që s’është përgatitur, ka prirjen të flasë tepër. Si të thuash, mund t’i mbytë fare pikat kryesore në një lumë fjalësh, duke thënë gjithçka që di për atë temë. Kurse lajmëtari që është përgatitur mirë, mendon për studentin, mediton për argumentin dhe paraqet me qartësi vetëm atë që nevojitet. (Proverbat 15:28; 1 Korintasve 2:1, 2) Ai ka parasysh sa di tashmë studenti dhe cilat pika duhen theksuar gjatë studimit. Lajmëtari mund të dijë shumë hollësi interesante për atë temë, por qartësia vjen kur heq ato informacione që nuk janë të nevojshme.
17. Si mund t’i ndihmojmë njerëzit që të arsyetojnë nga Shkrimet?
17 Jezui gjithashtu i ndihmoi njerëzit të arsyetonin, në vend që thjesht t’u jepte fakte. Një herë, për shembull, e pyeti Simon Pjetrin: «Ç’mendon ti, Simon? Nga cilët i marrin mbretërit e tokës tatimet ose haraçet për kokë? Nga bijtë e tyre apo nga të huajt?» (Mateu 17:25) Ndoshta neve na pëlqen kaq shumë ta shpjegojmë Biblën, saqë na duhet vetëkontroll për ta lënë studentin të shprehet ose ta shpjegojë çështjen që po diskutojmë gjatë studimit. Kuptohet, nuk duhet t’i mbytim me pyetje njerëzit. Por, me takt, me ilustrime të mira dhe me pyetje të menduara mirë, mund t’i ndihmojmë të kuptojnë temat biblike që janë në botimet tona.
18. Çfarë përfshin zhvillimi i ‘artit të mësimdhënies’?
18 Shkrimet flasin për ‘artin e mësimdhënies’. (2 Timoteut 4:2; Titit 1:9) Kjo aftësi mësimdhënieje përfshin shumë më tepër sesa thjesht ta ndihmojmë dikë që të mësojë përmendësh disa fakte. Duhet të përpiqemi ta ndihmojmë studentin e Biblës të kuptojë dallimin mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, mes së mirës dhe së keqes, mes mençurisë dhe marrëzisë. Duke bërë këtë e duke u përpjekur të zhvillojmë në zemrën e tij dashurinë për Jehovain, ai mund të arrijë të kuptojë pse duhet t’i bindet Atij.
Të marrim pjesë me zell në veprën e bërjes së dishepujve
19. Si japin ndihmën e tyre të gjithë të krishterët për të bërë dishepuj?
19 Kongregacioni i krishterë është një organizatë që bën dishepuj. Kur dikush bëhet dishepull, Dëshmitari i Jehovait që e ka gjetur dhe e ka ndihmuar të mësojë rreth Biblës, nuk është i vetmi që ka arsye për të gëzuar. Në rast se humb një fëmijë dhe njerëzit organizohen për ta kërkuar, faktikisht, ndoshta vetëm njëri e gjen. Por, kur fëmija bashkohet me prindërit, gëzojnë të gjithë ata që morën pjesë për ta kërkuar. (Luka 15:6, 7) Po kështu, vepra e bërjes së dishepujve është një punë në skuadër. Të gjithë të krishterët marrin pjesë për të kërkuar ata që mund të bëhen dishepuj të Jezuit. Kur dikush nis të ndjekë mbledhjet në Sallën e Mbretërisë, çdo i krishterë që është i pranishëm bën pjesën e tij për t’i rritur çmueshmërinë për adhurimin e vërtetë. (1 Korintasve 14:24, 25) Kështu, të gjithë të krishterët mund të gëzojnë për qindra mijë dishepujt që bëhen çdo vit.
20. Ç’duhet të bëni, nëse dëshironi t’u mësoni të tjerëve të vërtetën e Biblës?
20 Shumë të krishterë besnikë do të ishin të kënaqur të mësonin dikë për Jehovain dhe për adhurimin e vërtetë. Por, pavarësisht se janë përpjekur shumë, ndoshta deri tani s’kanë gjetur dot dikë. Nëse është kështu në rastin tuaj, vazhdoni të rritni dashurinë që keni për Jehovain, interesohuni thellësisht për njerëzit, jini vetëmohues, tregoni durim dhe përpiquni të përmirësoni aftësitë e mësimdhënies. Mbi të gjitha, lutuni për dëshirën që keni t’u mësoni të tjerëve të vërtetën. (Eklisiastiu 11:1) Merrni zemër duke ditur se çdo gjë që bëni në shërbim të Jehovait, është një ndihmesë për veprën e bërjes së dishepujve, e cila i sjell lavdi Perëndisë.
A mund të shpjegoni?
• Pse vepra e bërjes së dishepujve vë në provë dashurinë që kemi për Perëndinë?
• Çfarë cilësish u nevojiten atyre që duan të bëjnë dishepuj?
• Çfarë përfshin ‘arti i mësimdhënies’?
[Figura në faqen 21]
Duke bërë dishepuj, të krishterët tregojnë dashurinë e tyre të thellë për Perëndinë
[Figura në faqen 23]
Pse ata që duan të bëjnë dishepuj duhet të interesohen për të tjerët?
[Figura në faqen 24]
Cilat janë disa cilësi që duhet të kenë ata që duan të bëjnë dishepuj?
[Figura në faqen 25]
Të gjithë të krishterët kënaqen tej mase kur shohin rezultatet e shkëlqyera në veprën e bërjes së dishepujve