A duhet të mësosh hebraisht e greqisht?
GATI e gjithë Bibla fillimisht u shkrua vetëm në dy gjuhë, hebraisht e greqisht.a Shkrimtarët që përdorën këto gjuhë, u udhëhoqën nga fryma e shenjtë e Perëndisë. (2 Samuelit 23:2) Prandaj, mesazhi që hodhën me shkrim mund të përshkruhet si «i frymëzuar nga Perëndia».—2 Timoteut 3:16, 17.
Gjithsesi, shumica e njerëzve që lexojnë Biblën sot, nuk kuptojnë hebraisht ose greqisht. Prandaj u duhet të përdorin një përkthim të Biblës në gjuhën e tyre. Ndoshta edhe ti bën të njëjtën gjë. Meqë këto përkthime nuk pretendojnë se janë të frymëzuara, mbase ke pyetur veten: «A mund ta kuptoj plotësisht mesazhin e Biblës nga një përkthim, apo duhet të përpiqem të mësoj hebraisht e greqisht?»
Faktorë që duhet të mbash parasysh
Para se t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, duhet të mbash parasysh disa faktorë. Së pari, vetëm njohja e hebraishtes a greqishtes së lashtë nuk e bën si me mrekulli dikë më të prirur të kuptojë mesazhin e Biblës. Jezui u tha judenjve të kohës së tij: «Ju shqyrtoni Shkrimet, sepse mendoni se me anë të tyre do të keni jetë të përhershme. Pikërisht ato japin dëshmi për mua. Megjithatë, ju nuk doni të vini tek unë, që të keni jetë.» (Gjoni 5:39, 40) Ç’problem kishin ata? Nuk kuptonin hebraisht? Jo, gjuhën e njihnin mirë. Por, Jezui vazhdoi: «E di mirë se ju nuk keni dashuri për Perëndinë brenda jush.»—Gjoni 5:42.
Po kështu, apostulli Pavël u tha të krishterëve greqishtfolës në qytetin e lashtë të Korintit: «Judenjtë kërkojnë shenja dhe grekët kërkojnë mençuri, por ne predikojmë Krishtin të vënë në shtyllë, që për judenjtë është shkak pengese, kurse për kombet marrëzi.» (1 Korintasve 1:22, 23) Pra, është e qartë se vetëm njohja e hebraishtes ose greqishtes nuk ishte në vetvete çelësi për të pranuar mesazhin e Fjalës së Perëndisë.
Një faktor i dytë është se, ndonëse disa njerëz flasin hebraishten ose greqishten e sotme, këto gjuhë ndryshojnë shumë nga hebraishtja e greqishtja që u përdorën për të shkruar Biblën. Shumica e atyre që flasin greqisht sot, e kanë të vështirë të kuptojnë saktë greqishten biblike. Kjo vjen ngaqë gjuhës i janë shtuar fjalë të reja që kanë zëvendësuar të vjetrat, dhe shumë fjalë që kanë mbijetuar, kanë marrë kuptim tjetër. Për shembull, fjala e përkthyer «i bukur» te Veprat 7:20 dhe te Hebrenjve 11:23, në greqishten e sotme ka kuptimin «shakaxhi». Veç kësaj, gjuha ka pësuar ndryshime të mëdha gramatikore e sintaksore.
Edhe sikur të mësoje hebraishten ose greqishten e sotme, jo medoemos do ta kuptoje më saktë Biblën në gjuhët origjinale. Prapë do të të duhej të përdorje fjalorët dhe librat e gramatikës që të të tregonin si përdoreshin këto gjuhë kur u shkruan fillimisht librat e Biblës.
Një faktor i tretë është se mësimi i një gjuhe të huaj mund të jetë shumë i vështirë. Ndonëse fillimisht mund të jetë pak a shumë e lehtë të mësosh ca fraza në një gjuhë tjetër, do të të duhen vite përpjekjesh të vazhdueshme që të kapësh ngjyrimet e holla kuptimore të asaj gjuhe. Ndërkohë, njohuria sipërfaqësore mund të jetë e rrezikshme. Pse themi kështu?
Ç’kuptim ka fjala?
A të ka pyetur ndonjëherë dikush që po mësonte gjuhën tënde, se ç’kuptim ka një fjalë? Nëse po, atëherë e di se përgjigjja s’është gjithnjë e lehtë. Përse jo? Sepse një fjalë mund të ketë disa kuptime. Ndoshta i ke kërkuar atij që të pyeti, të të japë një shembull të fjalës në fjali. Pa kontekst, mund ta kesh të vështirë të përcaktosh cili kuptim i fjalës zbatohet për atë rast. Për shembull, ndoshta të kanë pyetur për kuptimin e fjalës «hekur». Kjo fjalë mund të ketë kuptime të ndryshme, në kontekste të ndryshme. Mund të jetë një lloj metali, një mjet për të hekurosur rrobat ose një shufër. Në një kontekst tjetër mund t’u referohet prangave ose edhe një përbërësi ushqimor. Si folje, mund të ketë kuptimin t’i heqësh rrudhat një rrobe, duke e shtrirë me një mjet të nxehtë. Shprehja «i hekurosur» mund të ketë kuptim krejt të ndryshëm, domethënë i ngathët, i ngrirë. Cili është kuptimi i duhur?
Ndoshta një fjalor i jep të gjitha kuptimet e mundshme të një fjale. Madje, disa fjalorë i renditin këto kuptime sipas përdorimit të zakonshëm. Por, vetëm konteksti në të cilin përdoret fjala do të të ndihmojë të përcaktosh cili nga kuptimet është i duhuri. Ta ilustrojmë: ta zëmë se merr vesh pak nga mjekësia dhe do që të gjesh shkakun e disa simptomave që ke. Ndoshta kërkon në një fjalor mjekësor. Aty mund të të thuhet se në 90 për qind të rasteve, simptomat e tua tregojnë një sëmundje, por në 10 për qind të rasteve, tregojnë diçka krejt të ndryshme. Do të të duhej shumë më tepër njohuri, para se të arrije në një diagnozë të saktë. Po kështu, edhe nëse një fjalë ka njëfarë kuptimi në 90 për qind të rasteve, kjo nuk të ndihmon nëse po lexon një tekst të rëndësishëm ku përdoret kuptimi dytësor i fjalës. Duhet të dish më shumë për kontekstin, para se të kuptosh fjalën.
Kur vjen puna për studimin e fjalëve që gjenden në Bibël, duhet të dish edhe kontekstin në të cilin haset fjala. Për shembull, fjalët origjinale që zakonisht përkthehen «frymë», mund të kenë kuptime të ndryshme, në varësi të kontekstit ku përdoren. Nganjëherë, mund të përkthehen në mënyrë të saktë «erë». (Dalja 10:13; Gjoni 3:8) Në kontekste të tjera, i referohen forcës së jetës që kanë të gjitha krijesat e gjalla, njerëz e kafshë. (Zanafilla 7:22; Psalmi 104:29; Jakovi 2:26) Edhe krijesat e padukshme qiellore përshkruhen si frymëra. (1 Mbretërve 22:21, 22; Mateu 8:16) Forca vepruese e Perëndisë përshkruhet si fryma e tij e shenjtë. (Zanafilla 1:2; Mateu 12:28) E njëjta fjalë përdoret për të treguar forcën që e bën dikë të shfaqë një qëndrim, prirje ose ndjenjë, si dhe prirjen mendore mbizotëruese që shfaq një grup njerëzish.—Josiu 2:11, shën.; Galatasve 6:18.
Edhe pse një fjalor i hebraishtes ose i greqishtes mund t’i renditë këto kuptime, konteksti do të të ndihmojë të përcaktosh cili është kuptimi i duhur.b Kjo zbatohet qoftë kur lexon Biblën në gjuhët origjinale, qoftë kur përdor një përkthim në gjuhën tënde.
A është gabim të përdorësh një përkthim?
Disa kanë bërë shumë përpjekje që të mësojnë hebraishten a greqishten biblike ose të dyja. Edhe pse i dinë kufizimet që kanë në kuptueshmëri, ata kënaqen kur lexojnë Biblën në gjuhët origjinale dhe mendojnë se ia ka vlejtur barra qiranë. Por, nëse nuk ke mundësi ta bësh këtë, a duhet të ndihesh i shkurajuar e të mos e kërkosh më të vërtetën biblike? Jo, aspak! Ka disa arsye pse themi kështu.
Së pari, përdorimi i një përkthimi të Biblës është me vend. Në fakt, kur citonin nga Shkrimet Hebraike, shpesh shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke ose të të ashtuquajturës Besëlidhje e Re përdornin një përkthim grek.c (Psalmi 40:6; Hebrenjve 10:5, 6) Ndonëse flitnin hebraisht e mund t’i kishin cituar vargjet nga Shkrimet Hebraike origjinale, me sa duket s’e kishin problem të përdornin një përkthim që lexuesit e tyre mund ta gjenin më me lehtësi.—Zanafilla 12:3; Galatasve 3:8.
Së dyti, edhe sikur një njeri t’i kuptojë gjuhët në të cilat u shkrua Bibla, fjalët e Jezuit mund t’i lexojë vetëm të përkthyera. E themi këtë sepse shkrimtarët e Ungjijve e hodhën me shkrim në greqisht atë që Jezui e tha në një formë të gjuhës hebraike.d Kushdo që mendon se aftësia për t’i lexuar në gjuhën origjinale fjalët e shërbëtorëve të lashtë besnikë të Jehovait, do t’i japë ndonjë lloj mençurie të veçantë, duhet të mendojë mirë se çfarë do të thotë kjo. Jehovai i frymëzoi shkrimtarët që fjalët e Shërbëtorit të tij më të madh t’i ruanin vetëm të përkthyera, në një gjuhë që kuptohej gjerësisht në atë kohë, dhe kjo tregon se nuk ka shumë rëndësi gjuha në të cilën e lexojmë Biblën. Ajo që ka rëndësi, është ta lexojmë mesazhin e saj të frymëzuar në një formë që mund ta kuptojmë e që na prek.
Së treti, ‘lajmi i mirë’ që përmban Bibla duhej t’u përhapej njerëzve të përulur të «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». (Zbulesa 14:6; Luka 10:21; 1 Korintasve 1:27-29) Në përputhje me këtë, shumica dërrmuese e njerëzve sot mund ta mësojnë qëllimin e Perëndisë nga Bibla që kanë në gjuhën e tyre, pa iu dashur të mësojnë një gjuhë të huaj. Në shumë gjuhë ka disa përkthime, kështu që i mbetet lexuesit të zgjedhë.e
Atëherë, si të sigurohesh se do ta kuptosh të vërtetën që gjendet në Bibël? Dëshmitarët e Jehovait kanë parë se një mënyrë e mirë për të kuptuar mesazhin që përmban Fjala e Perëndisë është studimi i saj sipas argumenteve, duke marrë parasysh kontekstin. Për shembull, marrin një argument, si «martesa», dhe kërkojnë vargjet që i referohen atij. Kështu lejojnë që një pjesë e Biblës të shpjegojë ç’kuptim ka një pjesë tjetër e saj. Pse të mos përfitosh nga mundësia për një studim biblik pa pagesë në shtëpi, që Dëshmitarët e Jehovait u ofrojnë të gjithëve? Pavarësisht se ç’gjuhë flet, Perëndia dëshiron që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës».—1 Timoteut 2:4; Zbulesa 7:9.
[Shënimet]
a Disa pjesë të Biblës u shkruan në aramaisht, një gjuhë shumë e lidhur me hebraishten biblike. Shembuj të kësaj gjenden tek Ezdra 4:8 deri 6:18 dhe 7:12-26, Jeremia 10:11 dhe Danieli 2:4b deri 7:28.
b Vlen të përmendet se disa fjalorë të fjalëve biblike nuk përcaktojnë në mënyrë të pavarur kuptimin e fjalës, por thjesht renditin fjalën siç është përkthyer në një version të Biblës, si për shembull King James Version.
c Në kohën e Jezu Krishtit dhe apostujve të tij, të gjithë librat e Shkrimeve Hebraike ishin përkthyer në greqisht. Ky përkthim u quajt Septuaginta dhe përdorej gjerësisht nga judenjtë greqishtfolës. Nga qindra citimet e drejtpërdrejta nga Shkrimet Hebraike që janë bërë në Shkrimet e Krishtere Greke, shumica bazohen te Septuaginta.
d Besohet se fillimisht Ungjilli sipas Mateut u shkrua në hebraisht nga apostulli Mate. Gjithsesi, edhe po të jetë kështu, çka është ruajtur deri më sot është një përkthim grek i origjinalit, që ndoshta e ka bërë vetë Mateu.
e Për një trajtim të stileve të ndryshme të përkthimit dhe si të zgjedhësh një përkthim të saktë, shih artikullin «Si të zgjedhësh një version të mirë të përkthimit të Biblës?» në numrin e 1 majit 2008 të kësaj reviste.
[Kutia dhe figura në faqen 22]
Septuaginta
Judenjtë greqishtfolës në kohën e Jezuit e të apostujve të tij e përdornin gjerësisht Septuagintën greke. Ky është një përkthim në greqisht i Shkrimeve Hebraike. Septuaginta është e veçantë jo vetëm sepse ishte përpjekja e parë e njohur për të përkthyer në një gjuhë tjetër Shkrimet Hebraike, por edhe për përmasat e projektit të përkthimit. Punën me Septuagintën e nisi një grup përkthyesish në shekullin e tretë p.e.s. dhe e mbaroi një grup tjetër mbi njëqind vjet më vonë.
Të krishterët e hershëm e përdorën menjëherë me efektshmëri Septuagintën që të jepnin prova se Jezui ishte Krishti, Mesia i premtuar. Kaq të efektshëm ishin, saqë disa nisën ta konsideronin Septuagintën një përkthim «të krishterë». Për shkak të kësaj, ky përkthim e humbi popullaritetin mes judenjve dhe, si pasojë, u bënë disa përkthime të tjera në greqisht. Njërin përkthim e bëri një prozelit jude me emrin Akuila, në shekullin e dytë të e.s. Një studiues biblik e përshkruan këtë përkthim si «një arritje krejt të paparashikuar». Emri i Perëndisë, Jehova, gjendet në disa vende në përkthimin grek të Akuilës, me shkronja të lashta hebraike.
[Burimi]
Israel Antiquities Authority
[Figurat në faqen 23]
Është e rëndësishme ta lexojmë mesazhin e frymëzuar të Biblës në një formë që mund ta kuptojmë e që na prek