A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Kur shkuan astrologët te Jezui?
Një botim biblik thotë: «Magët nuk shkuan te Jezui në grazhd natën që lindi, siç bënë barinjtë. Ata shkuan pas disa muajsh.» Në atë kohë Jezui ishte ‘fëmijë’ tashmë dhe jetonte në një shtëpi. (Mat. 2:7-11) Nëse astrologët do t’i kishin dhënë Jezuit ar e dhurata të çmuara natën që lindi, a do të kishte dhënë Maria si flijim në tempull vetëm dy zogj 40 ditë më vonë?—1/1, faqja 31.
• Çfarë mund të bëjnë shumë veta për të pasuruar jetën?
Dikush mund të pyesë veten: ‘A mund t’i ndryshoj rrethanat e mia dhe ta thjeshtoj jetën?’ Emi veproi kështu. Ajo ishte e pasur, por prapëseprapë nuk ishte e lumtur. E kuptoi se duke rendur pas karrierës, thuajse kishte dalë nga rruga e besimit. Prandaj, vendosi të vinte në radhë të parë interesat e Mbretërisë dhe pati mundësinë të shërbente si pioniere për disa vjet. Emi thotë: «Gëzimin që më sjell shërbimi, kurrë nuk e kam provuar kur harxhoja shumicën e kohës duke punuar për botën.»—15/1, faqja 19.
• Si mund të gjejnë kënaqësi nënat?
Shumë nëna kanë një punë. Disa punojnë për të plotësuar nevojat bazë të familjes, disa ngaqë kërkojnë njëfarë pavarësie ekonomike ose para për lukse, ndërsa të tjera punojnë sepse u pëlqen puna. Nënat e krishtere luajnë një rol jetësor në shtëpi—sidomos kur kanë një foshnjë. Disa kanë zgjedhur të punojnë me orar të shkurtuar ose ta lënë punën, me qëllim që t’i kushtojnë më shumë vëmendje familjes, dhe kjo u ka dhënë shumë kënaqësi.—1/2, faqet 28-31.
• Për çfarë ‘brezi’ e kishte fjalën Jezui kur tha atë që është shkruar te Mateu 24:34?
Shpesh Jezui e përdorte negativisht fjalën «brez» kur u fliste njerëzve të ligj të kohës së tij ose kur e kishte fjalën për ta. Por nuk ishte kështu në rastin kur foli me dishepujt që së shpejti do të miroseshin me frymën e shenjtë. Ata do të ishin në gjendje të nxirrnin përfundimet e përmendura te Mateu 24:32, 33. Kështu, me sa duket, Jezui e kishte fjalën për dishepujt e tij të mirosur, si për shekullin e parë, ashtu edhe për zbatimin e këtyre fjalëve në kohët e sotme.—15/2, faqet 23, 24.
• Në ç’kuptim ishte edukator Ligji, siç përmendet te Galatasve 3:24?
Shpesh, në kohën e lashtë, edukatori ishte një skllav i besuar që shërbente për të mbrojtur fëmijën dhe për t’u siguruar që të plotësoheshin dëshirat që babai kishte për fëmijën. Në mënyrë të ngjashme, Ligji i mbronte judenjtë nga ndikime korruptuese të tilla, si martesa me paganët. Por, ashtu si edukatori, edhe Ligji ishte i përkohshëm, dhe shërbeu deri sa erdhi Krishti.—1/3, faqet 18-21.
• Çfarë cilësish duhet të shfaqim sipas Jakovit 3:17?
Si të dëlirë, duhet t’i hedhim poshtë menjëherë gjërat e liga. (Zan. 39:7-9) Gjithashtu, duhet të jemi paqësorë, të shmangim qëndrimet agresive ose veprimet që mund të prishin paqen. Prandaj, secili prej nesh bën mirë të pyesë veten: ‘A njihem si paqebërës apo si paqeprishës? A kam shpesh mosmarrëveshje me të tjerët? A fyhem lehtë ose a i fyej shpesh të tjerët? A jam i gatshëm të fal dhe nuk këmbëngul me nxitim që të tjerët të ndjekin standardet e mia?’—15/3, faqet 24, 25.
• Pse Jezui e shëroi gradualisht një të verbër? (Mar. 8:22-26)
Bibla nuk jep një shpjegim të hollësishëm. Megjithatë, ka mundësi që në këtë rast, duke e shëruar gradualisht të verbrin, Jezui i dha kohë të përshtatej me ndjesinë e re të të parit. Kjo mund të ketë pasqyruar interesin e tij të dashur për të verbrin.—1/4, faqja 30.