Paraqitje e dëlirë dhe e lavdërueshme
1. Gjatë përgatitjeve për kongresin, pse duhet t’i kushtojmë vëmendje paraqitjes sonë të jashtme?
1 «Ju, Dëshmitarët e Jehovait, jeni njerëz shumë të mirë. Jeni të sjellshëm, të veshur mirë dhe tregoni respekt të thellë për njerëzit.» Kështu tha një përfaqësues hoteli për vëllezërit dhe motrat në një kongres krahinor vitin e kaluar. Në një kongres tjetër, punonjësi i një hoteli komentoi: «Duket qartë që ju visheni për t’i pëlqyer Perëndisë.» Po, delegatët e kongresit bien në sy. Prandaj duam të vishemi «në mënyrë të denjë për lajmin e mirë», pasi kjo shpesh i nxit ata që nuk janë Dëshmitarë të na lavdërojnë dhe tregon qartë që jemi shërbëtorë të Perëndisë. (Fil. 1:27) Ndërsa përgatitemi për kongresin krahinor, është e përshtatshme të mendojmë më parë për paraqitjen tonë të jashtme.
2. Pse është e vështirë të jemi të dëlirë në veshjen dhe në paraqitjen tonë të jashtme?
2 «Mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë»,—shkroi dishepulli Jakov. (Jak. 3:17) Të pasqyrojmë dëlirësi në paraqitjen tonë të jashtme mund të mos jetë e lehtë. Bota imorale e Satanait ndikon te njerëzit që të kenë stile jomodeste, sensuale dhe të çuditshme, që nuk i kanë hije një të krishteri. (1 Gjon. 2:15-17) Kështu që kur marrim vendime në lidhje me veshjen dhe paraqitjen tonë, duhet t’i kushtojmë vëmendje këshillës së Biblës që «të hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojmë me mendje të shëndoshë, . . . mes këtij sistemi të tanishëm». (Titit 2:12) Nuk do të donim kurrë t’i vinim të tjerët në siklet me paraqitjen tonë, qofshin ata vëllezërit tanë, personeli i hotelit, i restorantit ose edhe të tjerë.—1 Kor. 10:32, 33.
3. Cilat pyetje mund të na ndihmojnë për të shqyrtuar paraqitjen tonë të jashtme?
3 Veshje modeste dhe e rregullt: Kur bëhemi gati për në kongres, të pyesim veten: ‘A është modeste veshja ime ose a tërheq vëmendjen e të tjerëve më tepër se ç’duhet? A tregon respekt për ndjenjat e të tjerëve? A i kam bluzat shumë të shkurtra ose shumë të hapura? A janë të ngushta ose a e ekspozojnë së tepërmi trupin veshjet që kam? A është e pastër dhe pa aroma të pakëndshme? A do të jetë paraqitja ime e rregullt dhe e pastër siç i ka hije një shërbëtori të Perëndisë, edhe pasi kam ngrënë mëngjesin në hotel ose kam pushuar mbas programit, apo veshja ime do të jetë e çrregullt, e modës, tepër e shkujdesur dhe e papërshtatshme për një delegat të kongresit që mban distinktivin? A do të ndihem në siklet kur të jap dëshmi joformale për shkak të asaj që kam veshur gjatë kohës së lirë?’—Rom. 15:2, 3; 1 Tim. 2:9.
4. Si mund të na ndihmojnë të tjerët që të kemi një paraqitje të dëlirë?
4 Mund të nxjerrim dobi edhe nga sugjerimet e të krishterëve më të pjekur. Gratë mund të pyesin bashkëshortët se me çfarë syri do ta shihnin të tjerët veshjen e tyre. Prindërit e krishterë mund të ndihmojnë fëmijët adoleshentë në këtë aspekt. Përveç këtyre, motrat e moshuara me nderim për Perëndinë mund ‘t’i sjellin në vete të rejat që . . . të jenë me mendje të shëndoshë, të dëlira’ në paraqitjen e jashtme në mënyrë që «fjala e Perëndisë të mos shahet». (Titit 2:3-5) Botimet tona, me anë të ilustrimeve, japin shembuj të veshjeve modeste dhe të rregullta.
5. Si mund t’i sjellim lavdi Jehovait të gjithë gjatë kongresit?
5 T’i japim lavdi Jehovait: Kongreset krahinore u japin një mundësi të shkëlqyer, jo vetëm pjesëmarrësve në program, por edhe të gjithë neve, për të lëvduar Jehovain. Sigurisht që sjellja dhe e folura jonë e krishterë do ta nderojë atë. Por, gjëja e parë që u bie në sy të tjerëve është veshja dhe paraqitja jonë. Të gjithë le t’i sjellim lavdi Jehovait me anë të paraqitjes sonë të dëlirë e të lavdërueshme.—Psal. 148:12, 13.
[Figura në faqen 6]
Për një paraqitje të lavdërueshme mund të na ndihmojë
◼ Fjala e Perëndisë
◼ Vetëshqyrtimi
◼ Sugjerimet e të tjerëve
◼ Botimet e krishtere