Ji «i zellshëm për vepra të shkëlqyera» gjatë prillit!
1 Pranverën e vitit të kaluar, u dha një dëshmi e padëgjuar, ndërsa miliona kopje të fletushkës Lajmërim i Mbretërisë Nr. 34, u shpërndanë në të gjithë botën. Si lajmëtarët e kongregacionit ashtu edhe pionierët, morën pjesë me zell në këtë vepër nxitëse. A ishe edhe ti midis tyre? Nëse po, pa dyshim je gëzuar plotësisht duke marrë pjesë në këtë fushatë të shquar. Ndoshta tani po pyet veten se çfarë ‘vepre e shkëlqyer’ na pret këtë vit?—Titit 2:14.
2 Gjatë prillit dhe fillimit të majit, do të kemi kënaqësinë të shpërndajmë një botim special të revistës Zgjohuni!, numrin për muajt prill-qershor 1996, me titull, «Kur të mos ketë më luftëra». Pasi kjo temë mund të tërheqë shumë pronarë shtëpish, do të përpiqemi ta shpërndajmë revistën në masën më të gjerë që mundemi. Duke pasur parasysh rëndësinë e informacionit që përmbahet në të, ky numër i revistës Zgjohuni!, duhet ofruar në muajt prill-maj, derisa të mbarojnë furnizimet.
3 Qëllimi ynë: pjesëmarrje nga të gjithë lajmëtarët: Do të jetë me të vërtetë inkurajuese nëse çdo lajmëtar në secilin vend, mund të marrë pjesë në veprën e predikimit gjatë prillit. Duke e pasur të freskët në mendje Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, sigurisht do të duam të tregojmë çmueshmërinë tonë për mirësinë e Perëndisë, duke ofruar një ‘flijim lavdie’ të drejtpërdrejtë në shërbimin në fushë.—Hebr. 13:15.
4 Një përpjekje e zellshme duhet bërë për të dalluar nevojat e çdo anëtari të kongregacionit, me qëllim që të gjithë të mund të kenë një pjesëmarrje të zellshme në shërbim gjatë prillit. (Rom. 15:1) Drejtuesit e studimit të librit, duhet të jenë plotësisht në dijeni për rrethanat e atyre që kanë në grup dhe të ofrojnë ndihmë praktike kur është e nevojshme. A ka nevojë dikush për mjet transporti? Kush mund ta sigurojë atë? A ka disa që janë të druajtur apo të turpshëm? A mund të punojnë bashkë me të lajmëtarët më me përvojë? Ç’mund të themi për ata që janë invalidë apo të sëmurë? A mund të angazhohen në dëshminë me telefon, duke shkruar letra, apo në disa aktivitete të tjera të frytshme?
5 Disa që janë bërë joaktivë, kanë marrë inkurajim të vazhdueshëm frymor dhe mund të jenë nxitur për t’u angazhuar përsëri në veprën e predikimit. Fushata me revistën speciale Zgjohuni!, do t’u sigurojë atyre një mundësi të shkëlqyer për t’u bërë përsëri aktivë.
6 Stërviti të rinjtë që të marrin pjesë: Shumë fëmijë të Dëshmitarëve të Jehovait i kanë shoqëruar për vite me radhë prindërit e tyre nga shtëpia në shtëpi, megjithëse ende nuk shërbejnë si lajmëtarë të papagëzuar. A është tani koha që ata të fillojnë si lajmëtarë? A janë të nxitur nga zemra dhe të gatshëm për të pasur një pjesëmarrje domethënëse në veprën shtëpi më shtëpi? Kryetarët e familjeve, duhet të marrin kohë gjatë studimit familjar të Biblës, për t’i ndihmuar fëmijët e tyre të kualifikuar, të përgatisin një prezantim që i përshtatet moshës apo mundësisë së secilit. Më të rriturit mund të zgjedhin një pyetje që nxit mendimet, për të gjallëruar interesin e pronarit të shtëpisë dhe pastaj ta tregojnë përgjigjen në revistë. Fëmija më i vogël mund të japë një dëshmi të efektshme vetëm me pak fjalë. Për shembull, ata mund ta inkurajojnë pronarin e shtëpisë të «lexojë një revistë të veçantë, që këtë muaj po ofrohet në të gjithë botën». Si pjesë të përgatitjes familjare, sigurohu të përfshish sugjerimet për kapërcimin e kundërshtimeve të zakonshme. Gjatë kohës së ngrënies apo në raste të tjera të përshtatshme, inkurajoji anëtarët e familjes të tregojnë përvojat që kanë pasur në shërbimin në fushë.
7 Studentët e kualifikuar të Biblës të vazhdojnë veprën që bëri Jezui: Jezui nuk e kufizoi mësimin e tij vetëm me dhënien e udhëzimeve mbi çështjet doktrinale. Ai i shoqëroi studentët e tij në shërbim dhe u mësoi se si të predikonin. (Luka 8:1; 10:1-11) Cila është situata sot? Në Shqipëri po drejtohen më shumë se 2.000 studime biblike. Pa dyshim, me anë të një inkurajimi të përshtatshëm, shumë prej këtyre studentëve mund të ndërmarrin një hap tjetër në stërvitjen e tyre dhe të kualifikohen për të shërbyer si lajmëtarë të papagëzuar në prill.
8 Nëse po drejton një studim biblik, shqyrto këto pyetje: A po bën progres studenti në përputhje me moshën dhe aftësinë e tij? A ka filluar ta ndajë besimin e tij në mënyrë joformale me të tjerët? A po vesh «personalitetin e ri»? (Kolos. 3:10) A i plotëson kërkesat e paraqitura në shtojcën përkatëse të fletushkës Shërbimi Ynë i Mbretërisë, për të qenë një lajmëtar i papagëzuar? Nëse beson se është i kualifikuar, përse të mos e shqyrtosh çështjen me të? Disa studentëve u nevojitet vetëm një ftesë e drejtpërdrejtë për të marrë pjesë në vepër. Sigurisht, nëse studenti është i gatshëm, së pari, do të jetë e nevojshme për mbikëqyrësin drejtues që të organizojë siç bëhet zakonisht, një diskutim me dy prej pleqve. Megjithatë, mund të ketë diçka që e frenon studentin. Ndoshta, një nga pleqtë mund të të shoqërojë në studimin biblik dhe ta bëjë studentin që të flasë lirshëm mbi ndjenjat e tij për të vërtetën. Pas dëgjimit të asaj që thotë studenti, plaku ndoshta mund të japë sugjerime praktike si edhe një ndihmë biblike.
9 ‘Bli kohë’ për të shërbyer si pionier ndihmës: Çdo vit gjatë periudhës së Përkujtimit, mirënjohja për shpërblerjen nxit mijëra që të ‘blejnë’ kohë për të shërbyer si pionierë ndihmës. (Efes. 5:15-17, BR) Shpërblimet janë të mëdha, megjithëse janë të nevojshme disa sakrifica. Një numër i lavdërueshëm të rinjsh, përfitojnë nga pushimet e shkollës për të shërbyer si pionierë ndihmës. Të rriturit që punojnë me orar të plotë, përdorin mbrëmjet dhe fundjavën për të përfituar plotësisht në këtë aktivitet. Kështu, të gjithë anëtarët e familjes kanë pasur mundësinë për të shërbyer së bashku si pionierë ndihmës. Në disa kongregacione, shumica e pleqve, e shërbëtorëve ndihmës dhe e grave të tyre, janë regjistruar si pionierë ndihmës. Të nxitur nga shembulli i tyre i zellshëm, të tjerët kanë vepruar po njësoj, kështu që një përqindje e madhe në kongregacion shërbejnë si pionierë ndihmës gjatë prillit.
10 Pavarësisht nëse ke mundësi për të shërbyer si pionier ose jo, kërko mënyra për të rritur shërbimin tënd në fushë gjatë prillit. Vëri vetes një synim personal, synim që do të kërkojë disa përpjekje për t’u arritur, por që është i arritshëm. Dëshira jote për të «shpenzuar dhe për t’u shpenzuar plotësisht» në shërbim, sipas rrethanave të tua personale, do të ketë bekimet e Jehovait.—2. Kor. 12:15.
11 Mbledhjet për shërbimin në fushë: Mbledhjet për shërbimin në fushë duhen organizuar çdo ditë, gjatë fushatës me revistën Zgjohuni!, në një orar që ju lejon të filloni herët shërbimin. Gjithashtu, duhen marrë masa për dëshminë në mbrëmje. Në fundjavë, angazhohen në shërbimin në fushë shumica e lajmëtarëve, prandaj kongregacionet duhet t’i programojnë mbledhjet për shërbim të shtunave, si në mëngjes ashtu edhe në mbrëmje, gjatë shpërndarjes speciale të revistës Zgjohuni!
12 Ata që drejtojnë mbledhjet për shërbimin në fushë, duhet të sigurohen se ka mjaft territore në dispozicion. Territori që nuk është punuar kohët e fundit duhet predikuar i pari. Megjithatë, territori i pacaktuar që është nën mbikëqyrjen e Shoqatës, nuk duhet punuar pa lejen e saj. A je duke mbajtur një apo më shumë territore personale që nuk janë punuar kohët e fundit? Nëse të nevojitet ndihmë për t’i punuar ato gjatë fushatës, fol me mbikëqyrësin e shërbimit apo me vëllain që kujdeset për territoret dhe ata do të jenë të lumtur të marrin masa që t’i të kesh ndihmën e duhur.
13 Sa revista do të shpërndash? Kjo është një pyetje që mund t’i përgjigjet secili individ. Për të përcaktuar se sa revista mund të shpërndash gjatë fushatës, shqyrto tipin e territorit që do të punosh, moshën dhe shëndetin tënd, kohën që mund t’i kushtosh veprës si edhe faktorë të tjerë. Shiko, gjithashtu, sugjerimin e dhënë në numrin e 1 janarit, 1994 të Kullës së Rojës: «Si një sugjerim, lajmëtarët mund të kenë një kuotë, për shembull, prej 10 revistash në muaj, në varësi të rrethanave të tyre; pionierët mund të synojnë për 90.» Në rastin tënd, a do të ishte realist një synim i tillë?
14 Pleq: planifikimi i kujdesshëm është i nevojshëm: Sigurohu, që nëse është e mundur, të gjithë territoret e kongregacionit, të punohen me numrin special të revistës Zgjohuni! Vëmendje e kujdesshme i duhet dhënë territorit që është zonë tregtare. Ata që e punojnë këtë territor, duhet të jenë të përgatitur mirë dhe të veshur në mënyrë të rregullt. Nuk është i nevojshëm një prezantim i komplikuar. Kur i afrohesh një afaristi, mund t’i thuash se shpesh nuk i gjen në shtëpi njerëzit që merren me tregti, prandaj po e viziton në vendin e tij të punës për t’i prezantuar një artikull, që me siguri do të jetë interesant për të. Më pas, mund t’i tregosh shkurtimisht një pikë të veçantë në revistë. Gjithashtu, dëshmia në rrugë me revista, duhet organizuar në mënyrë të përshtatshme brenda territorit të kongregacionit. Mënyra më efektive për t’u angazhuar në veprën në rrugë, është që të marrësh iniciativën e t’u afrohesh kalimtarëve, në vend se të presësh që ata të të afrohen ty. Pasi do të jeni në sytë e shumë personave, duhet të jeni të vetëdijshëm se nevojitet një paraqitje dinjitoze. Në territorin tënd, mund të ketë edhe vende të tjera për t’u punuar gjatë fushatës, të tilla si, aeroportet, spitalet, vendet e parkimit të automjeteve, parqet, azilet etj. Trupi i pleqve duhet të vendosë se çfarë rregullimesh të përshtatshme mund të bëhen, për të dëshmuar në këto zona që përfshihen në territorin e kongregacionit tënd.
15 Jehovai është një punëtor i palodhur. (Gjoni 5:17) Ai krijoi qiejtë dhe tokën, planetet dhe kafshët; por vazhdoi të punojë derisa krijoi arritjen e tij të kurorëzuar mbi tokë, njeriun. Fakti që kemi jetë, është rezultat i drejtpërdrejtë i punës së vullnetshme të Perëndisë. Si «imitues të Perëndisë», duhet të nxitemi nga dashuria për të, që të jemi të «zellshëm për vepra të shkëlqyera». (Efes. 5:1; Titit 2:14, BR) Pasi Jehovai është i denjë për të marrë përpjekjet tona më të mira dhe pasi dëshira për të arritur rezultate është karakteristikë e një personi të zellshëm, duhet të jemi të interesuar për të kryer një vepër me cilësi në shërbim. Sigurisht, Jehovai e çmon çdo sakrificë që bëjmë për të dhe vepra jonë nuk është kurrë e kotë. (1. Kor. 15:58) Prandaj, me zemrat plot mirënjohje, le ta ushtrojmë veten në një aktivitet të zellshëm gjatë prillit, të sigurt për aprovimin dhe bekimin e Jehovait, si edhe për një sukses të plotë!