Si t’i luftosh ndjenjat negative?
A LUFTON ndonjëherë me ndjenjat negative? Të gjithëve na ndodh. Koha që jetojmë karakterizohet nga vështirësi ekonomike, dhunë e përhapur dhe padrejtësi e paturpshme. Ja pse nuk habitemi që shumë njerëz vuajnë nga trishtimi mbytës, pesha e rëndë e fajit dhe ndjenja e pavlefshmërisë për veten.
Ndjenja të tilla mund të jenë të rrezikshme. Ato na gërryejnë besimin te vetja, na paralizojnë aftësinë për të arsyetuar dhe na heqin gëzimin. Bibla thotë: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.» (Proverbat 24:10) Na duhet fuqi që të vazhdojmë të jetojmë në këtë botë të trazuar. Prandaj është jetësore t’i mbajmë nën kontroll ndjenjat negative.a
Bibla na siguron disa armë të fuqishme kundër ndjenjave negative. Perëndia Jehova, Krijuesi dhe ai që mban gjallë çdo krijesë, nuk dëshiron që ti të dorëzohesh përballë dëshpërimit ose një gjendjeje të pashpresë. (Psalmi 36:9) Prandaj, le të shqyrtojmë tri mënyra se si na ndihmon Fjala e tij që të luftojmë ndjenjat negative.
Ji i vetëdijshëm se Perëndia interesohet për ty
Disa njerëz mendojnë se Perëndia është aq i zënë me çështje të tjera, sa nuk ka kohë t’u kushtojë vëmendje ndjenjave të tyre. A mendon edhe ti kështu? Në të vërtetë, Bibla na siguron se Krijuesi ynë interesohet për ndjenjat tona. Psalmisti tha: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (Psalmi 34:18) Sa ngushëlluese është të dimë se Sovrani i plotfuqishëm na gjendet pranë kur kalojmë vështirësi!
Perëndia nuk është i ftohtë ose i largët. Bibla thotë se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Ai i do njerëzit dhe është i ndjeshëm ndaj atyre që vuajnë. Për shembull, rreth 3.500 vjet më parë, kur izraelitët ishin skllevër në Egjipt, ai tha: «Pa dyshim e kam parë mundimin e popullit tim në Egjipt, dhe kam dëgjuar si klithin për shkak të atyre që i shtrëngojnë të punojnë, sepse i di dhembjet që heqin. Prandaj, po gatitem të zbres që t’i çliroj.»—Dalja 3:7, 8.
Perëndia e di mirë formimin tonë emocional. Në fund të fundit «na ka bërë ai, e s’jemi bërë vetë». (Psalmi 100:3) Pra, edhe kur mendojmë se njerëzit nuk na kuptojnë, të jemi të sigurt se Perëndia na kupton. Në Fjalën e tij thuhet: «Perëndia nuk sheh si sheh njeriu, sepse njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh zemrën.» (1 Samuelit 16:7) Edhe ndjenjat më të thella nuk janë të fshehura për Perëndinë.
Pa dyshim që Jehovai i di edhe gabimet e të metat tona. Por jemi mirënjohës që Krijuesi ynë i dashur na fal. Shkrimtari i frymëzuar biblik, Davidi, shkroi: «Jehovai tregon mëshirë për këdo që i frikësohet atij, ashtu si një atë tregon mëshirë për bijtë e vet. Sepse ai e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur.» (Psalmi 103:13, 14) Megjithëse mund të shohim vetëm të këqijat te vetja, Perëndia na sheh ndryshe. Ai sheh të mirën te ne dhe nuk e merr parasysh të keqen, për aq kohë sa pendohemi për mëkatet.—Psalmi 139:1-3, 23, 24.
Prandaj, kur na pushtojnë ndjenja pavlefshmërie, duhet të luftojmë me vendosmëri që t’i mposhtim. Duhet të sjellim në mendje si na sheh Perëndia.—1 Gjonit 3:20.
Lidhu ngushtë me Perëndinë
Ç’dobi do të kemi nëse e shohim veten si na sheh Perëndia? Do ta kemi më të lehtë të bëjmë hapin tjetër që do të na ndihmojë të kapërcejmë ndjenjat negative: të lidhemi ngushtë me Perëndinë. A është vërtet e mundur kjo?
Si një Atë i dashur, Perëndia Jehova dëshiron me zjarr të na ndihmojë që të krijojmë lidhje të ngushtë me të. Bibla na nxit: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jakovi 4:8) Mendo për këtë fakt të mrekullueshëm. Megjithëse jemi të dobët e mëkatarë, prapëseprapë mund të bëhemi miq të ngushtë me Sovranin e universit.
Perëndia e ka zbuluar veten në Bibël, kështu që mund t’ia njohim personalitetin. Duke lexuar Biblën rregullisht, mësojmë për cilësitë e tij tërheqëse.b Kur meditojmë për atë që mësojmë, ndihemi gjithnjë e më afër Jehovait. Do ta shohim edhe më shumë siç është vërtet: një Atë i dashur e i dhembshur.
Meditimi i thellë për atë që lexojmë në Bibël na sjell edhe më tepër dobi. I afrohemi më shumë Atit tonë qiellor duke futur mendimet e tij në zemër e në mendje. Kështu lejojmë që mendimet e tij të na ndreqin, të na ngushëllojnë dhe të na drejtojnë. Duhet ta bëjmë këtë sidomos kur po luftojmë me mendime e ndjenja që na shqetësojnë ose na turbullojnë. Psalmisti e përshkroi situatën me fjalët: «Kur pata përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua nisën të ma ledhatonin shpirtin.» (Psalmi 94:19) Fjala e Perëndisë na ngushëllon jashtë mase. Nëse e pranojmë me përulësi mesazhin e tij për të vërtetën, mund të shohim se si ndjenjat negative dalëngadalë do të zëvendësohen nga ngushëllimi dhe paqja që vetëm Perëndia mund të na i japë. Kështu Jehovai na qetëson ashtu si një prind i dashur do të qetësonte fëmijën e lënduar a të mërzitur.
Një çelës tjetër që hap derën për miqësinë me Perëndinë, është komunikimi i rregullt me të. Bibla na siguron se «çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, [Perëndia] na dëgjon». (1 Gjonit 5:14) Mund t’i kërkojmë ndihmë Perëndisë në lutje për çfarëdo frike ose ankthi që kemi. Nëse ia hapim zemrën, mbushemi me paqe mendore. Apostulli Pavël shkroi: «Për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime. Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.»—Filipianëve 4:6, 7.
Ndërsa ndjek një program për leximin e Biblës, për meditimin dhe për lutjet personale, pa dyshim do të shohësh se si lidhja me Atin tënd qiellor do të forcohet. Kjo lidhje është një armë e fuqishme kundër ndjenjave negative. Çfarë tjetër mund të të ndihmojë?
Përqendrohu te një shpresë e sigurt për të ardhmen
Edhe në rrethanat më të vështira, mund ta mbajmë mendjen te gjërat e mira. Pse themi kështu? Perëndia na jep një shpresë të sigurt për të ardhmen. Apostulli Pjetër e përmblodhi këtë shpresë të mrekullueshme me fjalët: «Sipas premtimit të [Perëndisë], ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13) Çfarë do të thotë kjo?
Shprehja «qiej të rinj» i referohet një qeverie: Mbretërisë qiellore të Perëndisë në duart e Jezu Krishtit. «Toka e re» i referohet një shoqërie të re njerëzish këtu në tokë që kanë miratimin e Perëndisë. Nën sundimin e ‘qiejve të rinj’, shoqëria e re në tokë do të çlirohet nga të gjitha gjërat që shkaktojnë ndjenja negative. Në lidhje me njerëzit besnikë që do të jetojnë në atë kohë, Bibla na siguron se Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më».—Zbulesa 21:4.
Patjetër që je dakord se këto mendime janë të këndshme dhe të japin zemër. Ja pse Bibla e quan ‘shpresë të lumtur’ perspektivën që Perëndia u jep të krishterëve të vërtetë për të ardhmen. (Titit 2:13) Nëse e mbajmë mendjen te premtimet e Perëndisë për të ardhmen e njerëzimit—edhe për faktin se këto premtime janë të besueshme e të sigurta—i largojmë mendimet negative.—Filipianëve 4:8.
Bibla e krahason shpresën tonë të shpëtimit me një përkrenare. (1 Selanikasve 5:8) Në kohët e lashta, një ushtar nuk guxonte të hynte në betejë pa përkrenare. Ai e dinte se ajo do t’ia bënte më të durueshme goditjet dhe do ta mbronte nga shigjetat. Ashtu si përkrenarja mbron kokën, shpresa mbron mendjen. Kur përqendrohemi te mendimet që na mbushin me shpresë, jemi të mbrojtur nga mendimet negative, frikësuese dhe pesimiste.
Prandaj, është e mundur t’i luftosh ndjenjat negative. Mund t’ia dalësh mbanë! Mbaj në mendje si të sheh Perëndia, afroju më shumë atij dhe përqendrohu te shpresa që ke për të ardhmen. Nëse vepron kështu, ji i sigurt se do ta shohësh ditën kur këto ndjenja negative do të jenë zhdukur përgjithmonë.—Psalmi 37:29.
[Shënimet]
a Për ata që luftojnë me depresion të zgjatur ose të rëndë, mund të jetë e nevojshme të konsultohen me një mjek të kualifikuar.—Mateu 9:12.
b Revista Kulla e Rojës e 1 gushtit 2009 përmban një program praktik e të dobishëm për leximin e Biblës.
[Diçitura në faqen 19]
«I di dhembjet që heqin.»—DALJA 3:7, 8
[Diçitura në faqen 20]
«Kur pata përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua nisën të ma ledhatonin shpirtin.»—PSALMI 94:19
[Diçitura në faqen 21]
«Paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore.»—FILIPIANËVE 4:7
[Kutia dhe figura në faqet 20, 21]
Shkrime ngushëlluese rreth Perëndisë Jehova
«Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë.»—DALJA 34:6.
«Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij.»—2 KRONIKAVE 16:9.
«Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»—PSALMI 34:18.
«Ti, o Jehova, je i mirë dhe gati të falësh.»—PSALMI 86:5.
«Jehovai është i mirë ndaj të gjithëve, dhe u tregon mëshirë tërë veprave të tij.»—PSALMI 145:9.
«Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’»—ISAIA 41:13.
«I bekuar qoftë . . . Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi.»—2 KORINTASVE 1:3.
«Do të sigurojmë zemrën tonë para tij, për gjithçka që zemra mund të na dënojë, sepse Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka.»—1 GJONIT 3:19, 20.
[Kutia dhe figurat në faqen 22]
Po i përballojnë me sukses ndjenjat negative
«Babai është i alkoolizuar dhe më ka bërë të vuaj shumë. Ndjenjat e pavlefshmërisë më kanë mbytur për një kohë të gjatë. Por kur pranova të studioja Biblën me një nga Dëshmitarët e Jehovait, mësova për premtimin e jetës së përhershme në tokë. Kjo shpresë ma mbushi mendjen e zemrën plot gëzim. Leximi i Biblës u bë pjesë e rregullt e jetës sime. Gjithmonë mbaj një Bibël me vete. Kur më pushtojnë ndjenja negative, e hap dhe lexoj shkrime lehtësuese. Kur lexoj për cilësitë tërheqëse të Perëndisë, ndihem e sigurt se në sytë e tij jam shumë e çmuar.»—Katia, 33 vjeçe.c
«Isha bërë i varur ndaj alkoolit, marihuanës, kokainës krak, si dhe thithja tutkall. Humba thuajse çdo gjë dhe përfundova si lypës. Por, pasi pranova një studim biblik me Dëshmitarët e Jehovait, jeta ime ndryshoi kryekëput. Fillova të lidhesha ngushtë me Perëndinë. Megjithëse akoma duhet të luftoj me ndjenjat e fajit dhe të pavlefshmërisë, kam mësuar të mbështetem te mëshira dhe dashamirësia e Perëndisë. Jam i sigurt se Perëndia do të vazhdojë të më japë forcën që të mposht ndjenjat negative. Njohja e së vërtetës biblike është gjëja më e mirë që më ka ndodhur.»—Renatoja, 37 vjeç.
«Që kur isha e vogël, e krahasoja veten me vëllanë e madh. Gjithmonë ndihesha më e ulët. Ende provoj shumë pasiguri dhe dyshoj tek aftësitë e mia. Por jam e vendosur ta fitoj këtë betejë. I jam lutur pa pushim Jehovait dhe ai më ka ndihmuar t’i mposht ndjenjat e paaftësisë. Më ngrohet zemra kur mendoj se Perëndia më do dhe kujdeset vërtet për mua.»—Roberta, 45 vjeçe.
[Shënimi]
c Disa emra janë ndryshuar.