A JU KUJTOHET?
A i keni lexuar me kujdes numrat e fundit të Kullës së Rojës? Shihni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
Çfarë është biblomansia dhe si duhet ta shohin të krishterët?
Biblomansia është një praktikë sipas së cilës mund të hapësh Biblën në një faqe çfarëdo dhe të lexosh vargun e parë që të kap syri, me besimin se ato fjalë do të të japin ndihmën që të nevojitet. Të krishterët e vërtetë nuk kërkojnë ogure. Përkundrazi, ata e studiojnë Biblën që të marrin njohuri të saktë dhe drejtim hyjnor.—15/12, faqja 3.
Çfarë është «bota» që do të kalojë?
«Bota» që do të kalojë janë njerëzit që jetojnë në tokë, jeta e të cilëve nuk përputhet me vullnetin e Perëndisë. (1 Gjon. 2:17) Toka dhe njerëzit besnikë do të mbijetojnë.—1/1, faqet 5-7.
Edhe pse vdiq, si na flet ende Abeli? (Hebr. 11:4)
Nëpërmjet besimit. Mund të mësojmë nga ai dhe të përpiqemi të imitojmë besimin e tij. Shembulli i tij është i gjallë dhe frymëzues.—1/1, faqja 12.
Në cilat fusha s’duhet të lejojmë asgjë të na largojë nga Perëndia?
Disa fusha janë: puna ose karriera jonë, çlodhja dhe zbavitja që zgjedhim, lidhja emocionale me një të afërm të përjashtuar, dhënia pas teknologjisë, meraku për shëndetin, pikëpamja e gabuar për paratë, vlerësimi i tepruar për mendimet tona ose pozitën.—15/1, faqet 12-21.
Çfarë mund të mësojmë nga përulësia e Moisiut?
Moisiu nuk lejoi të krekosej nga autoriteti, por u mbështet te Perëndia, jo te vetja. Kurrë nuk duam të lejojmë pushtetin, autoritetin ose aftësitë e lindura të na krekosin; përkundrazi, duam të kemi besim te Jehovai. (Prov. 3:5, 6)—1/2, faqja 5.
Ku do të jetojnë të ringjallurit?
Një numër i kufizuar, 144.000, do të jetojnë në qiell. Megjithatë, shumica e atyre që do të ringjallen do të kthehen në jetë këtu në tokë me mundësinë për të jetuar përgjithmonë.—1/3, faqja 6.
Çfarë do të thoshte që izraelitët ishin «të parrethprerë në zemër»? (Jer. 9:26)
Ata ishin rebelë kokëfortë dhe kishin nevojë të hiqnin ato gjëra që ua bënin të pandjeshme zemrën: mendimet, gjërat që kishin për zemër ose motivet që binin ndesh me ato të Perëndisë. (Jer. 5:23, 24)—15/3, faqet 9-10.
Si ishte Jezui shembull i dikujt me një jetë domethënëse?
Ai kishte një qëllim në jetë, të bënte vullnetin e Perëndisë. Kishte dashuri të zjarrtë për Atin e tij dhe i donte njerëzit. Prandaj, Jezui e dinte se Ati e donte dhe e miratonte. Këta janë çelësa për një jetë domethënëse.—1/4, faqet 4-5.
Çfarë përfshin pjesa tokësore e organizatës së Perëndisë?
Përfshin Trupin Udhëheqës, Komitetet e Degëve, mbikëqyrësit udhëtues, trupat e pleqve, kongregacionet dhe Dëshmitarët si individë.—15/4, faqja 29.
Pse mund të themi se Perëndia nuk u tregua mizor kur ekzekutoi gjykimet e tij?
Jehovai nuk kënaqet me vdekjen e të ligut. (Ezek. 33:11) Veprat e tij në të kaluarën tregojnë se ai me dashuri i paralajmëron njerëzit para se të ekzekutojë gjykimin. Kjo na jep shpresë se do t’u mbijetojmë gjykimeve të së ardhmes.—1/5, faqet 5-6.
A i ekzekutonin izraelitët kriminelët duke i varur në shtyllë?
Jo. Kombet e tjera të lashta vepronin kështu, por jo izraelitët. Të paktën në kohën kur u shkruan Shkrimet Hebraike, keqbërësit ekzekutoheshin përpara, për shembull goditeshin me gurë. (Lev. 20:2, 27) Pastaj mund ta varnin kufomën në një shtyllë si paralajmërim për të tjerët.—15/5, faqja 13.
Pse është kaq e paarritshme paqja në botë?
Megjithëse njerëzit kanë arritur të bëjnë shumë gjëra, ata nuk kanë aftësinë për të drejtuar hapat e vet. (Jer. 10:23) Bota është nën pushtetin e Satanait, kështu që njerëzit nuk mund të vendosin paqen. (1 Gjon. 5:19)—1/6, faqja 16.