TEMA KRYESORE | CILA ËSHTË DHURATA MË E MIRË?
Cila është dhurata më e mirë?
«Çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet, është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore.» (Jakovi 1:17) S’ka dyshim se ky shkrim flet për bujarinë e Atit tonë qiellor, Perëndisë Jehova. E megjithatë, ndër dhuratat e shumta që Zoti i ka bërë njerëzimit, njëra ua kalon të gjithave. Cila? Na e tregojnë fjalët e Jezuit te Gjoni 3:16: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»
Zoti dhuroi Birin e tij të vetëmlindur—me siguri dhurata më e mrekullueshme që mund të marrim ndonjëherë, pasi na çliron nga skllavëria e mëkatit, e plakjes dhe e vdekjes. (Psalmi 51:5; Gjoni 8:34) Sado të përpiqemi, me forcat tona nuk mund të çlirohemi nga kjo skllavëri. Ama, nga dashuria e tij e jashtëzakonshme, Perëndia siguroi atë çka duhej që të na çlironte. Kur dha si shpërblesë Birin e tij të vetëmlindur, Jezu Krishtin, Perëndia Jehova i hapi rrugën njerëzimit të bindur të jetonte përgjithmonë. Por, çfarë është tamam shpërblesa? Pse është e nevojshme? Dhe si mund të nxjerrim dobi prej saj?
Shpërblesa është çmimi që paguhet për të riblerë diçka që ka humbur ose për të çliruar dikë nga skllavëria. Bibla tregon se prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, u krijuan pa mëkat, me mundësinë për të shijuar jetën përgjithmonë në një parajsë tokësore së bashku me fëmijët që do t’u lindnin. (Zanafilla 1:26-28) Mjerisht humbën gjithçka kur zgjodhën të mos i bindeshin Zotit, e kështu u bënë mëkatarë. Cili ishte rezultati? Bibla përgjigjet: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Në vend që Adami t’u linte si trashëgimi pasardhësve jetën e përsosur, u la mëkatin dhe si pasojë, vdekjen.
Në rastin e një shpërblese, pagesa duhet të jetë e barabartë me çmimin e asaj që ka humbur. Kur Adami nuk iu bind me dashje Zotit, mëkatoi dhe si rezultat humbi një jetë e përsosur njerëzore—jeta e Adamit. Sipas Biblës, kjo i bëri skllevër të mëkatit dhe të vdekjes të gjithë pasardhësit e Adamit. Ndaj duhej të flijohej një tjetër jetë e përsosur njerëzore—jeta e Jezuit—që njerëzimi të çlirohej nga skllavëria. (Romakëve 5:19; Efesianëve 1:7) Vetëm ngaqë Zoti pagoi shpërblesën i nxitur nga dashuria, njerëzimi ka mundësinë të provojë sërish atë çka humbën Adami dhe Eva: jetën e pafund në një tokë parajsore.—Zbulesa 21:3-5.
Kur kuptojmë se çfarë dobish sjell, s’ka dyshim se shpërblesa, dhurata e Perëndisë që na hapi rrugën për të jetuar përgjithmonë, është dhurata më e shkëlqyer. Që ta çmojmë këtë ‘dhuratë të përsosur’, le të shohim si i përmbush në mënyra të jashtëzakonshme ata faktorë që e bëjnë të çmuar një dhuratë, të cilët i përmendëm në artikullin e kaluar.
Plotëson dëshirën tonë. Ne njerëzit kemi lindur me dëshirën e zjarrtë për të jetuar përjetësisht. (Eklisiastiu 3:11) Vetë nuk e plotësojmë dot këtë dëshirë, ama, falë shpërblesës, po. Bibla thotë: «Sepse paga që paguan mëkati është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»—Romakëve 6:23.
Përmbush nevojën tonë. Njerëzit nuk mund ta siguronin shpërblesën. Bibla shpjegon: «Asnjëri prej tyre nuk e shpengon dot kurrsesi qoftë edhe të vëllanë, as i jep dot Perëndisë një shpërblesë për të.» (Psalmi 49:7) Ja pse kishim tmerrësisht nevojë për ndihmën e Zotit, që të çliroheshim nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. «Me anë të çlirimit nëpërmjet shpërblesës që pagoi Krishti Jezu» Perëndia na dha fiks atë që na duhej.—Romakëve 3:23, 24.
Tamam në kohën e duhur. Bibla thotë: «Kur ishim akoma mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Romakëve 5:8) Ngaqë shpërblesa u dha «kur ishim akoma mëkatarë», është provë e dashurisë së thellë që ndien Perëndia për ne, pavarësisht nga gjendja jonë mëkatare. Falë saj mund të presim me padurim bekime të tjera, ndonëse tani na duhet të vuajmë pasojat e mëkatit.
Tregon motive fisnike dhe altruiste. Bibla tregon se çfarë e motivoi Zotin të flijonte të Birin si shpërblesë: «Perëndia e shfaqi dashurinë e tij ndaj nesh, duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij. Në këtë qëndron dashuria: jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi.»—1 Gjonit 4:9, 10.
Si mund të tregosh çmueshmëri për dhuratën më të jashtëzakonshme të bërë ndonjëherë? Mos harro se fjalët e Jezuit te Gjoni 3:16 theksojnë se vetëm ata ‘që tregojnë besim’ tek ai do të shpëtojnë. Bibla thotë se besimi është «pritja e sigurt e gjërave të shpresuara». (Hebrenjve 11:1) Që të fitojmë këtë siguri, është e domosdoshme të kemi njohuri të saktë. Ndaj të nxitim të lësh kohë që të mësosh për Perëndinë Jehova, Dhënësin e kësaj ‘dhurate të përsosur’, dhe se çfarë duhet të bësh për të shijuar jetën e pafund, që vjen falë flijimit shpërblyes të Jezuit.
Mund t’i mësosh këto gjëra duke shqyrtuar informacionin biblik që gjendet te siti www.jw.org. Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë me kënaqësi. Jemi të sigurt se ndërkohë që mëson dhe nxjerr dobi nga kjo dhuratë e mrekullueshme, do të nxitesh të brohorasësh plot gëzim: «Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë!»—Romakëve 7:25.