Pyetje nga lexuesit
Kur ishte nën robërinë e Babilonisë së Madhe populli i Perëndisë?
Ajo robëri zgjati nga shekulli i dytë i e.s. deri në vitin 1919. Pse është me vend kjo pikëpamje e përditësuar?
Të gjitha dëshmitë tregojnë se ajo robëri mori fund në vitin 1919, dhe që atëherë të krishterët e mirosur janë mbledhur në kongregacionin e përtërirë. Mendoni për këtë: në vitet pasi u vendos në qiell Mbretëria e Perëndisë më 1914, populli i Jehovait u sprovua dhe u rafinua.a (Mal. 3:1-4) Pastaj, më 1919, Jezui emëroi ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ mbi popullin e pastruar të Perëndisë, që t’i jepte «ushqim në kohën e duhur». (Mat. 24:45-47) Pikërisht në atë vit populli i Perëndisë nisi të kthehej në gjendjen e begatë që i dha Ai. Ajo ishte edhe koha kur u çlirua nga robëria simbolike e Babilonisë së Madhe. (Zbul. 18:4) Por kur filloi në të vërtetë robëria?
Për mjaft vjet, kemi shpjeguar se kjo robëri filloi më 1918 dhe zgjati një periudhë të shkurtër, gjatë së cilës populli i Perëndisë u vu nën zgjedhën e Babilonisë së Madhe. Për shembull, Kulla e Rojës e 15 marsit 1992 thoshte: «Ashtu si populli i lashtë i Perëndisë u çua rob për njëfarë kohe në Babiloni, edhe shërbëtorët e Jehovait më 1918 u bënë në njëfarë mase skllevër të Babilonisë së Madhe.» Gjithsesi, kërkimet e mëtejshme kanë treguar se kjo robëri nisi shumë më herët se viti 1918.
Për shembull, le të shqyrtojmë një nga profecitë ku parathuhej kjo robëri dhe lirimi i popullit të Perëndisë. E gjejmë tek Ezekieli 37:1-14. Në një vegim, Ezekieli sheh një rrafshinë plot me eshtra. Jehovai i shpjegon se këto eshtra paraqitin ‘tërë shtëpinë e Izraelit’. Në përmbushjen më të madhe, kjo profeci ripërtëritjeje zbatohet për «Izraelin e Perëndisë». (Gal. 6:16; Vep. 3:21) Pastaj, Ezekieli sheh se eshtrat kthehen në jetë dhe bëhen një ushtri e madhe. Çfarë përshkrimi i goditur për ringjalljen e figurshme të popullit të Perëndisë që arriti kulmin në ngjarjet e vitit 1919! Por çfarë na zbulon ky vegim për kohëzgjatjen e robërisë?
Së pari, vërejmë se eshtrat përshkruhen si ‘të thara’ ose «shumë të thata». (Ezek. 37:2, 11) Kjo tregon se ishin eshtrat e atyre që kishin vdekur prej shumë kohësh. Së dyti, ripërtëritja përshkruhet si një proces gradual, jo si diçka që ndodh papritmas. Në fillim, u dëgjua një zhurmë, një rrapëllimë, dhe «eshtrat filluan t’i afroheshin njëra-tjetrës». Më tej eshtrave iu shtuan ‘tejza dhe mish’, e pastaj të gjitha këto u veshën me lëkurë. Më vonë, «fryma hyri në to dhe ato u bënë të gjalla». Në fund, Jehovai e vendosi popullin e rigjallëruar në vendin e vet. Që të ndodhte e gjithë kjo, duhej kohë.—Ezek. 37:7-10, 14.
Robëria e kombit të lashtë të Izraelit zgjati goxha. Ajo nisi më 740 p.e.s. me rënien e mbretërisë veriore dhjetëfisëshe dhe mërgimin e shumë prej banorëve të saj. Pas kësaj, më 607 p.e.s., Jerusalemi u shkatërrua, dhe u çua në mërgim edhe populli i mbretërisë jugore të Judës. Ajo periudhë robërie përfundoi në vitin 537 p.e.s. kur një mbetje judenjsh u kthye të rindërtonte tempullin dhe rivendosi adhurimin e pastër në Jerusalem.
Duke mbajtur parasysh këto hollësi nga Shkrimet, shihet qartë se robëria e popullit të Perëndisë në Babiloninë e Madhe duhet të ketë zgjatur shumë më tepër se ngjarjet e periudhës 1918-1919. Kjo robëri është paralele me kohën kur egjrat simbolike do të rriteshin bashkë me «bijtë e mbretërisë» që krahasohen me grurin. (Mat. 13:36-43) Ajo periudhë rritjeje përkon me periudhën gjatë së cilës apostatët do të ishin ku e ku më të shumtë se të krishterët e vërtetë. Me fjalë të tjera, kongregacioni i krishterë ra nën robërinë e Babilonisë së Madhe. Ajo robëri nisi diku gjatë shekullit të dytë të e.s. dhe vazhdoi deri në kohën kur u pastrua tempulli i figurshëm në ditët e fundit.—Vep. 20:29, 30; 2 Sel. 2:3, 6; 1 Gjon. 2:18, 19.
Në atë periudhë të gjatë robërie, kleri me aleatët e vet politikë donte të ruante pushtetin, prandaj ua privoi Fjalën e Perëndisë njerëzve që kishte nën kontroll. Herë pas here quhej krim të lexoje Biblën në gjuhën e njerëzve të thjeshtë. Madje disa që e bënë këtë i dogjën në shtyllë. Kushdo që shprehte ndonjë opinion që binte ndesh me mësimet e klerit, ndëshkohej egërsisht. Kështu i zihej fryma çdo përpjekjeje për të përhapur dritën e së vërtetës.
Ç’të themi për ngjarjen e dytë, ripërtëritjen? Kur dhe si ndodhi? Ripërtëritja ishte një proces gradual. Në shekujt para ditëve të fundit u shoqërua me «një rrapëllimë». Disa njerëz besnikë bënë gjithë sa patën në dorë për të mbrojtur adhurimin e vërtetë, edhe pse në përgjithësi mbizotëronin mësimet e rreme fetare. Ca prej tyre u përpoqën ta nxirrnin Biblën në gjuhët e njerëzve të thjeshtë. Të tjerë shpallën të vërtetat që kishin zbuluar në faqet e Fjalës së Perëndisë.
Pastaj, nga fundi i viteve 1800, Çarls Tejz Rasëlli dhe shokët e tij bënë çmos të rikthenin të vërtetat e Biblës të humbura prej kohësh. Ishte sikur skeletet simbolike të visheshin me mish dhe lëkurë. Kulla e Rojës e Sionit dhe botime të tjera i ndihmuan njerëzit me zemër të sinqertë të zbulonin të vërtetat biblike. Më vonë, edhe mjete të tilla, si «Fotodrama e Krijimit» më 1914 dhe libri Misteri i përfunduar më 1917 e forcuan popullin e Perëndisë. Më në fund, në vitin 1919, populli i Perëndisë u kthye në jetë dhe u vendos në «vendin» ose në gjendjen e begatë që i dha Ai. Me kalimin e kohës, mbetjes së të mirosurve i janë bashkuar ata me shpresë tokësore, dhe të gjithë tok janë bërë ‘një ushtri shumë, shumë e madhe’.—Ezek. 37:10; Zak. 8:20-23.b
Duke marrë parasysh këto fakte, bëhet e qartë se populli i Perëndisë ra nën robërinë e Babilonisë së Madhe kur lulëzoi apostazia në shekullin e dytë të e.s. Ashtu si koha kur izraelitët e lashtë ishin në mërgim, edhe kjo ishte një periudhë e zymtë. Pas gjithë atyre shekujve që populli i Perëndisë ishte i shtypur, sa të lumtur jemi që jetojmë në kohën kur ‘do të ndriçonin ata që kanë gjykim të thellë’ dhe shumë ‘do të pastroheshin’ e ‘do të rafinoheshin’!—Dan. 12:3, 10.
A e çoi realisht në tempull Satanai Jezuin kur e tundoi?
Me pak fjalë, nuk mund ta dimë me siguri nëse Jezui qëndroi në tempull me të vërtetë apo me anë të një vegimi. Herë pas here në botimet tona janë paraqitur të dyja mundësitë.
Të shohim në fillim çfarë thotë Bibla. Kur foli për këtë ngjarje në Ungjillin e tij, apostulli Mate shkroi nën frymëzim: «Atëherë Djalli e mori me vete [Jezuin] në qytetin e shenjtë, e çoi te bedenat [ose te pika më e lartë] e tempullit.» (Mat. 4:5) Në tregimin paralel, Luka shprehet kështu: «Pastaj e shpuri në Jerusalem, e çoi te bedenat e tempullit.»—Luka 4:9.
Në të kaluarën, në botimet tona është arsyetuar se kjo ngjarje mund të mos ketë ndodhur në kuptimin e mirëfilltë. Për shembull, në numrin e 1 marsit 1961, Kulla e Rojës thoshte: «Nuk duket e arsyeshme që ta shpjegojmë në kuptim të mirëfilltë gjithë sa ndodh në tregimin për tundimin e Jezuit në shkretëtirë. Natyrisht, nuk ekziston asnjë mal prej nga mund të tregoheshin ‘të gjitha mbretëritë e botës e lavdia e tyre’. Po njësoj, është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se Satanai nuk e mori Jezuin ‘me vete në qytetin e shenjtë’ dhe nuk e çoi ‘te bedenat e tempullit’ në kuptimin e mirëfilltë, fizikisht a realisht. Kjo nuk ishte aspak e nevojshme që tundimi të kishte forcë.» Megjithatë, në numrat e mëvonshëm të kësaj reviste, kemi komentuar se, sikur Jezui të kishte vepruar sipas kërkesës së Satanait, kjo mund të kishte përfunduar në vetëvrasje.
Disa kanë thënë se, përderisa nuk ishte levit, Jezui nuk ishte i autorizuar të qëndronte lart në shenjtëroren e tempullit. Prandaj u hodh ideja se Jezuin mund ‘ta kenë çuar’ në tempull me anë të një vegimi. Kjo ngjason me atë që i kishte ndodhur shekuj më parë profetit Ezekiel.—Ezek. 8:3, 7-10; 11:1, 24; 37:1, 2.
Sidoqoftë, nëse tundimi ndodhi vetëm në formë vegimi, ngrihen këto pyetje:
A ishte real apo imagjinar tundimi?
Nëse tundimet e tjera ishin orvatje për ta joshur Jezuin që të kryente veprime reale të tilla, si të kthente në bukë gurë të mirëfilltë ose të bënte vërtet një akt adhurimi para Satanait, a nuk do të ishte njësoj edhe ky tundim, pra kërkesa që Jezui të hidhej vërtet nga tempulli?
Nga ana tjetër, nëse Jezui qëndroi realisht te bedenat e tempullit, lindin pyetje të tjera:
A e shkeli Ligjin Jezui duke qëndruar lart në shenjtërore?
Si shkoi Jezui nga shkretëtira në Jerusalem?
Nga kërkimet e mëtejshme dalin në pah disa mundësi që u japin përgjigje dy pyetjeve të fundit.
Së pari, profesor D. A. Karsoni thotë se fjala greke hierón që përkthehet «tempull» në të dy ungjijtë «ka të ngjarë të nënkuptojë gjithë kompleksin, jo vetëm shenjtëroren». Pra Jezui nuk qëndroi medoemos lart në shenjtërore. Mund të ketë qëndruar për shembull, në skajin juglindor të zonës së tempullit. Ai vend ngrihej 137 metra mbi luginën e Kidronit. Ndërtesa juglindore kishte një tarracë me parmakë dhe ishte pika më e lartë në tempull. Siç thoshte historiani i lashtë Jozef, nëse dikush qëndronte atje dhe shihte poshtë, «mund t’i merreshin mendtë» nga lartësia. Si jolevit, Jezuit i lejohej të rrinte në atë vend, dhe askush nuk do të acarohej nga kjo.
Por Jezui ishte në shkretëtirë, prandaj si mund ta ketë çuar në tempull Satanai? Me dy fjalë, përgjigjja është se s’mund ta dimë me siguri. Në përshkrimin e shkurtër për tundimet nuk thuhet sa zgjatën ato ose ku ndodhej Jezui në shkretëtirë. S’mund ta përjashtojmë mundësinë që Jezui të jetë kthyer më këmbë në Jerusalem, edhe pse mund t’i jetë dashur mjaft kohë. Tregimi nuk e thotë shprehimisht se Jezui ndenji në shkretëtirë gjatë gjithë kohës së tundimeve. Thjesht thotë se e çuan në Jerusalem.
Por ç’të themi për tundimin ku Jezuit iu treguan «të gjitha mbretëritë e botës»? S’diskutohet, ai nuk i pa në kuptim të mirëfilltë të gjitha mbretëritë, se nuk ekziston asnjë mal prej nga mund të shihen të gjitha. Prandaj, Satanai mund të ketë përdorur ndonjë lloj vegimi për këtë, njësoj siç mund të përdoret një projektor me një ekran për t’i treguar dikujt vende të ndryshme të botës. Por, edhe pse mund të jetë përdorur një vegim, ‘akti i adhurimit’ do të ketë qenë real, jo imagjinar. (Mat. 4:8, 9) Kështu mund të arsyetojmë se tundimi për t’u hedhur nga bedenat e tempullit përfshinte një veprim real me pasoja reale—e kjo e bënte tundimin më të fortë sesa po të kishte qenë vetëm një vegim.
Siç u tha në fillim, nuk mund të jemi dogmatikë për këtë çështje. Prandaj, nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që Jezui vërtet shkoi në Jerusalem dhe qëndroi te bedenat e tempullit. Ama për një gjë mund të jemi të sigurt: këto tundime ishin reale dhe Jezui në çdo rast i dha Djallit një përgjigje të prerë.
b Si Ezekieli 37:1-14, edhe Zbulesa 11:7-12 flasin për një ripërtëritje të figurshme që ndodhi më 1919. Por, profecia e Ezekielit parathoshte ripërtëritjen e gjithë popullit të Perëndisë pas një periudhe tejet të gjatë robërie. Kurse, profecia e Zbulesës e ka fjalën për rilindjen e një grupi të vogël vëllezërish të mirosur që kanë marrë drejtimin pas një periudhe relativisht të shkurtër joaktiviteti të detyruar.