Armiku i fundit, vdekja, asgjësohet
«Armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja.»—1 KOR. 15:26.
1, 2. Në çfarë kushtesh jetonin në fillim Adami dhe Eva, dhe cilat pyetje lindin?
KUR Adami dhe Eva u krijuan, nuk kishin as edhe një armik. Ishin njerëz të përsosur që jetonin në parajsë dhe që gëzonin një marrëdhënie të ngushtë me Krijuesin si biri e bija e tij. (Zan. 2:7-9; Luka 3:38) Perspektivat që i pritnin, i kuptuan mirë nga detyra që u dha Perëndia. (Lexo Zanafillën 1:28.) Tokën mund ‘ta mbushnin e ta sundonin’ brenda një kohe të arsyeshme. Por, që të vazhdonin ‘të mbanin të nënshtruar çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë’, Adami dhe Eva duhej të jetonin përgjithmonë. Kjo detyrë mbikëqyrjeje nuk do t’i kalonte dikujt tjetër pasi Adami nuk do të vdiste.
2 Atëherë, pse situata sot është tjetër për tjetër? Nga dolën gjithë këta armiq që ia prishën lumturinë njeriut, më i madhi ndër të cilët është vdekja? Si do t’i asgjësonte Perëndia këta armiq? Përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe të të tjerave që lidhen me to i gjejmë në faqet e Biblës. Le të shqyrtojmë disa fragmente kyçe të saj.
NJË PARALAJMËRIM I DASHUR
3, 4. (a) Çfarë urdhri u dha Perëndia Adamit dhe Evës? (b) Sa e rëndësishme ishte t’i bindeshin atij urdhri?
3 Edhe pse kishin perspektivën të jetonin përgjithmonë, Adami dhe Eva nuk ishin të pavdekshëm. Për të mbetur gjallë, duhej të merrnin frymë, të flinin, të hanin e të pinin. Mbi të gjitha, jeta e tyre varej nga marrëdhënia me Jetëdhënësin. (Ligj. 8:3) Që të vazhdonin ta shijonin jetën, ishte e domosdoshme të pranonin drejtimin e Perëndisë. Jehovai ia bëri të qartë këtë Adamit, madje që para krijimit të Evës. Si? «Perëndia Jehova i dha këtë urdhër njeriut: ‘Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.’»—Zan. 2:16, 17.
4 «Pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes» paraqiste të drejtën e Perëndisë që të thoshte fjalën e fundit për sa i përket të mirës dhe të keqes. Sigurisht që Adami tashmë e dallonte deri diku të mirën dhe të keqen, ngaqë ishte krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe kishte ndërgjegje. Mirëpo, pema do t’u kujtonte Adamit dhe Evës se gjithmonë do të kishin nevojë për drejtimin e Jehovait. Po të hanin nga pema, do të ishte sikur të shpallnin pavarësinë morale, e kjo do t’u sillte dëme kolosale atyre vetë dhe gjithë pasardhësve. Urdhri i Perëndisë bashkë me dënimin për mosbindje tregonin ç’pasoja të rënda do të kishte ajo rrugë.
SI HYRI VDEKJA NË FAMILJEN NJERËZORE
5. Pse Adami dhe Eva nuk iu bindën Jehovait?
5 Pasi u krijua Eva, Adami i tregoi urdhrin e Perëndisë. Ajo e njihte mirë atë urdhër dhe e përsëriti pothuaj fjalë për fjalë. (Zan. 3:1-3) Ia përsëriti dikujt që u paraqit si gjarpër, një krijese të kujdesshme. Ai që fshihej pas gjarprit ishte Satana Djalli, një bir frymor i Perëndisë që ia kishte lejuar vetes të ushqente dëshirën për pavarësi dhe pushtet. (Krahaso Jakovin 1:14, 15.) Që të arrinte qëllimet e tij të liga, ngriti akuzën se Perëndia gënjente. E siguroi Evën se po të kërkonin pavarësinë, nuk do të vdisnin, por do të bëheshin si Perëndia. (Zan. 3:4, 5) Eva i zuri besë, shpalli pavarësinë e saj duke ngrënë frytin dhe ia mbushi mendjen Adamit të bënte po njëlloj. (Zan. 3:6, 17) Djalli kishte gënjyer. (Lexo 1 Timoteut 2:14.) Prapëseprapë, Adami ‘dëgjoi zërin e gruas’. Edhe pse gjarpri dukej si mik, Satana Djalli ishte në të vërtetë një armik i pamëshirshëm që i dinte për bukuri pasojat fatale të sugjerimit që i dha Evës.
6, 7. Si e trajtoi Jehovai çështjen gjyqësore të keqbërësve?
6 Për arsye egoiste, edhe Adami, edhe Eva u rebeluan kundër Atij që u dha jetën e gjithçka tjetër. Natyrisht, Jehovait nuk i shpëtoi asgjë nga ato që kishin ndodhur. (1 Kron. 28:9; lexo Proverbat 15:3.) Ai u dha mundësi të treve të shfaqnin sheshit ndjenjat që kishin për të. Si Atë, s’diskutohet që Jehovai u lëndua jashtë mase. (Krahaso Zanafillën 6:6.) Por tani i duhej të vepronte si Gjykatës dhe të mbante fjalën për pasojat që kishte shpallur.
7 Perëndia i kishte thënë Adamit: «Ditën që do të hash prej [pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes], ke për të vdekur.» Ndoshta Adami mendonte se ajo ‘ditë’ ishte 24 orëshe. Pasi shkeli urdhrin e Jehovait, mbase priste që Ai të vepronte para perëndimit të diellit. Jehovai komunikoi me çiftin «në kohën kur frynte flladi i pasdites». (Zan. 3:8) Hapi, si të thuash, një seancë gjyqësore dhe në fillim i mori në pyetje Adamin e Evën, duke dëgjuar përgjigjet e tyre. (Zan. 3:9-13) Pastaj shpalli dënimin kundër keqbërësve. (Zan. 3:14-19) Sikur t’i ekzekutonte mu aty, qëllimi që kishte për Adamin, Evën dhe pasardhësit e tyre do të dilte huq. (Isa. 55:11) Edhe pse ai përsëriti dënimin me vdekje dhe pasojat e mëkatit u ndien menjëherë, lejoi që Adami dhe Eva të lindnin fëmijë. Këta mund të përfitonin nga masat e tjera që do të merrte Jehovai. Pra, për Perëndinë, Adami dhe Eva vdiqën po atë ditë që mëkatuan, dhe në realitet vdiqën vërtet brenda një ‘dite’ prej 1.000 vjetësh.—2 Pjet. 3:8.
8, 9. Si ndikoi mëkati i Adamit te pasardhësit e tij? (Shih figurën hapëse.)
8 A do të ndikonte te fëmijët e Adamit dhe të Evës ajo që kishin bërë prindërit e tyre? Po. Romakëve 5:12 shpjegon: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» I pari që vdiq ishte Abeli besnik. (Zan. 4:8) Pastaj pasardhësit e tjerë të Adamit u plakën e vdiqën. Përveç vdekjes, a trashëguan edhe mëkatin? Apostulli Pavël përgjigjet: «Nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm, shumë u bënë mëkatarë.» (Rom. 5:19) Pra, mëkati dhe vdekja e trashëguar nga Adami u bënë armiq të pamëshirshëm të njerëzimit, të cilëve njerëzit e papërsosur nuk u shpëtonin dot. Nuk dimë saktësisht çdo hollësi se si kaloi kjo trashëgimi e mjerueshme nga Adami te fëmijët dhe brezat e ardhshëm. Mirëpo është e qartë që ndodhi.
9 Me të drejtë, Bibla e përshkruan mëkatin dhe vdekjen e trashëguar si ‘ajo që mbështjell gjithë popujt dhe veli që është endur mbi gjithë kombet’. (Isa. 25:7) Ky vel mbytës ose qefín, kjo rrjetë e koklavitur dënimi, ka zënë në grackë gjithë njerëzimin. Pra, e vërteta është se «në Adamin të gjithë po vdesin». (1 Kor. 15:22) Lind natyrshëm pyetja që bëri Pavli: «Kush do të më çlirojë nga trupi që i nënshtrohet kësaj vdekjeje?» A mund ta çlironte ndokush?a—Rom. 7:24.
ASGJËSIMI I MËKATIT DHE I VDEKJES ADAMIKE
10. (a) Cilat janë disa vargje biblike që tregojnë se Jehovai do ta asgjësojë vdekjen adamike? (b) Çfarë tregojnë këto vargje për Jehovain dhe Birin e tij?
10 Ai që mund ta çlironte Pavlin ishte Jehovai. Fill pasi përmendi «velin», Isaia shkroi: «Ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë.» (Isa. 25:8) Si një baba që zhduk shkakun e vuajtjeve të fëmijëve dhe u fshin lotët, edhe Jehovai mezi pret të asgjësojë vdekjen adamike. Për këtë ka edhe një bashkëpunëtor. Te 1 Korintasve 15:22 lexojmë: «Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen.» Po njësoj, pasi pyeti «kush do të më çlirojë», Pavli vazhdoi: «Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë!» (Rom. 7:25) Është e qartë se dashuria që e shtyu Jehovain të sillte në jetë njerëzit nuk u ftoh kur Adami dhe Eva u rebeluan. Edhe ai që punoi përkrah Jehovait për të krijuar çiftin e parë akoma i kishte për zemër pasardhësit e tyre. (Prov. 8:30, 31) Por, si do të realizohet ky çlirim?
11. Çfarë mase mori Jehovai që të ndihmonte njerëzimin?
11 Papërsosmëria njerëzore dhe vdekja lidhen si me mëkatin që kreu Adami, si me gjykimin e drejtë që dha Jehovai. (Rom. 5:12, 16) Shkrimet thonë: «Nëpërmjet një shkeljeje të vetme njerëz të çdo lloji përfunduan në dënim.» (Rom. 5:18) Ç’mund të bënte Jehovai që të hiqej dënimi pa zhvleftësuar normat e veta? Përgjigjen e gjejmë te fjalët e Jezuit: «Biri i njeriut . . . erdhi që . . . të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz.» (Mat. 20:28) Biri i parë frymor i Jehovait e bëri të qartë se, pasi të lindte në tokë si njeri i përsosur, do të jepte veten si «shpërblesë». Si mund ta çonte në vend drejtësinë shpërblesa?—1 Tim. 2:5, 6.
12. Çfarë ishte shpërblesa përkatëse që çoi në vend drejtësinë?
12 Si njeri i përsosur, Jezui kishte të njëjtat perspektiva që pati Adami para se të mëkatonte. Qëllimi i Jehovait ishte të mbushte tokën me pasardhësit e përsosur të Adamit. Prandaj, i shtyrë nga dashuria e thellë për të Atin dhe për pasardhësit e Adamit, Jezui flijoi jetën e vet si njeri. Po, ai dha një jetë të përsosur njerëzore, si barasvlerës i jetës që humbi Adami. Pas kësaj, Jehovai e ringjalli si Bir frymor. (1 Pjet. 3:18) Me të drejtë, Jehovai mund të pranonte flijimin e një njeriu të përsosur, Jezuit, si shpërblesë ose çmim që të riblinte familjen e Adamit. Kjo do t’u jepte atyre perspektivat që humbi Adami. Mund të themi se Jezui zuri vendin e Adamit. Pavli shpjegon: «Është shkruar kështu: ‘Njeriu i parë, Adami, u bë një shpirt i gjallë.’ Adami i fundit u bë një frymë jetëdhënëse.»—1 Kor. 15:45.
13. Si do t’i ndihmojë «Adami i fundit» ata që kanë vdekur?
13 Do të vijë koha e shumëpritur që «Adami i fundit» të veprojë si «një frymë jetëdhënëse» për njerëzimin në përgjithësi. Shumica e pasardhësve të Adamit do të ringjallen. Pse? Sepse kanë jetuar e kanë vdekur, prandaj duhet të ringjallen, pra të kthehen në jetë në tokë.—Gjoni 5:28, 29.
14. Cila masë nga Jehovai do të zhdukë papërsosmërinë e trashëguar nga Adami?
14 Si do të shpëtojë njerëzimi nga lufta me papërsosmërinë e trashëguar? Jehovai mori masa për një qeveri të përbërë nga «Adami i fundit» dhe qeveritarë të zgjedhur nga gjiri i njerëzimit. (Lexo Zbulesën 5:9, 10.) Ata që do të qeverisin me Jezuin në qiell, e dinë çfarë do të thotë të jesh i papërsosur. Për një mijë vjet plot, bashkëqeverisja e tyre do t’i ndihmojë banorët e tokës të fitojnë mbi papërsosmërinë që nuk mund ta mposhtin vetë.—Zbul. 20:6.
15, 16. (a) Cila lloj vdekjeje është «armiku i fundit», dhe kur do të asgjësohet? (b) Sipas 1 Korintasve 15:28, ç’do të bëjë Jezui me kalimin e kohës?
15 Në fund të Mbretërisë njëmijëvjeçare, njerëzit e bindur do të jenë çliruar nga tërë armiqtë që solli mosbindja e Adamit. Bibla thotë: «Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen. Por secili sipas radhës: Krishti fryti i parë, pastaj, gjatë pranisë së Krishtit, ata që i përkasin atij [bashkëqeveritarët e tij]. Dhe në fund, kur të ketë asgjësuar çdo qeveri, autoritet dhe fuqi, ai do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij. Sepse, ai duhet të mbretërojë derisa Perëndia t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja.» (1 Kor. 15:22-26) Po, më në fund, vdekja e trashëguar nga Adami s’do të jetë më. ‘Veli’ që ka zënë në grackë tërë familjen njerëzore do të jetë hequr një herë e mirë.—Isa. 25:7, 8.
16 Apostulli Pavël përfundon me këto fjalë të frymëzuara: «Kur çdo gjë t’i jetë nënshtruar atij, atëherë edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi çdo gjë, që Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë.» (1 Kor. 15:28) Qëllimi i qeverisjes së Birit do të jetë kryer. Atëherë, me kënaqësi të papërshkrueshme, ai do t’ia dorëzojë autoritetin Jehovait dhe do t’i paraqitë familjen njerëzore sërish të përsosur.
17. Ç’do të bëhet në fund me Satanain?
17 Po ç’do të bëhet me Satanain, me atë që i solli njerëzimit tërë ato bela? Zbulesa 20:7-15 na jep përgjigje. Në një provë të fundit Satanait do t’i jepet mundësia të mashtrojë të gjithë njerëzit e përsosur. Djalli dhe ata që i shkojnë nga pas do të shfarosen përjetësisht në ‘vdekjen e dytë’. (Zbul. 21:8) Kjo lloj vdekjeje nuk do të asgjësohet kurrë, pasi ata që janë nën kthetrat e saj s’do të ekzistojnë më. Megjithatë, ‘vdekja e dytë’ nuk është armik i atyre që e duan Krijuesin dhe që i shërbejnë.
18. Si do të kryhet detyra që i dha Perëndia Adamit?
18 Në atë kohë, njerëzit e përsosur do të qëndrojnë para Jehovait të miratuar për të jetuar përgjithmonë, pa as edhe një armik. Detyra që iu dha Adamit do të jetë kryer, por pa të. Toka do të mbushet me pasardhësit e tij, që do ta mbikëqyrin plot gëzim planetin dhe do të kënaqen me gjithë krijesat e larmishme në të. Qofshim përherë mirënjohës për mënyrën e dashur si do ta asgjësojë Jehovai armikun e fundit, vdekjen!
a Duke folur për përpjekjet e shkencëtarëve që të shpjegojnë pse plakemi e vdesim, libri Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet komenton: «Ata i mbyllin sytë para faktit se Krijuesi vetë e dënoi me vdekje çiftin e parë dhe këtë dënim e zbatoi në një mënyrë që njeriu nuk e kupton plotësisht.»—Vëll. 2, f. 247, anglisht.