Mësoji fëmijët
Një Mbretëri që do të ndryshojë mbarë tokën
A E MERR dot me mend se cila është kjo Mbretëri? . . .a Është ajo për të cilën Jezui na mësoi të lutemi. Ai na mësoi t’i bëjmë këtë kërkesë Perëndisë: «Ardhtë mbretëria jote.» (Mateu 6:9, 10) Për afro 2.000 vjet, dishepujt e Jezuit i janë lutur Perëndisë që të vijë Mbretëria e tij. Po ti, a lutesh për këtë? . . .
Për të kuptuar se çfarë është një mbretëri, duhet të dish se çfarë është një mbret. Mbret është dikush që sundon. Vendi mbi të cilin sundon quhet territori i tij. Territori i Mbretërisë së Perëndisë përfshin të gjithë tokën. Kur të vijë Mbretëria e Perëndisë, të gjithë banorët dalëngadalë do të gëzojnë bekimet që do t’u sjellë sundimi i tij.
Mbretëria e Perëndisë është një qeveri qiellore. Tek Isaia 9:6 Bibla flet për sundimtarin e kësaj qeverie. Lexo se ç’thotë ajo për të: «Na ka lindur një fëmijë . . . dhe mbi supet e tij do të jetë sundimi princëror. Ai do të thirret . . . Princ i Paqes.»—Isaia 9:6.
A e di çfarë është një princ? . . . Po, është biri i mbretit. Kush është Mbreti më i madh qiellor? . . . Mirë e ke nëse je përgjigjur Jehovai. Bibla e quan atë «Më i Larti në tërë dheun». (Psalmi 83:18) Në Bibël Jezui quhet shpesh «Bir i Perëndisë». Një arsye pse quhet kështu është se Jezuin e krijoi Jehovai. Ai është Ati i vërtetë i Jezuit.—Luka 1:34, 35; Gjoni 1:34, 49; 3:17; 11:27; 20:31; Veprat 9:20.
Mbretëria e Perëndisë për të cilën Jezui na mësoi të lutemi, është një qeveri e veçantë. Është një ‘sundim princëror’, sepse Jehovai e bën Birin e tij, Jezuin, Sundimtar ose Mbret të Mbretërisë. Por, a e dije se do të zgjidhen edhe të tjerë për të sunduar si mbretër me Jezuin në Mbretërinë e Atit të tij? . . . Le të flasim për ta.
Pak para se të vdiste, Jezui u tha apostujve besnikë se po shkonte «në shtëpinë» e Atit, në qiell. Ai u tha: «Unë po shkoj t’ju përgatit një vend. . . . Që ku të jem unë, të jeni edhe ju.» (Gjoni 14:1-3) A e di çfarë do të bëjnë me Jezuin në qiell apostujt dhe të zgjedhurit e tjerë? . . . Ata «do të mbretërojnë me të». Madje Bibla na tregon sa veta do të mbretërojnë si mbretër me Jezuin. Do të jenë 144.000 veta.—Zbulesa 14:1, 3; 20:6.
Si mendon se do të jetë jeta në tokë kur të sundojnë Princi i Paqes dhe 144.000 sundimtarët e tij të zgjedhur? . . . Do të jetë e mrekullueshme. Nuk do të ketë më luftë. Kafshët do të jetojnë në paqe me njëra-tjetrën dhe me ne. Askush nuk do të sëmuret a të vdesë. Sytë e të verbërve do të shohin, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë dhe i çali do të vrapojë e do të kërcejë si një dre. Toka do të prodhojë ushqim të mirë për të gjithë. Gjithashtu, të gjithë njerëzit do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si Jezui i mësoi dishepujt. (Gjoni 13:34, 35) Le të hapim vargjet që sapo cituam në librin e Isaisë dhe të lexojmë për gjërat e mrekullueshme që do të ndodhin.—Isaia 2:4; 11:6-11; 25:8; 33:24; 35:5, 6; 65:21-24.
Që kur Jezui i mësoi njerëzit të luten «ardhtë mbretëria jote», miliona veta kanë mësuar për këtë Mbretëri. Kjo njohuri u ka ndryshuar jetën. Së shpejti, kur kjo Mbretëri të vijë dhe të zëvendësojë çdo qeveri në tokë, të gjithë ata që i shërbejnë Perëndisë Jehova dhe Sundimtarit që ka zgjedhur, Jezu Krishtit, do të gëzojnë paqe, shëndet të përsosur dhe lumturi.—Gjoni 17:3.
a Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.