Modesti në veshje e në krehje
1 «Të gjithë burrat, madje edhe djemtë e rinj mbajnë kravatë. Të gjitha gratë dhe vajzat, qofshin këto adoleshente ose të vogla, janë të veshura me fustan ose me fund. S’të zë syri ndonjë palë xhinse ose ndonjë këmishë pa kravatë. Çdonjëri këtu shkëlqen.» Kështu thuhej në një artikull. Çfarë po përshkruhej në të? Një grumbullim politik? Një ngjarje sportive? Një koncert rroku? Aspak! Në të përshkruhej një grup vëllezërish dhe motrash gjatë një kongresi të madh krahinor të mbajtur verën e kaluar.
2 Në një qytet tjetër ku u mbajt kongresi, reporteri i një gazete i përshkroi në këtë mënyrë Dëshmitarët që morën pjesë në të: «Të gjithë burrat janë të pastër dhe të veshur me kostum e kravatë. Gratë janë të veshura në mënyrë modeste, por me hijeshi.» Një vëzhgues tjetër, një rojë sigurimi, pohoi: «Ju jeni njerëz të sjellshëm, të respektueshëm, të pastër dhe të rregullt. Ajo që sheh të kënaq syrin. Në këtë botë të ndyrë, ju ia dilni mbanë ta largoni atë që është e papastër!» Ç’shprehje të shkëlqyera lavdërimi për ne si Dëshmitarë! A nuk kënaqemi që për vëllazërinë tonë mund të flitet kaq mirë? Natyrisht, të gjithë ata që marrin pjesë në këtë grumbullim, u kanë kontribuar këtyre fjalëve të mira me anë të paraqitjes së tyre shembullore.
3 Ne njihemi në mbarë botën për faktin që jemi mjaft të ndryshëm me paraqitjen tonë. (Mal. 3:18) Përse? Sepse ndjekim këshillën biblike që ‘të stolisemi me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë, . . . si u ka hije [atyre] që pohojnë se nderojnë thellësisht Perëndinë’.—1 Tim. 2:9, 10.
4 Çfarë tregojmë me anë të veshjes e të krehjes? Veshja që mbajmë dhe mënyra se si e mbajmë atë, japin dëshmi të qartë për ne: për bindjet, qëndrimin dhe synimet tona. Stilet që zgjedhim tregojnë se kush jemi dhe se kë përfaqësojmë. Nuk duhet të nxitim mënyrën e degjeneruar të të menduarit e të të sjellurit që është e zakonshme në këtë botë. Neve nuk na intereson nëse një lloj stili është apo jo në modë, por nëse është i përshtatshëm për një që pohon se i shërben Perëndisë. (Rom. 12:2) Në vend që të zgjedhim të kemi një paraqitje që tregon frymën e pavarësisë ose që sugjeron një mënyrë jetese imorale, ne duam të tregojmë se me të vërtetë ‘i japim lavdi Perëndisë’.—1 Pjet. 2:12.
5 Ndonjëherë, një që është i ri, pa përvojë ose i dobët frymësisht mund të pranojë çfarëdo gjëje që reklamon kjo botë për sa i përket veshjes dhe krehjes, pa menduar së pari për përshtypjen që do të krijonte kjo për Jehovain dhe organizatën e tij. Secili nga ne duhet të bëjë njëfarë vetëshqyrtimi për të parë nëse jemi ndikuar nga mënyra e të menduarit të kësaj bote. Mund t’i afrohemi një vëllai ose një motre të respektuar e të pjekur frymësisht dhe t’i kërkojmë që të na thotë ndershmërisht se çfarë vëren në mënyrën tonë të të veshurit e të të krehurit dhe t’i marrim seriozisht sugjerimet që na jep.
6 Disa janë të gatshëm të pranojnë se duhet të jenë të kujdesshëm për mënyrën se si vishen kur janë të pranishëm në kongres. Por, më pas e ulin standardin e tyre gjatë veprimtarive të kohës së lirë, pas programit të ditës. Le të mbajmë një standard të lartë siç u ka hije shërbëtorëve të krishterë! (2 Kor. 6:3, 4) Në çdo vend që na shohin të tjerët, distinktivët e kongresit bashkë me veshjen dhe krehjen tonë të përshtatshme na identifikojnë si Dëshmitarë të Jehovait. Prandaj, veshja jonë duhet të jetë gjithmonë e rregullt dhe modeste, duke treguar që ‘nuk jemi pjesë e botës’.—Gjoni 15:19.
7 Le të bëjmë gjithë sa mundemi në Kongresin Krahinor të këtij viti «Lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë» për të provuar se jemi «një popull i shenjtë për Jehovain, Perëndinë [tonë]»! Përshtypja e mirë që do të krijohet do t’ia shtojë ‘lavdinë, famën dhe bukurinë’ Jehovait.—Ligj. 26:19, BR.
[Kutia në faqen 6]
Si t’i japim lavdi Jehovait?
■ Të vishemi në atë mënyrë që i ka hije një shërbëtori të Perëndisë.
■ Të shmangim stilet që tregojnë se po ndjekim frymën e botës.
■ Të tregojmë modesti, e cila pasqyron mendjen e shëndoshë.