Ta përballojmë së bashku fundin e kësaj bote të vjetër
«Ne jemi gjymtyrë që i përkasim njëri-tjetrit.»—EFES. 4:25.
1, 2. Çfarë do Perëndia për adhuruesit e tij, qofshin të rinj a të rritur?
A JE një i ri ose e re? Nëse po, mos ki pikë dyshimi se je vërtet i çmuar si pjesë e kongregacionit mbarëbotëror të Jehovait. Në mjaft vende, një pjesë e mirë e atyre që pagëzohen janë të rinj. Sa na ngrohet zemra kur shohim gjithë këta të rinj që u shtohen radhëve të atyre që kanë vendosur t’i shërbejnë Jehovait!
2 Si i ri, s’do mend që ke qejf të rrish me ata të moshës sate. Është normale të kënaqesh kur zbavitesh me të rinj të tjerë. Megjithatë, qofshim të rinj a të rritur dhe pavarësisht nga formimi ynë, Perëndia do që të jemi të bashkuar ndërsa e adhurojmë. Apostulli Pavël shkroi se vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:3, 4) Edhe te Zbulesa 7:9, adhuruesit e Perëndisë përshkruhen si njerëz që vijnë nga «të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët».
3, 4. (a) Cila frymë është tipike te të rinjtë sot? (b) Cili qëndrim është në harmoni me Efesianëve 4:25?
3 Çfarë kontrasti ekziston mes të rinjve që i shërbejnë Jehovait dhe të rinjve të botës! Shumë nga ata që nuk i shërbejnë Jehovait bëjnë një jetë egoiste, të fiksuar vetëm te dëshirat e tyre. Disa studiues i quajnë «Brezi i unit». Me mënyrën si flasin e si vishen, tregojnë përbuzje për ata të brezit të kaluar, që sipas tyre janë «prapa botës».
4 Kjo frymë na bombardon nga të katër anët. Prandaj, të rinjtë që i shërbejnë Jehovait e kuptojnë se duhet të përpiqen fort ta shmangin këtë frymë e të përvetësojnë pikëpamjen e Perëndisë. Madje edhe në shekullin e parë, Pavli e pa të nevojshme t’i nxiste bashkëbesimtarët të shmangnin ‘frymën që tani vepron në bijtë e mosbindjes’ sipas së cilës ‘ecnin dikur’. (Lexo Efesianëve 2:1-3.) Të rinjtë që e kuptojnë sa urgjente është ta shmangin këtë frymë dhe të bashkëpunojnë me gjithë vëllazërinë, meritojnë t’i lavdërojmë. Një qëndrim i tillë është në harmoni me fjalët e Pavlit se «ne jemi gjymtyrë që i përkasim njëri-tjetrit». (Efes. 4:25) Teksa i afrohemi fundit të kësaj bote të vjetër, do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme të punojmë krah për krah në unitet. Le të shohim disa shembuj biblikë që do të na ndihmojnë të kuptojmë sa nevojë kemi të qëndrojmë përkrah njëri-tjetrit, të jemi të bashkuar.
QËNDRUAN PËRKRAH NJËRI-TJETRIT
5, 6. Si nxjerr në pah tregimi për Lotin dhe bijat e tij se duhet të qëndrojmë përkrah njëri-tjetrit?
5 Në të kaluarën, Jehovai e mbronte me kënaqësi popullin e vet sa herë që ndihmonin njëri-tjetrin si një i vetëm në kohë të vështira. Ata që i shërbejnë Perëndisë sot, të rinj a të rritur, mund të mësojnë nga shembujt biblikë. Një prej tyre është ai i Lotit.
6 Loti dhe familja e tij e kishin kokën në rrezik, sepse qytetit ku banonin, Sodomës, i kanosej shkatërrimi. Engjëjt e Perëndisë e ngutën Lotin të largohej e të gjente shpëtim në rajonin malor, me fjalët: «Ik, që të shpëtosh shpirtin!» (Zan. 19:12-22) Loti u bind, dhe dy bijat e tij bashkëpunuan me të e ikën nga qyteti. Mjerisht, shokë e të afërm të tjerë nuk ia vunë veshin. Për shembull, të rinjve që ishin fejuar me vajzat e Lotit «iu duk sikur ai po bënte shaka». Kjo u kushtoi jetën. (Zan. 19:14) Të mbijetuarit e vetëm ishin Loti dhe të bijat, që i qëndruan përkrah.
7. Kur izraelitët dolën nga Egjipti, si i ndihmoi Jehovai ata që shfaqën një frymë uniteti?
7 Të shqyrtojmë një shembull tjetër. Kur izraelitët dolën nga Egjipti, nuk udhëtuan grupe-grupe, secili për hesapin e vet. E kur Moisiu «shtriu dorën drejt detit» dhe Jehovai ndau ujërat, Moisiu nuk kaloi përmes tij vetëm fare ose me një grusht izraelitësh. Përkundrazi, falë mbrojtjes së Jehovait, mbarë kongregacioni i Izraelit kaloi matanë detit. (Dal. 14:21, 22, 29, 30) Ata shfaqën një frymë uniteti dhe me ta u bashkua «një turmë e madhe e përzier» joizraelitësh që mori anën e tyre. (Dal. 12:38) Është e paimagjinueshme që një grup i vogël, ndoshta me të rinj, të merrnin rrugën sipas kokës së tyre, nga t’u dukej më mirë. A s’do të ishte budallallëk të vepronin kështu dhe të humbnin mbrojtjen e Jehovait?!—1 Kor. 10:1.
8. Në ditët e Jehozafatit, si tregoi populli i Perëndisë se ishte i bashkuar?
8 Në ditët e mbretit Jehozafat, populli i Perëndisë u përball me një armik të frikshëm, «një turmë e madhe» nga viset përqark. (2 Kron. 20:1, 2) Sa mirë që shërbëtorët e Perëndisë nuk u orvatën ta mundnin armikun me forcat e tyre! Përkundrazi, iu drejtuan për ndihmë Jehovait. (Lexo 2 Kronikave 20:3, 4.) Dhe këtë nuk e bënë secili sipas mendjes së vet, si ta shihnin të udhës a si t’u vinte për mbarë. Bibla tregon: «Tërë njerëzit e Judës po qëndronin në këmbë para Jehovait, madje edhe të vegjlit, gratë e tyre dhe bijtë e tyre.» (2 Kron. 20:13) Të rinj a të rritur, u përpoqën të gjithë tok të ndiqnin me besim drejtimin e Jehovait, dhe Ai i mbrojti nga armiku. (2 Kron. 20:20-27) A nuk është ky një shembull i bukur se si t’u bëjmë ballë vështirësive si populli i Perëndisë?
9. Ç’mund të mësojmë për unitetin nga veprimet dhe qëndrimi i të krishterëve të hershëm?
9 Edhe të krishterët e hershëm njiheshin për bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Për shembull, pasi shumë judenj e prozelitë u bënë të krishterë, i kushtoheshin «mësimit të apostujve, ndanin [shoqëroheshin] me njëri-tjetrin, hanin dhe luteshin». (Vep. 2:42) Ky unitet binte në sy sidomos kur i përndiqnin, pra tamam atëherë kur kishin më tepër nevojë për njëri-tjetrin. (Vep. 4:23, 24) A nuk je dakord se në kohë kritike është jetësore të punojmë krah për krah?
TË JEMI TË BASHKUAR NDËRSA AFROHET DITA E JEHOVAIT
10. Kur do të jetë tejet i rëndësishëm uniteti?
10 Po na afrohet një nga periudhat më të errëta të historisë njerëzore. Profeti Joel e përshkruan si «një ditë errësire dhe zymtësie». (Joe. 2:1, 2; Sof. 1:14) Për popullin e Perëndisë do të jetë momenti për të qenë të bashkuar. Të mos harrojmë fjalët e Jezuit: «Çdo mbretëri e përçarë, përfundon në shkretim.»—Mat. 12:25.
11. Cili përshkrim që gjejmë te Psalmi 122:3, 4 mund të zbatohet për popullin e Perëndisë sot? (Shih figurën hapëse.)
11 Gjatë kohës së trazuar që e pret këtë sistem, do të na duhet të jemi të bashkuar se s’bën. Uniteti frymor që duhet të kemi atëherë mund të krahasohet me afërsinë mes shtëpive të Jerusalemit të lashtë. Ato ishin ndërtuar aq ngjitur sa psalmisti e përshkroi Jerusalemin si ‘një qytet fort të bashkuar’. Falë kësaj, banorët mund të ndihmonin dhe të mbronin njëri-tjetrin. Për më tepër, kjo afërsi mes tyre mund të simbolizonte unitetin frymor të krejt kombit kur të gjitha «fiset e Jah» mblidheshin për të adhuruar. (Lexo Psalmin 122:3, 4.) Sot e në ditët kritike që na presin, edhe ne duhet të qëndrojmë ‘fort të bashkuar’ si një trup i vetëm.
12. Çfarë do të na ndihmojë t’i mbijetojmë sulmit që do të shpërthejë kundër popullit të Perëndisë?
12 Pse do të jetë kaq e rëndësishme të jemi ‘të bashkuar’ në atë kohë? Në kapitullin 38 të Ezekielit gjejmë një profeci që flet për një sulm kundër popullit të Perëndisë nga «Gogu i vendit të Magogut». Atëherë nuk do të jetë aspak momenti të lejojmë që të na përçajë ndonjë gjë. Do të ishte gabim fatal t’i lypnim ndihmë botës së Satanait. Përkundrazi, duam të qëndrojmë përkrah vëllezërve tanë. Kuptohet se nuk do të mbijetojmë thjesht ngaqë jemi pjesë e një grupi. Perëndia dhe Biri i tij do të shpëtojnë nga ajo kohë gjëme vetëm njerëzit që thërrasin emrin e Jehovait. (Joe. 2:32; Mat. 28:20) Atëherë, a është logjike të presim të shpëtohen ata që nuk kanë qëndruar në unitet me kopenë e Perëndisë, pra që kanë ndjekur rrugën e vet?!—Mik. 2:12.
13. Nga sa shqyrtuam deri tani, ç’mësime mund të nxjerrin të rinjtë me frikë Perëndie?
13 A nuk duket qartë, pra, se është çmenduri të ndjekësh udhët e të rinjve që izolohen ose mbyllen në guaskën e vet? Po vjen koha kur do të kemi vërtet nevojë për njëri-tjetrin, qofshim të rinj a të rritur. Të mësojmë qysh tani të bashkëpunojmë, të zhvillojmë atë unitet aq jetësor për ditët që presim!
«GJYMTYRË QË I PËRKASIM NJËRI-TJETRIT»
14, 15. (a) Çfarë synimi ka Jehovai ndërsa stërvit të rinj e të rritur sot? (b) Cilat këshilla nga Jehovai na nxitin të jemi të bashkuar?
14 Jehovai po na ndihmon ‘t’i shërbejmë sup më sup’. (Sof. 3:8, 9) Ai po na stërvit të përshtatemi me qëllimin e tij të përhershëm. Çfarë përfshin ky? Qëllimi i tij është ‘të mbledhë së bashku në Krishtin të gjitha gjërat’. (Lexo Efesianëve 1:9, 10.) E pra, ai ka si synim të bashkojë në unitet gjithë krijesat në mbarë universin që i shërbejnë me dëshirë. E këtë do ta arrijë se s’bën! Si i ri që je, a të ndihmon kjo të kuptosh sa urgjente është të bashkëpunosh me organizatën e Jehovait?
15 Jehovai po na mëson ta arrijmë që sot këtë unitet, me synimin që ta kemi në përjetësi. Shkrimet na nxitin shumë e shumë herë ‘të kemi kujdes për njëri-tjetrin’, ‘të kemi për njëri-tjetrin përzemërsi të butë’, ‘të vazhdojmë të ngushëllojmë njëri-tjetrin’ dhe ‘të ndërtojmë njëri-tjetrin’. (1 Kor. 12:25; Rom. 12:10; 1 Sel. 4:18; 5:11) Jehovai e di se jemi të papërsosur, prandaj nuk e kemi kollaj të jemi të bashkuar. Ja pse na nxit të përpiqemi ‘ta falim bujarisht njëri-tjetrin’.—Efes. 4:32.
16, 17. (a) Cili është një nga qëllimet e mbledhjeve tona? (b) Ç’mund të mësojnë të rinjtë nga shembulli që la Jezui në moshë të re?
16 Jehovai na ka siguruar edhe mbledhjet, që na mësojnë si të qëndrojmë përkrah njëri-tjetrit. E kemi lexuar shpesh inkurajimin që gjejmë te Hebrenjve 10:24, 25. Një qëllim i këtyre mbledhjeve është «të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera». Vlen të përmendet edhe se mbledhjet janë siguruar që ‘të inkurajojmë njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shohim se dita po afrohet’.
17 Në moshë të re, Jezui la një shembull të mirë çmueshmërie për masa të tilla. Kur ishte 12 vjeç, shkoi me prindërit në një grumbullim të madh frymor. Në një moment, ata nuk po e gjenin dot, por jo ngaqë ai po vërdallisej kot me të rinj të tjerë. Përkundrazi, kur Jozefi dhe Maria e gjetën, Jezui ishte i zhytur në bisedë frymore me mësuesit në tempull.—Luka 2:45-47.
18. Si mund të na e forcojnë unitetin lutjet?
18 Siç kemi parë deri tani, duhet të kultivojmë dashuri për njëri-tjetrin dhe të përfitojmë nga mbledhjet që të forcojmë unitetin. Por këtë lidhje mund ta forcojmë edhe duke u lutur për njëri-tjetrin. Kur i bëjmë Jehovait lutje specifike për vëllezërit, na përtërihet meraku që ndiejmë për njëri-tjetrin. Ama këto gjëra nuk u takojnë vetëm të rriturve. Nëse je i ri ose e re, a përfiton nga këto mundësi që të ndërtosh një lidhje të ngrohtë me familjen tënde frymore? Vetëm atëherë do t’ia dalësh të mos fundosesh bashkë me këtë botë të vjetër.
TË TREGOJMË SE «JEMI GJYMTYRË QË I PËRKASIM NJËRI-TJETRIT»
19-21. (a) Në cilën mënyrë mbresëlënëse tregojmë se «jemi gjymtyrë që i përkasim njëri-tjetrit»? Jepni shembuj. (b) Ç’mësim nxjerr ti nga mënyra si vepruan disa vëllezër kur goditën katastrofa?
19 Tashmë populli i Jehovait po jeton sipas parimit të Romakëve 12:5: ‘Jemi gjymtyrë që i përkasim njëra-tjetrës.’ Këtë e shohim qartë kur godasin katastrofa. Në dhjetor të vitit 2011, një stuhi tropikale shkaktoi përmbytje të mëdha në ishullin e Mindanaos në Filipine. Brenda natës, më shumë se 40.000 shtëpi i mbuloi uji, e ndër to dhjetëra shtëpi të vëllezërve tanë. Megjithatë, zyra e degës raportoi se, «që para se të nisnin nga puna komitetet e ndihmës, vëllezër nga zona të tjera po dërgonin ndihma».
20 Po ashtu, kur Japoninë Lindore e goditi një tërmet tejet i fuqishëm, i pasuar nga një tsunami, shumë vëllezër e motra pësuan humbje të rënda. Disa ngelën thuajse pa gjë. Joshikoja, e cila mbeti pa shtëpi, jetonte afro 40 kilometra larg Sallës së Mbretërisë. Ajo tregon: «U habitëm kur morëm vesh se ditën pas tërmetit, mbikëqyrësi qarkor bashkë me një vëlla tjetër kishin dalë të na kërkonin.» Me fytyrën që i ndrin nga gëzimi shton: «Sa mirënjohës ishim që nevojat tona frymore u plotësuan si s’ka më mirë nëpërmjet kongregacionit! Veç kësaj, na dërguan pallto, këpucë, çanta dhe pizhame.» Një pjesëtar i komitetit të ndihmës shprehet: «Vëllezër nga të katër anët e Japonisë punuan si një trup i vetëm për të ndihmuar njëri-tjetrin. Madje disa erdhën nga Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar. Kur i pyetnin pse kishin bërë tërë atë rrugë, thoshin: ‘Ne jemi një me vëllezërit në Japoni, dhe ata kanë nevojë për ndihmë.’» A nuk ndihesh krenar që je pjesë e një organizate e cila kujdeset kaq shumë për pjesëtarët e vet? S’ka dyshim se Jehovait i bëhet zemra mal kur sheh këtë frymë uniteti.
21 Nëse kemi këtë frymë sot, kjo do të na ndihmojë t’i përballojmë si një trup i vetëm telashet që na presin, edhe sikur të jemi të izoluar nga vëllezërit në disa pjesë të botës. Vërtet, kultivimi i kësaj fryme na përgatit për vështirësitë që patjetër do të hasim teksa fundoset ky sistem i vjetër. Fumikoja, një viktimë e tajfunit në Japoni, thotë: «Fundi është te pragu. Ndërsa presim kohën kur s’do të ketë më katastrofa, duhet të vazhdojmë t’u bëhemi krah bashkëbesimtarëve.»
22. Çfarë dobie afatgjatë mund të sjellë uniteti mes nesh?
22 Të rinj e të rritur që po mësojnë sot të ruajnë unitetin me gjithë forcat, faktikisht po përgatiten t’i mbijetojnë fundit të kësaj bote të ligë e të përçarë. Njësoj si në të kaluarën, Perëndia ynë do ta shpëtojë popullin e tij. (Isa. 52:9, 10) Mos harro kurrë se mund të jesh mes të shpëtuarve, nëse bën çmos të qëndrosh mes popullit të bashkuar të Perëndisë. Ka edhe diçka tjetër që do të na ndihmojë: ta çmojmë gjithnjë e më shumë trashëgiminë frymore që kemi marrë. Kjo do të shqyrtohet në artikullin vijues.