Jehovai është besnik dhe falës
«Ti, o Jehova, je i mirë dhe gati të falësh. Ti tregon dashamirësi të madhe ndaj tërë atyre që të thërrasin.»—PSAL. 86:5.
1, 2. (a) Pse i çmojmë miqtë besnikë dhe falës? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
SI DO ta përshkruaje një mik të vërtetë? «Për mua, një mik i vërtetë është dikush që të gjendet gjithmonë pranë dhe që të fal kur e zhgënjen»,—thotë një motër me emrin Ashli. Të gjithë ne i çmojmë miqtë besnikë dhe falës. Ata na ndihmojnë të ndihemi të sigurt e të ndiejmë që të tjerët na duan.—Prov. 17:17.
2 Jehovai është Miku më besnik e më falës që mund të kemi. Është ashtu siç u shpreh psalmisti: «Ti, o Jehova, je i mirë dhe gati të falësh. Ti tregon dashamirësi [ose «dashuri besnike»] të madhe ndaj tërë atyre që të thërrasin.» (Psal. 86:5) Ç’do të thotë të jesh besnik dhe falës? Si i shfaq Jehovai këto cilësi të bukura? Si mund ta imitojmë shembullin e tij? Përgjigjet do të na ndihmojnë të thellojmë dashurinë për Mikun tonë të zemrës, Jehovain. Gjithashtu, do të na ndihmojnë të forcojmë miqësinë me njëri-tjetrin.—1 Gjon. 4:7, 8.
JEHOVAI ËSHTË BESNIK
3. Ç’do të thotë të jesh besnik?
3 Besnikëria është një cilësi e përzemërt që përfshin përkushtimin, besueshmërinë dhe besnikërinë e patundshme. Një person besnik nuk është i paqëndrueshëm. Përkundrazi, ai lidhet me dashuri me dikë ose diçka, duke i ndenjur pranë personit a objektit edhe në rrethana të vështira. Po, Jehovai është «Besniku» më i madh.—Zbul. 16:5.
4, 5. (a) Si e shfaq besnikërinë Jehovai? (b) Si mund të marrim forcë kur bluajmë në mendje veprat e besnikërisë së Perëndisë?
4 Si e shfaq besnikërinë Jehovai? Ai nuk i braktis kurrë adhuruesit e tij të besueshëm. Një adhurues i tillë, mbreti David, dëshmoi për besnikërinë e Jehovait. (Lexo 2 Samuelit 22:26.) Kur pati shtrëngime, Jehovai i priu, e mbrojti dhe e çliroi me besnikëri. (2 Sam. 22:1) Ai e dinte se besnikëria e Jehovait nuk përfshinte vetëm fjalë. Pse Jehovai veproi besnikërisht me të? Ngaqë vetë Davidi ishte «besnik». Për Jehovain, besnikëria e adhuruesve të tij është e vyer, ndaj edhe i shpërblen me besnikëri.—Prov. 2:6-8.
5 Mund të marrim forcë kur bluajmë në mendje veprat e besnikërisë së Jehovait. Një vëlla i besueshëm me emrin Rid, thotë: «Nxjerr shumë dobi kur lexoj tregimin që flet për mënyrën si u soll Jehovai me Davidin në kohë të vështira. Jehovai e mbështeti gjithmonë Davidin, edhe kur ai ishte i arratisur dhe jetonte nëpër shpella. Kjo më jep shumë zemër. Më kujton se, sido që të jenë rrethanat, sado e zezë të duket situata, Jehovai do të jetë pranë meje, përderisa i qëndroj besnik.» Patjetër që je dakord me këtë.—Rom. 8:38, 39.
6. Në cilat mënyra të tjera e shfaq Jehovai besnikërinë dhe ç’dobi nxjerrin nga këto adhuruesit e tij?
6 Në cilat mënyra të tjera e shfaq Jehovai besnikërinë? Ai u përmbahet plotësisht standardeve të tij. Na siguron me fjalët: «Deri kur të plakeni, unë do të jem po Ai që kam qenë.» (Isa. 46:4) Gjithmonë merr vendime bazuar në standardet e tij të pandryshueshme të së drejtës e të së gabuarës. (Mal. 3:6) Për më tepër, Jehovai e shfaq këtë cilësi duke e mbajtur besnikërisht premtimin. (Isa. 55:11) Besnikëria e Jehovait u sjell dobi gjithë adhuruesve të tij të besueshëm. Si? Kur bëjmë më të mirën për të mbajtur standardet e Jehovait, mund të jemi të sigurt se ai do ta plotësojë premtimin për të na bekuar.—Isa. 48:17, 18.
IMITO BESNIKËRINË E JEHOVAIT
7. Cila është një mënyrë si mund ta imitojmë besnikërinë e Perëndisë?
7 Si mund ta imitojmë besnikërinë e Jehovait? Një mënyrë është kur bëjmë diçka për dobinë e atyre që hasin vështirësi. (Prov. 3:27) Për shembull, a keni marrë vesh për ndonjë bashkëbesimtar që është shkurajuar mbase për shkak të problemeve shëndetësore, të kundërshtimit të familjarëve ose të dështimeve personale? Pse të mos marrësh iniciativën për të ndarë me të ca «fjalë të mira, fjalë ngushëlluese»? (Zak. 1:13)a Duke bërë këtë, po tregon se je mik i vërtetë e besnik, një njeri «me të cilin lidhesh më ngushtë se me një vëlla».—Prov. 18:24.
8. Si mund ta imitojmë besnikërinë e Jehovait, për shembull, në martesë?
8 Gjithashtu, mund ta imitojmë besnikërinë e Jehovait duke mos i tradhtuar të dashurit tanë. Për shembull, nëse jemi të martuar, e dimë se duhet t’i qëndrojmë besnik bashkëshortit. (Prov. 5:15-18) Kështu, as që e hedhim hapin e parë në shtegun që mund të na çonte drejt kurorëshkeljes. (Mat. 5:28) Po ashtu, tregohemi besnikë ndaj bashkëbesimtarëve tanë, duke shmangur thashethemet e dëmshme ose shpifjet, madje duke mos pranuar të merremi me llafe të tilla e as t’i dëgjojmë.—Prov. 12:18.
9, 10. (a) Sidomos ndaj kujt duam të qëndrojmë besnikë? (b) Pse s’do ta kemi gjithnjë kollaj t’u bindemi urdhrave të Jehovait?
9 Mbi të gjitha, duam t’i qëndrojmë besnikë Jehovait. Si e bëjmë këtë? Duke u përpjekur t’i shohim gjërat ashtu si i sheh ai—të duam atë që do ai e të urrejmë atë që urren ai—pastaj të sillemi në përputhje me këtë. (Lexo Psalmin 97:10.) Sa më shumë t’i harmonizojmë mendimet e ndjenjat tona me mendimet e ndjenjat e Jehovait, aq më të prirur do të jemi t’u bindemi urdhrave të tij.—Psal. 119:104.
10 Kuptohet, s’do ta kemi gjithnjë kollaj t’u bindemi urdhrave të Jehovait. Mbase kërkohen përpjekje të forta për të qëndruar besnikë. Mund të ketë raste kur disa të krishterë beqarë duan të martohen, por akoma nuk kanë gjetur bashkëshortin e përshtatshëm mes adhuruesve të Jehovait. (1 Kor. 7:39) Një motër beqare mund të vërejë se kolegët jobesimtarë përpiqen gjithmonë të hyjnë mblesë. Mbase motra po vuan vetminë. Prapëseprapë, bën çmos të ruajë integritetin ndaj Jehovait. A nuk duhet t’i çmojmë shembuj të tillë të shkëlqyer të besnikërisë? Sigurisht, Jehovai do t’i shpërblejë të gjithë ata që i qëndrojnë besnikë, pavarësisht nga vështirësitë.—Hebr. 11:6.
JEHOVAI ËSHTË FALËS
11. Ç’do të thotë të jesh falës?
11 Një nga cilësitë e Jehovait që të bën për vete më shumë është gatishmëria e tij për të falur. Ç’do të thotë të jesh falës? Në thelb, do të thotë të falësh dikë që të bën keq kur ka një bazë të vlefshme për këtë. Kjo nuk nënkupton se ai që fal, justifikon veprimet ose bën sikur nuk ka ndodhur gjë. Më mirë, ai vendos të mos mbajë mëri. Shkrimet mësojnë se Jehovai është ‘gati t’i falë’ ata që pendohen sinqerisht.—Psal. 86:5.
12. (a) Si e shfaq Jehovai faljen? (b) Çfarë do të thotë ‘t’i fshihen’ mëkatet dikujt?
12 Si e shfaq Jehovai faljen? Kur fal, Jehovai e bën këtë «në masë të madhe», fal plotësisht dhe përgjithmonë. (Isa. 55:7) Si e dimë se Jehovai fal plotësisht? Mendo për fjalët që na japin zemër, që i gjejmë te Veprat 3:19. (Lexoje.) Apostulli Pjetër i nxiti dëgjuesit e tij: «Pendohuni dhe kthehuni.» Kur një mëkatar pendohet sinqerisht, ndien keqardhje të thellë për udhën e gabuar që ka marrë. Gjithashtu, është i vendosur të mos e përsëritë mëkatin. (2 Kor. 7:10, 11) Për më tepër, pendimi i vërtetë e nxit mëkatarin ‘të kthehet’, duke lënë udhën e gabuar e duke ndjekur udhën që i pëlqen Perëndisë. Ç’do t’u ndodhte dëgjuesve të Pjetrit nëse do të pendoheshin sinqerisht? Ai tha se ‘do t’u fshiheshin’ mëkatet. Kjo fjalë vjen nga një fjalë greke që do të thotë «shuaj, shlyej». Kështu, kur Jehovai fal, si të thuash është si të fshish dërrasën e zezë. Ai fal plotësisht.—Hebr. 10:22; 1 Gjon. 1:7.
13. Për çfarë na sigurojnë fjalët «nuk do t’ua kujtoj më mëkatin»?
13 Si e dimë se Jehovai fal përgjithmonë? Mendo për profecinë e Jeremisë në lidhje me besëlidhjen e re të bërë me të krishterët e mirosur, e cila hap rrugën për falje të vërtetë për ata që tregojnë besim te shpërblesa. (Lexo Jereminë 31:34.) Jehovai thotë: «Unë do t’ua fal fajin dhe nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.» Kështu, ai po na siguron se kur fal, nuk do të veprojë në të ardhmen kundër nesh për shkak të këtyre mëkateve. Nuk na i përmend vazhdimisht mëkatet që të na akuzojë ose ndëshkojë herë pas here. Përkundrazi, Jehovai i fal mëkatet dhe i hedh prapa krahëve—përgjithmonë.—Rom. 4:7, 8.
14. Si mund të marrim zemër ndërsa meditojmë për faljen e Jehovait? Jepni një shembull.
14 Mund të marrim zemër ndërsa meditojmë për faljen e Jehovait. Ja një shembull: vite më parë, një motër që po e quajmë Elejna, u përjashtua. Disa vite më vonë u rivendos. Ajo rrëfen: «Edhe pse i thosha vetes dhe të tjerëve se besoja që Jehovai më kishte falur, mendoja gjithmonë se ai rrinte larg meje, se të tjerët ndiheshin më afër tij dhe se për ta ishte më real.» Sidoqoftë, Elejna u ngushëllua teksa lexonte dhe meditonte për disa shprehje figurative që përdor Bibla për të përshkruar faljen e Jehovait. Ajo shton: «Ndieja dashurinë dhe përzemërsinë e Jehovait si kurrë më parë.» Ky mendim nga një botim preku në veçanti: «Kur Jehovai na i fal mëkatet, nuk duhet të mendojmë se do ta mbajmë për gjithë jetën njollën e këtyre mëkateve.»b Elejna thotë: «Kuptova se nuk e besoja se Jehovai mund të më falte plotësisht dhe mendoja se do ta mbaja këtë barrë për gjithë jetën. E di që do të më duhet kohë, por kam filluar të ndiej se vërtet mund t’i afrohem më shumë Jehovait. Ndihem sikur më është hequr një peshë e madhe nga supet.» Sa i dashur dhe falës është Perëndia që i shërbejmë!—Psal. 103:9.
IMITO FALJEN E JEHOVAIT
15. Si mund ta imitojmë faljen e Jehovait?
15 Mund ta imitojmë faljen e Jehovait duke zgjedhur të falim njëri-tjetrin kurdo që ka një bazë për këtë. (Lexo Lukën 17:3, 4.) Të kujtojmë se, kur Jehovai fal, harron mëkatin në kuptimin që nuk e përdor më kundër nesh. Kur falim të tjerët, edhe ne mund ta harrojmë çështjen duke e hedhur prapa krahëve e duke mos folur më për të më vonë.
16. (a) Të jesh falës, a do të thotë ta justifikosh keqbërjen ose t’i lejosh të tjerët të përfitojnë nga ne? Shpjegoni. (b) Çfarë duhet të bëjmë që të na falë Perëndia?
16 Të jesh falës nuk do të thotë ta justifikosh keqbërjen ose t’i lejosh të tjerët të përfitojnë nga ne. Jo. Në thelb, do të thotë se vendosim të mos mbajmë mëri. Megjithatë s’duhet harruar se, që të na falë Jehovai, duhet të imitojmë faljen e tij në mënyrën si sillemi me të tjerët. (Mat. 6:14, 15) Në fund të fundit, empatia e nxit Jehovain të kujtojë «që jemi pluhur». (Psal. 103:14) Atëherë, a nuk duhet të na nxitë empatia edhe ne të bëjmë lëshime ndaj të tjerëve kur gabojnë, duke falur lirisht nga zemra?—Efes. 4:32; Kolos. 3:13.
17. Nëse një bashkëbesimtar na ka lënduar, ç’mund të na ndihmojë të kapërcejmë fyerjen?
17 Kuptohet, s’është gjithmonë e lehtë të falim. Me sa duket, edhe disa të krishterë të mirosur në shekullin e parë e kishin të vështirë të zgjidhnin mosmarrëveshjet. (Filip. 4:2) Nëse një bashkëbesimtar na ka lënduar, ç’mund të na ndihmojë të kapërcejmë fyerjen? Mendo për Jobin. Ai u lëndua shumë kur «miqtë» e tij, Elifazi, Bildadi dhe Zofari, i lëshuan një lumë akuzash të pabaza. (Jobi 10:1; 19:2) Në fund, Jehovai i qortoi ata akuzues të rremë dhe i udhëzoi të shkonin te Jobi e të paraqitnin një blatim për mëkatet. (Jobi 42:7-9) Por, Jehovai i kërkoi edhe Jobit të bënte diçka. Çfarë ishte? I kërkoi të lutej për ata që e kishin akuzuar. Jobi bëri siç i kërkoi Jehovai dhe Ai e bekoi për frymën e faljes. (Lexo Jobin 42:10, 12, 16, 17.) Ç’mësim mund të nxjerrim? Lutja e sinqertë për dikë që na ka fyer mund të na ndihmojë të mos mbajmë mëri.
VAZHDO T’I ÇMOSH PLOTËSISHT CILËSITË E JEHOVAIT
18, 19. Si mund të vazhdojmë të thellojmë çmueshmërinë për personalitetin e Jehovait që na bën për vete?
18 Ka qenë vërtet freskuese të shqyrtonim disa aspekte të personalitetit të dashur të Jehovait. Kemi parë se është i afrueshëm, i paanshëm, bujar, i arsyeshëm, besnik dhe falës. Pa dyshim, e kemi prekur vetëm përciptas këtë temë. Mund të provojmë gëzimin që vjen kur të mësojmë më shumë për Jehovain gjatë gjithë përjetësisë. (Ekl. 3:11) Jemi në një mendje me apostullin Pavël që shkroi: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë»,—për të mos folur për dashurinë, si edhe për gjashtë cilësitë që kemi shqyrtuar.—Rom. 11:33.
19 Të gjithë ne, le të vazhdojmë të thellojmë çmueshmërinë për personalitetin e Jehovait që na bën për vete. Mund ta bëjmë këtë duke i njohur cilësitë e tij, duke i bluar në mendje dhe duke i imituar në jetën tonë. (Efes. 5:1) Teksa veprojmë kështu, sigurisht do të jemi gjithnjë e më shumë dakord me psalmistin që këndoi: «Për mua, është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë.»—Psal. 73:28.
a Për sugjerime që do të të ndihmojnë në këtë aspekt, shih artikullin «A ke inkurajuar dikë kohët e fundit?» në revistën Kulla e Rojës të 15 prillit 1995 dhe «Të nxisim në dashuri dhe në vepra të shkëlqyera: Në ç’mënyrë?» të 1 korrikut 1995.