Bibla e Bedelit—Një hap i vogël për të kuptuar më mirë Biblën
KUR kleriku anglez Uilliam Bedeli shkoi në Irlandë në vitin 1627, u gjend përballë një situate pështjelluese. Irlanda, vend kryesisht katolik, ishte nën kontrollin e Britanisë protestante. Reformatorët protestantë tashmë e kishin përkthyer Biblën në disa gjuhë anekënd Evropës. Por dukej se askujt s’i interesonte ta përkthente në gjuhën irlandeze.
Bedeli kishte bindjen e plotë se populli irlandez «nuk duhej lënë pas dore vetëm ngaqë nuk dinte anglisht». Kështu vendosi të përkthente një Bibël në gjuhën irlandeze. Por hasi kundërshtime të ashpra, sidomos nga protestantët. Pse?
KUNDËR PËRDORIMIT TË GJUHËS IRLANDEZE
Bedeli iu fut punës që ta mësonte edhe vetë gjuhën irlandeze. Kur u bë drejtori i Fakultetit të Trinitetit në Dublin, dhe më vonë kryepeshkop i Kilmorit, i nxiti studentët të përdornin gjuhën irlandeze. Ç’është e vërteta, kur Elizabeta I e Anglisë themeloi Fakultetin e Trinitetit, synimi ishte që prej tij të dilnin shërbëtorë fetarë që mund t’ua mësonin nënshtetasve të saj mesazhin e Biblës në gjuhën amtare. Pikërisht këtë u përpoq të bënte realitet Bedeli.
Pjesa dërrmuese e njerëzve në dioqezën e Kilmorit flitnin gjuhën irlandeze. Ndaj Bedeli këmbënguli që të kishte shërbëtorë fetarë që flitnin atë gjuhë. Ai e bëri këtë thirrje në bazë të fjalëve të apostullit Pavël te 1 Korintasve 14:19, ku thuhet: «Në kongregacion më mirë të flisja pesë fjalë me mendjen time, që të mësoja gojarisht edhe të tjerë, sesa dhjetë mijë fjalë në gjuhë të huaj.» Me shprehjen «gjuhë të huaj» ai nënkuptonte një gjuhë që shumica nuk e kuptonin.
Megjithatë autoritetet s’lanë gur pa lëvizur që ta pengonin. Sipas historianëve disa pohonin se përdorimi i gjuhës irlandeze ishte «i rrezikshëm për shtetin», kurse të tjerë thoshin se ishte «kundër interesave të qeverisë». Sipas disave, ishte në të mirë të Anglisë t’i mbanin në padije irlandezët. Në fakt dolën ligje që u kërkonin irlandezëve të hiqnin dorë nga gjuha e nga zakonet e tyre dhe të mësonin anglishten e zakonet angleze.
PROJEKTI I BEDELIT PËR BIBLËN
Bedeli nuk u spraps nga këto pikëpamje diktatoriale. Në fillim të viteve 30 të shekullit të 17-të filloi të përkthente në gjuhën irlandeze Biblën e botuar më së fundmi në anglisht (King James Version e vitit 1611). Donte të botonte një Bibël të kuptueshme për sa më shumë njerëz. Atij i vinte shumë keq që të varfrit nuk mund të kërkonin në Shkrime udhën drejt jetës së përhershme për sa kohë që Bibla mbetej e pakuptueshme për ta.—Gjoni 17:3.
Bedeli nuk ishte i pari që mendonte kështu. Rreth 30 vjet më parë, edhe një tjetër peshkop, Uilliam Danieli, e kishte vënë re sa e vështirë ishte që njerëzit të mësonin për Biblën kur fjalët e saj i kishte mbuluar «terri i një gjuhe të panjohur». Danieli kishte përkthyer Shkrimet e Krishtere Greke në gjuhën irlandeze. Kurse tani Bedeli mori përsipër të përkthente Shkrimet Hebraike. Ajo që njihet si Bibla e Bedelit përmban si përkthimin e tij, ashtu edhe përkthimin e mëparshëm të Uilliam Danielit. Pas Biblës së Bedelit, që ishte Bibla e parë e plotë në gjuhën irlandeze, nuk pati përkthim tjetër në këtë gjuhë për 300 vitet pasuese.
Bedeli, i kualifikuar si studiues i hebraishtes, zgjodhi dy irlandezë që ta ndihmonin me përkthimin nga anglishtja në gjuhën irlandeze. Gjatë përkthimit Bedeli kontrollonte dhe rishikonte gjithë merak çdo varg me ndihmën e nja dy bashkëpunëtorëve të besueshëm. Ata konsultoheshin me një përkthim italian të teologut zviceran, Xhovani Diodati, me Septuagintën greke dhe me një dorëshkrim të lashtë të Biblës në hebraisht, që kishte vlera të mëdha.
Skuadra ndoqi drejtimin e përkthyesve të Biblës King James Version (shumë prej të cilëve ndoshta Bedeli i njihte personalisht) dhe në disa vende të Biblës futën edhe emrin e Perëndisë. Për shembull, te Dalja 6:3 emrin e Perëndisë e përkthyen «Iehovah». Dorëshkrimi origjinal i Bedelit ruhet në Bibliotekën Marsh në Dublin të Irlandës.—Shih kutinë «Kujtohet dhe respektohet Bedeli».
MË NË FUND BOTOHET
Bedeli e përfundoi përkthimin rreth vitit 1640. Por nuk arriti ta botonte menjëherë. Pse jo? Pikësëpari e përndiqnin pareshtur. Armiqtë shpifën për përkthyesin kryesor të Bedelit, me shpresën se do t’ia diskreditonin punën. Madje tërë ligësi shkaktuan arrestimin dhe burgosjen e tij. Sikur kjo të mos mjaftonte, Bedeli u gjend mes një rebelimi të egër e të përgjakshëm kundër anglezëve, që shpërtheu në vitin 1641. Irlandezët e mbrojtën Bedelin për njëfarë kohe, edhe pse ishte anglez, sepse e shihnin merakun e tij të sinqertë për ta. Por, si përfundim, ushtarët rebelë e futën në një burg me kushte ekstreme. Pa dyshim që kjo çoi në vdekjen e tij të parakohshme në vitin 1642. Ai nuk e pa kurrë veprën e tij të botuar.
Puna e Bedelit thuajse u zhduk krejt kur i plaçkitën e i shkatërruan shtëpinë. Shyqyr që një mik i ngushtë arriti t’i shpëtonte gjithë dokumentet e përkthyera. Ato ranë në duart e Narsis Marshit, që më vonë u bë kryepeshkop i Armait dhe i Kishës së Irlandës. Ai pati përkrahjen financiare të shkencëtarit Robert Bojl dhe me guxim e botoi Biblën e Bedelit në vitin 1685.
NJË HAP I VOGËL, E MEGJITHATË I RËNDËSISHËM
Bibla e Bedelit nuk mori famë botërore. Ishte një hap i vogël, e megjithatë i rëndësishëm për të kuptuar më mirë Biblën, sidomos për ata që flitnin irlandisht jo vetëm në Irlandë, por edhe në Skoci e në mjaft vende të tjera. Tani mund ta plotësonin nevojën për të njohur Perëndinë duke e lexuar Fjalën e Tij në gjuhën e nënës.—Mateu 5:3, 6.
«Kur lexuam Biblën e Bedelit, na tingëlloi vërtet në gjuhën e zemrës. Pa të, unë dhe familja ime nuk do t’i kishim mësuar të vërtetat e mrekullueshme të Shkrimeve.»
Edhe sot e kësaj dite, Bibla e Bedelit vazhdon t’i ndihmojë ata që e duan të vërtetën dhe duan të mësojnë për Perëndinë. Një irlandez që kohët e fundit kuptoi çfarë mëson vërtet Bibla, tha: «Kur lexuam Biblën e Bedelit, na tingëlloi vërtet në gjuhën e zemrës. Pa të, unë dhe familja ime nuk do t’i kishim mësuar të vërtetat e mrekullueshme të Shkrimeve.»