Shërbëtorin e Jehovait «e shpuan për shkeljet tona»
«Atë e shpuan për shkeljet tona dhe e shtypën për fajet tona. . . . Falë plagëve të tij, ne jemi shëruar.»—ISA. 53:5.
1. Për çfarë duhet të mendojmë ndërsa mbajmë Përkujtimin dhe cila profeci do të na ndihmojë për këtë?
PËRKUJTIMIN e mbajmë për të kujtuar vdekjen e Krishtit dhe gjithçka që është arritur falë vdekjes dhe ringjalljes së tij. Kjo ngjarje na kujton shfajësimin e sovranitetit të Jehovait, shenjtërimin e emrit të tij dhe përmbushjen e qëllimit të tij, përfshirë shpëtimin e njerëzimit. Ndoshta asnjë profeci tjetër në Bibël nuk e përshkruan më mirë flijimin e Krishtit dhe atë çka është arritur falë tij, sesa ajo që është dokumentuar tek Isaia 53:3-12. Isaia paratha vuajtjet e Shërbëtorit dhe dha hollësi specifike rreth vdekjes së Krishtit e rreth bekimeve që do të sillte vdekja e tij për vëllezërit e mirosur dhe ‘delet e tjera’.—Gjoni 10:16.
2. Çfarë tregon profecia e Isaisë dhe ç’ndikim do të ketë te ne?
2 Shtatë shekuj para lindjes së Jezuit në tokë, Jehovai e frymëzoi Isainë të profetizonte se Shërbëtori i Tij i zgjedhur do të ishte besnik edhe kur të sprovohej në maksimum. Kjo tregon se Jehovai ishte plotësisht i sigurt për besnikërinë e Birit të tij. Teksa shqyrtojmë këtë profeci, do ta na mbushet zemra me mirënjohje dhe do të na forcohet besimi.
‘U përbuz dhe nuk u çmua aspak’
3. Pse judenjtë duhej ta kishin mirëpritur Jezuin, por si e pritën në të vërtetë?
3 Lexo Isainë 53:3. Përfytyro pak se ç’do të thoshte për Birin e vetëmlindur të Perëndisë të hiqte dorë nga gëzimi që ndiente kur shërbente përkrah Atit, dhe të vinte në tokë që të jepte jetën si flijim për shpëtimin e njerëzimit nga mëkati e vdekja. (Filip. 2:5-8) Flijimi i tij nevojitej për faljen e vërtetë të mëkateve. Ligji i Moisiut, vetëm sa e paraqiste në mënyrë profetike këtë flijim nëpërmjet flijimeve të kafshëve. (Hebr. 10:1-4) A nuk duhej të mirëpritej dhe të nderohej, të paktën nga judenjtë, të cilët po pritnin Mesinë e premtuar? (Gjoni 6:14) Por judenjtë «e përbuzën» Krishtin dhe ‘nuk e çmuan aspak’, siç kishte profetizuar Isaia. Apostulli Gjon shkroi: «Ai erdhi në shtëpinë e vet, por të vetët nuk e pranuan.» (Gjoni 1:11) Apostulli Pjetër u tha judenjve: ‘Perëndia i paraardhësve tanë i dha lavdi Shërbëtorit të tij, Jezuit, të cilin ju e dorëzuat dhe e mohuat para Pilatit, kur ai kishte vendosur ta lironte. Po, ju e mohuat të shenjtin e të drejtin.’—Vep. 3:13, 14.
4. Pse themi se Jezui i kuptonte sëmundjet?
4 Isaia profetizoi gjithashtu se Jezui «ishte bërë që . . . të dinte se ç’ishin sëmundjet». Gjatë shërbimit të tij, natyrisht Jezui u lodh në disa raste, por askund nuk tregohet se u sëmur. (Gjoni 4:6) Megjithatë, ai i dinte ose i kuptonte sëmundjet e atyre të cilëve u predikonte. Ndiente keqardhje për ta dhe shëroi shumë veta. (Mar. 1:32-34) Kështu Jezui përmbushi profecinë që thotë: «Ai mori mbi vete sëmundjet tona dhe mbajti dhembjet tona.»—Isa. 53:4a; Mat. 8:16, 17.
Sikur ‘Perëndia ta kishte qëlluar’
5. Si e panë shumë judenj vdekjen e Jezuit dhe pse kjo duhet t’ia ketë shtuar vuajtjet atij?
5 Lexo Isainë 53:4b. Shumë nga bashkëkohësit e Jezuit nuk e kuptuan arsyen e vuajtjeve dhe të vdekjes së tij. Ata besonin se Perëndia po e ndëshkonte, sikur po e godiste me një sëmundje të neveritshme. (Mat. 27:38-44) Judenjtë e akuzuan Jezuin për blasfemi. (Mar. 14:61-64; Gjoni 10:33) Patjetër, Jezui nuk ishte as mëkatar, as blasfemues. Por ngaqë kishte dashuri të madhe për Atin, vetëm ideja se do të vdiste i akuzuar për blasfemi, duhet t’ia ketë shtuar vuajtjet Shërbëtorit të Jehovait. Megjithatë, ai ishte i gatshëm t’i nënshtrohej vullnetit të Jehovait.—Mat. 26:39.
6, 7. Në ç’kuptim ‘e dërrmoi’ Jehovai Shërbëtorin e tij besnik dhe pse ‘i pëlqeu’ kjo?
6 Mund të arrijmë ta kuptojmë profecinë e Isaisë që thoshte se të tjerët do ta shihnin Krishtin sikur «Perëndia ta kishte . . . qëlluar», por ndoshta çuditemi me profecinë që parathoshte: «Ty, o Jehova, të pëlqeu që ai të dërrmohej.» (Isa. 53:10) Nëse Jehovai kishte thënë: «Ja, shërbëtori im, . . . të cilin shpirti im e ka miratuar», atëherë, si mund ‘t’i pëlqente Jehovait që ai të dërrmohej’? (Isa. 42:1) Në ç’kuptim mund të thuhet se kjo e gëzoi Jehovain?
7 Për të kuptuar këtë pjesë të profecisë, duhet të kujtojmë se, kur sfidoi sovranitetin e Jehovait, Satanai hodhi dyshime rreth besnikërisë së të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë në qiell dhe në tokë. (Jobi 1:9-11; 2:3-5) Duke qëndruar besnik deri në vdekje, Jezui iu përgjigj në mënyrë të përsosur sfidës së Satanait. Pra, edhe pse Jehovai lejoi që Krishti të vritej nga armiqtë e tij, nuk ka asnjë dyshim se Ai vuajti kur e pa Shërbëtorin e tij të zgjedhur të vritej. Megjithatë, Jehovait i pëlqeu shumë kur pa besnikërinë absolute të Birit të tij. (Prov. 27:11) Për më tepër, Ai gëzohej shumë kur mendonte për dobitë që do t’u sillte njerëzve të penduar vdekja e Birit të tij.—Luka 15:7.
«E shpuan për shkeljet tona»
8, 9. (a) Në ç’kuptim Jezuin «e shpuan për shkeljet tona»? (b) Si e mbështeti Pjetri këtë?
8 Lexo Isainë 53:6. Njerëzit mëkatarë janë hallakatur si dele të humbura, duke kërkuar çlirim nga sëmundjet dhe vdekja që trashëguan nga Adami. (1 Pjet. 2:25) Duke qenë të papërsosur, asnjë nga pasardhësit e Adamit nuk mund të riblente atë që kishte humbur ai. (Psal. 49:7) Por, nga dashuria e Tij e madhe, «Jehovai bëri që faji që kemi bërë ne të gjithë të binte mbi të», mbi Birin e dashur dhe Shërbëtorin e tij të zgjedhur. Duke lejuar ‘ta shponin për shkeljet tona dhe ta shtypnin për fajet tona’, Krishti mbarti mëkatet tona në shtyllë dhe vdiq për ne.
9 Apostulli Pjetër shkroi: «Në këtë udhë u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij. Ai vetë mbarti mëkatet tona në trupin e tij në shtyllë, që ne të mos kishim të bënim më me mëkatet dhe të jetonim për drejtësinë.» Pastaj, duke cituar nga profecia e Isaisë, Pjetri shtoi: «Dhe ‘me plagët e tij u shëruat’.» (1 Pjet. 2:21, 24; Isa. 53:5) Kjo i hapi udhën pajtimit të mëkatarëve me Perëndinë, siç tha më tej Pjetri: «Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa u përket mëkateve, një i drejtë për të padrejtët, që ai t’ju çojë te Perëndia.»—1 Pjet. 3:18.
‘Si një qengj që e çojnë në thertore’
10. (a) Si e përshkroi Gjon Pagëzori Jezuin? (b) Pse ishin me vend fjalët e Gjonit?
10 Lexo Isainë 53:7, 8. Kur Gjon Pagëzori pa Jezuin t’i afrohej, thirri: «Shihni, Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!» (Gjoni 1:29) Kur e quajti Jezuin Qengj, Gjoni mund të ketë pasur në mendje fjalët e Isaisë: «Si një qengj që e çojnë në thertore.» (Isa. 53:7, Diodati i Ri) Ai «e zbrazi shpirtin e tij deri në vdekje», profetizoi Isaia. (Isa. 53:12) Është interesante se natën kur Jezui themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij, u dha 11 apostujve besnikë një kupë verë dhe u tha: «Kjo përfaqëson ‘gjakun tim të besëlidhjes’, që do të derdhet në dobi të shumë vetave, për faljen e mëkateve.»—Mat. 26:28.
11, 12. (a) Si e ilustron flijimin e Krishtit gatishmëria e Isakut për t’u flijuar? (b) Çfarë duhet të kemi parasysh për Abrahamin më të Madh, Jehovain, kur mbajmë Përkujtimin?
11 Si Isaku në lashtësi, Jezui ishte i gatshëm të paraqitej si flijim në ‘altarin’ e vullnetit të Perëndisë, ashtu si Jehovai dëshironte për të. (Zan. 22:1, 2, 9-13; Hebr. 10:5-10) Edhe pse Isaku pranoi me gatishmëri të flijohej, ishte Abrahami që «provoi» ta flijonte të birin. (Hebr. 11:17) Në mënyrë të ngjashme, Jezui me gatishmëri pranoi të vdiste, por ishte Jehovai Nismëtari i masës së shpërblesës. Flijimi i Birit ishte një shprehje e dashurisë së thellë të Perëndisë për njerëzimin.
12 Vetë Jezui tha: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Apostulli Pavël shkroi: «Perëndia na e shfaq dashurinë e vet në atë që, kur ishim akoma mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Rom. 5:8) Prandaj, edhe pse nderojmë Krishtin duke përkujtuar vdekjen e tij, nuk duhet të harrojmë kurrë se, ai që bëri të mundur masën e flijimit ishte Abrahami më i Madh, Jehovai. Ne e mbajmë Përkujtimin në lavdi të Tij.
Shërbëtori bën që «shumë njerëz të konsiderohen të drejtë»
13, 14. Në ç’mënyrë Shërbëtori i Jehovait bëri që «shumë njerëz të konsiderohen të drejtë»?
13 Lexo Isainë 53:11, 12. Jehovai tha për Shërbëtorin e tij të zgjedhur: «I drejti, shërbëtori im, do të bëjë që shumë njerëz të konsiderohen të drejtë.» Në ç’mënyrë? Fundi i vargut 12 na jep çelësin e përgjigjes. «[Shërbëtori] ndërmjetësoi në favor të shkelësve.» Të gjithë pasardhësit e Adamit kanë lindur mëkatarë, ose ‘shkelës’, prandaj marrin ‘pagën që paguan mëkati’, domethënë vdekjen. (Rom. 5:12; 6:23) Nevojitet pajtimi midis Jehovait dhe njeriut mëkatar. Kapitulli 53 i profecisë së Isaisë përshkruan bukur se si Jezui «ndërmjetësoi» në dobi të njerëzimit mëkatar. Aty thuhet: «Mori mbi vete ndëshkimin, që ne të kishim paqe dhe falë plagëve të tij, ne jemi shëruar.»—Isa. 53:5.
14 Duke marrë mbi vete mëkatet tona dhe duke vdekur për ne, Krishti bëri që «shumë njerëz të konsiderohen të drejtë». Pavli shkroi: «Perëndisë iu duk e udhës që gjithë plotësia të banonte në të [Krishtin] dhe, nëpërmjet tij, të pajtonte përsëri me veten të gjitha gjërat e tjera, e të bënte paqe me gjakun që ai derdhi kur ishte në shtyllën e torturës, qoftë me gjërat në tokë, qoftë me gjërat në qiej.»—Kolos. 1:19, 20.
15. (a) Cilët janë «gjërat në qiej» që përmendi Pavli? (b) Cilët janë të vetmit që kanë të drejtën të marrin simbolet e Përkujtimit dhe pse?
15 «Gjërat në qiej» që pajtohen me Jehovain me anë të gjakut të Krishtit janë të krishterët e mirosur, të thirrur për të mbretëruar me Krishtin në qiej. Të krishterët që janë «pjesëmarrës të thirrjes qiellore», shpallen «të drejtë për jetën». (Hebr. 3:1; Rom. 5: 1, 18) Kështu, Jehovai i pranon si bij frymorë. Fryma e shenjtë u jep dëshmi se janë «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin», të thirrur për t’u bërë mbretër dhe priftërinj në Mbretërinë e tij qiellore. (Rom. 8:15-17; Zbul. 5:9, 10) Ata bëhen pjesë e Izraelit frymor, ‘Izraelit të Perëndisë’, dhe hyjnë në ‘besëlidhjen e re’. (Jer. 31:31-34; Gal. 6:16) Si pjesëtarë të besëlidhjes së re, u është dhënë e drejta të marrin simbolet e Përkujtimit, përfshirë kupën me verë të kuqe, për të cilën Jezui tha: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim, që do të derdhet për ju.»—Luka 22:20.
16. Cilët janë «gjërat në tokë» dhe në ç’mënyrë mund të konsiderohen të drejtë para Jehovait?
16 «Gjërat në tokë» janë delet e tjera të Krishtit, të cilët kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë. Shërbëtori i zgjedhur i Jehovait do të bëjë që edhe këta të konsiderohen të drejtë para Perëndisë. Ngaqë kanë besim te flijimi shpërblyes i Krishtit dhe kështu «i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit», Jehovai i shpall të drejtë, jo si bij frymorë, por si miq të tij, duke u dhënë perspektivën e mrekullueshme që të mbijetojnë në ‘shtrëngimin e madh’. (Zbul. 7:9, 10, 14; Jak. 2:23) Ngaqë nuk bëjnë pjesë në besëlidhjen e re dhe, si rrjedhim, nuk kanë shpresën të jetojnë në qiell, këto dele të tjera nuk i marrin simbolet e Përkujtimit, por e ndjekin me respekt këtë rast si vëzhgues.
Të gjitha falënderimet i takojnë Jehovait dhe Shërbëtorit të miratuar
17. Në ç’mënyrë studimi i profecive të Isaisë që përqendrohen te Shërbëtori, na ka ndihmuar të përgatitim mendjen për Përkujtimin?
17 Shqyrtimi i profecive të Isaisë që përqendrohen te Shërbëtori, ka qenë një mënyrë e shkëlqyer që të na përgatitë mendjen për Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. Na ka ndihmuar të «mbajmë shikimin të ngulur te Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë». (Hebr. 12:2) Kemi parë se Biri i Perëndisë nuk është rebel. Ndryshe nga Satanai, atij i pëlqen të mësohet nga Jehovai, duke e pranuar si Zotëri Sovran. Kemi parë se gjatë shërbimit në tokë, Jezui u tregoi dhembshuri njerëzve që u predikoi, duke shëruar shumë prej tyre fizikisht dhe frymësisht. Kështu tregoi se ç’do të bëjë si Mbret mesianik në sistemin e ri kur «të vendosë drejtësinë në tokë». (Isa. 42:4) Zelli që tregoi duke predikuar për Mbretërinë, si «dritë për kombet», është një përkujtues për dishepujt e tij që të predikojnë me zell lajmin e mirë në mbarë tokën.—Isa. 42:6.
18. Pse profecia e Isaisë na mbush zemrën me mirënjohje për Jehovain dhe Shërbëtorin e tij besnik?
18 Gjithashtu, profecia e Isaisë na rrit kuptueshmërinë për sakrificën e madhe që bëri Jehovai kur dërgoi Birin e tij të shtrenjtë në tokë, që të vuante e të vdiste për ne. Jehovait i pëlqeu, jo të shihte Birin duke vuajtur, por të vërente besnikërinë absolute të Jezuit deri në vdekje. Edhe ne duhet të provojmë të njëjtën kënaqësi, duke kuptuar gjithçka që bëri Jezui për të treguar se Satanai është gënjeshtar dhe për të shenjtëruar emrin e Jehovait, duke shfajësuar kështu sovranitetin e Tij të ligjshëm. Përveç kësaj, Krishti mori mbi vete mëkatet tona dhe vdiq për ne. Në këtë mënyrë, bëri të mundur që kopeja e vogël e vëllezërve të tij të mirosur dhe delet e tjera, të konsiderohen të drejtë para Jehovait. Urojmë që, kur të mblidhemi për Përkujtimin, zemrat tona të mbushen me mirënjohje për Jehovain dhe Shërbëtorin e tij besnik!
Pyetje për rishikim
• Në ç’kuptim Jehovait ‘i pëlqeu’ që Biri i tij «të dërrmohej»?
• Si «e shpuan për shkeljet tona» Jezuin?
• Në ç’kuptim Shërbëtori ‘bëri që shumë njerëz të konsiderohen të drejtë’?
• Si të ka përgatitur mendjen dhe zemrën për Përkujtimin studimi i profecive për Shërbëtorin?
[Figura në faqen 26]
«E përbuzëm dhe nuk e çmuam aspak»
[Figura në faqen 28]
«E zbrazi shpirtin e tij deri në vdekje»
[Figura në faqen 29]
‘Delet e tjera’ e ndjekin me respekt Përkujtimin si vëzhgues