A mund ta përshtatni programin tuaj?
1. Pse duhet ta përshtatim programin tonë të predikimit?
1 Si të krishterë të vërtetë, ne e kemi pranuar ftesën për t’u bërë «peshkatarë njerëzish». (Mat. 4:19) Ashtu si peshkatarët, ndoshta edhe ne do të kemi rezultate më të mira në veprën e predikimit nëse programojmë të dalim në shërbim atëherë kur njerëzit mund të jenë në shtëpi. Gjatë muajve të ardhshëm, në shumë vende, dita do të jetë më e gjatë. Kështu, pasdite vonë ose në orët e para të mbrëmjes mund të gjejmë më shumë njerëz në shtëpi. Shpeshherë, në këtë kohë nuk kanë shumë punë, dhe kështu janë më të gatshëm për të pritur vizita. A mund të bëni ndryshime në programin tuaj që të dilni në shërbim në këto orë?—1 Kor. 9:23.
2. Cilat janë disa mënyra për të folur me më shumë njerëz për lajmin e mirë?
2 Predikimi në mbrëmje: Nëse planifikojmë më përpara për të predikuar në orët e mbrëmjes, mund të flasim me më shumë njerëz për lajmin e mirë. (Prov. 21:5) Të rinjtë mund të kenë mundësi të predikojnë pas shkolle. Të tjerët mund ta bëjnë këtë pas pune. Disa grupe të studimit të librit mund të organizohen për të predikuar një orë para studimit javor të librit.
3. Në ç’mënyrë mund të predikoni pasdite vonë dhe në orët e para të mbrëmjes në territorin tuaj?
3 Nëse predikojmë nga shtëpia në shtëpi pasdite vonë ose në orët e para të mbrëmjes, mund të flasim me ata që zakonisht nuk i gjejmë në shtëpi. Në shumë territore, dhënia e dëshmisë në rrugë ose në forma të tjera të shërbimit në vende publike, është e mundur edhe në mbrëmje. Dhe për shumë lajmëtarë mbrëmja është koha më e mirë për të bërë rivizita dhe për të filluar studime biblike.
4. Pse është e rëndësishme të tregojmë konsideratë e aftësi dalluese kur predikojmë në mbrëmje?
4 Nevojitet aftësi dalluese: Duhet të kemi gjykim të mirë kur predikojmë në mbrëmje. Zakonisht është më mirë të predikojmë në orët e para të mbrëmjes, sesa vonë kur të zotët e shtëpisë bëhen gati për të fjetur. (Filip. 4:5) Kur trokitni në derë, qëndroni në një vend ku mund t’ju shohin dhe tregojuni qartë se kush jeni. Bëjuni menjëherë të ditur qëllimin e vizitës suaj. Nëse keni shkuar në një kohë të papërshtatshme për ta, si për shembull kur familja po ha darkë, thuajini se do të ktheheni një herë tjetër. Shfaqni gjithmonë konsideratë për të tjerët.—Mat. 7:12.
5. Si mund t’i shmangim rreziqet e mundshme ndërsa predikojmë?
5 Gjithashtu duhet të marrim parasysh edhe rreziqet që mund të na kanosen. Nëse po predikoni në muzg ose në errësirë, është e mençur që të jeni dyshe ose në grup. Lëvizni nëpër rrugë të ndriçuara mirë, ku nuk jeni të izoluar. Predikoni vetëm në vendet ku ndiheni të sigurt. Shmangini ato zona që janë të rrezikshme në errësirë.—Prov. 22:3.
6. Ç’dobi tjetër kemi kur predikojmë pasdite vonë ose në orët e para të mbrëmjes?
6 Predikimi pasdite vonë dhe në orët e para të mbrëmjes na jep mundësinë të dalim në shërbim me pionierë ndihmës dhe të rregullt. (Rom. 1:12) A mund ta përshtatni programin tuaj në mënyrë që të dilni në shërbim në këto orare?