Fryma e Perëndisë jep dëshmi bashkë me frymën tonë
«Fryma e Perëndisë jep dëshmi bashkë me frymën tonë, se jemi fëmijë të Perëndisë.»—ROM. 8:16.
1-3. Cilat ngjarje e bënë festën e Ditës së Pesëdhjetë një ditë të veçantë, dhe si e përmbushën ato ngjarje çka ishte parathënë në Shkrime? (Shih figurën hapëse.)
ISHTE mëngjesi i së dielës. Ajo ditë qe e veçantë për ata që ndodheshin në Jerusalem, sepse ishte edhe festë, edhe sabat. Ora ishte pak a shumë nëntë. Patjetër që në tempull tashmë ishin paraqitur flijimet e zakonshme që bëheshin në mëngjes. Tani ndihej një atmosferë entuziazmi teksa kryeprifti përgatitej të paraqiste si blatim të tundur dy bukë të mbrujtura me drithë të ri. (Lev. 23:15-20) Ky blatim shënonte fillimin e korrjes së grurit. Ishte viti 33 i e.s., festa e Ditës së Pesëdhjetë.
2 Ndërsa në zonën e tempullit po ngjisnin tërë këto gjëra, diçka shumë më e rëndësishme do të ndodhte pas pak, jo në tempull, por në një dhomë të sipërme në qytet. Një grup prej afro 120 të krishterësh ishin mbledhur tok dhe «ngulmonin në lutje». (Vep. 1:13-15) Ajo që do t’u ndodhte pas pak lidhej ngushtë me veprimet që bënte kryeprifti çdo festë të Ditës së Pesëdhjetë. Gjithashtu, ajo do të përmbushte një profeci që kishte thënë rreth 800 vjet më parë profeti Joel. (Joe. 2:28-32; Vep. 2:16-21) Po ç’ishte vallë kjo gjë kaq e rëndësishme që do t’u ndodhte?
3 Lexo Veprat 2:2-4. Mbi atë grup të krishterësh të mbledhur në dhomën e sipërme u derdh fryma e shenjtë e Perëndisë. (Vep. 1:8) Ata zunë të profetizonin, ose të jepnin dëshmi, për gjërat e mrekullueshme që kishin parë e kishin dëgjuar. Sakaq u mblodh një turmë, dhe apostulli Pjetër i shpjegoi domethënien e asaj që ndodhi. Pastaj u tha dëgjuesve të tij: «Pendohuni, e secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit, që t’ju falen mëkatet. Atëherë do të merrni falas si dhuratë frymën e shenjtë.» Atë ditë, rreth 3.000 veta gjithsej e pranuan ftesën, u pagëzuan dhe morën frymën e shenjtë që ishte premtuar.—Vep. 2:37, 38, 41.
4. (a) Pse duhet të na interesojë ajo që ndodhi në festën e Ditës së Pesëdhjetë? (b) Cila ngjarje tjetër e rëndësishme mund të ketë ndodhur në të njëjtën ditë shumë vite më parë? (Shih shënimin.)
4 Pse është kaq e rëndësishme për ne festa e Ditës së Pesëdhjetë e vitit 33 të e.s.? Sigurisht, jo nga ajo që ndodhi në tempullin e Jerusalemit, por ngaqë Jezu Krishti, si Kryeprifti i madh, plotësoi modelin profetik.[1] Atë ditë kryeprifti i paraqiste Jehovait dy bukë simbolike. Bukët me maja që paraqiteshin në tempull përfaqësonin dishepujt e mirosur të zgjedhur nga njerëzimi mëkatar për t’u birësuar si fëmijë të Perëndisë. Falë kësaj, çelej rruga që disa «fryte të para» nga gjiri i njerëzimit të shkonin më pas në qiell dhe të bënin pjesë në Mbretërinë që do të derdhë bekime të pafundme mbi njerëzimin e bindur. (Jak. 1:18; 1 Pjet. 2:9) Pra, pavarësisht nëse shpresojmë të banojmë në qiell me Jezuin apo të jetojmë përgjithmonë në tokën parajsore, ngjarjet e asaj dite ndikojnë pa masë në jetën tonë.
SI NDODH PROCESI I MIROSJES
5. Nga e dimë se jo të gjithë të mirosurit e marrin mirosjen fiks në të njëjtën mënyrë?
5 Po të ishe një nga dishepujt të cilëve u qëndruan mbi kokë gjuhë si prej zjarri, ajo ditë s’do të të shlyhej kurrë nga kujtesa. Në mendjen tënde s’do të kishe fije dyshimi se ishe mirosur nga fryma e shenjtë, sidomos po të kishe marrë edhe dhuratën e mrekullueshme për të folur në gjuhë të huaj. (Vep. 2:6-12) Por, a mirosen kështu të gjithë të mirosurit me frymë të shenjtë, domethënë në të njëjtën mënyrë mbresëlënëse si ai grup i parë me afro 120 dishepuj? Jo. Pjesa tjetër e atyre që ndodheshin atë ditë në Jerusalem u mirosën kur u pagëzuan. (Vep. 2:38) Atyre nuk iu shfaqën mbi kokë gjuhë si prej zjarri. Veç kësaj, jo të gjithë të krishterët e mirosur e merrnin mirosjen në momentin e pagëzimit. Samaritanët u mirosën nga fryma e shenjtë njëfarë kohe pasi u pagëzuan. (Vep. 8:14-17) Kurse, në një rast krejt të pazakontë, Korneli dhe njerëzit e shtëpisë së tij u mirosën nga fryma e shenjtë që para se të pagëzoheshin.—Vep. 10:44-48.
6. Çfarë marrin të gjithë të mirosurit, dhe si ndikon kjo tek ata?
6 Pra, nuk mirosen të gjithë fiks në të njëjtën mënyrë. Disa mund ta kenë kuptuar menjëherë se janë mirosur, kurse të tjerëve u është dashur kohë që ta kuptonin a ta pranonin këtë fakt. Megjithatë, sido që të ndodhë mirosja, secili ka atë që apostulli Pavël e përshkroi me këto fjalë: «Me anë të tij, pasi besuat, u vulosët me frymën e shenjtë të premtuar, që është kapari i trashëgimisë sonë.» (Efes. 1:13, 14) Ky veprim i veçantë i frymës së shenjtë është si një parapagesë, si një garanci (a një gjë e lënë peng) për çka do të vijë. Falë këtij kapari ose garancie që ka marrë, i mirosuri fiton një bindje të brendshme.—Lexo 2 Korintasve 1:21, 22; 5:5.
7. Ç’duhet të bëjë çdo i krishterë i mirosur që të marrë shpërblimin e tij në qiell?
7 A e ka të garantuar të ardhmen në qiell i krishteri që merr këtë kapar? Jo. Ai është i sigurt se ka marrë ftesën. Por në do ta marrë apo jo në fund shpërblimin në qiell, varet nga besnikëria e tij, nëse mbetet i denjë për këtë thirrje. Ja çfarë tha Pjetri: «Prandaj, o vëllezër, aq më tepër bëni çmos që të siguroheni për thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, nëse vazhdoni t’i bëni këto gjëra, nuk do të dështoni kurrsesi. Kështu, do t’ju sigurohet një hyrje e lavdishme në mbretërinë e përjetshme të Zotërisë dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.» (2 Pjet. 1:10, 11) Pra, çdo i mirosur duhet të përpiqet me të gjitha forcat që të mbetet besnik, përndryshe ftesa ose thirrja qiellore s’do të ketë pikë vlere në rastin e tij.—Hebr. 3:1; Zbul. 2:10.
NGA VJEN SIGURIA?
8, 9. (a) Pse shumë veta e kanë të vështirë ta kuptojnë çfarë ndodh kur dikush miroset? (b) Pse ndihet i sigurt dikush se e ka marrë ftesën që të shkojë në qiell?
8 Sot shumica e shërbëtorëve të Perëndisë mund ta kenë të vështirë ta kuptojnë procesin e mirosjes, dhe me të drejtë, sepse nuk e përjetojnë vetë. Në fillim fare, qëllimi i Perëndisë ishte që njerëzimi të jetonte përgjithmonë këtu në tokë. (Zan. 1:28; Psal. 37:29) Zgjedhja e disave për të shkuar në qiell që të qeverisin si mbretër e priftërinj nuk është diçka normale; është një masë e jashtëzakonshme. Kur dikush miroset, kjo thirrje ia ndryshon rrënjësisht mënyrën si mendon, këndvështrimin dhe shpresën.—Lexo Efesianëve 1:18.
9 Por, nga vjen siguria e tij se ka thirrjen qiellore, se e ka marrë vërtet këtë kapar ose garanci speciale? Përgjigjja shihet qartë te fjalët që u shkroi Pavli vëllezërve të mirosur në Romë, të cilët ishin «thirrur për të qenë të shenjtë». Ai u tha: «Ju nuk morët një frymë skllavërie, që shkakton përsëri frikë, por morët një frymë birësimi, me anë të së cilës ne thërrasim: ‘Abba, o Atë!’ Fryma e Perëndisë jep dëshmi bashkë me frymën tonë, se jemi fëmijë të Perëndisë.» (Rom. 1:7; 8:15, 16) Pra, me dy fjalë, me anë të frymës së tij të shenjtë, Perëndia ia bën të qartë dikujt se është ftuar që të jetë në të ardhmen trashëgimtar në Mbretëri.—1 Sel. 2:12.
10. Ç’kuptim kanë fjalët e 1 Gjonit 2:27 se një të mirosur s’ka nevojë ta mësojë dikush tjetër?
10 Atyre që kanë marrë këtë ftesë speciale nga Perëndia, nuk u duhet dëshmi nga ndonjë burim tjetër. S’kanë nevojë që dikush tjetër ta vërtetojë atë që u ka ndodhur. Jehovai nuk u lë asnjë fije dyshimi në mendje e në zemër. Apostulli Gjon u thotë këtyre të krishterëve të mirosur: «Mirosja juaj është nga i shenjti; të gjithë ju keni njohuri.» Pastaj shton: «Sa për ju, mirosja që morët prej tij, mbetet te ju dhe nuk keni nevojë që dikush t’ju mësojë. Mirosja prej tij është e vërtetë e jo gënjeshtër dhe po ju mëson gjithçka. Ashtu si ju ka mësuar ajo, qëndroni në unitet me Të.» (1 Gjon. 2:20, 27) Të mirosurit kanë nevojë si të gjithë që t’i mësojë Jehovai. Por nuk kanë nevojë që ndokush të vërtetojë se mirosja e tyre është e vlefshme. Bindjen për këtë ua ka dhënë forca më e fuqishme në univers.
‘LINDIN PËRSËRI’
11, 12. Për çfarë mund ta vrasë mendjen një i mirosur, por për çfarë nuk dyshon kurrë?
11 Kur fryma e shenjtë i jep këtë bindje, tek i krishteri që miroset ndodhin ndryshime marramendëse. Duke folur për këtë proces të brendshëm, Jezui tha se një i mirosur «lind përsëri» ose fjalë për fjalë «lind nga lart».[2] (Gjoni 3:3, 5) Më tej shpjegoi: «Mos u çudit që të thashë se duhet të lindni përsëri. Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zhurmën, por se nga vjen e ku po shkon, ti nuk e di. Kështu është kushdo që lind nga fryma.» (Gjoni 3:7, 8) Kuptohet, pra, se është e pamundur t’ua shpjegosh plotësisht këtë thirrje personale atyre që nuk e kanë përjetuar.
12 Kush ka marrë një ftesë të tillë mund të vrasë mendjen: «Pse u zgjodha vallë? Pse unë e jo ndonjë tjetër?» Mund të dyshojë madje edhe nëse është i denjë për këtë. Ama nuk e vë në dyshim se e ka marrë ftesën. Zemra i gufon nga gëzimi dhe mirënjohja. Të mirosurit ndihen si Pjetri që tha nën frymëzim: «Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, sepse në përputhje me mëshirën e tij të madhe, na dha një lindje të re për një shpresë të gjallë nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit nga të vdekurit, për një trashëgimi të paprishshme, të pandotur dhe që s’venitet. Ajo është rezervuar në qiej për ju.» (1 Pjet. 1:3, 4) Kur lexojnë këto fjalë, të mirosurit nuk kanë asnjë pikë dyshimi se Ati i tyre qiellor po u flet personalisht.
13. Kur dikush miroset nga fryma e shenjtë, si ndryshon mënyra se si mendon, dhe nga se vjen ky ndryshim?
13 Para se të merrnin këtë dëshmi personale nga fryma e Perëndisë, këta të krishterë kishin shpresën të jetonin në tokë. U digjej zemra për kohën kur Jehovai do ta pastronte tokën dhe donin të shijonin atë të ardhme të bukur. Ndoshta edhe e përfytyronin veten tek pritnin krahëhapur njerëzit e tyre të dashur që ktheheshin në jetë. Mezi pritnin të jetonin në shtëpitë që do të ndërtonin me duart e tyre dhe të hanin frytin e pemëve që do të mbillnin. (Isa. 65:21-23) Po pse ndryshoi mënyra si mendonin? Nuk është që s’i kënaqte më ajo shpresë. Nuk ndërruan mendje nga ndonjë stres a trazim emocional. Nuk hoqën dorë nga toka, sikur befas të vendosnin se do t’u dukej monotone ose e mërzitshme të jetonin përgjithmonë në tokë; as nuk donin thjesht të provonin si do të ishte jeta në qiell. Përkundrazi, ata ndryshuan si rrjedhojë e veprimit të frymës së Perëndisë që jo vetëm i thirri, ose i ftoi, po edhe u ndryshoi mënyrën e të menduarit dhe shpresën.
14. Si ndihen të mirosurit për jetën e tyre në tokë?
14 Atëherë, a duhet të nxjerrim përfundimin se këta të mirosur duan të vdesin? Ja si u përgjigj Pavli i frymëzuar nga Perëndia: «Në të vërtetë, ne që jemi në këtë tendë, rënkojmë, duke qenë të rënduar. Jo se duam të zhveshim atë, por të veshim tjetrën, me qëllim që ajo që është e vdekshme, të përpihet nga jeta.» (2 Kor. 5:4) Nuk është puna që të mirosurit s’i tërheq më kjo jetë dhe duan të marrë fund shpejt. Përkundrazi, kanë dëshirë të zjarrtë ta përdorin çdo ditë për t’i shërbyer Jehovait tok me miqtë dhe familjarët. Gjithsesi, çfarëdo të jenë duke bërë, s’ka se si të mos sjellin ndër mend shpresën e lavdishme që kanë për të ardhmen.—1 Kor. 15:53; 2 Pjet. 1:4; 1 Gjon. 3:2, 3; Zbul. 20:6.
A E KE MARRË THIRRJEN QIELLORE?
15. Cilat gjëra nuk provojnë se dikush është mirosur nga fryma e shenjtë?
15 Mbase vret mendjen nëse e ke marrë këtë ftesë të mrekullueshme. Nëse mendon se mund ta kesh marrë, bluaj në mend disa pyetje të rëndësishme: a ndien se ke zell të veçantë në shërbim? A e studion me etje Biblën dhe të pëlqen të zhytesh në «gjërat e thella të Perëndisë»? (1 Kor. 2:10) A ke vërejtur se Jehovai e ka bekuar në mënyrë të mrekullueshme shërbimin tënd? A dëshiron me zjarr të bësh vullnetin e Jehovait? A e ndien thellë përgjegjësinë që t’i ndihmosh të tjerët t’i shërbejnë Perëndisë? A ke parë prova se Jehovai ka ndërhyrë personalisht në jetën tënde? Nëse u përgjigjesh me plot gojën «po» këtyre pyetjeve, a do të thotë kjo se tani ke thirrjen qiellore? Jo. Pse jo? Sepse këto nuk janë ndjenja unike që i përjeton vetëm kush ka thirrjen qiellore. Fryma e Jehovait vepron me të njëjtën forcë tek ata që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë. Ç’është e vërteta, nëse po vret mendjen në e ke marrë apo jo thirrjen qiellore, thjesht ky fakt tregon se nuk e ke marrë. Ata që Jehovai i ka thirrur nuk vrasin mendjen nëse janë ftuar apo jo. Janë të sigurt për këtë!
16. Nga e dimë se jo të gjithë ata që kanë marrë frymën e Perëndisë janë ftuar të shkojnë në qiell?
16 Shkrimet janë plot e përplot me shembuj të njerëzve me besim te të cilët veproi fuqishëm fryma e shenjtë; prapëseprapë, ata nuk kishin shpresën të jetonin në qiell. Njëri prej tyre ishte Gjon Pagëzori. Edhe pse Jezui e lavdëroi jashtë mase Gjonin, tha se ai nuk do të bënte pjesë në Mbretërinë qiellore. (Mat. 11:10, 11) Fryma e shenjtë veproi edhe te Davidi. (1 Sam. 16:13) Falë saj, ai kuptonte gjëra të thella për Jehovain, e madje u frymëzua të shkruante pjesë të Biblës. (Mar. 12:36) Sidoqoftë, në festën e Ditës së Pesëdhjetë, Pjetri tha se Davidi «nuk u ngjit në qiej». (Vep. 2:34) Fryma e shenjtë veproi fuqishëm tek ata shërbëtorë të Jehovait, por nuk u dha dëshminë speciale se ishin zgjedhur të jetonin në qiell. Kjo s’do të thotë se në njëfarë mënyre nuk ishin të denjë ose në lartësinë e duhur. Thjesht do të thotë se Jehovai do t’i ringjallë për të jetuar në tokën parajsore.—Gjoni 5:28, 29; Vep. 24:15.
17, 18. (a) Cilin shpërblim pret me padurim shumica e shërbëtorëve të Perëndisë sot? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?
17 Sot shumica e shërbëtorëve të Perëndisë nuk e kanë marrë këtë thirrje qiellore. Ata kanë po atë shpresë që kishin Davidi, Gjon Pagëzori dhe besnikë të tjerë të lashtësisë. Ashtu si Abrahami, mezi presin të jetojnë si nënshtetas të Mbretërisë. (Hebr. 11:10) Në këto ditë të fundit, në tokë ka vetëm një mbetje të atyre që janë zgjedhur të jetojnë në qiell. (Zbul. 12:17) Kjo do të thotë se tanimë shumica e 144.000 të zgjedhurve kanë vdekur besnikë.
18 Atëherë, si duhet ta shohin ata që shpresojnë të jetojnë në tokë dikë që thotë se ka shpresë qiellore? Nëse ndokush në kongregacionin tënd fillon të marrë simbolet në Darkën e Zotërisë, si duhet të reagosh? A duhet të merakosesh nëse rritet numri i atyre që thonë se kanë thirrjen qiellore? Këto pyetje do të marrin përgjigje në artikullin tjetër.
^ [1] (paragrafi 4) Ka të ngjarë që festa e Ditës së Pesëdhjetë të përkonte me kohën kur u dha Ligji në Sinai. (Dal. 19:1) Nëse ishte kështu, atëherë, sikurse Moisiu u përdor që Izraeli të hynte atë ditë në besëlidhjen e Ligjit, edhe Jezu Krishti bëri që po atë ditë të hynte në besëlidhjen e re një komb i ri, Izraeli i Perëndisë.
^ [2] (paragrafi 11) Për më shumë shpjegime se ç’do të thotë të lindësh përsëri, shih Kullën e Rojës, 1 prill 2009, f. 3-11.