TEMA KRYESORE | SI TË GJESH KËNAQËSI NË PUNË
Si të kënaqesh kur punon fort
«Në qoftë se ka për të ngrënë dhe për të pirë dhe mund ta gëzojë atë që ka fituar me punën e tij, atëherë ia di për nder mirësisë së Perëndisë.» (Eklisiastiu 3:13, Bibla ECM) Nëse Perëndia do që të kënaqemi me punën, a nuk është logjike të na tregojë edhe si ta gjejmë këtë kënaqësi? (Isaia 48:17) Sa mirë që ai e bën këtë nëpërmjet faqeve të Fjalës së tij, Biblës. Le të shohim këshillat e mëposhtme nga Bibla se si të provosh gëzim në punë.
ZHVILLO NJË PIKËPAMJE POZITIVE PËR PUNËN
Sido që ta kesh punën, qoftë më të lodhshme nga ana mendore, qoftë fizike a diçka e mesme, kupto se «nga çdo lloj mundi ka përfitim». (Proverbat 14:23) Çfarë përfitimi? Pikësëpari, puna e palodhur na ndihmon të plotësojmë nevojat materiale. Është e vërtetë që Zoti premton t’ua plotësojë nevojat atyre që e adhurojnë sinqerisht. (Mateu 6:31, 32) Por pret që edhe ne të bëjmë pjesën tonë duke u përpjekur fort të fitojmë bukën e gojës.—2 Selanikasve 3:10.
Kështu, mund ta shohim punën si metodë për të arritur një synim. Puna është mënyrë e ndershme për t’u kujdesur për përgjegjësitë tona. Xhoshua 25-vjeçar thotë: «Është goxha arritje të sigurosh gjërat e nevojshme për veten. Nëse ia del të paguash vetë për atë që të duhet, puna jote po e arrin synimin.»
Për më tepër, puna e palodhur të rrit respektin për veten. Në fund të fundit, puna e palodhur është e tillë, e palodhur. Kur disiplinojmë veten dhe e çojmë deri në fund punën, edhe sikur të jetë e mërzitshme apo e vështirë, kënaqemi ngaqë e dimë se i jemi përmbajtur një standardi të lartë pune. Kemi fituar mbi prirjen për t’i bërë bisht punës së palodhur. (Proverbat 26:14) Në këtë kuptim puna të jep një ndjenjë të thellë kënaqësie. Aroni i cituar në artikullin paraardhës, pohon: «Më pëlqen shumë ndjesia pas një dite të gjatë pune. Mund të jem i rraskapitur, dhe ndoshta punën time as që e kanë vënë re, por e di se kam arritur diçka të rëndësishme.»
PUNO ME MISH E ME SHPIRT
Bibla flet shumë mirë për një burrë ‘të zotë në punën e tij’ dhe për gruan që ‘e bën çdo gjë me kënaqësi’. (Proverbat 22:29; 31:13) Natyrisht, dikush nuk bëhet i zoti sa hap e mbyll sytë. Dhe pak nga ne kënaqen kur bëjnë gjëra për të cilat nuk ndihen të aftë. Ndoshta për këtë arsye mjaft veta s’kënaqen me punën; thjesht nuk janë përpjekur dhe aq ta mësojnë mirë.
Faktikisht dikush mund të arrijë të kënaqet thuajse me çdo lloj pune nëse e sheh siç duhet, domethënë, nëse i futet me kokë që të mësojë si ta bëjë mirë. Uilliami 24-vjeçar thotë: «Kënaqesh pa masë kur jep më të mirën në një detyrë dhe sheh rezultatet. Kurrë nuk e provon këtë ndjenjë po t’i biesh shkurt ose të bësh vetëm minimumin.»
PËRQENDROHU TE DOBITË QË U SJELL TË TJERËVE PUNA JOTE
Mos bjer në kurth, pra të mendosh vetëm për paratë që fiton. Në vend të kësaj, pyet veten: «Pse nevojitet kjo punë? Ç’do të ndodhte po të mos kryhej ose po të mos kryhej siç duhet? Si u sjell dobi të tjerëve puna ime?»
Veçanërisht pyetjen e fundit ia vlen ta mendosh, sepse puna bëhet më e kënaqshme kur kuptojmë si u sjell të mira të tjerëve. Vetë Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Përveç atyre që nxjerrin dobi drejtpërdrejt nga shërbimet tona, si klientët a punëtorët, ka edhe të tjerë që përfitojnë nga puna jonë e palodhur, si pjesëtarët e familjes dhe ata në nevojë.
Pjesëtarët e familjes. Kur një kryefamiljar punon fort që t’u plotësojë nevojat materiale familjarëve, u sjell dobi në të paktën dy mënyra. Së pari, sigurohet që t’u plotësohen nevojat fizike: ushqimi, veshja e strehimi. Kështu përmbush përgjegjësinë nga Perëndia që ‘të sigurojë gjërat e nevojshme për të vetët’. (1 Timoteut 5:8) Së dyti, ai që siguron të ardhurat me zell u mëson të tjerëve me anë të shembullit rëndësinë e punës së palodhur. Shejni, i cituar në artikullin paraardhës, thotë: «Babai është model i shkëlqyer i njeriut që ka një etikë të mirë pune. Është një burrë i ndershëm që ka punuar fort gjithë jetën, shumicën e kohës si zdrukthëtar. Nga shembulli i tij kam mësuar sa vlerë ka të punoj me duart e mia, të bëj gjëra praktike për të tjerët.»
Ata në nevojë. Apostulli Pavël i këshilloi të krishterët ‘të punonin pa u lodhur, që të kishin diçka për t’i shpërndarë ndonjë nevojtari’. (Efesianëve 4:28) Vërtet, kur punojmë fort që të sigurojmë gjërat e nevojshme për veten dhe për familjen, mund të ndihmojmë edhe ata që nuk janë aq në gjendje. (Proverbat 3:27) Pra, falë punës së palodhur mund të provojmë lumturinë e madhe që vjen kur japim.
BËJ MË SHUMË NGA Ç’TË KËRKOHET
Në Predikimin e famshëm në Mal, Jezui tha: «Nëse dikush të detyron të ecësh me të një kilometër, shko me të dy kilometra.» (Mateu 5:41) Si mund ta zbatosh në punë parimin që qëndron pas këtyre fjalëve? Në vend që të bësh vetëm minimumin, gjej mënyra që të bësh më shumë nga ç’të kërkohet. Vër synime; provo veten nëse e bën dot punën më mirë e më shpejt nga ç’të kërkohet. Krenohu kur bën mirë qoftë edhe ndonjë detaj në punë.
Kur bën më shumë nga ç’të kërkohet, ka më tepër gjasa ta shijosh punën. Pse? Sepse atë që bën, e ke nën kontroll ti. Po jep më tepër sepse të pëlqen, jo sepse të detyroi dikush. (Filemonit 14) Për këtë ndoshta na kujtohet parimi te Proverbat 12:24: «Dora e atyre që ngulmojnë, do të sundojë, kurse dora e ngathët do të jetë për punë të detyruar.» Është e vërtetë, pak nga ne janë skllevër të mirëfilltë ose bëjnë punë të detyruar. Mirëpo, dikush që bën vetëm minimumin mund të ndihet si i skllavëruar, gjithnjë nën varësinë e kërkesave të të tjerëve. Por, ai që bën më tepër sepse zgjedh vetë, e ka jetën nën kontroll. Ai mbetet zot i veprimeve të tij.
PUNO ME EKUILIBËR
Puna e palodhur është e admirueshme, por bëjmë mirë të sjellim ndër mend se jeta nuk është veç punë. Vërtet, Bibla na nxit të punojmë pa përtesë. (Proverbat 13:4) Por nuk na nxit të fiksohemi pas punës. Eklisiastiu 4:6 thotë: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.» Cili është mësimi? Një njeri që punon tepër mund të mos provojë kurrë frytin e punës nëse i merr gjithë kohën dhe energjitë. Në fakt, puna e tij bëhet po aq e pakuptimtë sa ‘rropatja pas erës’.
Bibla na ndihmon të zhvillojmë një pikëpamje të ekuilibruar për punën. Ndonëse thotë se duhet të jemi të përkushtuar në punë, na këshillon edhe ‘të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’. (Filipianëve 1:10) Cilat janë gjërat më të rëndësishme? Këto përfshijnë kohën që kalojmë me familjen e miqtë. Edhe më të rëndësishme janë aktivitetet që lidhen me adhurimin e Zotit, si të lexosh Fjalën e Tij dhe të mendosh thellë për të.
Ata që bëjnë jetë të ekuilibruar ka të ngjarë të kënaqen edhe më shumë me punën. Uilliami i përmendur më lart, shprehet: «Një nga ish-punëdhënësit e mi është shembull fantastik i dikujt që ka një etikë pune të ekuilibruar. Ai punon fort dhe klientët janë të kënaqur me cilësinë e punës së tij. Ama në fund të ditës, kur puna mbaron, ai s’e mban më mendjen atje dhe përqendrohet te familja e te besimi. Dhe, e dini çfarë? Është një nga njerëzit më të lumtur që njoh.»