Vëllezër të moshuar—Jehovai e çmon besnikërinë tuaj
PLEQTË anekënd botës, i vlerësojnë shumë privilegjet e shërbimit që gëzojnë mes popullit të Perëndisë. Ç’bekim i madh janë ata për të gjithë ne! Mirëpo, jo shumë kohë më parë, u bë një ndryshim. Pleqve më të moshuar iu kërkua t’u dorëzonin pleqve më të rinj disa nga përgjegjësitë e tyre më me peshë. Çfarë përfshinte kjo?
Sipas këtij rregullimi të ri, mbikëqyrësit qarkorë dhe instruktorët në fushë nuk vazhdojnë më në këto forma të veçanta shërbimi kur mbushin 70 vjeç. Gjithashtu, pleqtë që janë 80 vjeç ua lënë pleqve më të rinj disa caktime si për shembull, caktimin si koordinator të Komitetit të Degës ose si koordinator të trupit të pleqve në kongregacion. Si e kanë pritur këtë ndryshim këta pleq të shtrenjtë në moshë të shkuar? Kanë shfaqur besnikëri ndaj Jehovait dhe organizatës së tij!
Vëllai Ken, që ka shërbyer si koordinator i një Komiteti Dege për gati 49 vjet, thotë: «Isha plotësisht dakord me këtë vendim. Në fakt, tamam ditën kur e mora vesh, i isha lutur Jehovait në mëngjes dhe i kisha shprehur sa e nevojshme ishte që një vëlla më i ri të shërbente si koordinator.» Shumë të moshuar besnikë në mbarë botën ndihen njësoj si Keni. Normalisht, meqë u pëlqen jashtë mase t’u shërbejnë vëllezërve, në fillim provuan njëfarë zhgënjimi.
«U mërzita pak»,—thotë Esperandio, që ishte koordinator i trupit të pleqve në kongregacionin e tij. Por pranon: «Kisha nevojë për më shumë kohë që të kujdesesha për shëndetin tim të dobët.» Siç mund ta marrim me mend, Esperandio vazhdon t’i shërbejë Jehovait me besnikëri dhe të jetë një bekim për kongregacionin.
Ç’të themi për ata që kanë shërbyer për shumë vite si mbikëqyrës udhëtues e që tani kanë ndryshuar caktim? Alani, që ka shërbyer si mbikëqyrës udhëtues për 38 vjet, pohon: «Kur e mora vesh, mbeta si i mpirë.» Prapëseprapë, e pranoi se është shumë e dobishme të stërviten vëllezër më të rinj për veprën, dhe po vazhdon të shërbejë me besnikëri.
Rasëlli, që ka shërbyer si mbikëqyrës udhëtues dhe si instruktor në fushë për 40 vjet, thotë se në fillim ai dhe e shoqja u zhgënjyen. Ai tregon: «I vlerësonim jashtë mase privilegjet tona dhe ndienim se kishim fuqi për të vazhduar.» Rasëlli dhe e shoqja po e përdorin stërvitjen dhe përvojën në kongregacionin e tyre, dhe kjo i sjell shumë gëzim lajmëtarëve që shërbejnë me ta.
Edhe nëse personalisht nuk ke përjetuar ndjenja si ato që u përmendën më sipër, një ngjarje nga Libri i Dytë i Samuelit mund të të ndihmojë t’i kuptosh ata që i kanë përjetuar.
NJË BURRË MODEST DHE REALIST
Mendo pak për kohën kur biri i mbretit David, Absalomi, u rebelua. Davidi ia mbathi nga Jerusalemi për në Mahanaim, në lindje të lumit Jordan. Atje, Davidi dhe njerëzit që e shoqëronin kishin nevojë për disa gjëra të domosdoshme. A e mban mend çfarë ndodhi?
Tre burra nga ajo zonë sollën me bujari shtretër, ushqime të ndryshme dhe pajisje të nevojshme. Një prej tyre ishte Barzilai. (2 Sam. 17:27-29) Kur rebelimi i Absalomit dështoi, Davidi mund të kthehej në Jerusalem, dhe Barzilai e përcolli deri në Jordan. Davidi e nxiti të shkonte me të në Jerusalem. Si shpërblim mbreti ofroi t’i siguronte ushqim, ndonëse Barzilai ishte «njeri shumë i madh», ose i pasur, dhe nuk do të kishte nevojë për ushqimin që i ofroi mbreti. (2 Sam. 19:31-33) Por, me sa duket Davidi donte ta merrte me vete Barzilain, sepse vlerësonte cilësitë e tij dhe çdo këshillë të mençur që mund të jepte ai. Me siguri do të ishte një privilegj i jashtëzakonshëm të jetoje e të punoje në oborrin mbretëror!
Duke qenë realist dhe modest, Barzilai i kujtoi Davidit se ishte 80 vjeç. Pastaj shtoi: «A mund ta dalloj unë të mirën nga e keqja?» (2 Sam. 19:35) Çfarë donte të thoshte me këto fjalë? Barzilai duhet të kishte fituar mjaft mençuri gjatë jetës së tij të gjatë. Dhe ishte akoma në gjendje të jepte këshilla të mençura, ashtu si kohë më vonë «pleqtë» këshilluan mbretin Rehoboam. (1 Mbret. 12:6, 7; Psal. 92:12-14; Prov. 16:31) Ja pse kur tha se nuk dallonte të mirën nga e keqja, Barzilai mund ta ketë pasur fjalën për pasojat dhe kufizimet fizike që i kishte sjellë pleqëria. Ai pranoi se për shkak të moshës nuk dëgjonte e nuk i shijonte gjërat si më parë. (Ekl. 12:4, 5) Prandaj, Barzilai e nxiti Davidin të merrte në Jerusalem Kimhamin, që ishte më i ri dhe me shumë gjasa djali i vet.—2 Sam. 19:36-40.
PLANIFIKOJMË PËR TË ARDHMEN
Ndryshimi lidhur me moshën që përmendëm në fillim, pasqyron një pikëpamje të ngjashme me atë që shfaqi Barzilai. Kuptohet, në kohën tonë nuk duheshin marrë parasysh vetëm rrethanat dhe aftësitë e një individi, si në rastin e Barzilait. Ishte e nevojshme të shqyrtohej në mënyrë realiste edhe çfarë ishte më e mira për pleqtë besnikë që shërbejnë në të gjithë botën.
Këta vëllezër të moshuar e modestë, e dalluan kollaj se, nëse përgjegjësitë për të cilat ishin kujdesur prej kohësh do t’i mbanin vëllezër më të rinj, kjo do ta forconte organizatën e Jehovait për rritjen në të ardhmen. Në shumicën e rasteve, ishin pikërisht vëllezërit e moshuar ata që stërvitën më të rinjtë, ashtu si Barzilai ka të ngjarë të ketë stërvitur të birin dhe ashtu si apostulli Pavël stërviti Timoteun. (1 Kor. 4:17; Filip. 2:20-22) Këta vëllezër më të rinj kanë treguar se tani janë «dhurata në njerëz», në gjendje të ndihmojnë për «ndërtimin e trupit të Krishtit».—Efes. 4:8-12; krahaso Numrat 11:16, 17, 29.
MUNDËSI TË TJERA PËR TË NDIHMUAR
Shumë vëllezër në kongregacionin mbarëbotëror të popullit të Perëndisë që kanë deleguar disa përgjegjësi, janë në gjendje të shijojnë mundësi të reja në veprën e Jehovait.
Marko, që ishte mbikëqyrës udhëtues për 19 vjet, thotë: «Rrethanat e reja më lejojnë të interesohem më shumë për burrat jobesimtarë të motrave në kongregacionin tonë.»
Zheraldo, që ka shërbyer në veprën udhëtuese për 28 vjet, tregon: «Disa nga synimet tona të reja, janë të ndihmojmë joaktivët dhe të drejtojmë më shumë studime biblike.» Ai thotë se deri tani bashkë me të shoqen kanë arritur të drejtojnë 15 studime biblike dhe se shumë joaktivë po ndjekin mbledhjet.
Alani i cituar më sipër, komenton: «Tani kemi mundësi të përqendrohemi më shumë në veprën e predikimit. Po kënaqemi duke dhënë dëshmi në vende publike, në territore tregtare dhe duke u predikuar fqinjëve, dy prej të cilëve kanë ardhur në Sallën e Mbretërisë.»
Nëse je një vëlla i aftë e besnik që ke marrë një caktim të ri mes popullit të Perëndisë, ekziston edhe një mënyrë tjetër e veçantë si mund të japësh kontributin tënd. Mund të mbështetësh veprën e Jehovait duke ndarë përvojën tënde tejet të çmuar me burrat më të rinj në kongregacion. Rasëlli i cituar më parë, thotë: «Jehovai po stërvit dhe po përdor vëllezër më të rinj që janë të mrekullueshëm e të talentuar. Vëllazëria po nxjerr dobi nga kujdesi baritor dhe mësimdhënia e tyre plot energji.»—Shih kutinë «Ndihmoji vëllezërit më të rinj të arrijnë potencialin e plotë».
JEHOVAI E ÇMON BESNIKËRINË TËNDE
Nëse kohët e fundit ke nisur një formë tjetër shërbimi, mbaj një qëndrim pozitiv. Falë punës sate me gjithë zemër, ke ndikuar tashmë në jetën e sa e sa njerëzve dhe mund të vazhdosh ta bësh këtë. Ti ke qenë dhe vazhdon të jesh shumë i shtrenjtë për të tjerët.
Ç’është më e rëndësishmja, ke lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrën e Jehovait. Ai nuk ‘do ta harrojë veprën tënde dhe dashurinë që tregove për emrin e tij, duke qenë se u ke shërbyer të shenjtëve dhe vazhdon t’u shërbesh’. (Hebr. 6:10) Ky varg i frymëzuar na siguron të gjithëve se premtimi i Jehovait nuk lidhet vetëm me punën që kemi bërë në të kaluarën. Ti je aq i vyer për Jehovain sa s’mund të të harrojë për përpjekjet që ke bërë në të kaluarën dhe që vazhdon të bësh për t’ia kënaqur zemrën!
Ç’të themi nëse ti nuk je ndër ata që kanë pasur një ndryshim caktimi siç pamë më sipër? Gjithsesi, ky rregullim mund të ndikojë drejtpërdrejt te ti. Pse e themi këtë?
Nëse njeh një vëlla të moshuar besnik që ka ndryshuar caktim, mund të nxjerrësh dobi nga pjekuria dhe nga përvoja e tij shumëvjeçare. Kërkoji këshilla. Pyete për ndonjë sugjerim. Dhe vëzhgo si e përdor me besnikëri përvojën që ka në caktimin e tanishëm.
Qoftë nëse je një i moshuar që shërben në një caktim të ri, qoftë nëse je një vëlla a motër që ke mundësi të nxjerrësh dobi prej tyre, mbaj parasysh se Jehovai e çmon besnikërinë e atyre që i kanë shërbyer prej kohësh dhe që vazhdojnë ta bëjnë këtë.