Jetëshkrim
Shtatëdhjetë vjet që kam kapur cepin e rrobës së një judeu
Treguar nga Lenërd Smithi
Kur isha në fillimet e adoleshencës, më bënë përshtypje dy vargje biblike. Sot, mbi 70 vjet më vonë, mund të kujtoj ende kohën kur kapa kuptimin e Zakarisë 8:23. Aty flitet për «dhjetë burra» që mbërthejnë «cepin e rrobës së një judeu» dhe i thonë: «Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.»
JUDEU simbolizon të krishterët e mirosur, kurse ‘dhjetë burrat’ përfaqësojnë ‘delet e tjera’ ose «Jonadabët», siç njiheshin në atë kohë.a (Gjoni 10:16) Kur kuptova këtë të vërtetë, u bëra i vetëdijshëm se shpresa ime për të jetuar përgjithmonë në tokë varej shumë nga mbështetja që do t’i jepja me besnikëri klasës së të mirosurve.
Edhe ilustrimi i Jezuit për «delet» dhe «cjeptë» që gjendet te Mateu 25:31-46 më bëri përshtypje të thellë. «Delet» përfaqësojnë ata që gjykohen në mënyrë të favorshme gjatë kohës së fundit, ngaqë u bëjnë të mira vëllezërve të mirosur të Krishtit që janë ende në tokë. Si një Jonadab i ri i thashë vetes: «Len, nëse do që Krishti të të shohë si një dele, duhet të mbështetësh vëllezërit e tij të mirosur duke pranuar drejtimin e tyre, sepse Perëndia është me ta.» Kjo kuptueshmëri më ka udhëhequr për më tepër se shtatë dekada.
«KU E KAM VENDIN UNË?»
Ime më u pagëzua më 1925 në sallën e mbledhjeve në Bethel. Ajo sallë quhej Tabernakulli i Londrës dhe e përdornin vëllezërit e asaj zone. Unë linda më 15 tetor 1926. Në mars 1940, bëra hapin e pagëzimit gjatë një asambleje në Dover në brigjet e Anglisë. U rrita me dashuri për të vërtetën. Meqë mamaja ishte një e krishterë e mirosur, ‘cepi i parë i rrobës së një judeu’ që si të thuash kapa, ishte i saji. Në atë kohë, im atë dhe motra e madhe nuk i shërbenin Jehovait. Bënim pjesë në kongregacionin e Gillingamit në juglindje të Anglisë, i cili përbëhej kryesisht nga të krishterë të mirosur. Mamaja linte një shembull të shkëlqyer zelli në predikim.
Në shtator të vitit 1941, gjatë një kongresi në qytetin e Lesterit, në një fjalim me titull «Integriteti» u trajtua çështja e sundimit universal. Fjalimi më ndihmoi të kuptoja për herë të parë se jemi përfshirë në çështjen midis Jehovait dhe Satanait. Prandaj duhet të marrim anën e Jehovait dhe të ruajmë integritetin ndaj tij si Sovrani Universal.
Në atë kongres, u vu shumë theksi te shërbimi i pionierit, dhe të rinjtë u nxitën të vinin këtë synim. Fjalimi me titull «Vendi i pionierëve në organizatë» më bëri të pyesja veten: «Ku e kam vendin unë?» Ai kongres më bindi se detyra ime si një Jonadab ishte të ndihmoja klasën e të mirosurve në predikim sa më mirë të mundesha. Aty plotësova kërkesën për pionier.
SHËRBIMI I PIONIERIT GJATË LUFTËS
Më 1 dhjetor 1941, në moshën 15-vjeçare, u emërova pionier special. Mamaja ishte bashkëpunëtorja ime e parë pioniere, por pas rreth një viti, iu desh të hiqte dorë nga ky shërbim për arsye shëndetësore. Atëherë zyra e degës në Londër më caktoi një bashkëpunëtor tjetër, Ron Parkinin, i cili tani shërben në Komitetin e Degës në Porto-Riko.
U caktuam në qytetet bregdetare të Brodsterzit dhe të Ramzgejtit, në provincën e Kentit, ku morëm një dhomë me qira. Ndihma mujore që merrnim si pionierë specialë ishte 40 shilinga (rreth 8 dollarë në atë kohë). Prandaj, kur paguanim qiranë, na mbeteshin pak për të jetuar dhe nuk ishim gjithnjë të sigurt se nga do të na vinte vakti tjetër. Por në një mënyrë a në një tjetër, Jehovai gjithnjë na i siguronte gjërat e nevojshme.
Udhëtonim shumë, duke çarë me biçikletat e stërngarkuara erërat e forta që frynin nga Deti i Veriut. Gjithashtu, duhej të përballeshim me sulmet ajrore dhe raketat gjermane V-1 që fluturonin fare ulët mbi Kent për të bombarduar Londrën. Një herë m’u desh të hidhesha nga biçikleta në një kanal, pasi një bombë më kaloi rrëshqitas sipër kokës dhe shpërtheu në një fushë aty afër. Pavarësisht nga kjo, vitet e shërbimit si pionier në Kent ishin vite të lumtura.
BËHEM «DJALË BETHELI»
Mamaja gjithnjë më kishte folur me admirim për Bethelin. «S’mund të të uroj gjë më të mirë, sesa të bëhesh djalë Betheli»,—thoshte ajo. Prandaj, imagjinoni gëzimin dhe habinë time kur në janar 1946, mora ftesën të shkoja në Bethelin e Londrës që të ndihmoja për tri javë. Kur mbaruan ato javë, Prajs Hjuzi, mbikëqyrësi i degës, më kërkoi të qëndroja në Bethel. Stërvitja që mora atje më modeloi për gjithë jetën.
Në atë kohë në familjen Bethel të Londrës kishte rreth 30 pjesëtarë, kryesisht vëllezër beqar të rinj, por edhe disa vëllezër të mirosur, përfshirë Prajs Hjuzin, Edgar Klejin dhe Xhek Barrin, i cili u bë anëtar i Trupit Udhëheqës. Ç’privilegj ishte të mbështetja vëllezërit e Krishtit, duke punuar si një djalosh nën mbikëqyrjen frymore të këtyre ‘shtyllave’ të kongregacionit!—Gal. 2:9.
Një ditë, një vëlla më tha se te porta e jashtme e Bethelit ishte një motër që donte të më takonte. Për habinë time ishte mamaja me një pako në dorë. Ajo tha se nuk do të hynte brenda që të mos më shkëpuste nga puna, por më dha pakon dhe iku. Brenda ndodhej një pallto e trashë. Gjesti i saj i dashur më kujtoi Hanën, e cila çdo vit i çonte një petk të birit të vogël, Samuelit, kur ai shërbente në tabernakull.—1 Sam. 2:18, 19.
GALAADI—NJË PËRVOJË E PAHARRUESHME
Më 1947, pesë prej nesh që shërbenim në Bethel u ftuam të ndiqnim Shkollën e Galaadit në Shtetet e Bashkuara, dhe vitin pasues ndoqëm klasën e 11-të. Kur mbërritëm, në veriun e Nju-Jorkut ku ndodhej shkolla, bënte një të ftohtë i hidhur. Sa mirë që kisha pallton e ngrohtë që më kishte dhënë mamaja!
Gjashtë muajt që kalova në Galaad ishin të paharrueshëm. Shoqëria me studentët e tjerë nga 16 vende, më zgjeroi këndvështrimin. Përveçse u pasurova frymësisht nga shkolla, nxora dobi edhe nga shoqëria me të krishterë të pjekur. Një nga studentët, Llojd Berri, një nga instruktorët, Albert Shroderi dhe mbikëqyrësi i Fermës së Mbretërisë (ku ndodhej Shkolla e Galaadit), Xhon Buth, më vonë u bënë anëtarë të Trupit Udhëheqës. I ruaj si thesar këshillat e dashura që më dhanë këta vëllezër, si edhe shembullin e tyre të shkëlqyer të besnikërisë ndaj Jehovait dhe organizatës së tij.
NË VEPRËN QARKORE DHE PËRSËRI NË BETHEL
Sapo mbarova Galaadin, u caktova në veprën qarkore në shtetin e Ohajos, SHBA. Isha vetëm 21 vjeç, por vëllezërit e pritën me ngrohtësi entuziazmin tim rinor. Në atë qark, mësova shumë nga burra me përvojë.
Pas pak muajsh, mora ftesën që të kthehesha në Bethelin e Bruklinit për t’u stërvitur më tej. Gjatë asaj kohe, njoha vëllezër që ishin shtylla të kongregacionit, si Milton Henshelin, Karl Klajnin, Nejthën Norin, Bad Salivanin dhe Lajman Suingëllin. Të gjithë këta kanë shërbyer si anëtarë të Trupit Udhëheqës. Ishte një përvojë pasuruese t’i shihja si punonin dhe të vëreja sjelljen e tyre të krishterë. Siguria ime tek organizata e Jehovait u rrit njëqindfish. Më pas më dërguan në Evropë, që të vazhdoja të shërbeja atje.
Mamaja vdiq në shkurt të vitit 1950. Pas funeralit, bëra një bisedë të hapur me babanë dhe motrën time, Dorën. I pyeta se çfarë kishin ndër mend të bënin për të vërtetën tani që mamaja nuk ishte më dhe që unë isha larguar nga shtëpia. Ata njihnin dhe respektonin një vëlla të mirosur të moshuar, Heri Brouningun, dhe pranuan të shqyrtonin të vërtetën me të. Brenda një viti, babai dhe Dora u pagëzuan. Babai më vonë u emërua si një shërbëtor në kongregacionin e Gillingamit. Pas vdekjes së tij, Dora u martua me një plak kongregacioni besnik, Roi Mortënin, dhe i shërbeu Jehovait besnikërisht derisa vdiq më 2010.
NDIHMOJ NË FRANCË
Në shkollë kisha studiuar frëngjisht, gjermanisht dhe latinisht, por nga të tria këto, me frëngjishten kisha më shumë vështirësi. Prandaj, nuk ndihesha i sigurt kur më kërkuan që të shkoja të ndihmoja në Bethelin e Parisit, Francë. Atje pata privilegjin të punoja me mbikëqyrësin e degës Onri Zhizhé, një vëlla i mirosur i moshuar. Caktimi nuk ishte gjithnjë i lehtë dhe pa dyshim bëja mjaft gabime, por mësova shumë për marrëdhëniet njerëzore.
Përveç kësaj, në vitin 1951 u planifikua të mbahej kongresi i parë ndërkombëtar i pasluftës në Paris dhe unë isha përfshirë në organizimin e tij. Një mbikëqyrës udhëtues në moshë të re, Leopold Zhonteja, erdhi në Bethel që të më ndihmonte. Më vonë Leopoldi u emërua mbikëqyrës i degës. Kongresi u mbajt në Palé de spor, pranë Kullës Eifel. Erdhën delegatë nga 28 vende. Ditën e fundit, 6.000 Dëshmitarë francezë u ngazëlluan kur panë 10.456 të pranishëm.
Kur shkova për herë të parë në Francë, nuk dija mjaftueshëm frëngjisht. Sikur të mos mjaftonte kjo, bëja gabimin e madh që flisja vetëm kur ndihesha i sigurt për frëngjishten time. Por, nëse nuk bën gabime, nuk do të të korrigjojnë kurrë e nuk do të bësh përparim.
Vendosa ta ndreqja situatën duke u regjistruar në një shkollë që u mësonte frëngjisht të huajve. I ndiqja mësimet mbrëmjeve që s’kisha mbledhje. Nisa ta doja gjuhën franceze dhe kjo dashuri është rritur gjatë viteve. Kjo ka qenë e dobishme, pasi kam mundur të ndihmoj degën e Francës në punën e përkthimit. Me kalimin e kohës u bëra përkthyes dhe përktheja nga anglishtja në frëngjisht. Ishte një privilegj të ndihmoja për t’u përcjellë vëllezërve frëngjishtfolës anembanë botës ushqimin e pasur frymor që siguron klasa e skllavit.—Mat. 24:45-47.
MARTESA DHE PRIVILEGJE TË TJERA
Më 1956 u martova me Esterën, një pioniere zvicerane që e kisha takuar ca vite më parë. U martuam në Sallën e Mbretërisë që gjendej pranë Bethelit të Londrës (Tabernakulli i vjetër i Londrës, ku ishte pagëzuar mamaja ime). Fjalimin e martesës e mbajti vëlla Hjuzi. E pranishme ishte mamaja e Esterës, e cila kishte gjithashtu shpresën qiellore. Falë martesës jo vetëm fitova një shoqe të këndshme e besnike, por edhe kalova shumë orë të çmuara në shoqëri me vjehrrën time të shkëlqyer e me mendje frymore, derisa e mbaroi jetën e saj në tokë në vitin 2000.
Pas martesës, unë dhe Estera jetuam jashtë Bethelit. Ndërsa vazhdoja të përktheja për Bethelin, Estera shërbente si pioniere speciale në periferitë e Parisit. Ajo mundi të ndihmonte disa veta që të bëheshin shërbëtorë të Jehovait. Më 1964 u ftuam të banonim në Bethel. Pastaj, më 1976, kur u formuan për herë të parë Komitetet e Degëve, u emërova anëtar i komitetit. Gjatë viteve, Estera më ka mbështetur gjithnjë me dashuri.
«MUA NUK DO TË MË KENI GJITHMONË»
Kam pasur privilegjin të kthehem herë pas here në selinë e Nju-Jorkut. Gjatë atyre vizitave mora këshilla të mira nga anëtarë të ndryshëm të Trupit Udhëheqës. Për shembull, një herë kur shpreha merakun nëse do ta mbaroja një punë në afat, vëlla Nori buzëqeshi dhe më tha: «Mos u shqetëso. Puno!» Shumë herë që nga ajo kohë, kur punët bëhen pirg, në vend që të më zërë paniku, filloj të bëj njërën punë pas tjetrës dhe në përgjithësi i mbaroj në kohë.
Pak para se të vdiste, Jezui u tha dishepujve: «Mua nuk do të më keni gjithmonë.» (Mat. 26:11) Edhe ne delet e tjera jemi të vetëdijshëm se nuk do t’i kemi gjithnjë në tokë mes nesh vëllezërit e mirosur të Krishtit. Prandaj, për mua ka qenë një privilegj tejet i çmuar që jam shoqëruar ngushtësisht për më tepër se 70 vjet me shumë të mirosur—duke kapur me mirënjohje cepin e rrobës së një judeu.
[Shënimi]
a Për termin «Jonadab», shih Kullën e Rojës të 15 shkurtit 2010, faqet 16-17, paragrafët 8 dhe 10.
[Diçitura në faqen 21]
Vëlla Nori buzëqeshi dhe më tha: «Mos u shqetëso. Puno!»
[Figurat në faqen 19]
(Majtas) Mamaja dhe babai
(Djathtas) Në Shkollën e Galaadit më 1948, me pallton e ngrohtë që më dha mamaja
[Figura në faqen 20]
Duke përkthyer për vëlla Llojd Berrin në kushtimin e degës së Francës, 1997
[Figurat në faqen 21]
(Majtas) Me Esterën ditën e dasmës
(Djathtas) Së bashku në predikim