Të tregojmë interes personal: Duke u treguar elastikë
1 Apostulli Pavël la një shembull të mirë duke e prezantuar gjithmonë lajmin e mirë në varësi të formimit dhe të mentalitetit të dëgjuesve. (1 Kor. 9:19-23) Edhe ne duhet të përpiqemi fort që të bëjmë të njëjtën gjë. Duke bërë një parapërgatitje të vogël, shpesh mund t’i përshtatim prezantimet që gjenden te Shërbimi ynë i Mbretërisë me nevojat e njerëzve në territor. Ndërsa afrohemi te dera e një shtëpie, mund të vërejmë ndonjë gjë që tregon se çfarë i intereson të zotit të shtëpisë dhe mund ta përfshijmë këtë në prezantimin tonë. Megjithatë, ka edhe një mënyrë tjetër për t’u treguar elastikë në shërbim.
2 Të bazohemi te ajo që thonë të tjerët: Kur prezantojmë lajmin e mirë, shpesh bëjmë një pyetje dhe e ftojmë të zotin e shtëpisë që të përgjigjet. Si e konsideroni përgjigjen e tij? A keni prirjen ta dëgjoni sa për edukatë, e pastaj të vazhdoni me prezantimin që keni përgatitur? Apo me fjalët që thoni, tregoni se po e merrni në konsideratë përgjigjen e të zotit të shtëpisë? Nëse tregojmë interes të sinqertë për atë që thonë të tjerët, kemi mundësinë që me takt të bëjmë pyetje të tjera për të zbuluar se çfarë mendojnë vërtet. (Prov. 20:5) Kështu mund të përqendrohemi në ato aspekte të mesazhit të Mbretërisë që u interesojnë më shumë.
3 Kjo kërkon që të jemi të gatshëm të flasim jo vetëm për atë që kemi përgatitur, por edhe për çështje të tjera. Nëse fillojmë të flasim për një problem që kemi dëgjuar në lajme dhe i zoti i shtëpisë përmend një problem lokal ose personal që e shqetëson, interesi i sinqertë për t’iu përgjigjur nevojave të të zotit të shtëpisë do të na nxitë që ta përqendrojmë bisedën biblike te ato gjëra që atij i interesojnë më shumë.—Filip. 2:4.
4 Ta përshtatim prezantimin: Kur i zoti i shtëpisë bën një pyetje, mund të jetë më mirë që ta vazhdojmë bisedën njëherë tjetër, pasi kemi bërë kërkime për informacione të mëtejshme rreth asaj teme. Mund t’i ofrojmë edhe botime ku flitet më me hollësi për atë temë. E gjithë kjo tregon interesin tonë të sinqertë për të ndihmuar të tjerët që ta njohin Jehovain.—2 Kor. 2:17.