Njihe armikun tënd
«Nuk jemi në padije të intrigave [të Satanait].»—2 KOR. 2:11.
1. Çfarë zbuloi Jehovai në Eden për armikun tonë?
PATJETËR që Adami e dinte se gjarpërinjtë nuk mund të flasin. Prandaj, ndoshta e mori me mend se ai që i kishte folur Evës nëpërmjet gjarprit ishte një krijesë e padukshme. (Zan. 3:1-6) Adami dhe Eva nuk dinin thuajse asgjë për atë krijesë. Prapëseprapë, Adami zgjodhi me vetëdije t’i kthente shpinën Atit të tij të dashur qiellor dhe të bashkohej me atë të panjohur për të shkuar kundër vullnetit të Perëndisë. (1 Tim. 2:14) Sakaq Jehovai filloi të zbulonte disa fakte për atë armik që kishte korruptuar Adamin dhe Evën, duke premtuar se me kohë ai i lig do të shfarosej. Por njëkohësisht Jehovai paralajmëroi se për njëfarë kohe krijesa që foli nëpërmjet gjarprit do të kishte pushtet, ose fuqi, për t’iu kundërvënë atyre që e duan Perëndinë.—Zan. 3:15.
2, 3. Me sa duket, pse u zbuluan fare pak gjëra për Satanain para ardhjes së Mesisë?
2 Me mençurinë e tij, Jehovai nuk na e ka treguar kurrë emrin personal të birit engjëllor që u rebelua kundër tij.a Madje Perëndia zgjodhi që edhe emrin përshkrues të këtij armiku ta zbulonte vetëm rreth 2.500 vjet pasi filloi rebelimi. (Jobi 1:6) Në fakt, emri Satana, që do të thotë «Kundërshtar», përmendet vetëm në tri libra të Shkrimeve Hebraike: te 1 Kronikave, te Jobi dhe te Zakaria. Pse u zbuluan kaq pak gjëra për armikun tonë para ardhjes së Mesisë?
3 Me sa duket, Jehovai nuk donte t’i jepte rëndësi më kot Satanait duke i kushtuar fragmente të mëdha të Shkrimeve Hebraike hollësive rreth tij dhe aktivitetit të tij. Qëllimi kryesor i Jehovait kur frymëzoi atë pjesë të Shkrimeve ishte të identifikonte Mesinë dhe ta drejtonte tek ai popullin e Perëndisë. (Luka 24:44; Gal. 3:24) Kur kjo u realizua dhe Mesia erdhi, Jehovai e përdori atë dhe dishepujt e tij për të zbuluar shumë nga gjërat që dimë rreth Satanait dhe engjëjve që u bashkuan me të.b Kjo është me vend, pasi Jehovai do të përdorë pikërisht Jezuin dhe bashkëqeveritarët e tij të mirosur për të dërrmuar Satanain dhe pasuesit e tij.—Rom. 16:20; Zbul. 17:14; 20:10.
4. Pse s’duhet të jemi tepër në ankth kur është fjala për Djallin?
4 Apostulli Pjetër e përshkruan Satana Djallin si «një luan që ulërin», dhe Gjoni e quan ‘gjarpër’ e ‘dragua’. (1 Pjet. 5:8; Zbul. 12:9) Por s’ka pse të jemi tepër në ankth kur është fjala për Djallin—pushteti i tij është i kufizuar. (Lexo Jakovin 4:7.) Ne kemi mbështetjen e Jehovait, të Jezuit dhe të engjëjve besnikë. Me ndihmën e tyre, mund t’i kundërvihemi armikut tonë. Gjithsesi, kemi nevojë të dimë përgjigjet e tri pyetjeve të rëndësishme: Deri ku shtrihet ndikimi i Satanait? Si përpiqet ta ushtrojë këtë ndikim tek individët? Dhe cilat janë caqet e pushtetit të tij? Ndërsa shqyrtojmë këto pyetje, do të shohim edhe çfarë mësimesh mund të nxjerrim.
DERI KU SHTRIHET NDIKIMI I SATANAIT?
5, 6. Pse qeveritë njerëzore nuk i sjellin dot ndryshimet që i nevojiten më shumë njerëzimit?
5 Një numër i madh engjëjsh u bashkuan me Satanain në rebelimin e tij. Para Përmbytjes, Satanai joshi të paktën disa prej tyre që të kishin marrëdhënie imorale me bijat e njerëzve. Bibla e zbulon këtë të vërtetë kur e paraqet në mënyrë simbolike dragoin duke tërhequr pas vetes në rebelimin e tij një të tretën e yjeve të qiellit. (Zan. 6:1-4; Jud. 6; Zbul. 12:3, 4) Kur braktisën familjen e Perëndisë, këta engjëj e vunë veten nën kontrollin e Satanait. Megjithatë, këta rebelë nuk janë thjesht një turmë ngatërrestarësh. Satanai ka formuar një imitacion të Mbretërisë së Perëndisë, dhe mbret të saj ka bërë veten. Në botën e padukshme, Satanai i ka organizuar demonët në qeveri, u ka dhënë autoritet dhe i ka bërë sundimtarë të botës.—Efes. 6:12.
6 Me anë të organizatës së tij me krijesa të padukshme, Satanai ushtron autoritet mbi gjithë qeveritë njerëzore. Ky fakt u bë i qartë kur Satanai i tregoi Jezuit «gjithë mbretëritë e tokës së banuar» dhe i tha: «Unë do të të jap autoritet mbi të gjitha këto dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë, dhe unë ia jap kujtdo që dua.» (Luka 4:5, 6) Pavarësisht nga ndikimi i lig i Satanait, shumë qeveri bëjnë disa të mira për nënshtetasit e tyre. Gjithashtu, disa qeveritarë mund të kenë synime fisnike. Sidoqoftë, asnjë qeveri ose qeveritar njerëzor nuk është në gjendje të sjellë ndryshimet që i nevojiten më shumë njerëzimit.—Psal. 146:3, 4; Zbul. 12:12.
7. Si i përdor Satanai jo vetëm qeveritë, por edhe fenë e rreme dhe sistemin tregtar? (Shih figurën hapëse.)
7 Satanai dhe demonët përdorin jo vetëm qeveritë, por edhe fenë e rreme dhe sistemin tregtar për të mashtruar «gjithë tokën e banuar». (Zbul. 12:9) Nëpërmjet fesë së rreme, Satanai përhap gënjeshtra për Jehovain. Veç kësaj, duket se Djalli është i vendosur të bëjë që sa më shumë njerëz ta harrojnë emrin e Perëndisë. (Jer. 23:26, 27) Si pasojë, individë të sinqertë që pandehin se po adhurojnë Perëndinë kanë rënë në kurthin e adhurimit të demonëve. (1 Kor. 10:20; 2 Kor. 11:13-15) Satanai përhap gënjeshtra edhe nëpërmjet sistemit tregtar. Për shembull, ky sistem shpesh u mëson njerëzve se mënyra më e mirë për të qenë i lumtur është të rendësh pas parasë dhe të grumbullosh shumë të mira materiale. (Prov. 18:11) Ata që e besojnë këtë gënjeshtër, e harxhojnë jetën duke i shërbyer «Pasurisë» në vend se Perëndisë. (Mat. 6:24) Me kohë, dashuria për gjërat materiale mund të mbytë çdo dashuri që kishin për Perëndinë.—Mat. 13:22; 1 Gjon. 2:15, 16.
8, 9. (a) Cilat janë dy mësime që nxjerrim nga tregimet për Adamin, Evën dhe engjëjt rebelë? (b) Si nxjerrim dobi kur e dimë deri ku shtrihet ndikimi i Satanait?
8 Shembujt e Adamit, Evës dhe engjëjve rebelë na japin të paktën dy mësime të rëndësishme. Së pari, ekzistojnë vetëm dy anë, dhe ne duhet të zgjedhim njërën: ose t’i qëndrojmë besnikë Jehovait, ose të marrim anën e Satanait. (Mat. 7:13) Së dyti, ata që bashkohen me Satanain kanë vetëm dobi të kufizuara. Adami dhe Eva patën mundësinë t’i vendosnin vetë standardet e së mirës e të së keqes, dhe demonët arritën të kishin njëfarë pushteti mbi qeveritë njerëzore. (Zan. 3:22) Megjithatë, kostoja është gjithmonë shumë më e madhe se çfarëdo dobie në dukje që mund të ofrojë Satanai.—Jobi 21:7-17; Gal. 6:7, 8.
9 Si mund të nxjerrim dobi kur e dimë deri ku shtrihet ndikimi i Satanait? Kjo njohuri na ndihmon të mbajmë një pikëpamje të ekuilibruar për autoritetet qeveritare dhe na motivon në veprën tonë të predikimit. Kuptojmë se Jehovai dëshiron t’i respektojmë autoritetet qeveritare. (1 Pjet. 2:17) Ai pret edhe t’u bindemi ligjeve të qeverive njerëzore për sa kohë nuk bien ndesh me normat e tij. (Rom. 13:1-4) Por ndërkohë e kemi të qartë se duhet të qëndrojmë asnjanës, duke mos mbajtur kurrë anën e një partie politike ose udhëheqësi njerëzor. (Gjoni 17:15, 16; 18:36) Ngaqë e kuptojmë se çfarë po orvatet të bëjë Satanai me emrin dhe reputacionin e Jehovait, ndihemi akoma më të motivuar që t’u mësojmë të tjerëve të vërtetën për Perëndinë. Ne e mbajmë dhe e përdorim me krenari emrin e tij, të sigurt se dashuria për Të është shumë më shpërblyese se dashuria për paranë a për gjërat materiale.—Isa. 43:10; 1 Tim. 6:6-10.
SI PËRPIQET TË NDIKOJË SATANAI TEK INDIVIDËT?
10-12. (a) Si mund të ketë përdorur karrema Satanai për të joshur vëllezërit e tij engjëllorë? (b) Cilat mësime mund të nxjerrim nga rebelimi i shumë engjëjve?
10 Satanai përdor metoda të efektshme për të ndikuar tek individët. Për shembull, përdor karrema të ndryshëm për t’i joshur që t’i bëjnë gjërat siç do ai. Gjithashtu, përpiqet t’u bëjë presion që të nënshtrohen.
11 Të mendojmë sa i efektshëm ishte Satanai kur përdori karrema për t’u prishur mendjen shumë vëllezërve të tij engjëllorë. Ai duhet t’i ketë studiuar për goxha kohë para se t’i joshte të merrnin anën e tij. Të paktën disa nga ata engjëj e hëngrën karremin dhe patën marrëdhënie imorale me gra, e kështu erdhi në ekzistencë një racë hibride që sundoi mbi njerëzimin. (Zan. 6:1-4) Ndoshta Satanai i tundoi engjëjt jobesnikë jo vetëm me mundësinë e marrëdhënieve imorale, por edhe me premtimin që të fitonin pushtet mbi njerëzimin. Qëllimi i tij mund të ketë qenë të sabotonte ardhjen e «farës» së premtuar ‘të gruas’. (Zan. 3:15) Sido të ketë qenë, Jehovai u dha fund tërë atyre komploteve duke sjellë Përmbytjen—një lëvizje që bëri të shkonin huq orvatjet e Satanait dhe të engjëjve rebelë në atë kohë.
12 Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga kjo ngjarje? Të mos e nënvlerësojmë kurrë fuqinë joshëse të imoralitetit ose rrezikun e egoizmit. Engjëjt që u bashkuan me Satanain kishin shërbyer për epoka të tëra në praninë e Perëndisë. Mirëpo, edhe në një ambient aq të mirë, shumë prej tyre lejuan që të hidhnin rrënjë e të rriteshin dëshirat e këqija. Në mënyrë të ngjashme, ne mund të kemi shërbyer për dekada të tëra në pjesën tokësore të organizatës së Perëndisë. Por, edhe në këtë ambient të pastër, mund të hedhin rrënjë dëshira të papastra. (1 Kor. 10:12) Sa e rëndësishme është, pra, ta hetojmë vazhdimisht zemrën tonë, t’i flakim tej mendimet imorale dhe ta shtypim krenarinë e dëmshme!—Gal. 5:26; lexo Kolosianëve 3:5.
13. Cili është një karrem tjetër i efektshëm që përdor Satanai, dhe si mund ta shmangim?
13 Një karrem tjetër i efektshëm që përdor Satanai është kureshtja për spiritizmin. Sot ai ngjall kuriozitet për demonët jo vetëm nëpërmjet fesë së rreme, por edhe nëpërmjet industrisë së zbavitjes. Filmat, lojërat elektronike dhe media bëjnë që spiritizmi të duket si diçka drithëruese. Ç’të bëjmë që të mos biem viktimë e këtij karremi? Nuk duhet të presim që organizata e Perëndisë të na japë një listë të zbavitjeve të pranueshme dhe të papranueshme. Secili nga ne duhet të stërvitë ndërgjegjen e vet që të jetë në harmoni me normat e Perëndisë. (Hebr. 5:14) Gjithsesi, do të bëjmë zgjedhje të mençura nëse zbatojmë këshillën e frymëzuar të apostullit Pavël që dashuria jonë për Perëndinë «të jetë pa hipokrizi». (Rom. 12:9) Mund të pyesim veten: «A dukem si hipokrit nga zbavitjet që zgjedh? Sikur studentët e Biblës ose rivizitat e mia të shihnin zbavitjet që zgjedh, a do të nxirrnin përfundimin se e praktikoj atë që predikoj?» Sa më shumë që fjalët tona të jenë në harmoni me veprimet, aq më pak gjasa ka të biem në kurthet e Satanait.—1 Gjon. 3:18.
14. Si mund të përpiqet të na bëjë presion Satanai, dhe si mund ta përballojmë?
14 Përveçse na tundon me karrema të ndryshëm, Satanai përpiqet edhe me anë të presioneve që të bëjmë kompromis me besnikërinë ndaj Jehovait. Për shembull, ai mund të manovrojë qeveritë që të ndalojnë veprën tonë të predikimit. Ose mund t’i shtyjë shokët e punës a të shkollës të na tallin ngaqë duam të jetojmë sipas normave morale të Biblës. (1 Pjet. 4:4) Gjithashtu, mund të ndikojë te familjarët tanë të nisur nga qëllime të mira për të na shkurajuar që të mos ndjekim mbledhjet. (Mat. 10:36) Si mund ta përballojmë gjithë këtë? Së pari, duhet ta presim këtë lloj sulmi direkt—Satanai është në luftë me ne. (Zbul. 2:10; 12:17) Pastaj, duhet të shohim çështjen më të madhe që qëndron pas këtyre sprovave—Satanai pretendon se ne i shërbejmë Jehovait vetëm kur kjo është e volitshme. Ai thotë se po të jemi nën presion, do t’i kthejmë shpinën Perëndisë. (Jobi 1:9-11; 2:4, 5) Së fundi, duhet të mbështetemi te Jehovai për forcë që t’ia dalim. Të mbajmë ndër mend se ai nuk do të na braktisë kurrë.—Hebr. 13:5.
CILAT JANË CAQET E PUSHTETIT TË SATANAIT?
15. A mund të na detyrojë Satanai të veprojmë kundër vullnetit tonë? Shpjegoni.
15 Satanai nuk i detyron dot njerëzit të veprojnë kundër vullnetit të tyre. (Jak. 1:14) Nga padija, shumë njerëz veprojnë sipas qëllimit të Satanait. Mirëpo, pasi mësojnë të vërtetën, gjithsecili bën një zgjedhje se kujt do t’i shërbejë. (Vep. 3:17; 17:30) Nëse jemi të vendosur të bëjmë vullnetin e Perëndisë, Satanai nuk bën dot asgjë për të na thyer integritetin.—Jobi 2:3; 27:5.
16, 17. (a) Çfarë kufizimesh të tjera kanë Satanai dhe demonët? (b) Pse s’duhet të kemi frikë që t’i lutemi Jehovait me zë?
16 Satanai dhe demonët kanë edhe kufizime të tjera. Për shembull, asgjëkundi në Shkrime nuk tregohet se ata mund të lexojnë mendjen ose të shohin ç’ka në zemër dikush. Shkrimet thonë se vetëm Jehovai dhe Jezui e kanë këtë aftësi. (1 Sam. 16:7; Mar. 2:8) Po në rastet kur themi diçka ose lutemi me zë, a duhet të kemi frikë se mos Djalli dhe demonët i dëgjojnë lutjet tona e na pengojnë? Jo. Përse? Ne s’kemi frikë të bëjmë vepra të mira në shërbim të Jehovait thjesht ngaqë mund të na shohë Djalli. Po njësoj, nuk duhet të kemi frikë të lutemi me zë thjesht ngaqë mund të na dëgjojë Djalli. Në fakt, Bibla është plot me shembuj të shërbëtorëve të Perëndisë që u lutën me zë, dhe askund nuk tregohet që ata të kenë pasur frikë se mos i dëgjonte Djalli. (1 Mbret. 8:22, 23; Gjoni 11:41, 42; Vep. 4:23, 24) Nëse bëjmë çmos të flasim e të veprojmë në harmoni me vullnetin e Perëndisë, mund të jemi të sigurt se Jehovai nuk do ta lejojë Djallin të na shkaktojë as edhe një dëm të përhershëm.—Lexo Psalmin 34:7.
17 Ne kemi nevojë ta njohim armikun tonë, por s’ka pse të tmerrohemi nga ai. Me mbështetjen e Jehovait, edhe njerëzit e papërsosur mund ta mposhtin Satanain. (1 Gjon. 2:14) Nëse i kundërvihemi, ai do të ikë nga ne. (Jak. 4:7; 1 Pjet. 5:9) Të rinjtë duket se janë një shënjestër e veçantë e Satanait. Ç’mund të bëjnë ata konkretisht për të qëndruar të patundur kundër Djallit? Kjo do të shqyrtohet në artikullin tjetër.
a Bibla tregon emrat personalë të disa engjëjve. (Gjyk. 13:18; Dan. 8:16; Luka 1:19; Zbul. 12:7) Përderisa Jehovai i ka vënë emër çdo ylli (Psal. 147:4), është logjike të mendojmë se edhe të gjithë bijtë e tij engjëllorë, përfshirë edhe atë që u bë Satana, kanë emra personalë.
b Satanai përmendet me këtë emër vetëm 18 herë në Shkrimet Hebraike, kurse në Shkrimet e Krishtere Greke mbi 30 herë.