A mund të gjeni paqe në këtë botë të trazuar?
A JETONI në paqe? Shumë do të përgjigjeshin jo, pasi jetojnë në zona ku pllakosin luftërat, konfliktet politike, dhuna etnike ose terrorizmi. Edhe nëse nuk jetoni në vende të tilla, ndoshta paqja juaj prishet nga krimet, nga ngacmimet dhe nga grindjet me ortakët e biznesit ose me fqinjët. Edhe familjet shpesh janë më shumë një zonë lufte, sesa një oaz paqeje.
Shumë njerëz dëshirojnë paqe të brendshme. Ata mund ta kërkojnë te feja, te kurset e meditimit ose te joga. Të tjerët shpresojnë ta gjejnë paqen në natyrë—duke organizuar udhëtime pushimi, duke bërë ekskursione në male, në zona të pabanuara ose duke frekuentuar burime termale. Edhe nëse ata që e kërkojnë, duket se gjejnë njëfarë paqeje, shumë shpejt mund të kuptojnë se ajo paqe është sipërfaqësore dhe afatshkurtër.
Po ku mund të gjeni paqe të vërtetë? Burimi i paqes është Krijuesi ynë, Perëndia Jehova. Pse? Sepse ai është «Perëndia që jep paqe». (Romakëve 15:33) Nën sundimin e Mbretërisë së tij që do të vijë së shpejti, do të ketë ‘paqe pa fund’. (Psalmi 72:7; Mateu 6:9, 10) Kjo e tejkalon paqen e çalë të vendosur nga traktatet njerëzore. Këto marrëveshje nuk janë veçse një ndërprerje e shkurtër e armiqësisë. Kurse paqja e Perëndisë do të eliminojë të gjitha shkaqet e luftërave dhe të konflikteve. Në fakt, askush nuk do të mësojë më luftën. (Psalmi 46:8, 9) Më në fund, do të kemi paqe të vërtetë!
Është vërtet një shpresë e bukur, por prapëseprapë mund të dëshironi të keni që tani njëfarë paqeje. A ka një mënyrë për të gjetur paqe të brendshme që t’ju ndihmojë gjatë këtyre kohëve të trazuara? Jemi të lumtur që Bibla na tregon se si mund ta gjejmë. Shqyrtoni disa udhëzime në kapitullin e katërt të letrës së Pavlit drejtuar filipianëve. Mund të lexoni vargjet 4 deri 13 në Biblën tuaj.
«Paqja e Perëndisë»
Në vargun 7 lexojmë: «Paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» Kjo paqe nuk vjen thjesht nga meditimi ose nga formimi i karakterit. Në fakt, ajo vjen nga Perëndia. Kjo paqe është kaq e fuqishme, sa «kapërcen çdo mendim». Kapërcen gjithë ankthet, njohuritë dhe arsyetimet tona. Ndoshta nuk shohim ndonjë rrugëdalje nga problemet tona, por kur kemi paqen e Perëndisë, shpresojmë jo më kot se një ditë gjithë telashet tona do të marrin fund.
A është e pamundur kjo? Për njerëzit po, kurse «për Perëndinë gjithçka është e mundur». (Marku 10:27) Besimi te Perëndia na ndihmon të mos shqetësohemi së tepërmi. Mendoni për një fëmijë që ka humbur në një dyqan të madh. Ai e di se po të gjejë mamin, gjithçka do të rregullohet. Ashtu si nëna e merr në krahë fëmijën e saj kur e gjen, mund të kemi besim se, në kuptimin figurativ, edhe Perëndia do të na marrë në krahët e tij. Ai do të na përkëdhelë dhe më në fund do të na largojë gjithë ankthet.
Shumë adhurues të Jehovait e kanë provuar paqen e Perëndisë gjatë sprovave më të ashpra. Për shembull, le të mendojmë pak për Nadinën që i vdiq fëmija para se të lindte. Ajo thotë: «E kisha të vështirë të hapesha me të tjerët dhe gjithmonë përpiqesha të tregohesha e fortë. Por, brenda meje, isha përtokë. Pothuajse çdo ditë ia zbrazja zemrën Jehovait në lutje dhe i përgjërohesha për ndihmë. E kam ndier forcën e lutjes, pasi sa herë isha keq dhe mendoja se nuk mundesha më, gjeja paqe dhe qetësi të brendshme. Ndihesha e sigurt dhe e mbrojtur.»
Mbrojtje për zemrën dhe mendjen
Le të kthehemi përsëri te Filipianëve 4:7. Aty thuhet se paqja e Perëndisë do të ruajë zemrën dhe fuqitë tona mendore. Ashtu si roja qëndron në postin e tij duke ruajtur ushtarët e tjerë, paqja e Perëndisë ruan zemrat tona në mënyrë që të mos depërtojnë filozofitë materialiste, ankthet e panevojshme dhe mendimet e paperëndishme. Le të marrim një shembull.
Shumë njerëz në këtë botë plot me probleme, besojë se kanë nevojë për një pasuri të konsiderueshme që të jenë të lumtur dhe të sigurt. Sipas këshillës së ekspertëve, ata mund të investojnë disa nga kursimet e tyre në ndonjë biznes. A janë vërtet të qetë pas kësaj? Jo medoemos. Ata ndoshta mendojnë vazhdimisht për biznesin e tyre nëse duhet të shesin, të blejnë akoma apo të mbajnë atë që kanë. Kur biznesi nuk ecën mirë, mund t’i zërë paniku. Bibla sigurisht nuk i dënon investimet, por na thotë këto fjalë të mençura: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura. Edhe kjo është kotësi. I ëmbël është gjumi i atij që shërben, qoftë në ngrëntë pak ose shumë; por bollëku nuk e lë të pasurin të flejë.»—Eklisiastiu 5:10, 12.
Filipianëve 4:7 përfundon duke thënë se paqja e Perëndisë ruan zemrën dhe fuqitë tona mendore «me anë të Krishtit Jezu». Ç’lidhje ka Krishti Jezu me paqen e Perëndisë? Jezui ka rolin kyç në përmbushjen e qëllimit të Perëndisë. Jezui dha jetën e tij që ne të mund të çlirohemi nga mëkati dhe vdekja. (Gjoni 3:16) Ai gjithashtu është kurorëzuar si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Kur dimë rolin e Jezuit, kjo ndikon shumë në paqen tonë mendore dhe emocionale. Në ç’mënyrë?
Nëse pendohemi sinqerisht për mëkatet tona dhe kërkojmë falje në bazë të flijimit të Jezuit, Perëndia do të na falë, dhe kjo në vetvete na jep paqe mendore dhe emocionale. (Veprat 3:19) Kur e kuptojmë se jetën nuk mund ta gëzojmë plotësisht derisa të vijë Mbretëria e Krishtit, nuk jetojmë si të marrosur, sikur jeta e tanishme të ishte gjithçka. (1 Timoteut 6:19) Sigurisht, nuk kemi imunitet nga çdo telash, por mund të gjejmë ngushëllim në shpresën e sigurt se na pret një jetë më e mirë.
Si mund ta gjeni paqen e Perëndisë
Po si mund ta gjeni paqen e Perëndisë? Për këtë mund të na ndihmojë Filipianëve 4:4, 5, ku lexojmë: «Gëzoni përherë në Zotërinë. Edhe një herë ua them: gëzoni! Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit. Zotëria është pranë.» Kur Pavli shkroi këto fjalë, atë e kishin burgosur pa të drejtë në Romë. (Filipianëve 1:13) Në vend që të ankohej për këtë padrejtësi, ai i inkurajonte bashkëbesimtarët që të gëzonin përherë në Zotërinë. Kuptohet që gëzimi i tij varej jo nga rrethanat, por nga marrëdhënia që kishte me Perëndinë. Edhe ne kemi nevojë të mësojmë si të gjejmë gëzim në shërbim të Perëndisë, pavarësisht nga rrethanat tona. Sa më mirë ta njohim Jehovain dhe sa më plotësisht të bëjmë vullnetin e tij, aq më shumë gëzim do të gjejmë kur i shërbejmë. Kjo, në vetvete do të na sjellë kënaqësi dhe paqe të brendshme.
Për më tepër, shkrimi na nxit të jemi të arsyeshëm. Nëse përpiqemi të zhvillojmë arsyetueshmërinë, nuk do të presim tepër nga vetja. E dimë se nuk jemi të përsosur dhe nuk mund të shkëlqejmë në gjithçka. Prandaj, pse të vrasim mendjen se si të jemi të përsosur ose më të mirë se të tjerët? As nga të tjerët nuk duhet të presim përsosmëri. Kështu, mund të ruajmë qetësinë kur ata bëjnë diçka që na mërzit. Një përkthim tjetër për fjalën greke «arsyetueshmëri» është «të hapësh rrugë». Nëse hapim rrugë kur bëhet fjalë për preferencat tona, shmangim grindjet, që s’ia vlejnë për asgjë e që na prishin për njëfarë kohe paqen me të tjerët dhe paqen e brendshme.
Shprehja tjetër te Filipianëve 4:5 «Zotëria është pranë» mund të duket pa lidhje në këtë shkrim. Por së shpejti Perëndia do të vijë për të zëvendësuar këtë sistem të vjetër me një të ri nën Mbretërinë e tij. Madje edhe tani, ai i qëndron pranë kujtdo që i afrohet. (Veprat 17:27; Jakovi 4:8) Siç thekson edhe vargu 6, dijenia se e kemi pranë, na ndihmon të gjejmë gëzim, të jemi të arsyeshëm dhe të mos jemi në ankth për problemet e tanishme ose që do të vijnë.
Kur lexojmë vargjet 6 dhe 7, e kuptojmë se paqja e Perëndisë vjen nga lutja. Disa e konsiderojnë lutjen thjesht si formë meditimi, duke menduar se çdo formë lutjeje mund të shtojë qetësinë e brendshme. Por, Bibla flet për një komunikim të sinqertë me Jehovain, një komunikim po aq i ngrohtë sa ai i një fëmije që i tregon prindit të dashur çfarë e gëzon dhe çfarë e shqetëson. Sa shumë lehtësohemi kur mendojmë se mund t’i drejtohemi Perëndisë «për çdo gjë»! Për çfarëdolloj gjëje që kemi në mendje ose në skutat më të thella të zemrës, mund të hapemi me Atin tonë qiellor.
Vargu 8 na inkurajon të mbajmë mendjen te gjërat pozitive. Por nuk mjafton vetëm të mendosh për gjëra pozitive. Siç shpjegon vargu 9, duhet të zbatojmë këshillat e mira të Biblës. Kjo do të na japë një ndërgjegje të pastër. Sa i vërtetë është ky proverb: «Ndërgjegjja e qetë është një jastëk i butë!»
Po, mund të gjeni paqe të brendshme. Ajo vjen nga Perëndia Jehova, i cili ua jep atyre që i afrohen dhe duan të ndjekin drejtimin e tij. Duke shqyrtuar Fjalën e tij, Biblën, mund të njihni mirë mënyrën si mendon ai. Nuk është aq e lehtë të ecësh sipas drejtimit të tij. Por ia vlen të përpiqeni, sepse «Perëndia i paqes do të jetë me ju».—Filipianëve 4:9.
[Diçitura në faqen 10]
‘Paqja e Perëndisë do të ruajë zemrën tuaj.’—FILIPIANËVE 4:7
[Diçitura në faqen 12]
Sa shumë lehtësohemi kur mendojmë se mund t’i drejtohemi Perëndisë «për çdo gjë»!