PËRGJIGJE PËR PYETJE BIBLIKE
A mund të na falen mëkatet?
Sipas Biblës, të gjithë njerëzit janë mëkatarë. E kemi trashëguar prirjen mëkatare nga njeriu i parë, Adami. Prandaj, ndonjëherë bëjmë gjëra të këqija, për të cilat mund të na vijë keq më vonë. Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, pagoi për mëkatet tona duke vdekur për ne. Flijimi i tij shpërblyes bëri të mundur faljen. Kjo është dhuratë nga Perëndia.—Lexo Romakëve 3:23, 24.
Disa njerëz kanë kryer mëkate mjaft të rënda dhe pyesin veten nëse Perëndia mund t’i falë. Sa na gëzon ajo që thotë Fjala e Perëndisë: «Gjaku i Jezuit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.» (1 Gjonit 1:7) Jehovai është gati të falë edhe mëkatet e rënda, nëse kemi qëndrimin e duhur dhe pendohemi.—Lexo Isainë 1:18.
Çfarë duhet të bëjmë që të na falen mëkatet?
Nëse duam që Perëndia Jehova të na falë, duhet të mësojmë për të, pra të kuptojmë udhët, këshillat dhe kërkesat e tij. (Gjoni 17:3) Jehovai i fal me bujari ata që pendohen për sjelljen e keqe dhe përpiqen të ndryshojnë.—Lexo Veprat 3:19.
Nuk është shumë e vështirë që të fitojmë miratimin e Perëndisë. Jehovai i kupton dobësitë tona. Ai është i mëshirshëm dhe mirëdashës. A nuk të shtyn dashamirësia e tij të mësosh më tepër si t’i sjellësh kënaqësi?—Lexo Psalmin 103:13, 14.