Si bashkëpunojnë anëtarët e familjes për një pjesëmarrje të plotë: Në shërbim
1 A ka gjë që mund të ta ngrohë zemrën më shumë se sa të shohësh bashkëshortë dhe bashkëshorte, prindër dhe fëmijë tek punojnë së bashku në shërbimin e krishterë, duke lavdëruar publikisht emrin e Jehovait? (Psal. 148:12, 13) Të gjitha familjet duhet të kenë një rutinë të mirë për të marrë pjesë rregullisht në shërbimin në fushë. A ka caktuar familja juaj një ditë në javë për të dalë në shërbim? Nëse po, atëherë gjithsecili e di mirë se çfarë ka për të bërë dhe mund të ketë kështu një pjesëmarrje të plotë.—Prov. 21:5a.
2 Përpara ditës së caktuar për shërbim si familje, përse të mos bëni bashkë një plan për të përgatitur prezantimet që do të përdorë familja juaj? Bërja e provave të tilla mund të jetë shumë e dobishme dhe mund të bëjë që të lindë një frymë e vërtetë bashkëpunimi familjar. Sa shpërblyese është kur shërbimi në fushë bëhet një çështje familjare dhe të gjithë anëtarët përgatiten mirë!
3 Një mbikëqyrës udhëtues shoqëroi një familje në aktivitetin me revista. Ndërsa punonte nga shtëpia në shtëpi me një prej vajzave, ajo e pyeti: «Sa kohë do të jemi bashkë sot në shërbim?» Pastaj, ajo i shpjegoi se më pas do të vazhdonte shërbimin me babain e saj. Dukej se ajo me të atin e gëzonin vërtet shërbimin e tyre së bashku. Çfarë fryme e shkëlqyer familjare!
4 Disa familje mund të shërbejnë së bashku si pionierë ndihmës një muaj gjatë vitit. Ose të paktën një anëtar i familjes mund të shërbejë në mënyrë të vazhdueshme si pionier ndihmës, madje edhe si pionier i rregullt. Me një organizim dhe bashkëpunim të mirë, ndoshta të gjithë anëtarët e familjes do të mund të marrin pjesë më shumë personalisht në shërbim, duke mbështetur anëtarin që shërben si pionier. Sigurisht, familja do të bekohet nga kjo rritje e aktivitetit dhe nga përvojat e bukura që gëzohen në shërbim.—Mal. 3:10.
5 Një pjesëmarrje e plotë në veprën e predikimit do të bëjë që familjet të qëndrojnë të lidhura ngushtë, të zellshme, të frytshme dhe të lumtura në shërbimin e Jehovait.—Krahaso Filipianëve 2:1, 2.