Të mësojmë nga besnikët e Jehovait
«Me atë që është besnik, ti do të veprosh me besnikëri.»—PSAL. 18:25.
1, 2. Si e tregoi Davidi besnikërinë ndaj Perëndisë? (Shih figurën hapëse.)
NË TERRIN e natës, Davidi dhe Abishai çapiten pa u ndier mes 3.000 ushtarëve që flenë. Dy burrat gjejnë në mes të kampit mbretin Saul, i cili ka rënë në gjumë të thellë. Ai ka udhëtuar gjer në shkretëtirën e Judës që të gjejë e të vrasë Davidin. Abishai pëshpërit: «Lërmë, të lutem, ta mbërthej [Saulin] përtokë me heshtë vetëm me një të rënë dhe s’kam për t’i rënë për herë të dytë.» Përgjigjja e Davidit është befasuese. «Mos e vrit, sepse kush është ai që ka shtrirë dorën kundër të mirosurit të Jehovait dhe ka mbetur i pafaj? . . . Duke e ditur pikëpamjen e Jehovait, mua nuk më shkon kurrë ndër mend të vë dorë mbi të mirosurin e Jehovait!»—1 Sam. 26:8-12.
2 Davidi e kuptonte çfarë përfshin besnikëria ndaj Perëndisë. Atij as që i vente në mend t’i bënte keq Saulit. Pse? Sepse Sauli ishte mirosur nga Perëndia si mbret i Izraelit. Besnikët e Jehovait i respektojnë ata që emëron ai. Në fakt, Jehovai kërkon besnikëri nga gjithë shërbëtorët e vet.—Lexo Psalmin 18:25.
3. Si u tregua besnik ndaj Davidit Abishai?
3 Abishai tregonte respekt për Davidin. Ja një rast: kur Davidi u orvat të mbulonte kurorëshkeljen e vet me Betshebën, e porositi Joabin, vëllanë e Abishait, ta rregullonte punën që burri i saj, Uriahu, të vritej në betejë. (2 Sam. 11:2-4, 14, 15; 1 Kron. 2:16) Abishai ndoshta dinte diçka për këtë, por vazhdoi ta respektonte Davidin si mbretin e emëruar nga Perëndia. Veç kësaj, Abishai nuk u përpoq kurrë ta përdorte pushtetin e tij si komandat ushtarak që të uzurponte fronin e Izraelit. Përkundrazi e mbrojti Davidin nga tradhtarët dhe nga armiqtë e tjerë.—2 Sam. 10:10; 20:6; 21:15-17.
4. (a) Pse mund të themi se Davidi ishte një shembull i besnikërisë ndaj Perëndisë? (b) Cilët shembuj të tjerë do të shohim?
4 Duke mos pranuar t’i bënte keq mbretit Saul, Davidi tregoi se ishte shërbëtor besnik i Jehovait. Në djalëri, ai u nxit të përballej me Goliadin, gjigantin filistin, që guxoi paturpësisht ‘të sfidonte forcat ushtarake të Perëndisë së gjallë’. (1 Sam. 17:23, 26, 48-51) Kur u bë mbret dhe kreu mëkate të rënda që përfshinin kurorëshkelje e vrasje, Davidi e pranoi qortimin nga profeti Natan dhe u pendua. (2 Sam. 12:1-5, 13) Në moshë të thyer, ai vazhdoi të tregonte besnikëri ndaj Perëndisë. Për shembull, dha kontribute bujare për ndërtimin e tempullit të Jehovait. (1 Kron. 29:1-5) Vërtet, edhe pse bëri gabime serioze, Davidi ishte besnik ndaj Perëndisë. (Psal. 51:4, 10; 86:2) Teksa shohim tregime të tjera për Davidin dhe bashkëkohësit e tij, le të gjejmë përgjigjet e këtyre pyetjeve: cila besnikëri duhet të jetë më e rëndësishmja? Çfarë cilësish kërkohen që të jemi besnikë?
CILA BESNIKËRI DUHET TË ZËRË VEND TË PARË NË ZEMËR?
5. Ç’mësim nxjerrim nga gabimi i Abishait?
5 Abishai ishte besnik ndaj disa personave. Ama, kur hyri vjedhurazi në kampin e Saulit, nuk i kishte në radhën e duhur këto besnikëri. Nga besnikëria ndaj Davidit, ai mezi priste të vriste mbretin Saul. Por Davidi e frenoi, pasi e kishte të qartë se ishte e gabuar të ngrije dorën «kundër të mirosurit të Jehovait». (1 Sam. 26:8-11) Nga ai incident nxjerrim këtë mësim të rëndësishëm: edhe pse në zemrën tonë mund të zënë vend me të drejtë disa besnikëri, duhet t’i vëmë ato në radhën e duhur sipas rëndësisë duke zbatuar parimet e Biblës.
6. Ndonëse është e natyrshme të jemi besnikë ndaj familjarëve dhe miqve, pse duhet të bëjmë kujdes?
6 Besnikëria buron nga zemra, por zemra e njeriut është e pabesë. (Jer. 17:9) Prandaj, dikush që është besnik ndaj Perëndisë, fare kollaj mund të ndihet i lidhur fort nga besnikëria me një të afërm a mik të ngushtë edhe kur ky praktikon gjëra të këqija. Sidomos kur dikush që e kemi për zemër braktis të vërtetën, duhet të mbajmë në mend se besnikëria jonë i takon në radhë të parë Jehovait.—Lexo Mateun 22:37.
7. Si i qëndroi besnike Perëndisë një motër në një situatë të vështirë?
7 Kur përjashtohet një i afërm, mund të gjendemi para dilemës se kujt do t’i qëndrojmë besnikë. Për shembull, një motër që quhet Ana[1] e mori në telefon mamaja e përjashtuar. Ajo donte t’i shkonte Anës për vizitë sepse e pikëllonte izolimi nga familja. Anës iu copëtua zemra nga ai përgjërim dhe i premtoi se do t’i kthente përgjigje me letër. Para se t’i shkruante, rishqyrtoi parimet biblike. (1 Kor. 5:11; 2 Gjon. 9-11) Ana i shkroi mamasë dhe i kujtoi me dashamirësi se ajo vetë ishte shkëputur nga familja me anë të sjelljes së gabuar dhe qëndrimit të saj të papenduar. Ndër të tjera i shkroi: «E vetmja mënyrë si mund ta lehtësosh pikëllimin është të kthehesh te Jehovai.»—Jak. 4:8.
8. Çfarë cilësish do të na ndihmojnë të jemi besnikë ndaj Perëndisë?
8 Besnikëria e bashkëkohësve të Davidit nxjerr në pah tri cilësi që mund të na ndihmojnë t’i qëndrojmë besnikë Perëndisë. Ato janë përulësia, mirëdashja dhe guximi. Le t’i shohim një nga një.
BESNIKËRIA NDAJ PERËNDISË KËRKON PËRULËSI
9. Pse Abneri u përpoq të vriste Davidin?
9 Ndërsa Davidi mbante në dorë kokën e prerë të Goliadit dhe bisedonte me mbretin Saul, ka shumë të ngjarë që ta vëzhgonin të paktën dy burra. Njëri ishte biri i Saulit, Jonatani, që bëri një besëlidhje miqësie me Davidin. Tjetri ishte kreu i ushtrisë, Abneri. (1 Sam. 17:57–18:3) Më vonë Abneri mbështeti përpjekjet e Saulit për të vrarë Davidin. Ja çfarë shkroi Davidi: «Tiranët kërkojnë shpirtin tim.» (Psal. 54:3; 1 Sam. 26:1-5) Pse sjellja e Abnerit ndaj Davidit ndryshonte kryekëput nga ajo e Jonatanit? Ashtu si Jonatani, edhe Abneri e dinte se Perëndia kishte zgjedhur Davidin si mbret të Izraelit. Pas vdekjes së Saulit, Abneri mund të kishte treguar përulësi dhe besnikëri ndaj Perëndisë duke mbështetur Davidin, jo Ish-Boshethin, birin e Saulit. Madje më vonë, Abneri kreu marrëdhënie me konkubinën e mbretit Saul, dhe ndoshta me këtë veprim po kërkonte fronin për vete.—2 Sam. 2:8-10; 3:6-11.
10. Pse Absalomi nuk ishte besnik ndaj Perëndisë?
10 Absalomit, birit të Davidit, i mungonte përulësia, dhe kjo e pengoi të ishte besnik ndaj Perëndisë. Merre me mend, «Absalomi bëri për vete një karrocë, dhe mori disa kuaj dhe pesëdhjetë burra që të vraponin para tij»! (2 Sam. 15:1) Gjithashtu, vodhi besnikërinë e popullit. Njësoj si Abneri, Absalomi u orvat të vriste Davidin, edhe pse e dinte se Jehovai e kishte emëruar Davidin si mbret të Izraelit.—2 Sam. 15:13, 14; 17:1-4.
11. Si mund të nxjerrim dobi nga tregimet biblike për Abnerin, Absalomin dhe Barukun?
11 Nga shembujt e Abnerit dhe të Absalomit duket qartë se ambicia e madhe mund ta gërryejë fare lehtë besnikërinë ndaj Perëndisë. Pa dyshim, asnjë shërbëtor besnik i Jehovait nuk do të ndiqte një rrugë të tillë egoiste e të ligë. Sidoqoftë, edhe dëshira për pasuri ose për një karrierë të suksesshme në këtë botë mund të na e dëmtojë marrëdhënien me Jehovain. Nuk dihet si e qysh, por për njëfarë kohe Baruku, sekretari i profetit Jeremia, humbi nga sytë gjërat më të rëndësishme. Jehovai i dha këtë mesazh Barukut: «Ja, atë që kam ndërtuar, do ta shemb, dhe atë që kam mbjellë, do ta shkul, po, gjithë vendin. Por ti kërkon gjëra të mëdha për veten. Mos kërko!» (Jer. 45:4, 5) Baruku e pranoi ndreqjen. Sa e mençur është t’i ngulitim në mend këto fjalë të Perëndisë teksa presim fundin e kësaj bote të ligë!
12. Shpjegoni pse s’mund të jemi besnikë ndaj Perëndisë nëse jemi egoistë.
12 Danieli, një vëlla në Meksikë, duhej të zgjidhte midis besnikërisë ndaj Perëndisë dhe interesave të tij egoiste. Ai donte të martohej me një jobesimtare. Danieli tregon: «Vazhdoja t’i shkruaja asaj edhe pasi nisa shërbimin si pionier. Por, më në fund, u përula dhe fola me një plak me përvojë. I tregova se kisha një luftë të brendshme, ngaqë doja t’u qëndroja besnik dy personave. Ai më ndihmoi të kuptoja se, që të isha besnik ndaj Perëndisë, duhej të mos i shkruaja më asaj vajze. Pas shumë lutjesh e lotësh, bëra tamam ashtu. S’kaloi shumë dhe po provoja më tepër gëzim në shërbim.» Më vonë Danieli u martua me një bashkëbesimtare të shkëlqyer dhe tani shërben si mbikëqyrës qarkor.
BESNIKËRIA NDAJ PERËNDISË NA NDIHMON TË JEMI MIRËDASHËS
13. Si i qëndroi besnik Natani edhe Perëndisë, edhe Davidit, kur Davidi mëkatoi?
13 Nganjëherë besnikëria ndaj Jehovait mund të ndikojë te besnikëria jonë ndaj njerëzve. Profeti Natan i ndenji besnik Davidit ndërkohë që ruajti edhe besnikërinë ndaj Perëndisë. Natani mori vesh se Davidi kishte kryer kurorëshkelje dhe se e kishte rregulluar që i shoqi i asaj gruaje të vritej në betejë. Ndonëse profeti Natan ishte besnik ndaj Davidit, u bind dhe veproi me guxim kur Jehovai e dërgoi ta qortonte Davidin. Natani e qortoi me mençuri e me mirëdashje. Për ta ndihmuar Davidin të kuptonte sa serioze ishin mëkatet e tij, Natani përdori një ilustrim që tregonte ç’padrejtësi bëri një pasanik kur mori qengjin e një të varfri. Davidi u nxeh nga ajo që kishte bërë i pasuri, e atëherë Natani i tha: «Ti je ai njeri!» Davidi e kapi ç’donte të thoshte Natani.—2 Sam. 12:1-7, 13.
14. Si mund të jesh besnik edhe ndaj Jehovait, edhe ndaj mikut a të afërmit tënd?
14 Mirëdashja mund të të ndihmojë kur duhet të vendosësh kujt t’i qëndrosh besnik. Për shembull, mbase ke prova të qarta se një bashkëbesimtar ka kryer një mëkat serioz. Ndoshta dëshiron t’i qëndrosh besnik, sidomos nëse e ke të afërm a mik të ngushtë. Ama, po ta mbulosh atë sjellje të keqe, nuk do të jesh besnik ndaj Perëndisë. Pa diskutim, besnikëria ndaj Jehovait duhet të zërë vendin e parë. Prandaj, ashtu si Natani, trego mirëdashje, por njëherazi vepro me vendosmëri. Nxite mikun a të afërmin tënd të kërkojë ndihmën e pleqve. Nëse ai ose ajo nuk e bën këtë brenda një periudhe të arsyeshme, besnikëria ndaj Perëndisë duhet të të nxitë të vësh në dijeni pleqtë. Duke vepruar kështu, tregon besnikëri ndaj Jehovait, po edhe mirëdashje ndaj mikut a të afërmit tënd, pasi pleqtë e kongregacionit do të mundohen ta ndreqin me butësi.—Lexo Levitikun 5:1; Galatasve 6:1.
BESNIKËRIA NDAJ PERËNDISË KËRKON GUXIM
15, 16. Pse Hushait iu desh guxim për t’i qëndruar besnik Perëndisë?
15 Një burri që quhej Hushai iu desh guxim për t’i qëndruar besnik Perëndisë. Hushai ishte mik besnik i mbretit David. Mirëpo besnikëria e tij u vu në provë kur biri i Davidit, Absalomi, u vodhi zemrat shumë vetave e u përpoq të merrte Jerusalemin dhe fronin. (2 Sam. 15:13; 16:15) Davidi ia mbathi nga qyteti. Po Hushai ç’do të bënte? A do të kthehej nga frynte era dhe të bëhej tani besniku i Absalomit? Apo do t’i vente pas mbretit të moshuar që po ikte për të shpëtuar kokën? Plotësisht i vendosur që të ishte besnik ndaj mbretit të emëruar nga Perëndia, Hushai vajti ta takonte Davidin në Malin e Ullinjve.—2 Sam. 15:30, 32.
16 Davidi i kërkoi Hushait të kthehej në Jerusalem, të hiqej si mik i Absalomit dhe të sabotonte këshillën e Ahithofelit. Duke vënë kokën në rrezik, Hushai i qëndroi besnik Jehovait dhe bëri atë që i kërkoi Davidi. Tamam siç ishte lutur Davidi, këshilla e Hushait të guximshëm bëri që këshilla e Ahithofelit të shkonte kot.—2 Sam. 15:31; 17:14.
17. Pse na duhet guxim për të qenë besnikë?
17 Për të qenë besnikë ndaj Jehovait, na duhet guxim. Shumë prej nesh, me guxim kanë qëndruar të palëkundur para presioneve të familjarëve, të shokëve të punës ose të autoriteteve, që t’i mbeten besnikë Perëndisë. Për shembull, në Japoni, Taroja kishte bërë çmos qysh nga fëmijëria të ishte besnik dhe i bindur ndaj prindërve. Nuk e bënte këtë thjesht nga ndjenja e detyrës. Donte me gjithë shpirt t’u gëzonte zemrën prindërve. Prandaj, kur ata s’donin të shoqërohej më me Dëshmitarët e Jehovait, për të ishte tepër e dhimbshme t’u thoshte se kishte vendosur të ndiqte mbledhjet. Taroja tregon: «Ishin aq të nevrikosur, sa për vite të tëra ma ndaluan t’u shkelja në derë. Iu luta Perëndisë për guxim që të mos luaja nga vendimi im. Tani qëndrimi i tyre është zbutur, dhe mund t’u shkoj shpesh për vizitë.»—Lexo Proverbat 29:25.
18. Si ke nxjerrë dobi nga ky studim?
18 Ashtu si Davidi, Jonatani, Natani dhe Hushai, secili nga ne provoftë kënaqësinë e thellë që ndien kur i qëndron besnik Jehovait! Por njëkohësisht le të nxjerrim mësim nga jobesnikëria e Abnerit dhe e Absalomit. Pa dyshim që duam t’i qëndrojmë përherë besnikë Jehovait, siç bëri Davidi. Si njerëz të papërsosur, s’ka si të mos bëjmë gabime, por prapë mund të tregojmë se besnikëria ndaj Jehovait zë vend të parë në zemrën tonë.
^ [1] (paragrafi 7) Disa emra janë ndryshuar.